Parime dhe elemente të ndërmjetësimit në mosmarrëveshjet NE DREJTSI




http://eseshkolle.blogspot.com/Tema: “Parime dhe elemente të ndërmjetësimit në mosmarrëveshjet”.
Hyrje

Parime dhe elemente të ndërmjetësimit në mosmarrëveshjet.
Pse ndihet domosdoshmëria për ndërmjetësim në kontekstin shoqëror?
Mbron dhe ruan vazhdimësinë e marrëdhënies.
Konflikt do të thotë që palët janë në opozitë.
Qëndrimet ndaj konfliktit.
Çfarë është situata konfliktuale? Cili është raporti ndërmjet konfliktit dhe mosmarrëveshjes?
Çfarë është situata e krizës?
Çfarë është ndërhyrja?
Çfarë është zgjidhja e konfliktit?
Fillimi i procedurës ligjore të ndërmjetësimit.
Rast studimi ne vend te konkluzionit.
Literatura  



Hyrje
Ndërmjetësimi, si një alternativë në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, është po aq i lashtë sa edhe njerëzimi nga koha që njerëzit filluan të jetojnë në komunitet, konfliktet midis anëtarëve të një komuniteti kanë qenë objekt i ndërhyrjes së anëtarëve të tjerë të grupit. Ndonëse ka një lidhje të fortë gjenetike midis  ndërmjetësimit tradicional dhe atij modern, një sërë karakteristikash e bëjnë të mundur dallimin ndërmjet tyre. Në qoftë se në ndërmjetësimin “modern”, pronësia e procesit lidhet me palët në konflikt, çka do të thotë se palët janë “zot” i procesit dhe ndërmjetësi thjesht asiston palën që të zhvillojnë zgjidhjet e tyre, në atë tradicional ndihet roli zotërues i palës së tretë, sugjerimet e të cilit kanë autoritet të madh mbi palët. Zbatimi i ndërmjetësimit në trajtimin e mosmarrëveshjeve përbën një alternativë konstruktive jashtëgjyqësore për arritjen e një zgjidhjeje të kënaqshme për palët e përfshira në mosmarrëveshje. Procedurat ndërmjetësuese krijojnë mundësi për të dëmtuarin ose viktimën që të shohë në sy shkaktarin e veprës, të kuptojë arsyet dhe shkaqet e ndodhjes së veprës dhe, mbi të gjitha, të kapërcejë frikën e të rifitojë sigurinë për të ardhmen. Prandaj nevojitet një rritje e nivelit të ndërgjegjësimit të publikut për njohjen dhe pranimin e kësaj forme zgjidhjeje dhe një bashkëpunim më i madh midis strukturave publike dhe private, në mënyrë që shoqëria jonë të priret drejt shmangies dhe jo gjenerimit të konflikteve, drejt përfshirjes dhe jo diskriminimit, drejt tolerancës dhe jo përçarjes. Duhet theksuar se, procedurat ndërmjetësuese nuk kanë për qëllim të zëvendësojnë sistemin gjyqësor. Për më tepër, zbatimi i procedurave ndërmjetësuese në zgjidhjen e një mosmarrëveshjeje nuk i heq të drejtën palëve për t’iu drejtuar gjykatës ose organeve proceduese, kur ato ngelen të pakënaqura nga ndërmjetësimi dhe nuk arrijnë në një marrëveshje.

Parime dhe elemente të ndërmjetësimit në mosmarrëveshjet.

