Tema: Servituti, Usufructus si dy koncepte rregullatore te mardhenieve ne shoqeri.



http://eseshkolle.blogspot.com/
Hyrje

Të drejtat që ka pronari mbi sendin janë të transferueshme. Pa kaluar pronësinë, ndodh që kalojnë tek persona të tjerë disa të drejta. Të drejtat që mund të kenë të tjerë(jo pronarët) mbi sendin mund të jenë të drejta gezimi ose garacie. Duke u nisur nga fakti se servituti i shërben një prone apo një personi, ne sot po paraqesim nje punim shpjegues lidhur me Servitutin si edhe me konceptin e Usufructus.

E drejta e servituteve.
 
Servituti lind vetëm midis subjekteve, në dobi të pronarit të përditshëm të një sendi, që në një mënyrë të caktuar, ai të shfrytëzojë sendin e huaj. Pra, servituti nuk mund të krijohet midis sendeve ose midis subjekteve në njërën anë dhe të sendeve në anën tjetër, por vetëm midis subjekteve.

E drejta e servitutit, në përmbajtjen e vet, ka tre elemente: Elementi i parë është se përmbajtja e së drejtës së servitutit është marrëdhënie pronësore juridike. Elementi i dytë i përmbajtjes është detyrimi i pronarit të sendit shërbyes që të durojë titullarin e së drejtës së servitutit që ai të shfrytëzojë atë send në mënyrë dhe vëllim të caktuar. Elementi i tretë i përmbajtjes së kësaj marrëdhënie është detyrimi i të gjithë personave të tretë që të përmbahen nga cënimi jo vetëm i së drejtës së pronësisë, por edhe i drejtës së servitutit në sendin shërbyes.

E drejta e servitutit është institut juridik i pavarur në të drejtën sendore dhe si i tillë rregullohet dhe aplikohet duke u mbështetur në parimet e përbashkëta për të gjitha llojet e servituteve (qofshin servitute sendore, qofshin servitute personale).


Llojet e servitutit.

Dallimi bëhet duke marrë për bazë kritere të caktuara edhe atë sipas:
mënyrës që personi i caktuar bëhet titullar i servitutit.

1)Nëse personi bëhet titullar i servitutit për të shfrytëzuar në mënyrë të caktuar paluajtshmërinë e huaj, pa marrë parasysh ndërrimin e pronarit të paluajtshmërisë, atëherë kemi servitut sendor.
2)Kur titullari i servitutit i caktuar individualisht bëhet shfrytëzues i sendit shërbyes, pronë e huaj dhe autorizimet që dalin nga servituti i takojnë vetëm atij, në dobi të tij dhe me atë person është i lidhur servituti, atëherë kemi servitut personal.
3)Kur përmbajtja e servitutit e autorizon titullarin e servitutit që për nevojat e sendit të vet, të ndërmarrë veprime të caktuara në sendin e huaj, atëherë kemi servitut pozitiv. 4)Kur përmbajtja e servitutit e autorizon titullarin e servitutit, që për nevojat e sendit të vet, të kërkojë nga pronari i sendit shërbyes që të përmbahet nga ndërmarrja e veprimeve të caktuara, të cilat përndryshe ka të drejtë t’i ndërmarrë në sendin e vet, atëherë kemi servitut negativ.
5)Servituti që titullari e ushtron në mënyrë të përsëritshme dhe qe zgjat për kohë të pacaktuar, është servitut i përhershëm.
6)Servituti që titullari e realizon kohë pas kohe, në mënyrë jo të përsëritshme, është servitut i përkohshëm.
7)Kur marrëdhëniet sendore – juridike ekzistojnë edhe në palën aktive (titullarin e servitutit), edhe në palën pasive (pronarin e sendit), atëherë kemi servitut të rregullt.
8)Kur marrëdhëniet sendore – juridike ekzistojnë vetëm në palën pasive (pronarin e sendit), atëherë kemi servitut jo të rregullt.
9)Kur ushtrimi i servitutit shfaqet me shenja të jashtme, atëherë bëhet fjalë për servitut të dukshëm.
10)Kur servituti nuk ka shenja të jashtme dhe nuk ka stabilimente të përhershme dedikuar përdorimit të tyre, atëherë kemi servitut të padukshëm.
11)Kur sendi dominues është ndërtesa për banim, përfshirë këtu edhe tokën përreth, atëherë kemi servitut tokësor.
12)Kur sendi dominues është i natyrës bujqësore, kemi servitut shtëpiak.



