Elementet e demokracisë në sistemin e sigurisë ARSYET E MBIKQYRJES DEMOKRATIKE TË FA

Elementet e demokracisë në sistemin e sigurisë
ARSYET E MBIKQYRJES DEMOKRATIKE TË FA
Çështja e demokracisë dhe kontrollit parlamentar të Forcave të Armatosura po pëson një rilindje në demokracitë e reja dhe të vjetra. Kjo temë është edhe sot në axhendën politike dhe shkencore të disa vendeve evropiane për një sërë arsye:
Së pari. Heqja e shërbimit të detyrueshëm në disa vende të Evropës (për shëmbull në Hollandë, Francë, Itali, Spanjë, Portugali etj.) ka ngritur një debat kritik mbi mbikëqyrjen demokratike të Forcave të Armatosura. Shumë komentues kanë shprehur shqetësimin e tyre se një forcë vullnetare është më e vështirë të kontrollohet në mënyrë demokratike se një forcë e armatosur që bazohet në shërbimin e detyrueshëm ushtarak.

Së dyti. Gjatë dekadës së fundit, nga njëra anë, vendet evropiane janë përfshirë në përgjithësi në pakësimin e numrit të Forcave të Armatosura dhe të buxheteve të mbrojtjes, dhe nga ana tjetër është shtuar numri i detyrave që priten të përmbushen prej tyre, sidomos me angazhimin e Forcave të Armatosura në operacione humanitare, paqeruajtese dhe të emergjencave civile. Në këto kushte, zvogëlimi i buxhetit dhe rritja e spektrit të detyrave krijojnë tendosje në marrëdhëniet politiko-ushtarake.
Së treti. Me rritjen e veprimtarive ushtarake ndërkombëtare, kontrolli demokratik dhe parlamentar i bashkëpunimit ushtarak ndërkombëtar merr një rëndësi të veçantë. Kjo është sidomos e vërtetë për shtetet më të vogla qofshin ato anëtare të BE-së dhe NATO-s apo në procesin e integrimit të tyre në këto struktura.
Së katërti. Me kërkesën e organizmave ndërkombëtare si NATO, BE, OSBE, vendet post komuniste në Evropën Qendrore dhe Lindore kanë reformuar marrëdhëniet civilo-ushtarake në përputhje me parimet demokratike dhe vijojnë përmirësimin e tyre. Kjo, pasi pa reformimin e kontrollit demokratik e civil në Forcat e Armatosura në përputhje me këto parime demokratike, mjaft nga këto vende, sot anëtare të këtyre organizmave, nuk do të mund të pranoheshin, sikundër kjo është e vërtetë edhe për ato vende që janë në proceset e integrimit të afërt euro-atlantik. Për më tepër, në shoqëritë në tranzicion, reformat e përgjithshme politiko-demokratike u paraprijne në mënyrë vendimtare reformave në sektorin e sigurisë dhe të mbrojtjes së vendit. Në këtë proces, vendet në tranzicion kanë adoptuar kushtetuta të reja, i kanë dhënë autoritet parlamenteve dhe kanë instaluar kontrollin ministror civil në Forcat e Armatosura. Prandaj, kontrolli demokratik (dhe civil) i veprimtarisë së sektorit të mbrojtjes dhe në veçanti i Forcave të Armatosura, kuptohet si një domosdoshmëri për ndërtimin e institucioneve, për një qeverisje të mirë dhe sigurinë në shkallë kombëtare dhe ndërkombëtare.
Arsyet për kontrollin demokratik të FA. Në çdo shoqëri demokratike të dhënë, një nga parimet kryesore udhëheqëse e qeverisëse është se populli është mbajtësi më i lartë i pushtetit në vendin e tij dhe se ai e ushtron autoritetin e tij në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe nëpërmjet përfaqësuesve të tij të zgjedhur në mënyrë të lirë dhe demokratike.
Zakonisht, ky parim shprehet qartë në Kushtetutën (dokumentin themeltar) e një vendi demokratik dhe udhëheq në gjithë rregullimet e organizimet përkatëse që drejtojnë dhe kontrollojnë gjithë pushtetet e shtetit. Kështu në pikën 1 të Neni 2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë thuhet “Sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket popullit” ndërsa në pikën 2 të po këtij neni thuhet se “Populli e ushtron sovranitetin nëpërmjet përfaqësuesve të tij ose drejtpërdrejtë”.