Ndërmjetësimin do ta përkufizonim si një procedurë jashtëgjyqësore konfidenciale, të rregulluar me ligj, ku palët marrin pjesë vullnetarisht, që synon zgjidhjen e mosmarrëveshjeve që lindin nga kryerja e një vepre, duke përdorur shërbimet e një personi të tretë të pavarur dhe të paanshëm.
Palët në mosmarrëveshje, pra personi i dëmtuar dhe autori i veprës, janë pjesëmarrësit kryesorë të një procedure ndërmjetësimi. Ato duhet të kenë të gjitha mundësitë, si dhe kohën e nevojshme për t’u informuar mbi të drejtën e tyre, për të marrë pjesë ose jo në ndërmjetësim dhe atë çka sjell pjesëmarrja ose mospjesëmarrja. Ato duhet të jenë të informuara për natyrën e kësaj forme zgjidhjeje dhe për detyrimet që lindin në rast të arritjes së një marrëveshjeje në përfundim të kësaj procedure. Në bazë të këtij informacioni palët/personat duhet të vendosin, me vullnetin e tyre të lirë, për të marrë pjesë ose jo në një procedurë ndërmjetësimi. Në asnjë rast nuk duhet ndikuar mbi palët me mjete ose mënyra të padrejta për t’i shtyrë ato të përfshihen në ndërmjetësim. Në asnjë rast nuk duhet proceduar me ndërmjetësim, nëse njëra nga palët vlerësohet e paaftë për të kuptuar domethënien e procesit. Palët duhet të jenë të lira të tërhiqen në çdo moment të ndërmjetësimit. Ky parim është fjalëzuar në rekomandimin (99) 19 të këshillit të Europës dhe gjen shprehje edhe në nenin 1 të ligjit nr. 9090, datë 26.06.2003 “Për ndërmjetësimin në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve”.
Duhet theksuar se për të siguruar të drejtën e ndërmjetësimit për çdo person që e kërkon, nuk mjafton vetëm rregullimi ligjor ose ngritja e enteve ndërmjetësuese dhe zbatimi prej tyre i dispozitave ligjore, por duhet të garantohet që ky zbatim të jetë i barabartë dhe i njëjtë për të gjithë dhe i pandikuar nga asnjë lloj paragjykimi, diskriminimi ose veçimi qoftë nga organet proceduese, qoftë nga ndërmjetësit. Më tej akoma nevojitet që të sigurohet zbatimi i drejtë dhe në kohë i marrëveshjeve të arritura. Duhet që këto marrëveshje nga njëra anë të arrijnë një riparim efektiv të dëmit, dhe nga ana tjetër, detyrimi të jetë përpjesëtimor me të dhe brenda mundësive të palës së detyruar.
Gjatë ndërmjetësimit duhet të mbajmë parasysh të njëjtat parime si dhe në procesin gjyqësor, siç është gjëja e gjykuar. Të mos dënohet dy herë për të njëjtën cështje etj. nëse nga palët nuk arrihet marrëveshja, çështja çohet në gjykatë, e cila vendos për vazhdimin dhe zgjidhjen e procesit. Ndërmjetësimi duhet të rregullohet nga standarde të qarta, të jetë i kontrollueshëm dhe ndërmjetësit të trajtohen para dhe gjatë ndërmjetësimit, duke patur parasysh nivelet e ndryshme shoqërore. Që ndërmjetësimi të ketë rezultate pozitive para se të fillojë, ndërmjetësi duhet të informohet me të gjitha dokumentet dhe faktet përkatëse që ka për çështjen konkrete, të jetë i paanshëm dhe të bazohet vetëm në faktet e çështjes si dhe në nevojën dhe dëshirat e palëve, të sigurohet respektimi i secilës palë dhe dinjiteti i tyre. Të krijohet ambjenti i përshtatshëm për ndërmjetësim, ai të bëhet me dyer të mbyllura, dhe nëse gjatë proçesit dalin në pah shkelje të rënda, ndërmjetësi duhet të informojë organet kompetente ose personat përkatës. Ndërmjetësimi duhet të mbështetet në vullnetin e palëve, ndërmjetësi duhet të njoftojë organet e drejtësisë në lidhje me fazat dhe rezultatet e ndërmjetësimit megjithatë ai nuk duhet të bëjë të njohur përmbajtjen e seancave të ndërmjetësimit as të shprehë ndonjë gjykim në lidhje me shkeljet e palëve gjatë procesit penal. Duhet të ketë këshillime të vazhdueshme të ndërsjella midis gjykatës, prokurorisë dhe ndërmjetësit me qëllim që të ketë konceptim të njëjtë të problemeve të ndryshme.
Pse ndihet domosdoshmëria për ndërmjetësim në kontekstin shoqëror?
Fundi i shekullit të 20-të shfaqi dukshëm forcën e një tipi të ri zgjidhjeje konfliktesh që “konkurron“ zgjidhjen gjyqësore të mosmarrëveshjeve. Kjo alternativë nuk është kufizuar në ndonjë ose nga ndonjë juridiksion i veçantë, a nga ndonjë degë e veçantë e së drejtës. Gradualisht po prek çdo fushë ligjore dhe po përhapet në çdo sistem juridik. Fakti që politika e konsensusit ka hedhur themele të shëndosha, tregon se për të shoqëria ka një kërkesë të fortë dhe të gjithanshme. Kjo lëvizje dhe përkrahje e zgjidhjes konsensuale është quajtur si drejtësia e komunitetit, drejtësia restauruese (përtëritëse) ose edhe drejtësia formale. Lëvizja ndërmjetësuese e ditëve tona, sikurse edhe në të shkuarën, nuk është një kështjellë e ngritur në hava, por ka mbështetjen e burimeve të ndryshme tradicionale, ideologjike dhe tashmë edhe ligjore. Ritmi i shpejtë i ndryshimeve shoqërore dhe ekonomike në vendin tonë në këto dhjetë vitet e fundit është karakterizuar përgjithësisht nga rritja e numrit të konflikteve. Prirjet e reja në sjelljet bashkëkohore të diktuara nga rrjedha impulsive e jetës në një ekonomi tregu, ku duhet të bashkëjetojë publikja me privaten, por edhe “privatet” me njëra-tjetrën, tregojnë se një numër i madh mosmarrëveshjesh janë krejt të reja, disa të mbartura, e disa të sajuara, disa më të thjeshta e të tjera më të komplikuara.
Ndërmjetësimi është jo rrallë shumë më i përshtatshëm, se sa mekanizmat e tjerë të zgjidhjes për shkak të çështjeve delikate, të pleksura keq, nga pikëpamja emocionale dhe reale, pronësore dhe jopronësore që lidhen me mosmarrëveshjen.