Disa elemente te rendesishem te servitutit.

Servituti fitohet: me veprim juridik (iustus titulus) si intervivos (kontrata e shitblerjes, dhurimit etj.) dhe mortis causa (testamenti), dhe me regjistrim në librin publik (modus acquirendi) kur objekti i servitutit është send i paluajtshëm, përkatësisht me dorëzimin e sendit kur objekti i servitutit është send i luajtshëm; me vendim gjyqësor dhe parashkrim fitues. Mënyra e ushtrimit dhe vëllimi i servitutit mund të përcaktohet me titullin me të cilin është krijuar, me ligj dhe moral shoqëror. Ushtrimi i tij bëhet në atë mënyrë dhe vëllim, që sa më pak të ngarkohet apo të vështirësohet shfrytëzimi apo përdorimi i sendit shërbyes. Servituti gëzon mbrojtje juridike. Mbrojtja juridike realizohet në rrugë gjyqësore me anë të padisë konfesore dhe posesore. Procedura gjyqësore kontestimore zhvillohet në gjykatat themelore.
 


Koncepti mbi servitutin.

Servituti është një e drejtë sendore mbi një send të huaj, e cila titullarit të vet i bën të mundshëm që sendin e huaj ta shfrytëzojë në një mënyrë të caktuar. Titullari i servitutit është çdo pronar aktual i një sendi, i cili është i autorizuar që të shfrytëzojë sendin e huaj në një mënyrë të caktuar. Servituti është një marrëdhënie juridike midis dy palëve tek e cila njëra është aktive, e tjetra pasive. Pra, servituti lind midis dy subjekteve: pronarit të sendit dhe titullarit të servitutit. Aktiv është titullari i servitutit, sepse ai duhet të shfrytëzojë sendin e huaj në një mënyrë të caktuar, kurse pasiv është pronari i sendit, sepse ai të drejtën e vet jo vetëm që duhet ta ushtrojë në kufijtë e ligjit, por duhet t’i respektojë edhe të drejtat e të tjerëve nëse ato rastësisht kanë ndonjë të drejte mbi sendin e tij. Titullari i servitutit (pala aktive) në mënyrë të caktuar e shfrytëzon sendin e huaj, kurse pronari i sendit (pala pasive) i mundëson titullarit të servitutit ta shfrytëzojë në një mënyrë të caktuar sendin e vet, duke mosvepruar, përkatësisht duke e duruar atë (palën aktive). Kjo është përmbajtja e servitutit.  Bazuar në përmbajtjen e servitutit, konstatohet në mënyrë të qartë karakteri sendor – juridik i servitutit. E drejta e servitutit është e drejtë sendore absolute. Me të drejtë konstatohet, se servitutet krijojnë marrëdhënie të dyfishta: marrëdhënie midis pronarit të sendit dhe titullarit të servitutit dhe marrëdhënie midis titullarit të servitutit dhe personave të tretë. Servituti, si çdo e drejtë tjetër sendore, ka karakter absolut, për t’i mundësuar titullarit të servitutit, shfrytëzimin e sendit të huaj në mënyrë të caktuar. Pronari aktual i sendit mbi të cilin konstituohet e drejta e servitutit, nuk obligohet të bëjë diçka ose të ndërmarrë, por përkundrazi, obligohet të mos veprojë apo të durojë veprimet e titullarit të servitutit. Ushtrimi i servitutit duhet të bëhet në atë mënyrë apo vëllim të caktuar, që sendit shërbyes t’i shkaktohen sa më pak dëme. Ato ndajnë fatin me pronat, e jo me pronarët.



Llojet e servituteve.
Ekzistojnë dy lloje servitutesh: servitutet sendore dhe servitutet personale.