Meqenëse sektori i mbrojtjes (Forcat e armatosura) është shprehje reale e fuqisë ushtarake të vendit, atëherë edhe ky sektor ose vetë Forcat e Armatosura të vendit duhet të drejtohen e kontrollohen nga të njëjtat norma e parime.
Në aspektin praktik edhe në lidhje me mbrojtjen, populli duhet të ketë pushtetin e tij ndaj institucionit të mbrojtjes (Forcave të Armatosura) me qëllim që të garantojë se interesat, aspiratat dhe alternativat e tij janë shprehur në mënyrë të plotë e të saktë në politikat e mbrojtjes dhe sigurisë së vendit, dhe të mbikëqyre se si është ndërtuar dhe organizuar sektori i mbrojtjes (Forcat e Armatosura) dhe si e zhvillon veprimtarinë e vet për zbatimin e këtyre politikave dhe strategjive.
Në shumicën e demokracive, populli nuk e ushtron pushtetin e vet ndaj Forcave të Armatosura në mënyrë të drejtpërdrejtë, por nëpërmjet institucioneve të zgjedhura. Në këto raste, zakonisht të njohura si demokraci përfaqësuese, populli ushtron pushtetin e vet ndaj institucioneve kryesore të shtetit, dhe këto ushtrojnë pushtetet e veta legjislative dhe ekzekutive ndaj institucionit ushtarak (Forcave të Armatosura).

PËRKUFIZIMI DHE OBJEKTI I KONTROLLIT DEMOKRATIK TË MBROJTJES (FA) DHE DISA NORMA E PARIME TË PRANUARA

Tërsëia e dispozitave kushtetuese dhe ligjore, e përgjegjësive dhe procedurave për ushtrimin e pushtetit të popullit drejtpërdrejtë ose nëpërmjet përfaqësuesve mbi institucionin e mbrojtjes (Forcat e Armatosura) zakonisht quhet kontroll demokratik i mbrojtjes (Forcave të Armatosura).
Objekti i kontrollit demokratik është garantimi që interesat, aspiratat dhe alternativat e popullit pasqyrohen në mënyrë të plotë dhe të saktë në politikat e mbrojtjes dhe në një sistem efektiv, efiçient dhe të përballueshëm të mbrojtjes (Forcave të Armatosura). Kontrolli demokratik mund të shihet gjithashtu dhe si një garanci që fuqia ushtarake e krijuar nga ana e shtetit është e përligjur plotësisht në popull dhe se ajo nuk do të drejtohet kurrë kundër popullit ose të përdoret kundër vullnetit të popullit.
Mbrojtja e demokracisëKontrolli demokratik i mbrojtjes (Forcave të Armatosura) duhet të sigurojë që fusha e veprimtarise së Forcave të Armatosura nuk kërcënon vetë demokracinë. Çështja kryesore këtu është që të parandalohet një situatë e tillë e mundshme në të cilën Forcat e Armatosura mund të ndërhyjnë në jetën politike të vendit dhe të vënë në përdorim fuqinë e veçantë që ato zotërojnë.
Në lidhje me këtë ekziston frika se:
-Forcat ushtarake mund të marrin udhëheqjen e vendit, të kthejnë sistemin demokratik që drejton këtë vend në një regjim ushtarak dhe përfundimisht në një diktaturë. Frika e grushteve ushtarake shtrihet thellë në historinë e demokracisë me mos lejimin e legjioneve Romake të hynin në qytetin e Përjetshëm në kohën e Republikes Romake dhe pengimin e tyre për të imponuar vullnetin e tyre kundër qytetareve romak.
-Frika që disa drejtues politik mund të përdorin fuqinë ushtarake për të imponuar vullnetin e tyre kundër politikanëve të tjerë dhe popullit në përgjithësi. Gjithashtu, nga kohet romake vjen ideja e përfshirjes së Gardës Pretoriane në politikën e shtetit. Pretorianët përbënin forcën ushtarake brenda mureve të qytetit, ato ishin mjaft të fuqishëm që të impononin vullnetin apo preferencën e tyre, ose të mbanin anën e njerit prej fraksioneve politike në konflikt, ndërkohë, ato nuk pretendonin të merrnin pushtetin vetë në mënyrë të drejtpërdrejtë.