Mbron dhe ruan vazhdimësinë e marrëdhënies.

Ndërmjetësimi është në thelb dialogu ose negocimi me përfshirjen e një të treti, ku përmes qëndrimeve asnjanëse dhe komunikimit asnjanës por të qartë, u tregon palëve se mosmarrëveshja është e tyre dhe ata janë “zot” në zgjidhjen e konfliktit. Ndërmjetësimi shpeshherë përshkruhet si “rruga e krijimit shkallë-shkallë e rendit dhe bashkëpunimit midis palëve dhe nëse të gjitha çështjet që janë pjesë e konfliktit, do të zgjidhen përmes ndërmjetësimit, ka shumë të ngjarë që ajo çka është arritur dhe përfituar do t’i rezistojë testit të kohës. Ky është një avantazh të cilin e ka privilegj ky proces, dhe më rrallë zgjidhjet gjyqësore. Ndërmjetësimi fokusohet në të tashmen dhe të ardhmen, por nuk mund të injorojë as të shkuarën. Një proces konsensual vendimmarrjeje mund të ndihmojë palët të mbërrijnë në marrëveshje qoftë edhe kur kjo në fakt shënon fundin e marrëdhënieve ndërmjet tyre. Ndërmjetësimi nuk është në fakt një lloj terapie ose këshillimi. Ai nuk parashikon insistimin dhe synimin që palët të pajtohen dhe të shpëtojnë raportet e tyre.

Konflikt do të thotë që palët janë në opozitë.