Servituti sendor është një e drejtë sendore, e cila mundëson, që në dobi të një sendi të paluajtshëm të përdoret dhe shfrytëzohet një send tjetër i paluajtshëm. Tek ai edhe në anën aktive edhe në anën pasive, objekti është send i paluajtshëm. Paluajtshmëria në anën aktive quhet pronë dominante (praedium dominans), në dobinë e të ciles krijohet servituti sendor, kurse paluajtshmëria në anën pasive quhet pronë shërbyese (praedium serviens), e cila duron krijimin e servitutit sendor për dobinë e pronës dominante. Prandaj është konstatuar se objekt i servitutit sendor mund të jetë: toka, ndërtesa, shtëpia, dhe banesa. Servituti sendor ka karakter të sendorsisë, sepse ai krijohet në dobi ose në barrë të pronarëve aktual të sendeve të paluajtshme në anën aktive dhe pasive. Servituti sendor eshte mardhenie midis titullarit të servitutit (pronarit të pronës dominante) dhe pronarit të pronës shërbyese sipas mënyrës së realizimit mund të jete: e drejtë e përhershme (kur titullari i servitutit e ushtron atë për gjithë kohën) dhe si e drejtë e përkohshme (kur titullari i servitutit e ushtron atë kohë pas kohe). Sipas ligjit, servitutet sendore janë: fushore; shtëpiake dhe teknike-komunale.
Servituti fushor është një e drejtë sendore në sendin e huaj, e cila krijohet në dobi të pronarit aktual të tokës dominante, duke e ngarkuar pronarin aktual të tokës shërbyese, me qëllim të shfrytëzimit sa më të mirë ekonomik si dhe të shtimit të vlerës së tokës dominante. Si të tilla numërohen: servituti i kalimit në këmbë; i kalimit të kafshëve; i  kalimit me qerre; i mjeteve motorike; nxjerrja (marrja) e ujit; etj.
Servituti shtëpiak është një e drejtë sendore në sendin e huaj, i cili krijohet në dobi të pronarit ose të poseduesit aktual të sendit shërbyes, me qëllim të përdorimit (më të mirë) të shtëpisë (ndërtesës dhe tokës ndërtimore). Të tilla janë: e drejta e kalimit të detyrueshëm nëpër tokën e huaj; e drejta që trarin e vet ta përforcojë në murin e huaj; e drejta e kalimit të tymit nëpër oxhakun e huaj; e drejta e rrjedhjes së ujrave atmosferik dhe ujrave tjerë nëpër tokën e fqiut; e drejta për të vendosur TV-antenë në pallatin e huaj, etj.

Servituti teknike-komunale është një e drejtë sendore në sendin e huaj, i cili krijohet në dobi të pronarit apo poseduesit aktual të sendit shërbyes duke e autorizuar atë të ndërmarre veprime të caktuara në paluajtshmërinë e fqiut, i cili është i detyruar të durojë. Të tilla janë: e drejta e kalimit të gassjellësve, naftsjellsëve, ujësjellsëve dhe gypa të tjerë nëpër tokën e huaj, e drejta e kalimit të TV-kabllove nëpër tokën e huaj, etj.

Mënyrat e fitimit të servituteve sendore.

 Servituti sendor fitohet me veprim juridik (kontratë, testament), me vendim të organit shtetëror dhe me parashkrim. Servituti sendor themelohet me veprim juridik kur lidhet kontrata ose përpilohet testamenti. Servituti sendor mund te themelohet me kontratë (pactum), të lidhur midis pronarit të paluajtshmërisë sunduese dhe pronarit të paluajtshmërisë shërbyese, që i pari, për nevojat e paluajtshmërisë së vet të ndërmarrë veprime në paluajtshmërinë e huaj, kurse i dyti të durojë apo të mos marrë veprime edhe pse do të kishte të drejtë t’i ndërmarrë në paluajtshmërinë e vet. Me testament ku shprehet vullneti i fundit i testatorit, mund të themelohet servituti sendor në njërën nga mënyrat ne vijim : a.- kur trashëgimlënësi me testament urdhëron trashëgimtarin ose legatarin që në dobi të personit të tretë të themelojë të drejtën e servitutit në ndonjërën paluajtshmëri nga masa trashëgimore; b.- kur trashëgimlënësi me testament urdhëron trashëgimtarin apo legatarin, që në paluajtshmërinë e tij, të themelojë servitut në dobi të personit të tretë; c.- kur trashëgimlënësi me testament, një paluajtshmëri ua lë në trashëgim më shumë rashëgimtarëve, dhe njërin nga ato e urdhëron të themelojë servitut sendor në dobi të pronarëve tjerë. 2. Me vendim të organit shtetror, servituti sendor themelohet : a.- me vendim të gjykatës për ndarjen e sendit-gjatë procedurës për ndarjen e bashkësisë së paluajtshmërive; b. - me vendim të organit tjetër shtetror – siç është rasti me eksproprijimin jo të plotë, kur organi i administratës me vendim konstituon ndonjë servitut sendor në tokën apo ndërtesën e dikujt. 3. Në rrugë të parashkrimit (usucapio), servituti sendor themelohet, në qoftë se në mënyrë konkrete plotësohen kushtet ligjore për parashkrim: pronari i tokës dominante në mënyrë faktike e ka realizuar servitutin 20 vjet dhe pronari i tokës shërbyese atë nuk e ka kundërshtuar. 