-Kontrolli demokratik duhet të njohë këto shqetësime dhe duhet të gjejë rrugët institucionale për adresimin (trajtimin) e tyre.
Normat dhe parimet që pranohen në përgjithësi. Ekzistojnë disa parime e norma të pranuara në përgjithësi, që janë si më poshtë:
-Ruajtja e kontrollit të popullit ndaj çdonjerit prej pushteteve politik (legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor). Ka vende të tilla demokratike në të cilat populli zgjedh drejtpërsëdrejti çdo njerin nga tre degët e pushtetit politik, ka shtete të tjerë në të cilat populli zgjedh në mënyrë të drejtpërdrejtë vetëm legjislativin dhe ekzekutivin (ose vetëm kreun e ekzekutivit), gjithashtu janë edhe disa shtete të tjerë ku populli zgjedh drejtpërsëdrejti vetëm pushtetin legjislativ. Në të gjitha këto raste të paraqitura, populli ka gjithnjë të drejtën të kontrollojë përfaqësuesit e zgjedhur.
-Krijimi i një sistemi që bashkon pushtetet përkatëse politike në procesin e vendimmarrjes politike dhe administrative, dhe lejon çdo njerin prej tyre të miratojë (mbështesë) dhe rishikojë vendimet e të tjerëve në lidhje me përdorimin e fuqisë ushtarake në problemet e brendshme të vendit.
-Kontrolli nga organet legjislative i vendimeve kyçe në lidhje me emërimin e oficerëve të nivelit të lartë; në qarkullimin e burimeve për mbrojtjen (Forcat e Armatosura), përfshi buxhetet e mbrojtjes; në politikat e mbrojtjes dhe misionet që përmbushin Forcat e Armatosura.

REALIZIMI I KONTROLLIT DEMOKRATIK NË LIDHJE ME PËRDORIMIN E FA JASHTË VENDIT DHE KORNIZA LEGJISLATIVE E OPERACIONEVE

Kontrolli demokratik duhet gjithashtu të adresojë angazhimin e fuqisë ushtarake si një instrument ose forcë në politikën e jashtme kombëtare. Në lidhje me këtë, populli dhe përfaqësuesit e tij të ligjshëm duhet të sigurojnë që përdorimi i Forcave të Armatosura në misione jashtë vendit është gjithnjë në përputhje me vlerat thelbësore dhe me imazhin që ka vendi, dhe se ato shprehin interesat, vlerësimet dhe alternativat e vendit lidhur me arkitekturën e sigurisë ndërkombëtare, duke filluar nga angazhimi (hyrja) i vendit në luftë deri në pjesëmarrjen e tij në misione paqeruajtëse apo rindërtimi pas përfundimit të konfliktit.
Ekzistojne dy korniza kryesore të interesit:
-Korniza ligjore, e cila përfshin legjislacionin kombëtar dhe ndërkombëtar që rregullon e përcakton se çfarë detyra mund t’u ngarkohen forcave ushtarake ose çfarë veprime lejohen të kryhen prej tyre.
-Korniza operacionale, e cila mbulon misionet dhe veprimet e forcave ushtarake të përfshira në operacione jashtë kufijve të vendit.
Korniza legjislativeKontrolli demokratik duhet të mbulojë jo vetëm përdorimin real të Forcave të Armatosura, por të gjitha aspektet politike e ligjore që rregullojnë këtë përdorim. Parlamentet janë të autorizuara të vendosin për:
-Legjislacionin që rregullon kalimin e kompetencave (autorizimit) për dislokimin e forcave ushtarake në misionet jashtë vendit (autoritetet shtetërore, nivelet e autorizimit në lidhje me madhësinë e forcës ushtarake, kohëzgjatjen e misionit, transferimin e autoritetit, rregullat e angazhimit, etj);
-Legjislacionin që rregullon (përcakton) zbatimin e ligjit ndërkombëtar, përfshi ligjin humanitar ndërkombëtar në lidhje me dislokimin dhe angazhimin e Forcave të Armatosura;
-Politikat që përcaktojnë arsyet themelore të angazhimit të forcave ushtarake;
-Strategjia që parashtron arsyet strategjike për mbështetjen e politikës së jashtme me veprime ushtarake;
-Dokumente të tjerë të politikës së sigurisë dhe mbrojtjes (strategjitë, direktivat politike strategjike, librat e bardhë etj);
-Burimet që kërkohen për çdo mision operacional të forcave ushtarake jashtë vendit.
