MARDHENJA MESUES NXENES, NXENES PRINDER, PRINDER MESUES DETYRAT E SECILIT



http://eseshkolle.blogspot.com/
Shkolla dhe mësuesit, kanë nevojë për ndihmën e prindërve. Duan prej tyre: kohë, interesim dhe kontribut. Të gjithë për një qëllim të përbashkët: të përgatisin fëmijët për jetën. Prandaj duke punuar së bashku, shkolla do të zgjedh pjesën kryesore të problemeve. Shkolla në disa vende të  diasporës  janë të  organizuara mirë dhe cilësore. Shkollat janë një sistem i krijuar nga shoqëria për interesat e vetë shoqërisë. Fuqizimi i rolit të prindit si pjesë integrale e procesit të edukimit dhe përfshirja e tyre në të gjitha aspektet e jetës së fëmijës, është shumë i rëndësishëm, sepse kështu fëmijët shfaqin plotësisht potencialin e tyre në shkollë e jetë, pasi ata kanë nevojë të ndihen mirë, të mësohen të marrin vendime, të jenë përgjegjës për rezultatet e këtyre vendimeve. Dihet se edukimi fillestar nis në familje dhe prindi është mësuesi i parë i fëmijës së tij. Por ky rol i prindërve duket sikur zvogëlohet me kalimin e viteve, sepse shtohen pjesëmarrës të tjerë në këtë edukim.

Sot zhvillimi i individit ndikohet nga tërësia e mjediseve ku ai vepron në jetën e përditshme. Është vërtetuar se sa më e madhe të jetë përfshirja e prindërve në edukim, aq më i përparuar është fëmija në çdo aspekt. Kjo përfshirje, në kuptimin e gjerë të fjalës, përfshin prindërimin. Ky koncept nuk do të thotë që të mohohet edukimi në shkollë dhe ai në mjedisin e gjerë. Këto dy anë të edukimit, me efektet pozitive dhe negative të tyre, na tregojnë se prindërit dhe familja janë parësore në edukim. Kjo shpjegohet me lidhjen mjaft të madhe të fëmijëve me prindërit në fëmijërinë e hershme, me faktin që shpesh prindërit ( sidomos nëna) kujdeset se si do të shkojë fëmija i tyre në shkollë, librat që do të lexojë, programet e TV që do të ndjek, shokët me të cilët do të rrijë etj. Shumica e prindërve u përkushtohen shumë fëmijëve të tyre. Ata ruajnë lidhje emocionale të forta

Ne kete edukim nuk mund të mohohet shkolla, e cila, u jep nxënësve mundësi të barabarta arsimimi dhe u krijon një sistem vlerash të qëndrueshme. Prindërit kanë detyrë të përkushtohen si partnerë edukimit ndaj shkollës së fëmijëve të tyre. Dhe se prindi është edukator i fëmijës. Suksesi i nxënësit arrihet 45% nga puna e tij, 30% mësuesve të tyre dhe 25% prindërve. Prindi duhet të lidhet ngushtë me mësuesit që i japin mësim fëmijës së tij.
Mësuesi kontrollon nxënësin si i ka kryer detyrat në shtëpi, si sillet ai në shkollë, si përgatitet ai për shkollë ( të ushqehet mirë ). Prindërit duhet të kenë marrëdhënie të mira me shkollën dhe ta ndjekin fëmijën e tyre hap pas hapi. Gjithsesi prindërit më së miri mund ta ruajnë kontrollin dhe rolin e tyre duke e mësuar gjuhën e shkollës dhe duke u integruar në sistemin shkollor të shoqërisë ku ato jetojnë, me punë apo aktivitete të ndryshme. Kështu që ata gradualisht do ta kuptojnë shoqërinë dhe kulturën e re, do të dinë që t’i drejtojnë fëmijët më së miri në një mjedis të ri. Mungesa e lidhjes prind- shkollë krijon prapambetje relative, mungesë arsimimi. Shkolla ndikon në arritjet e nxënësve, por familja ndikon në përfundimet e tyre. Ndikimi i familjes në përparimin në mësime nuk realizohet vetëm nga prindër të arsimuar, por edhe nga ata të paarsimuar shumë, vetëm sepse ata kanë treguar interes të vazhdueshëm për t’i edukuar dhe kanë shtruar para fëmijëve të tyre synime të qarta dhe të larta. Shpeshherë prindërit për shkaqe gjuhësore kanë krijuar vetizolim me shkollat miqësore  dhe në të shumtën e rasteve ka munguar suksesi i nxënësve në këto shkolla.


