UNIVERSITETI VITRINA - 1200 EURO ÇRREGJISTRIMI PER CDO STUDENT

http://esseshkolle.blogspot.com/Çregjistrimi nga universiteti “Vitrina” deri në 1200 euro
  • Zv.ministri i Arsimit takon drejtuesin e shkollës së mbyllur 
  • Kërkon çregjistrim të studentëve pa pagesë, sipas ligjit. Vlashaj deklaron për “Shekulli”-n tarifën që duhet paguar 

Ilir Sinanaj 
Procesi i çregjistrimit, i cili përfshin disa dokumente, të cilat bëhen të ditura me udhëzimin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, për ata studentë, të cilët janë duke ndjekur programe mësimore në institucione private të arsimit të lartë, duhet të kryhet pa pagesë nga ana e studentëve. Kjo ishte kryefjala e zëvendësministrit të Arsimit dhe Sportit, gjatë një dalje publike, pas takimit të zhvilluar me Shkollën e Lartë Publike “Vitrina”. Takimi i zëvendësministrit Mazniku vjen pas shqetësimeve të studentëve, për sa i përket çregjistrimit, në institucionet private të arsimit të lartë, të cilave iu është hequr licenca me vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 539, datë 6.8.2014 “Për heqjen e licencës disa institucioneve private të arsimit të lartë”, tashmë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare. Ndërkaq, themeluesi i SH. L. P. “Vitrina”, Edmond Vlashaj, argumenton për “Shekulli”-n, se raporti i dërguar në institucionin e tij, i cili çoi në heqje licence, sipas tij, nuk është zyrtar. Gjithashtu, ai këmbëngul se procesi i çregjistrimit ka një kosto, duke e mbështetur këtë te dispozitat kontraktuale midis studentëve dhe universitetet. Z. Vlashaj theksoi se kjo kosto mund të shkojë deri në 1200 euro. Nga ana tjetër, z. Vlashaj e njeh zyrtarisht VKM nr. 539, datë 6.8.2014 “Për heqjen e licencës disa institucioneve private të arsimit të lartë”, duke u shprehur se është i detyruar ta zbatojë, por njëkohësisht, duke thënë për gazetën “Shekulli” se ai do të ndiqte të gjitha mundësitë ligjore të shtetit shqiptar edhe ato ndërkombëtare, për të kontestuar këtë vendim, që solli heqjen e licencës së universitetit të tij. 
Procedura
Vendimi i Këshillit të Ministrave shpreh qartë se vënia në dispozicion e dokumentacionit për studentët nga ana e institucioneve private të arsimit të lartë, të cilave iu është hequr licenca, bëhet pa pagesë. Këtë theksoi dje zëvendësministri Mazniku. “Ishim në këtë institucion të arsimit të lartë (SH. L. P. “Vitrina”), ashtu siç do të shkojmë në ditët në vijim në institucione të tjera që mund të kenë probleme si rrjedhojë e disa shqetësimeve të prezantuara nga studentë në Ministrinë   e Arsimit dhe Sportit, në zyrën e kryeministrit, në lidhje me faktin se disa institucione kanë kërkuar nga studentët pagesë për procesin e çregjistrimit. Erdhëm për t’ia bërë edhe në mënyrë verbale të qartë ligjin dhe vendimin e Këshillit të Ministrave, i cili thotë se të gjitha proceset e çregjistrimit, të institucioneve të cilat kanë humbur licencën nga VKM-në fjalë, duhet të bëhen pa pagesë”, - tha ai. 
Afatet për dokumentet
Sipas ligjit, afati i fundit që studentët të tërheqin dosjet është data 1 shtator 2014. Institucionet e arsimit të lartë, të cilave iu është hequr licenca, kanë detyrim ligjor deri në datën 20 shtator, që të dorëzojnë dokumentet e të gjithë studentëve pranë Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. “Data 1 shtator është data e fundit e parashikuar me vendim të Këshillit të Ministrave për çregjistrimin e studentëve, kur ata mund të tërheqin dosjet në secilin institucion të arsimit të lartë, që ka humbur licencën dhe më pas, brenda datës 20 shtator i është kërkuar secilit institucion të arsimit të lartë të dorëzojë dosjet e plota në Ministrinë e Arsimit për secilin student. Pra kemi 2 procese paralele, nga njëra anë institucioni i arsimit të lartë duhet të japë secilit student dosjen e tij dhe më pas duhet të dorëzojnë një kopje të plotë të të gjithë informacionit që ata mbajnë pranë Ministrisë së Arsimit për t’u ruajtur në vijimësi”, - bëri përsëri të ditur zëvendësministri Mazniku. 
T’u kërkosh studentëve para
Sipas Maznikut, është e jashtëligjshme kërkesa për të kërkuar para për procesin e çregjistrimit. “Kërkesa nga çdo institucion i arsimit të lartë që ka humbur licencën, për para, është një kërkesë e jashtëligjshme dhe është një kërkesë që nuk mund të bëhet me studentët. Ne do të vazhdojmë gjatë gjithë kësaj kohe të jemi pranë studentëve në të gjitha rastet në të gjitha institucionet, nëse atyre nga një institucion u kërkohet para apo ka pengesa të tjera për procesin e çregjistrimit. Institucionet e arsimit të lartë, të cilët humbën licencën, kanë detyrë kontraktuale dhe institucionale, që të zgjidhin çdo lloj mosmarrëveshje me studentët, qoftë financiare apo jo. Por është po aq e rëndësishme që procesi i çregjistrimit të mos ketë pagesë.”, - deklaroi ai.   