Parim bazë është që vetë forcat ushtarake nuk duhet të vendosin ndonjë qëllim politik lidhur me përdorimin e Forcave të Armatosura ose të caktojnë misione strategjike, por ato duhet vetëm të ndjekin dhe përmbushin vendimet politike të marra nga autoritetet civile.
Korniza operacionaleKontrolli demokratik duhet të mbulojë gjithashtu dhe aspektet më të rëndësishme të misioneve të Forcave të Armatosura jashtë vendit. Këto aspekte përqasen (trajtohen) në mënyrë të ndryshme në shtete të ndryshme demokratike. Disa shtete caktojnë përgjegjesitë e kontrollit demokratik të parlamentet; të tjerët e delegojnë këtë përgjegjësi te pushteti ekzekutiv.
-Transferimi (kalimi) i autoritetit, zakonisht krijon mundësinë për transferimin e komandimit në një organizatë të caktuar ndërkombëtare, por mban kontrollin (drejtimin) kombëtar ndaj forcave të dislokuara jashtë vendit.
-Marrëveshjet e mirëkuptimit dhe marrëveshjet e nënshkruara për misione të veçanta me palët e tjera pasqyrojnë parimet dhe normat e kontrollit demokratik të Forcave të Armatosura.
-Kufizimet kombëtare siç janë interpretimi i ligjit ndërkombëtar dhe ligjit humanitar janë shprehur në mënyrë të qartë në dokumentet operative.
Kontroll demokratik do të thotë që misionet e Forcave të Armatosura përfshi rregullat e angazhimit të tyre miratohen nga organet legjislative dhe ekzekutive që përfaqësojnë popullin dhe që populli nga ana e tij, ka akses në informacionin përkatës për pse-në dhe për mënyrën si përdoren Forcat e Armatosura në emër të tyre.

INSTITUCIONALIZIMI I KONTROLLIT DEMOKRATIK TË FA
(institucionet, përmbledhja e legjislacionit dhe procedurat e ndërvarësisë)

Kontrolli demokratik mund të funksionojë në mënyrë të efektshme vetëm atëherë kur ai të institucionalizohet plotësisht. Në një kuptim më të gjërë (përgjithshëm) institucioni i kontrollit demokratik të sektorit të mbrojtjes (Forcave të Armatosura) përfshin institucionet zyrtare që në procesin e formulimit, miratimit dhe zbatimit të politikave të strategjive të mbrojtjes, dhe të vendimmarrjes në çështjet e mbrojtjes. Institucionet (agjencitë) më të zakonshme të përfshira në kontrollin e sektorit të mbrojtjes (Forcave të Armatosura) janë:
-Institucionet e përfaqësuesve të zgjedhur në mënyrë të drejtpërdrejtë nga populli, kryesisht parlamenti, dhe në disa raste Kryetari i Shtetit (Presidenti).
-Institucionet e caktuara nga Parlamenti në emër të popullit: Kryetari i Shtetit (Presidenti) kur ai nuk është i zgjedhur drejtpërdrejtë nga populli; Këshilli i Ministrave (Kabineti) dhe ministritë e tij përkatëse dhe Ministria e Mbrojtjes.
-Përmbledhje e legjislacionit që rregullon se cilat institucione duhet të përfshihen në këto procese, përgjegjësitë e tyre dhe si duhet të përmbushen këto përgjegjësi nga këto institucione. Në çdo demokraci, sistemi kushtetues dhe ligjor, përfshin ligjet që specifikojnë mekanizmat dhe përgjegjësitë për ndërtimin e sistemeve të mbrojtjes (Forcave të Armatosura) në kohë paqe dhe lufte, dhe caktimin e nivelit të autorizimit (mandatit, kompetencave) për pushtetin legjislativ dhe ekzekutiv.