Krijimi i hapësirave komunikuese mësues- prind, shkollë-komunitet
Mësuesit përpiqen t’u sigurojnë fëmijëve, në shkollat e diasporës, njohuri për letërsinë dhe artin, historinë dhe gjeografinë, kulturën dhe zakonet, si dhe të fitojnë shprehi gjuhësore  për t’i kuptuar dhe për t’i shprehur në mënyrë korrekte  gjatë përdorimit të teksteve shqip, të cilat mund të perdoren në të ardhmen si literature ndihmese në studimet e tyre.                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                               

Mësuesit përpiqen të krijojnë një mjedis mësimi të bazuar në respektin e ndërsjellë, për  të siguruar që gjithë fëmijët të marrin pjesë aktive në mësim dhe të pajisen me njohuri në përshtatje me programin, të fitojnë  aftësi etike dhe artistike.

Për këtë, në radhë të parë, mësuesit krijojnë shtratin e komunikimit të ndërsjellë me nxënësit.
Në këtë rast, etika e komunikimit është çelësi i suksesit për ardhmërinë e një shoqërie demokratike. Duke përdorur forma të veçanta lidhur me nxënien, mësuesi nxit fëmijën të komunikojë nëpërmjet ligjërimit, shkrimit, historisë, gjeografisë dhe shumë gjinive të artit. Në këtë mënyrë fëmijët zhvillojnë shprehitë dhe fitojnë vetëbesimin për të komunikuar saktë, ata marrin iniciativën dhe janë të motivuar.

Mësuesi në klasë i drejton nxënësit që të fitojnë  mënyrat e përshtatshme për të shprehur ndjenjat e tyre. Prandaj ai i përshtat gjuhën dhe veprimet e tyre në mënyre të tillë që të sigurojnë një qëndrim të përkujdesshëm.  Njëkohësisht, i ndihmojnë fëmijët të shprehin deshirat e tyre.

. Duke vepruar në këtë mënyrë, ai i ndihmon fëmijët sesi t’u përgjigjen kërkesave në rritje.

Kështu, pra, ata mësojnë mënyrat e sqarimit të keqkuptimeve dhe të zgjidhjes së konflikteve nëpërmjet përdorimit të  kujdesshëm të gjuhës. Komunikimi i mirë është mjet i vlefshëm për zgjidhjen e mënjanimin  e konflikteve dhe në  krijimin e mirëkuptimit në bashkësinë e fëmijëve.

Për të pasur një klasë me marrëdhënie të harmonizuara, me një mjedis të vërtetë edukativ, në radhë të parë, duhet t'i kushtohet vëmendje marrjes së  informacionit për karakteristikat në tri nivelet e dijes :
Mosha që  fëmijët po  mësojnë.
Mënyra si  mësojnë fëmijët në  këtë grupmoshë.
Stili vetjak i  të mësuarit dhe personaliteti i çdo fëmije në  klasë.
Mësuesit theksojnë faktin  se natyra e vërtetë e mësimdhënies së tyre ndryshon vazhdimisht. Ajo bëhet më emocionale, e kënaqshme, e këndshme dhe me nivel më të lartë intelektual kur sigurohet pjesëmarrje e gjerë e nxënësve në mësim.
Ka mjaft mësues që  besojnë se  janë  të aftë për t’u lidhur me fëmijët. Ata arrijnë t’i shikojnë fëmijët si nxënës në një proces të vazhdueshëm të rritjes. Por  që të  krijohen  praktika të tilla    klasë dhe të merren vendime  në përshtatje me nevojat e zhvillimit të  fëmijëve, duhen kuptuar karakteristikat e grupmoshave të  ndryshme të  nxënësve.