Pra,konflikti është fakti, ajo që ndodh dhe që nuk perceptohet njësoj nga të dyja palët. Është e kuptueshme që perceptimi varet nga shumë faktorë. Të tillë janë makro dhe mikro mjedisi në të cilin ai është lindur, rritur, edukuar, steriotipe dhe paragjykime të caktuara të formuara nga ajo përvojë e jetës vetjake, ose e jetës së të tjerëve, të tillë si prindërit, motrat, vëllezërit, të afërmit, madje, ndonjëherë, edhe ata që duken si pa ndikim në një moment të caktuar, por mund të kenë dhënë ndikimin e tyre në një deformim të caktuar. Kjo varet nga toleranca, nga të pranuarit ose jo të fajësisë, nga ndjenja e tërheqjes dhe e shmangies, nga pushteti që dëshiron të vendosësh mbi të tjerët, nga interesi i çastit, nga dëshira për t’u treguarsi më i forti e fitimtari etj. Arsyet dhe shkaqet
e qëndrimeve të caktuara janë të pafundme.

Qëndrimet ndaj konfliktit.

Zakonisht dy janë qëndrimet e edukuara lidhur me konfliktin ose që mund të mbajmë ndaj konfliktit:-Të luftojmë apo...-të dorëzohemi? Të dyja qëndrimet, pra si ai prej luftëtari edhe ai prej një individi të tërhequr, janë qëndrime njerëzore.  
Nga konflikti i menaxhuar keq ose dobët lind mosmarrëveshja. Mosmarrëveshja është faza e shpërthimit të konfliktit. Temperatura është rritur. Të konfliktuarit janë të inatosur dhe të revoltuar. Konflikti, tashmë mosmarrëveshje, manifestohet përmes:a) “përleshjes” në diskutim ose argumente;b) grindjeve të ashpra;c) mosmarrëveshjeve që janë shenjë e një konflikti të pazgjidhur ose të menaxhuar dobët ose keq.


Çfarë është situata konfliktuale? Cili është raporti ndërmjet konfliktit dhe mosmarrëveshjes?

Situata konfliktuale është ajo që lind, në mes të dy forcave (grupeve apo individëve), me tensione të kundërt, të cilët kanë interesa të ndryshëm, si rrjedhim i të cilave krijohen mosmarrëveshje ose acarime. Kur konflikti rritet, njerëzit veprojnë në mënyrë të pandërgjegjshme, në mënyrat që ata i kanë zhvilluar nga përvojat dhe vrojtimet e tyre.

Çfarë është situata e krizës?

      Eshtë një ngjarje, ose vargu i ngjarjeve, e cila përkohësisht ia kufizon personit aftësitë normale të veprimit dhe të të menduarit. Mund të jetë situatë shumë serioze, ku personi reagon në mënyrë potencialisht të rrezikshme për shkak të mungesës së mundshme të burimeve për ta zgjidhur problemin e tij/saj.


Çfarë është ndërhyrja?

Eshtë akti i ndërmjetësimit në mes të dy individëve (grupeve) të përfshirë në konflikt, për të penguar dhe /ose modifikuar sjelljet ose veprimet e tyre.




Çfarë është zgjidhja e konfliktit?

Zgjidhja e konfliktit është tërësia e masave qe merren e zbatohen, të cilat bëjnë të mundur qetësimin e gjendjes dhe dhënien fund të mosmarrëveshjeve. Individët e përfshirë në konflikt kanë një këndvështrim skeptik lidhur me zgjidhjen e situatës. Atyre u duket se nuk ka alternativë. Por ata që kanë mosmarrëveshje mund të vërejnë se kanë interesa të përbashkët, që kjo situatë të zgjidhet me kosto sa më të ulëta.


Fillimi i procedurës ligjore të ndërmjetësimit.


Procedura ligjore për ndërmjetësim fillon në datën për të cilën palët kanë rënë dakord.Në rregulloren e saj qendra ka përcaktuar se, në qoftë se njëra nga palët i drejtohet qendrës, duke i kërkuar asaj zgjidhjen e mosmarrëveshjes nëpërmjet ndërmjetësimit, qendra do t’i kërkojë atij pagesën e tarifës së regjistrimit dhe pastaj do të kontaktojë palën tjetër, duke e vënë në dijeni për kërkesën e bërë për ndërmjetësimin ose arbitrazhin e mosmarrëveshjes dhe duke i kërkuar konfirmimin për pjesëmarrjen ose jo në proces.