-Procedurat e ndërvartësisë (marrëdhënieve) ndërmjet institucioneve dhe brenda çdo institucioni të përfshirë në funksionin e kontrollit demokratik të sektorit të mbrojtjes (Forcave të Armatosura). Në mënyrë të përgjithshme, procedurat e kontrollit demokratik përfshijnë:
-Formulimet e politikave të mbrojtjes dhe strategjive, zakonisht në nivelin e pushtetit ekzekutiv, që përfshijnë Ministrinë e Mbrojtjes dhe kreun e pushtetit ekzekutiv (Kryeministrin dhe/ose Presidentin), me institucionet e tjera përkatëse ekzekutive në rolin mbështetës. Në disa raste, në rol këshillues në nivelin e Kryetarit të Shtetit vepron një institucion e ngritur veçmas, i emërtuar Këshilli i Sigurimit Kombëtar, ose Këshilli i Mbrojtjes Kombëtare apo një emërtim i ngjashëm me të.
Miratimin e politikave dhe strategjive të mbrojtjes, që zakonisht bëhet nga Parlamenti. Kryetari i Shtetit mund të përfshihet gjithashtu në procesin e miratimit, por ai nuk duhet të zëvendësojë pushtetin (kompetencat) e Parlamentit.
Kontrollin e zbatimit të politikave dhe strategjive të mbrojtjes. Parim bazë është që institucionet që miratojnë këto politika dhe strategji, duhet gjithashtu edhe të kontrollojnë zbatimin e tyre me anë të autorizimit të buxheteve të mbrojtjes, nivelit të forcës, misioneve, emërimit të drejtuesve civil dhe ushtarak, kontraktimit të pajisjeve kryesore etj., dhe nëpërmjet raportimeve (pyetje, interpelanca, hetime, dëgjime, inspektime).
Pushtetet dhe të drejtat e parlamenteve në kontrollin demokratik të FA dhe në veçanti të kuvendit të RSH sipas legjislacionit të vendit. Në vendet demokratike, parlamentet janë organet më të larta mbikqyrëse dhe institucionet kryesore për kryerjen e kontrollit demokratik të sektorit të mbrojtjes (Forcave të Armatosura). Pushtetet dhe të drejtat e parlamenteve në kontrollin demokratik të Forcave të Armatosura janë specifike për çdo vend. Në terma të përgjithshme, ka dy grupe të pushteteve të tilla:
Pushtete dhe të drejta të zbatueshme në gjithë sferat e shtetit.
-Pushtetin legjislativ për miratimin e ligjeve që drejtojnë dhe rregullojnë gjithë aspektet e mbrojtjes, të cilat zakonisht propozohen nga qeveria. Në shumicën e vendeve, anëtarët e parlamentit kanë gjithashtu të drejtën të inicojnë ose amendojnë ligje të tillë. Përmbledhja më e zakonshme e legjislacionit në fushën e mbrojtjes përfshin ligjet për sigurinë kombëtare, mbrojtjen, gjendjen e luftës dhe gjendjes së jashtëzakonshme, mobilizimin, shërbimin e detyrueshëm ushtarak dhe vullnetar, dhe statutet e personelit ushtarak dhe civil.
-Pushtetin për të miratuar politikat e sigurisë dhe të mbrojtjes dhe strategjitë e propozuara nga kryetari i shtetit dhe/ose qeverisë, siç është Strategjia e Sigurisë Kombëtare, Strategjia ose koncepti i Mbrojtjes Kombëtare, dhe Rishikimi i Mbrojtjes Strategjike, Strategjia Ushtarake.
-Pushteti për të vendosur për shpenzimin e parave të publikut (taksapaguesve). Parlamentet debatojnë, amendojnë dhe miratojnë ligjet për shpenzimet e mbrojtjes.
-Të drejtën për të kontrolluar se si ligjet dhe vendimet janë zbatuar nga pushteti ekzekutiv dhe nga stafi i mbrojtjes. Këto të drejta përfshijnë ngritjen, pyetje, thirrjen e anëtarëve të ekzekutivit dhe të stafeve të tyre për të dëshmuar, aksesin e tyre në informacionin e klasifikuar, zhvillimin e seancave pyetëse, dëgjimore dhe informuese.