Si edukatorë  duhet të mbajmë parasysh se çdo fëmijë që ne mësojmë, është një individ, produkt i kulturës, i mjedisit, i shëndetit, i temperamentit dhe i personalitetit  të veçantë. Këta faktorë asnjëherë nuk janë statikë. Me rritjen e fëmijës ndodhin edhe ndryshime. Megjithatë, ka modele të dallueshme të zhvillimit që shfaqen me kalimin e kohës. Disa fëmijë sillen në mënyra që janë me nivele më të larta sesa mosha e tyre. Ndërsa të tjerë, me aftësinë e tyre njohëse e tejkalojnë zhvillimin moshor dhe mund të sillen  në forma të tjera.
Mosha e zhvillimit është koha në të cilën fëmija pëson ndryshime në fushën shoqërore, fizike, mendore dhe njohëse. Kjo ndryshon nga mosha e fëmijës  në vite. Është e zakonshme të gjejmë ndryshime në nivelet e formimit të fëmijëve të së njëjtës moshë. Si edukatorë që planifikojmë mjedisin e klasës, mësuesit duhet të marrim parasysh këta faktorë të zhvillimit, për të ndihmuar çdo fëmijë të arrijë zhvillimin e mundshëm të tij të plotë.
Nga komunikimi i rregullt dhe i vazhdueshëm përfitojnë të gjithë: në radhe të parë fëmijët, por edhe prindërit, edhe mësuesit. Fëmijët përfitojnë në mënyrë të veçantë kur vërejnë se të rriturit, që janë të  rëndësishëm për jetën e tyre,  bashkëpunojnë me ta,  për të  realizuar një qëllim të  përbashkët.
Në këtë mënyrë rritet  tek ta  ndjenja e sigurisë dhe e besimit .

Mësuesit që zbatojnë këtë formë pune, kanë  karakteristika të tilla,si:

Nxitin dhe pranojnë autonominë dhe nismën e nxënësit. Autonomia dhe nisma janë faktorë motivues në një individ për të bërë lidhjen ndërmjet  ideve dhe përvojave. Fëmijët që bëjnë pyetje dhe pastaj mobilizohen për t’iu përgjigjur atyre, bëhen të  përgjegjshëm për mësimin e tyre dhe bëhen zgjidhës të  problemit.

Ofrojnë shumëllojshmëri materialesh duke përfshirë mjete, koleksione të ndryshme, duke përfshirë, dhe ekskursionet jashtëshkollore .

Ndjekin dëshirat e fëmijëve duke sugjeruar fushat më me interes  për t'u  mbajtur parasysh gjatë zbatimit të  projekteve në zhvillim, duke krijuar kështu mësime tematike dhe duke e vënë veten në pozitat e nxënësit gjatë gjithë kohës së veprimtarisë së përbashkët. Pra, mësuesi mund të  nxitë mësimnxënie të  re, duke sjellë burime e informacione në  çdo kohë të  punës në orën e mësimit dhe jashtë saj.

Fillojnë zhvillimin e mësimit duke drejtuar pyetje për paqartësi që mund të kenë nxënësit. Kjo shërben për të marrë të dhëna për shkallën e informacionit që kanë ata  rreth konceptit që do të trajtohet. Më tej, nëpërmjet bashkëbisedimit nxjerrin se çfarë duan të dinë fëmijët dhe si  mund t'i përvetësojnë këto njohuri e koncepte që përmban tema. Kjo është një strategji e mësuesit të përfshirë në praktikën zhvillimore.

Nxisin fëmijët të bëjnë pyetje, të përfshihen në diskutime dhe të përpunojnë përgjigjet e tyre. Ata mbështetin strategjitë e të mësuarit të fëmijëve dhe tregojnë respekt për ta, duke u lënë  kohë    mjaftueshme për t’u përgjigjur.

Karakteristika të tilla mund të ndeshen edhe në punën e përditshme. Ato tregojnë se mësuesi që i zbaton, përdor forma të reja në trajtimin e zhvillimin e mësimit. Ai shmanget kështu nga format e njohura tradicionale, nëpërmjet të cilave nxënësi trajtohet vetëm si objekt i procesit mësimor.


Detyrat e mësimdhënësve
Mësimdhënësit informohen me ide dhe forma të reja mësimore.
Mësimdhënësit  duhet të ndjekin seminare për arsimim bashkëkohor në vendin ku zhvillojnë mësim dhe në Shqipëri.
Mësimdhënësit  përkrahin marrëdhëniet prind-nxënës dhe prind- mësues.
Mësimdhënësit në vendet e diasporës  bashkëpunojnë me mësimdhënësit në Shqipëri në mënyrë të vazhdueshme.
Mësimdhënësit organizojnë  projekte të ndryshme që lidhen me historinë, gjeografinë, gjuhën dhe kulturën  e Shqipërisë duke stimuluar  kontributin e prindërve, të cilët në sajë të profesionalizmit të tyre mund të bashkëpunojnë për zbatimin e këtyre projekteve.
Prindërit janë të përfshirë në mënyrë aktive në shkollën shqipe.
Mësimdhënësit i ndihmojnë prindërit   për të mundësuar një bashkëpunim sa më kualitativ.