Nëse pala tjetër nuk i përgjigjet kërkesës brenda 30 ditëve nga data që i është dërguar ftesa ose brenda afatit kohor të përcaktuar në vetë ftesën, atëherë heshtja do të konsiderohet si mospranim.
Kur pala pranon, atëherë ndiqet procedura për caktimin e ndërmjetësit. Palë mund të caktojnë edhe më shumë se një ndërmjetës. Kur zgjidhen dy ndërmjetës, atëherë secila nga palët ka të drejtë të vendosë për njërin prej tyre. Kur ndërmjetësimi do të bëhet nga më shumë se dy ndërmjetës, atëherë secila nga palët zgjedh nga një dhe për të tjerët vendosin bashkërisht.

Qendra, brenda 10 ditësh do të njoftojë ndërmjetësin dhe do t’i kërkojë atij që të caktojë datën e takimit të parë me palët, brenda 15 ditësh.


Pas marrjes së njoftimit për datat e propozuara të takimit të parë, Qendra do ua bëjë ato të njohura palëve dhe do t’u kërkojë atyre datën më të përshtatshme.

Në takimin e parë të ndërmjetësit ose arbitrit me palët, në të cilin mund të marrë pjesë dhe një përfaqësues i Qendrës, do të diskutohet për kohëzgjatjen orare dhe kalendarike të procesit, datën e fillimit të tij dhe grafikun e zhvillimit të procesit,
për rregullat, procedurat dhe kodet që do të zbatohen nga ndërmjetësi

Ndërmjetësi mund ta zhvillojë procesin e ndërmjetësimit, duke komunikuar me të dyja palët së bashku në të njëjtën kohë ose veçmas me secilën prej tyre, duke bërë kujdes për të manifestuar një sjellje të paanshme.

Çdo e dhënë që del gjatë procesit të ndërmjetësimit mbetet konfidenciale.
Procedura e ndërmjetësimit mbaron me arritjen e marrëveshjespër ndërmjetësim ose me deklaratat me shkrim të palëve që pranojnë se procedura e ndërmjetësimit ka mbaruar me ose pa sukses.


Rast studimi ne vend te konkluzionit.