Pushtetet dhe të drejtat specifike për sektorin e mbrojtjesPushtetin për të miratuar apo amenduar vendime në lidhje përdorimin e forcës ushtarake. Parlamentet kanë të drejtë të marrin vendimin përfundimtar në rast lufte, të gjendjes së luftës dhe gjendjeve të jashtëzakonshme.
Pushtetin për të autorizuar shpenzime të veçanta për mbrojtjen, siç janë programet e pajisjeve dhe armatimit, shpenzimet për misionet jashtë vendit. Në shumë vende, parlamentet përfshihen gjerësisht në vendimet për kontratat e mbrojtjes.
Të drejtën për të vendosur në përdorimin e trupave në misione jashtë vendit. Në përgjithësi këto vendime ndërmjet të tjerash përfshijnë deklarimin e misionit dhe mandatit politik, nivelin e angazhimit (numrin e trupave), kohëzgjatjen, rregullat e angazhimit, delegimin ose mbajtjen e kamandimit e kontrollit.
Pushtetet për të autorizuar sasinë personelit që shërbejnë në strukturat e mbrojtjes (civile dhe ushtarake), numrin e përgjithshëm të pozicioneve (detyrave) të larta ushtarake dhe në disa raste, të drejtën për të miratuar ose dhënë pëlqimin për emërime të nivelit të lartë.
E drejta për të marrë raporte dhe për të rishikuar çështje të mbrojtjes që janë subjekt i miratimit dhe autorizimit të parlamentit.
Pushtetet dhe të drejtat e Kuvendit të RSH sipas Kushtetutës dhe ligjit për autoritetet e komandimit dhe drejtimit strategjik. Nga kuadri ligjor del qartë që, Kuvendi është organi i vetëm që miraton ligje në fushën e sigurimit të vendit dhe që kontrollon zbatimin e tyre.
Kuvendi ka kompetenca kushtetuese për vendosjen e gjendjes së luftës, për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, mobilizimit të pjesshëm, të përgjithshëm, për ratifikimin e marrëveshjeve dhe shqyrtimin e miratimit të buxhetit e të politikave shtetërore.
Funksioni shumë i rëndësishëm i kontrollit demokratik parlamentar ushtrohet nëpërmjet formave legale, drejtpërdrejtë nga Kuvendi dhe komisionet përkatëse, në këtë kuadër, veprimtaria e tij ndaj organeve ekzekutive përqëndrohet në zbatimin e ligjeve, të buxhetit, të politikave të ndjekura dhe shmangjen dhe minimizimin e rreziqeve për sigurinë si dhe në realizimin e planeve e programeve të zhvillimit të instrumentave të sigurisë. Në vijim jepen dispozitat përkatëse për Kuvendin nga Kushtetuta dhe ligji për pushtetet e autoritetet e komandimit dhe drejtimit strategjik.

Dispozita nga Kushtetuta
Neni 1. Shqipëria është Republikë Parlamentare.
Neni 2. 1. Sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket popullit. 2. Populli e ushtron sovranitetin nëpërmjet përfaqësuesve të tij ose drejtpërsedrejti. 3. Për ruajtjen e paqes dhe të interesave kombëtare, Republika e Shqipërisë mund të marrë pjesë në një sistem sigurimi kolektiv, në bazë të një ligji të miratuar me shumicën e të gjithë anëtarëve të kuvendit.
Neni 70. 1. Deputetët përfaqësojnë popullin dhe nuk lidhen me asnjë mandat detyrues.
Neni 77. 1. Kuvendi zgjedh nga gjiri i tij komisione të përhershme, si dhe mund të caktojë komisione të posaçme.
Neni 80. 3. Drejtuesit e institucioneve shtetërore, me kërkesë të komisioneve parlamentare, japin shpjegime dhe informojnë për çështje të ndryshme të veprimtarisë së tyre përsa e lejon ligji.
Neni 81. 1.Të drejtën për të propozuar ligje e ka Këshilli i Ministrave, çdo deputet, si dhe 20 mijë zgjedhës.
Neni 121. 1. Ratifikimi dhe denoncimi i marrëveshjeve ndërkombëtare nga Republika e Shqipërisë bëhet me ligj në rastet kur ato kanë të bëjnë me: a) territorin, paqen, aleancat, çështjet politike dhe ushtarake; … c) anëtarësimin e Republikës së Shqipërisë në organizatat ndërkombëtare.