Servituti sendor, personal kanë pika te ngjashme dhe dalluese.

 Si njëri edhe tjetri janë të drejta sendore në një send të huaj dhe në të dy rastet kemi të bëjmë me sendin shërbyes; pronari aktual i sendit shërbyes nuk detyrohet në bërje por vetëm në pësim ose në mosbërje; janë të drejta të kufizuara mbi sendin e huaj; etj. si dhe pikat ku dallohen si: karakteri sendor juridik te servituti sendor shprehet si në anën aktive, ashtu edhe në atë pasive, kurse te servituti personal vetëm në anën pasive; servituti sendor është i “lidhur” për sendin dominant, kurse servituti personal është i “lidhur” për personin e caktuar; servituti sendor është i papjestueshëm, kurse servituti personal në parim është i pjestueshëm; objekt i servitutit sendor është send i paluajtshëm, kurse i servitutit personal mund te jetë send i luajtshëm apo i paluajtshëm etj.

Konkluzion mbi servitutin.

Me që servituti është e drejtë sendore në sendin e huaj (ius in re aliena), është konstatuar se kjo e drejtë nuk e ka konceptin pronësor, por është një shthurje e autorizimeve pronësore, një kufizim i pronësisë. Madje, vet ekzistimi dhe realizimi i servitutit ka domethënien e kufizimit të së drejtës së pronësisë të atij sendi të huaj. Kjo është kështu, sepse titullari i të drejtës së servitutit mund të shfrytëzojë sendin e huaj në mënyrë të caktuar, e që njëkohësisht e kufizon pronarin e atij sendi në ushtrimin e autorizimeve të tij pronësore-juridike: pronari gëzon të drejtën e posedimit dhe disponimit në mënyrë të pakufizuar mbi sendin që e ka në pronësi e që është objekt i të drejtës së servitutit, kurse të drejtën e shfrytëzimit e realizon jo në kundërshtim me ligjin apo të drejtën e ndonjë personi. Çka nënkupton se pronari i sendit në servitut nuk mund ta shfrytëzojë sendin e vet në kundërshtim me autorizimet e titullarit të servitutit. Përmbajtja dhe funksioni i servitutit ka për qëllim që titullarit të servitutit t’i japë autorizime që në mënyrë të caktuar të shfrytëzojë sendin e huaj, kurse pronari i atij sendi të lejojë përkatësisht të durojë atë shfrytëzim. Detyrimi i pronarit të sendit nuk rrjedh nga raportet juridike detyrimore por nga raportet pronësore juridike. E drejta e servitutit si e drejtë sendore dallon nga marrëdhëniet detyrimore. Servituti krijon marrëdhënie të dyfishta: midis pronarit dhe titullarit të servitutit, si dhe marrëdhënie midis titullarit të servitutit dhe personave të tretë. Këtu shihet, se servituti në natyrën e vet është e drejtë absolute. Ajo jo vetëm që vepron ndaj pronarit konkret, por edhe ndaj të gjithë personave të tretë. Titullari i servitutit ka të drejtë të kundërshtojë çdo veprim që pengon ushtrimin e autorizimeve të tij që burojnë nga servituti, qoftë të jetë veprim i pronarit të sendit, qoftë të jetë veprim i personit të tretë. E drejta e servitutit, si kufizim pronësor i sendit të huaj, asnjëherë nuk i absorbon në mënyrë të plotë autorizimet pronësore juridike: jus utendi, jus fruendi dhe jus abutendi. Titullari i servitutit në bazë të autorizimeve që i jepen nga e drejta e servitutit mund vetëm të shfrytëzojë sendin e huaj në mënyrë të caktuar, në masë dhe vëllim të arsyeshëm për të shfrytëzuar sendin e vet që ka cilësinë e sendit dominant. Të drejtën e disponimit të sendit shërbyes e ka përherë pronari i sendit. Ai, pa asnjë kufizim mund ta tjetërsojë, ta durojë, të lë në hipotekë etj.
Frutgëzimi (Usufructus).