Shtetasi A dhe shtetasi B kanë qenë shokë dhe janë bashkëmoshatarë, përkatësisht A-ja është 16 vjeç dhe B-ja 16 vjeç. Të dy ndjekin vitin e dytë të shkollës së mesme. Tre muaj para ngjarjes ata janë zënë pa asnjë shkak me njëri-tjetrin. Nga kjo zënkë ata kanë pasur
gjithmonë mosmarrëveshje, duke u hequr të dy si të fortë me shokët e tjerë të klasës.Të dyja palët kanë goditur njëri-tjetrin. Shtetasi A ka marrë një gur dhe e ka goditur në kokë dhe fytyrë, duke i shkaktuar plagë, që në bazë të aktit mjeko-ligjor, plagët hyjnë në kategorinë e plagosjes së lehtë. Palët janë ndarë nga mësuesit dhe shtetasi A është shoqëruar për në komisariatin e policisë. Vepra e kryer parashikohet nga neni 89, i kodit
Penal “Plagosje e lehtë me dashje”.Personi që kryen një kundërvajtje penale ka përgjegjësi kur ka mbushur moshën 16 vjeç. Duke u mbështetur në nenin 284 të kodit të Procedurës Penale, vepra penale është parashikuar nga neni 89 i kodit Penal. Ndjekja penale mund të fillojë vetëm me ankimin e të dëmtuarit, i cili mund ta tërheqë atë në çdo fazë të procedimit. Ankimi bëhet te prokurori ose në policinë gjyqësore. Prokurori ose oficeri i policisë gjyqësore, në përputhje me nenin 2 të ligjit nr. 9090, datë 26. 6.2003 “Për ndërmjetësimin në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve”, mund ta zgjidhë konfliktin penal midis dy të rinjve me anë të metodës së ndërmjetësimit, duke e transferuar rastin pranë
Qendrës së ndërmjetësimit. Prokurori ose oficeri i policisë gjyqësore duhet t’u drejtohet
palëve dhe ato të shprehin vullnetin e tyre për zgjidhjen e konfliktit të tyre mendërmjetësim dhe për ta transferuar rastin pranë Qendrës së ndërmjetësimit. Në rastin konkret, kanë si kërkesë kryesore të viktimës mos-ankimin në prokurori ose heqjen dorë nga ankimi, i cili tërhiqet në çdo fazë të procedimit. Duke pasur parasysh moshën e re të të konfliktuarve, në disa raste palët e kishin të vështirë të kontaktonin me njëri-tjetrin në seancën ndërmjetësuese, duke synuar që të bënin përgjegjës për konfliktin njëri-tjetrin.
Kjo është shmangur nga ndërhyrjet e ndërmjetësit, por edhe të palëve të tjera ndihmëse që kanë ndikuar në procesin ndërmjetësues, në rastin konkret prindërit e të konfliktuarve.
Kjo ka qenë edhe një kërkesë e ndërmjetësve, duke marrë parasysh ndikimin që duhet të kenë prindërit në këto grupmosha. Kjo ndërhyrje ka qenë mjaft e dobishme sidomos në organizimin e takimit të palëve të konfliktuara në seancën ndërmjetësuese.           Në këtë rast edhe në rastet e tjera të konflikteve penale midis të rinjve në përshpejtimin e zgjidhjes e konfliktit ndikon edhe frika e përballjes me institucionet e drejtësisë, policisë ose prokurorisë. Palët e konfliktuara, duke qenë në moshë te re, kanë një lloj frike nga përballja me këto institucione, fakt që ka ndikuar që edhe konflikti të ishte më i lehtë për t’u zgjidhur. Në rastin konkret, ndërmjetësi u krijoi palëve, pra shtetasit A dhe shtetasit B një atmosferë të ngrohtë, ku palët u ndienë të barabartë midis tyre.
Ndërmjetësi përcakton rregullat ku i drejtohet palëve, se:-nuk do të jetë i njëanshëm;-nuk do të gjykojë asnjë nga palët;-çdo gjë që do të thuhet gjatë procesit të ndërmjetësimit do të mbetet konfidenciale midis palëve. Një rëndësi të madhe ka roli i ndërmjetësit midis dy palëve të acaruara nga një konflikt. Ekzistenca e një personi të tretë, të qetë, që i ul palët në një tavolinë është edhe veçantia e ndërmjetësimit. Ndërmjetësit, përveç hapit të parë të uljes së palëve në tavolinë, i takon edhe detyra t’u shpjegojë atyre avantazhet dhe disavantazhet që mund t’u vijnë atyre nga dërgimi i çështjes në gjykatë, si dhe sensibilizimit të tyre që t’i japin një zgjidhje problemit që gjërat të mos mbeten shumë kohë pezull. Ai duhet t’i orientojë palët drejt një zgjidhjeje të efektshme që përfundimisht t’i sheshojë mosmarrëveshjet ndërmjet tyre. Përveçse një procedurë që rregullohet sipas ligjit, ndërmjetësimi përfshin në vetvete edhe një proces psikologjik dhe shpesh i duhet dhënë prioritet ndërmjetësit, si një faktor i rëndësishëm në uljen e gjakrave.