“Vitrina”, trakte në Tiranë kundër zyrtares
Në faqen zyrtare të rrjetit social “Facebook” të SH. L. P. “Vitrina”, ka filluar një fushatë kundër Drejtoreshës së Inspektoriatit të Kontrollit të Ligjshmërisë pranë Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Ejona Isufaj. Në këtë faqe është vënë një foto e një diplome, e cila aludohet të jetë e znj. Isufaj, si edhe e falsifikuar. Për më tepër trakte të këtij materiali janë shpërndarë edhe nëpër rrugët e kryeqytetit, duke u vënë në xhamat e përparmë të makinave. Në lidhje me këtë Ministria e Arsimit dhe Sportit ka reaguar, duke deklaruar se një dokument i tillë nuk ekziston.
“Zonja në fjalë mund të flasë dhe duhet të flasë për   doktoraturën e vet, që ne në dokumentet tona nuk na rezulton që ekziston. Por çfarë është e rëndësishme në këtë çështje, është se e gjithë qeveria shqiptare është e përkushtuar ndaj zbatimit të plotë të ligjit, në të gjithë hapat e tij, vetëm për një qëllim; të mirën e të gjithë studentëve shqiptarë dhe të mirën e të gjithë sistemit arsimor shqiptar, i cili duhet të synojë drejt cilësisë. Koha kur i gjithë sistemi ishte një rumpallë, ku i pari nuk e merrte vesh të dytin, ishte një lëmsh institucional ligjor, ka mbaruar. Ky sistem do të vendoset në udhë të mbarë, duke qenë një sistem ligjor, i strukturuar, i cili i ofron shqiptarëve dijen që ata meritojnë”, - tha zëvendësministri Mazniku.  
VKM-të që penalizojnë universitetet private
Në bazë të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 539, datë 6.8.2014 “Për heqjen e licencës disa institucioneve private të arsimit të lartë”, 18 institucionet e arsimit të lartë të listuara në këtë vendim, nuk mund të kryejnë veprimtarinë e tyre. me pak fjalë ato nuk mund të japin më mësim. Në bazë të vendimit nr. 540, datë 6.8.2014 “Për pezullimin e veprimtarisë së disa institucioneve private të arsimit të lartë”, 13 institucione të arsimit të lartë u është pezulluar licenca për një periudhë deri në 2 vite. 
Duke iu referuar këtij vendimi, këto institucione duhet të dorëzojnë në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, brenda 45 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, një raport të detajuar mbi të gjitha masat e marra në zbatim të rekomandimeve dhe gjetjeve të paraqitura në raportin e miratuar nga ministri i Arsimit dhe Sportit, që dëshmojnë plotësimin e të gjitha kritereve të ligjshmërisë, të parashikua ra në legjislacionin në fuqi, të shoqëruar me të gjithë dokumentacionin përkatës në mbështetje të tij. Në rast të kundërt u hiqet licenca. Ndërkaq, institucionet e arsimit të lartë, të cilave iu është pezulluar, nuk mund të regjistrojnë studentë në vitin e parë të studimeve të larta.  
Detyrimet ndaj studentëve dhe qeverisë  
Institucionet e arsimit të lartë, të cilave iu është hequr licenca, kanë disa detyrime ligjore ndaj studentëve dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, që janë të detyruara me ligj t’i përmbushin. Në të kundërt do të ndërmerren ndaj tyre masa administrative. Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 539, datë 6.8.2014 “Për heqjen e licencës disa institucioneve private të arsimit të lartë”, detyrimet, që duhen plotësuar janë si vijojnë: 
1. Të mbyllin të gjitha detyrimet lidhur me veprimtarinë mësimore - shkencore për vitin akademik 2013 - 2014, në të gjitha ciklet e studimit ku ata ushtrojnë veprimtarinë dhe për të gjitha dhe programet e studimit të ofruara. 
2. Të përgatitin dosjen për çdo student, me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, që do të shërbejë për transferimin e tij në një institucion tjetër të arsimit të lartë për vazhdimin e studimeve, dhe t’ia vënë atë në dispozicion vetë studentit, pa asnjë detyrim financiar shtesë nga ana e tij, brenda datës 1 shtator 2014. Ministri i Arsimit dhe Sportit përcakton, me udhëzim, listën dhe tipologjinë e dokumentacionit që duhet të përmbajë dosja e studentit, si dhe procedurat që do të ndiqen për organizimin e procesit të transferimit të studentëve.