Usufructus është një e drejtë sendore në sendin e huaj në bazë të së cilës titullari ka të drejtë personale të përdorë sendin e tjetrit dhe të gëzojë frutat e tij më së shumti për të gjallë të vet, duke mos e cënuar substancën dhe destinimin ekonomik të tij. Pronësinë mbi sendin në frutgëzim e ka pronari i sendit, ndërkaq posedimin e ka titullari i frutgëzimit, ndersa me vdekjen e frutgëzuesit, sendi i kthehet pronarit sepse është thënë se Usufructus është një e drejtë personale. Frutgëzuesi nuk mund ta shesë sendin që është në frutgëzim. Një gjë të tillë mund ta bëjë vetëm pronari i sendit. Ai krijohet për dobinë e frutgëzuesit, që ai të gëzojë të drejtën e përdorimit të sendit, gëzimit(vjeljes) së frutave që i sjell sendi, qoftë kur është fjala për frutat natyrorë, qoftë për frutat civil.

Krijmi(fitimi) i Usufructus.

 Frutgëzimi krijohet me veprim juridik (kontratë, testament) dhe me anë të parashkrimit. Ai si servitut personal mbi sendet e paluajtshme mund të krijohet me anë të kontratës në formë me shkrim, e cila vërtetohet në gjyq apo në Noteri dhe me regjistrim në librat publik përkatës, kurse frutgëzimi mbi sendet e luajtshme krijohet me kontratë dhe me dhënien e sendit frutgëzuesit. Është e zakonshme në përditshmërinë tonë, që krijimi i frutgëzimit me anë të testamentit të bëhet në formë të legut. Në trashëgiminë testamentale në formë të legut përcaktohet sendi që do të jetë në frutgëzim. Usufructus me anë të parashkrimit krijohet kur frutgëzuesi me mirëbesim dhe i ligjshëm ka ushtruar të drejtën e frutgëzimit në një send mbi të cilin tjetri e ka të drejtën e pronësisë, për periudhën prej tre vjetësh.  

Të drejtat dhe detyrimet e frutgëzuesit dhe pronarit.

Frutgëzuesi ka të drejtë të gëzoj sendin e huaj, duke e respektuar destinimin e tij ekonomik, si dhe duke e ruajtur substancën e tij, kurse pronari i sendit detyrohet të durojë një gjë të tillë. Frutgëzuesi ka të drejtë t’i vjelë frutat natyrore që i jep sendi shërbyes, pa e zvogluar substancën e tij dhe pa e cënuar rregullat juridike apo doket e mira. Frutat civile, që i jep sendi në bazë të ndonjë pune juridike, i takojnë frutgëzuesit, për gjithë kohën sa zgjat frutgëzimi. Frutat civile që lindin pas shuarjes së frutgëzimit, i takojnë pronarit të sendit. Nëse frutgëzuesi dhe pronari i sendit nuk kanë hartuar procesverbal lidhur me gjendjen e sendit shërbyes, atëherë llogaritet se frutgëzuesi e ka pranuar sendin shërbyes në gjendje përdorimi të kualitetit të mesëm, me gjithë cilësitë për një përdorim të rregullt nga frutgëzuesi.

Shuarja e Usufructus.

Usufructus shuhet (ndërpritet) nën kushtet e parapara me ligj. Usufructus shuhet me: skadimin e kohës së caktuar, kur ai është krijuar për periudhë të caktuar kohore, me vdekjen e frutgëzuesit, me kalimin e sendit shërbyes në pronësinë e frutgëzuesit, me heqje dorë (renoncim) nga ana e frutgëzuesit, me shkatërrimin e sendit shërbyes. 
E drejta e përdorimit(usus).