Palët ranë dakord të pranojnë rregullat themelore nga ana e tyre për zhvillimin e procesit të ndërmjetësimit. -Të mos përdorin fyerje, fajësime dhe epitete ndaj njëri-tjetrit.-Të mos ndërpresin njëri-tjetrin.-Të jenë të sinqertë.-Të bëjnë përpjekje për të zgjidhur problemin.
Flet pala e parë (në konfliktet penale zakonisht e para dëgjohet pala e dëmtuar/viktima), në rastin konkret, shtetasi B, i cili parashtron pretendimet. I dëmtuari fokusohet fillimisht në sqarimin e fakteve, të rrethanave, që palët të sqarojnë mosmarrëveshjen, e cila ka çuar në konflikt. Ndërmjetësi në këtë rast mban parasysh se gjatë këtij procesi mosmarrëveshja nuk është më problemi kryesor. Pala e dëmtuar, ndaj palës së akuzuar, në kërkesat e saj parashtron disa zgjidhje të mundshme për palën tjetër. Dëgjohen pretendimet dhe kërkesat e palës së akuzuar (shtetasi A), ku si kërkesë kryesore ndaj palës së dëmtuar është heqja dorë nga ankimi dhe zëvendësimi i dëmit. Palës së dëmtuar nga vepra penale i ka ardhur një pasojë: plagosje e lehtë. Nga këto dëmtime kjo palë është mjekuar në spital, ka qëndruar në shtëpi për shërimin e plagëve të marra,
pra i është shkaktuar një dëm civil. Personi i dëmtuar nga vepra penale ka të drejtë të kërkojë procedimin e fajtorit dhe shpërblimin e dëmit. Nga pretendimet e palës së akuzuar në konflikt arrihet të zbulohen shkaqet e konfliktit, çka mundëson sqarimin e mëtejshëm të tyre. Në kërkesat e tyre të dyja palët e konfliktuara kanë shprehur çdo
ide që u vjen në mend për zgjidhje më të pranueshme të problemit. Ndërmjetësi në asnjë rast nuk duhet të gjykojë asnjë ide si të mirë ose të keqe. Ai duhet t’i nxisë palët të shprehin sa më shumë ide dhe zgjidhje të ndryshme dhe të mundshme. Këto mbahen shënim nga ndërmjetësi. Gjatë parashtrimit të kërkesave të palëve, ndërmjetësi zbulon
interesat e përbashkëta të palëve, si dhe gjetjen e zgjidhjes më të mundshme për vetë palët në konflikt. Ndërmjetësi nuk sjell vendime të detyrueshme. Arritja e përfundimit të marrëveshjes midis palëve për zgjidhjen e konfliktit dhe pasojat e tij në të ardhmen, realizojnë në praktikë parimin e barazisë së palëve në konflikt.

Literatura


Ligji nr. 8465, datë 11.03.1999 “Për ndërmjetësimin për zgjidhjen me pajtim
të mosmarrëveshjeve”.

Ligji nr. 9090, datë 26.06.2003 “Për ndërmjetësimin në zgjidhjen e
mosmarrëveshjeve”.

Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë, 1995.

Komentari i Kodit Penal, 2006.

Revista “Pajtimi” (2002, 2004, 2005). I Elezi,“Ndërmjetësimi për pajtim në konfliktet
penale”,Tiranë2004.

Ndërmjetësimi viktimë-i akuzuar. Drejtësia restauruese, Tiranë 2005.

Sh Bejko,“Hapësira ndërmjetësuese për parandalimin e krimit të organizuar”,
Pajtimi 1/2002.

I Elezi,“Zgjerimi i mundësive për pajtim në çështjet penale” Pajtimi 2/2001.

I Elezi,“Zgjidhja e konflikteve penale dhe eksperienca shqiptare” Ndërmjetësimi
2004.
Paus K Karen, “Ndërmjetësimi viktimë-kundërvajtës në Norvegji”, Pajtimi
2/2001.

•Ligji nr. 9090, datë 26.6.2003 “Për ndërmjetësimin në zgjidhjen e
mosmarrëveshjeve”.

• Ligji nr.7905,datë21.3.1995 “Kodi i Procedurës Penale i Republikës së
Shqipërisë”.
• Ligji nr.7895,datë27.1.1995 “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”.

• Rekomandimi nr.(81)7 i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës “Mbi
masat për të lehtësuar aksesin tek drejtësia”.

• Rekomandimi (86)12  Komitetit të Ministrave të Këshilli të Europës lidhur me
“Masat për të penguar apo pakësuar mbingarkesën e tepërt të gjykatave”.

Popular

BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR

BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR
BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR - GJITHASHTU DHE RIPAROJME