Neni 158. 1. Kryeministri, në emër të Këshillit të Ministrave, i paraqet Kuvendit projektligjin për buxhetin e shtetit gjatë sesionit të vjeshtës, i cili nuk mund të mbyllet pa e miratuar atë...
4. Këshilli i Ministrave është i detyruar t’i paraqëse raport Kuvendit lidhur me zbatimin e buxhetit dhe me borxhin shtetëror për vitin e kaluar....
Kuvendi vendos përfundimisht pasi dëgjon edhe raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Neni 160. 1. Gjatë vitit financiar Kuvendi mund të bëjë ndryshime në buxhet.
Neni 171. 2. Në rast këcënimesh të jashtme ose kur detyrimi për mbrojtje të përbashkët buron nga një marrëveshje ndërkombëtare, Kuvendi me propozim të Presidentit të Republikës, shpall gjendjen e luftës vendos gjendjen e mobilizimit dhe të çmobilizimit të përgjithshëm ose të pjesshëm.
Neni 172. 1. Në rastin e 171, paragrafi 1, Presidenti i Republikës i paraqet Kuvendit dekretin për vendosjen e gjendjes së luftës brenda 48 orëve nga nënshkrimi i tij, duke specifikuar të drejtat që kufizohen. 2. Kuvendi merr në shqyrtim menjëherë dhe vendos me shumicën e të gjithë anëtarëve për dekretin e Presidentit.
Neni 173. 1. Në rast rreziku për rendin kushtetues dhe për sigurinë publike, Kuvendi, me kërkesë të Këshillit të Ministrave, mund të vendosë në një pjesë ose në të gjithë territorin e shtetit gjendjen e jashzakonëshme, e cila zgjat për aq kohë sa vazhdon rreziku, por jo më shumë se 60 ditë. 2. Me vendosjen e gjendjes së jashzakonëshme, ndërhyrja e Forcave të Armatosura bëhet me vendim të Kuvendit dhe vetëm kur forcat e policisë nuk janë në gjendje të rivendosin rendin.

Dispozita nga ligji për autoritetet e komandimit dhe drejtimit strategjik
1. Miraton me ligj dokumentin e strategjisë së sigurimit dhe dokumentin e politikës së mbrojtjes, strategjisë ushtarake të Republikës së Shqipërisë dhe ligjet e tjera në fushën e mbrojtjes e të Forcave të Armatosura.
2. Miraton buxhetin e mbrojtjes.
3. Miraton numrin e limitit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe misionin e tyre.
4. Ushtron kontroll parlamentar mbi veprimtaritë që kanë lidhje me Forcave e Armatosura.
5. Vendos me ligj për dërgimin dhe përdorimin e forcave ushtarake shqiptare jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
6. Lejon, me ligj, vendosjen e forcave të huaja ushtarake në territorin e Republikës së Shqipërisë ose kalimin e tyre në territorin shqiptar, duke përcaktuar dhe statusin e tyre.
7. Ratifikon dhe denoncon, me ligj, traktatet dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, që kanë të bëjnë me territorin, paqen, aleancat, çështjet politike ushtarake, si dhe me anëtarësimin e Republikës së Shqipërisë në organizatat ndërkombëtare.
8. Kuvendi, në rast kërcënimesh të jashtme ose kur detyrimi për mbrojtje të përbashkët buron nga një marrëveshje ndërkombëtare me propozimin e Presidentit të Republikës, shpall gjëndjen e luftës, vendos gjëndjen e mobilizimit dhe të çmobilizimit të përgjithshëm ose të pjesshëm të vendit dhe të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
9. Kuvendi deklaron përfundimin e luftës dhe shpall paqen.
10. Shpall, me kërkesën e Këshillit të Ministrave, gjëndjen e jashtzakonëshme në rast rreziku për rendin kushtetues dhe për sigurinë publike, si dhe në raste fatkeqësish natyrore, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë ose në pjesë të veçanta të tij, si dhe përcakton detyrimet dhe kufizimet gjatë gjendjes së jashtëzakonshme.