Lidhja prind- shkollë
Lidhja e fëmijës me prindin e forcon mirëqenien e tij. Të gjithë prindërit duhet ta shohin vetën në rolin e mësuesit që mbikëqyrë dhe nxit të nxënit e fëmijës. Lexoni libra e pastaj i bashkëbisedoni ato me fëmijët tuaj, mësoni vjersha në gjuhën amtare, tregime, këngë dhe përralla i tregoni për farefisin për vendlindjen dhe për gjërat që kanë ndodhur në të kaluarën. Në këtë mënyrë ata mësohen për të dëgjuar dhe kuptuar me vëmendje. Aty ku organizohet mësimi plotësues në gjuhën shqipe dërgoni në shkollë, prindër të cilët me profesionalizmin e tyre  e ndihmojnë shkollën me organizimin e orëve te hapura në fusha të ndryshme. Bisedoni për ndodhitë e ditës, hobit dhe për shokët e fëmijës. E dërgoni fëmijën që të vizitojë  vende të ndryshme: në muze, qytet, fshat, kopsht zoologjik, bibliotekë e tjera. Ai që nuk e ndjek fëmijën në shtëpi, e njeh më pak atë, nuk di si dhe sa punon, ç’vështirësi ka, humb rastin e rëndësishëm për t’u lidhur me fëmijën e tij, e ka të vështirë të ballafaqohet me mësuesin, për ta bindur atë për mendimin e gabuar që ka për fëmijën e tij.

Lidhja mësues – prind
Për një ecuri të mirë të këtij procesi duhet që mësuesi dhe prindërit të kenë lidhje thellësisht objektive dhe organike, lidhje e cila rrit cilësinë e të mësuarit të nxënësit. Kur prindërit janë aktiv në problemet e shkollës, ata janë të hapur në kërkesat, vërejtjet, pakënaqësitë që mund të kenë ndaj mësimdhënësit. Sqarimi i prindërve për probleme të ndryshme që ata kanë shqetësim, kërkon, kohë, durim dhe njohuri të mira për bashkëpunim. Prindërit duhet të shohin sinqeritet nga drejtuesit dhe stafi i mësuesve, si dhe siguri e qetësi brenda dhe rreth shkollës për të kuptuar rëndësinë e misionit të shkollës. Sigurisht që për mësuesin puna me prindër nuk është e thjesht. Ai duhet të respektojë rolin e prindit, të inkurajojë pjesëmarrjen e tyre në shkollë. Qëllimi i parë dhe i vetmi i prindërve dhe mësuesve është jo të mendojnë për të ardhmen e tyre, por t’i bëjnë ata të aftë të ndërtojnë të ardhmen e tyre.

SI DUHET TE JENË MARËDHËNIET GJATË BASHKEPUNIMIT MËSUES-PRINDËR?
Marrëdhëniet mësues- prindër  duhet të jenë të hapura dhe shërbejnë  për të  realizuar një bashkëpunim konstruktiv. Në këtë mes shumë i  rëndësishëm është respekti dhe ndihma e ndërsjellët.  Mësuesit në diasporë  ndjekin bashkërisht qëllimet pedagogjike dhe  bazë për këtë  kanë  Kurrikulën e MAS-it. Përkrahja individuale dhe sociale e nxënësve  që ndjekin  mësime plotësuese në këto shkolla është  me rëndësi parësore. Mësimdhënësit tanë zhvillojnë një mësim, i cili është i lidhur me aktualitetin dhe i drejtuar nga suksesi. Një rëndësi e veçantë i kushtohet kreativitetit dhe organizimit të aktiviteteve të lira. Në këto shkolla bëhet integrimi i të gjithë fëmijëve pa marrë parasysh prejardhjen e tyre, statusin, religjionin, aftësitë e tyre individuale dhe gjendjen e tyre gjuhësore.



Vlerësimi i nxënësve detyrë jo vetëm e mësuesit

Në procesin e vlerësimit marrin pjesë jo vetëm mësuesit e nxënësit, por edhe prindërit.
Mësuesit vazhdimisht vëzhgojnë rritjen e nxënësve dhe mësimnxënien e tyre. Vlerësimi i vazhdueshëm u jep mundësi mësuesve të bisedojnë me nxënësit e tyre për punën çdo ditë dhe ta përdorin këtë informacion si bazë për të përmirësuar punën. Mësuesi  diskuton idetë e përftuara nga procesi i vlerësimit me nxënësit e tij në  mënyrë  që nxënësit të  mund të  shohin përparimin që ata bëjnë dhe në  mënyrë realiste të  dinë si po ecin.