E drejta e përdorimit (usus) është servitut personal, në bazë të së cilës titullari i saj, ka të drejtë të përdorë dhe t’i vjelë frutat e sendit në pronësi të tjetrit, vetëm në masën sa është e vevojshme për atë vetë dhe për nevojat e shtëpiarëve të tij, duke e ruajtur substancën e sendit. E drejta e përdorimit në vetvete përmban dy elemente: përdorimin e sendit të huaj dhe mbledhjen (vjeljen) e frytave. Objekti i së drejtës së përdorimit mund të jetë sendi i luajtshëm, i paluajtshëm, trupor ose jotrupor, po vetëm sendi i paharxhueshëm. E drejta e përdorimit krijohet me vullnetin e palëve, me punë juridike (kontratë, testament), me vendim gjyqësor dhe me parashkrim fitues. Pronari është i detyruar t’i heqë të gjitha barrët dhe shpenzimet që kanë të bëjnë me sendin përpjestimisht nga dobia (fitimi) që ka nga sendi.


Në vend të konkluzionit, uzufrukti në të drejtën romake.
Konceptet tradicionale në të drejtën romake mbi uzufruktit.

“Uzufrukti është e drejta e përdorimit dhe e gëzimit te sendeve të të tjerëve, duke ruajtur në substancë sendin, salva substantia”(Paulus). Kjo e drejtë konsiston në përdorimin dhe mbajtjen  e sendit të tjetrit dhe në lehtësimin e përdorimit të fryteve, pa e konsumuar vetë sendin. Ndër interpretimet e shumta të këtij koncepti është dhe :”Uzufrukt është e drejta e mbi një objekt, me shuarjen e të e cilit shuhet dhe vetë e drejta”. Titullari i së drejtës së uzufruktis quhet uzufruktues ose titullar uzufruktis(dominus usufructus), ndërsa pronar i sendit(dominus proprietatis), është ai që ka pronësinë boshe, e cila tregon në mënyrë figurative se fuqitë e pronarit janë “ulur”. Ky lloj pronari nuk mund të ndërhyjë në administrimin e material të sendit dhe as të bëjë ndonjë akt administrimi.
Midis të drejtave të gëzimit, uzufrukti ka një përmbajtje shumë të gjerë me karakter të përgjithshëm. Ai nuk i atribuon titullarit të të drejtës vetëm të drejta të individualizuara në mënyrë specifike, por një sërë kufizimesh. Kufizimi më i rëndësishëm është evidentuar në vet përcaktimin e institutit. Shprehja:”salva rerum substancia” do të thotë që titullari i së drejtës së uzufruktis nuk mund të modifikojë në ndonjë mënyrë destinacionin shoqëror-ekonomik të sendit, si në rastin kur sjell një ulje të vlerës së vetë sendit, ashtu edhe kur sjell një përmirësim. Kështu titullari i uzufruktis mund të shtoje piktura dhe statuja, por jo të lartësojë ndërtesën.
Meqë uzufrukti është e drejta e përdorimit të sendit të tjetrit dhe e përfitimit të frutave, titullarit të uzufruktit i mungon e drejta e krijimit mbi të e të drejtave reale të pjesshme. Uzufruktuesit i lejohet të lidhe kontrata të detyrueshme, të cilat parashikojnë përdorimin e vetë sendit, si p.sh. një qiradhënie. Ai ndërkohë ka të drejtën e përdorimit dhe të gëzimit(uti e frui)dhe pronari ka të drejtën e posedimit dhe të disponimit, sepse uzufruktuesi konsiderohet vetëm mbajtës i sendit, e drejtë kjo e transmetuar nga ana e pronarit të sendit.
Sipas juristëve romakë, janë të përcaktuara të drejtat e uzufruktuesit në lidhje me sendet mbi të cilat është njohur ky institut. Si parim kryesor, ky duhet ta përdorë sendin “sipas arsyes së shëndoshë të një njeriu të ndershëm”. Nuk mund të ndryshojë gjendjen e sendit që merr edhe nëse me ndryshim nënkupton një përmirësim të kushteve.

Bibliografia.


“E Drejta Romake” – Prof. Dr. Arta Mandro

“E Drejta Civile”, Pronësia – Ardian Nuni dhe Luan Hasneziri

“Cështja e Pronave në Shqipëri”, Sfida me shtetin ligjor dhe të drejtat e njeriut-                                           Dr. Florian Bjanku

“E Drejta Zakonore shqiptare”- Ismet Elezi

“E Drejta e pronësisë”, botim i vitit 1962- A. Nathanaili

“Kodi Civil”

Popular

BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR

BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR
BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR - GJITHASHTU DHE RIPAROJME