3. Të marrin të gjitha masat për krijimin e mundësive studentëve ende të padiplomuar, për transferimin e tyre në institucione të tjera të arsimit të lartë, vendase apo të huaja, që ofrojnë programe studimi të njëjta apo të ngjashme, si dhe lehtësimin e procedurave për pajisjen me dokumentacionin e nevojshëm. 
4. Dosjet e studentëve, të përgatitura nga institucionet private të arsimit të lartë, që nuk do të tërhiqen nga studentët përkatës, përcillen në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit brenda datës 10 shtator 2014. Këto institucione dorëzojnë në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, brenda kësaj date, edhe të gjithë dokumentacionin ligjor, administrativ, financiar dhe akademik që disponojnë dhe mbi bazën e të cilit kanë zhvilluar veprimtarinë e tyre akademike, që prej fillimit. 
5. Të vënë në dispozicion të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit çdo informacion të kërkuar dhe të vazhdojnë të mbajnë kontakte me të deri në plotësimin dhe mbylljen e të gjitha kërkesave të parashikuara në këtë vendim. 
6. Të kthejnë pagesat e kryera nga studentët për pjesën e papërfunduar të programeve përkatëse të studimit, për rastet kur pagesat janë kryer për cikël studimi, si dhe çdo detyrim tjetër të papërmbushur që mund të kenë ndaj studentit. 
Vlashaj: Do të ankohemi edhe në gjykatat ndërkombëtare  
Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, themeluesi i SH.L.P “Vitrina” jep argumente, që sipas tij, heqja e licencës së universitetit që drejton është kryer në mënyrë jo zyrtare. Ai thekson se çregjistrimi, sipas marrëdhënieve kontraktuale midis universitetit dhe studentëve, ka një tarifë. 
Z. Vlashaj, pas vendimeve të Këshillit të Ministrave për të hequr apo pezulluar licencat për disa institucione private të arsimit të lartë në Shqipëri, ju ka ardhur një raport zyrtar për arsyet që kanë rezultuar në heqjen e licencës për universitetin tuaj?
Na ka ardhur një raport, por jo zyrtar dhe ku nuk tregohen arsyet e heqjes së licencës, por thjesht një raport. Ky raport është joprofesional dhe joligjor, sepse nuk është firmosur nga të gjithë anëtarët e Komisionit të Inspektimit në çdo faqe. Pra, ku e dimë ne, nëse e kanë pranuar apo jo të gjithë anëtarët e Komisionit këtë raport. Gjithashtu, raporti nuk na ka ardhur me postë, por na ka ardhur dorazi. Nuk ka qenë zyrtar. Megjithatë, ne kemi marrë masat që të bëjmë objeksionet (kundërshtimet) tona ndaj këtij raporti. I kemi çuar në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit në mënyrë personale, nëpërmjet një studio ligjore. Nuk jemi thirrur asnjëherë për ballafaqim apo mbrojtje të këtyre objeksioneve, ashtu sikurse e parashikon ligji. E kontestojmë të gjithë procesin si të paligjshëm, sepse nuk është respektuar ligji.
Cilat janë elementet zyrtare që ju prisni, që të ketë raporti? Ju thatë firma nga çdo anëtar i Komisionit?
Po. Ky është minimalisht një ele-   ment. Pastaj dërgimi me postë është diçka tjetër zyrtare. Por kjo pak rëndësi ka tani, në momentin që kemi një vendim të Këshillit të Ministrave.
E njihni ju zyrtarisht këtë vendim të Këshillit të Ministrave për ta zbatuar? 
Jemi të detyruar ta zbatojmë vendimin e Këshillit të Ministrave. E respektojmë këtë vendim. Por normalisht jemi po ashtu të detyruar, për hir të mbrojtjes të të drejtave tona, ta kontestojmë në Gjykatë, sipas të gjitha ligjeve, normave dhe të drejtave tona Kushtetuese brenda shtetit shqiptar dhe deri në institucionet më të larta ndërkombëtare, për sa i përket mbrojtjes së të Drejtave të Njeriut dhe të drejtave të sipërmarrjes.
Në rast se studentët, pavarësisht vendimit të Këshillit të Ministrave, kërkojnë çregjistrim, do të paguhet tarifë shtesë?
Tarifë shtesë nuk ka pasur dhe nuk do të ketë. Nuk ka ndodhur asnjëherë që t’u jetë marrë tarifë shtesë studentëve. Do të kërkojmë respektimin e detyrimeve kontraktuale. Në momentin që Ministria e Arsimit dhe Sportit na sjell një shkresë, një udhëzim, që i hedh poshtë detyrimet kontraktuale, ne detyrimisht do t’u japim dosjen studentëve pa asnjë lloj komenti tjetër dhe do ta ndjekim këtë çështje në Gjykatë. 
Sipas detyrimeve kontraktuale, sa është tarifa e çregjistrimit?
Po, tarifa për çregjistrimin mund të shkojë deri në 1200 euro... 
Kjo sipas detyrimeve kontraktuale midis universitetit dhe studentit?
Po.   

Popular

BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR

BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR
BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR - GJITHASHTU DHE RIPAROJME