Përfshirja e prindërve në vlerësim nënkupton  të shtrihet më tej se sa marrja e një fletushke raportimi, pra ata duhet të shikojnë shembujt aktualë të punës së fëmijës për një periudhë kohe të  caktuar.  Prindërit krijojnë një pamje më të plotë të ecurisë së fëmijës së tyre.

Një koleksion i punës së nxënësve për një kohë, ilustron cilësinë e të menduarit dhe të zhvillimit të fëmijës.

Përmbledhja e informacionit është   një mënyrë frytshme e raportimit te prindërit
Ky informacion krijon bazën për formimin e gjykimeve rreth fëmijëve dhe për përvojën udhëzuese të përshtatshme për ta.


Mësuesit  kanë në  dispozicion larmi stilesh komunikimi me prindërit.
Gjatë komunikimit me prindërit mësuesi synon  të jetë :

Miqësor  -Bashkëbisedimi miqësor është  edhe nxitës për persona të tjerë, pranon dhe njeh ndihmesën e të tjerëve, shpreh hapur adhurimin dhe respektin, si dhe priret drejt sjelljes së pranueshme.

I çliruar nga emocionet dhe tensioni- një bashkëbisedues i  tillë është i qetë dhe i shtruar, e ruan qetësinë gjatë punës së  tensionuar dhe nuk shfaq shprehje nervozizmi.

I  vëmendshëm -i pëlqen të dëgjojë personat e tjerë, tregon interes për fjalët e të tjerëve dhe qëllimisht reagon në mënyrë të tillë që t'i lërë të kuptojë bashkëbiseduesit se po e dëgjon me vëmendje

I  gjalle -nuk i shkëput sytë nga bashkëbiseduesi,  e ndjek me vëmendje atë.

Mbresëlënës -krijon më tepër mundësi të mbahet mend për shkak të elementeve dhe situatave nxitëse që krijon.

Themelimi i Këshillit të Prindërve të Shkollës sjell që në secilën shkollë të përfaqësohen
 në mënyrë sa më demokratike interesat e nxënësve, prindërve dhe arsimtarëve, të  cilët
duke punuar së bashku  përmirësojnë  cilësinë në arsim.
Ky këshill ndihmon që  këto shkolla  miqësore për fëmijë  të bëhen  sa më atraktive për
mësimnxënie.
Detyrat që duhet të realizohen:   
-  Të bëhen trajnime të mësuesve dhe prindërve për bashkëpunim reciprok.
- Të mbahen konferenca me temën:”Roli i prindërve në sistemin e edukimit”.
- Puna rreth zgjerimit të rrjetit të shkollave mike, sistemi i shumfishimit 1+2 takime me zyrtarë regjionlë dhe drejtorë të drejtorive komunale;
- Të  përgatitet një pyetësor për vlerësimin e raporteve në shkollë të trekëndëshit: nxënës, mësues, prind;
- Të plotësohen formularë për punën dhe aktivitetet e prindërve në shkollë;
-Të bëhen  takime të ndryshme më rëndësi .

Rekomandime:
- Të mbahen rregullisht mbledhje me prindër dhe të mbahen procesverbalet  përkatëse në  këto mbledhje.
- Të hartohet plani vjetor i veprimit në bashkëpunim me kryesinë e Këshillit  prindër- mësues, në mënyrë që interesimi i prindërve për punën dhe jetën në shkollë të jenë sa  më efektiv.
- Të bëhen trajnime, biseda dhe këmbim përvojash mes prindërve, mësuesve dhe nxënësve  të një përvojë më të gjatë në këte fushë.
- Të  organizohen takime përmes tryezave të rrumbullakëta, ku pjesëmarrës do të jenë prindërit, mësuesit, nxënësit.
Sipas kurrikulit të ri është e domosdoshme që çdo shkollë në diasporë  duhet të hartojë një politikë të caktuar e të përshtatshme për përfshirjen e prindërve në edukim. Hartimi i një politike të tillë, së bashku me një plan respektiv për përfshirjen e prindërve në edukim ka shumë rëndësi, sepse nga kjo gjë përfitojnë nxënësit, mësuesit (shkolla) dhe prindërit.


Popular

BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR

BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR
BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR - GJITHASHTU DHE RIPAROJME