11. Vendos, me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, për përdorimin e Forcave të Armatosura në rivendosjen e rendit, vetëm kur forcat e policisë nuk janë në gjendje të kryejnë këtë detyrë.
12. Përcakton pushtetet dhe autoritetin e komandimit e të drejtimit të Forcave të Armatosura për kohë paqeje, gjëndje e jashtëzakonshme dhe kohë lufte.

Roli i presidentit të republikës në kontrollin demokratik të FA dhe në veçanti pushtetet e presidentit të RSH. Presidentet/kryetaret e shteteve kanë dy role të dallueshëm në kontrollin demokratik të mbrojtjes (Forcave të Armatosura);
Si Komandant të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të vendit, ata janë nën kontrollin e popullit, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose nëpërmjet parlamenteve.
Si përfaqësues të popullit, ata ushtrojnë kontrollin ndaj ekzekutivit (qeverisë) dhe strukturave ushtarake për çështje të mbrojtjes nën autoritetin e tyre.

Komandanti i Përgjithshëm.Në demokracitë presidenciale, ku presidenti zgjidhet direkt nga populli (zgjedhësit) dhe është i veshur me pushtet ekzekutiv të gjërë, funksioni i komandantit të përgjithshëm të Forcave të Armatosura kryhet nga kryetari i shtetit. Në përgjithësi, edhe në demokracitë parlamentare, ku presidenti emërohet (zgjidhet) nga parlamentet dhe ka pushtet të kufizuar ekzekutiv, funksioni i komandantit të përgjithshëm të Forcave të Armatosura kryhet nga kryetari i shtetit, por ka edhe ndonjë vend që bën përjashtim nga kjo.
Ka një ndryshim konceptual ndërmjet funksionit të kontrollit demokratik dhe funksionit të komandim kontrollit, që ka të bëjë me kontrollin real mbi Forcat e Armatosura. Ky ndryshim qëndron në faktin se kontrolli demokratik nuk lidhet me shkallën e autoritetit ekzekutiv me të cilin është veshur presidenti, ku komandim-kontrolli është shprehje reale e një autoriteti të gjërë ekzekutiv.
Autoriteti presidencial. Presidentët kanë pozicione të ndryshme ndërmjet pushteteve shtetërore, që shtrihen nga ato përfaqësuese deri tek ato të veshura me pushtet ekzekutiv. Në shumë vende, presidenti është autoriteti më i lartë në çështjet e mbrojtjes, dhe e ushtron autoritetin e tij nëpërmjet pushtetit ekzekutiv. Pushtetet e presidentit renditen nga deklarimi i luftës mbi bazën e vendimit të parlamentit deri në formulimin e politikave të sigurisë dhe mbrojtjes dhe vendimet përkatëse për zbatimin e tyre.
Shumica e presidentëve kanë përgjegjësi përsa i përket formulimit të politikave të mbrojtjes në nivel strategjik. Veçanërisht kur ata kanë pushtete të rëndësishme ekzekutive, presidentët janë instrumental (të dobishëm) në marrjen e vendimeve në lidhje me burimet e mbrojtjes në nivel kombëtar dhe në koordinimin e institucioneve të ndryshme të përfshira në çështjet e mbrojtjes. Ata janë vendimmarrësit strategjik në çështjet e mbrojtjes, dhe në disa raste, ata marrin vendime në lidhje me çështjet operacionale dhe taktike të mbrojtjes. Presidentët, pavarësisht nga influenca që mund të kenë ndaj ministrive të mbrojtjes, ata nuk duhet në asnjë rast të anashkalojnë kryeministrat.
Këshillat e Sigurimit Kombëtar. Në shumë raste, veprimtaria e presidentëve në çështjet e mbrojtjes, në përgjithësi mbështetet nga këshillat e sigurimit/mbrojtjes, si dhe nga puna e stafeve të tyre. Këshillat e Sigurimit (mbrojtjes) veprojnë në përputhje me ligjet përkatëse që përcaktojnë përbërjen dhe përgjegjësitë e tyre. Ata bashkëpunojnë me ministritë dhe institucionet përkatëse për të garantuar sigurinë e vendit. Ministrat kryesorë në përgjithësi janë anëtarë të këtyre këshillave. Në disa raste, edhe anëtarë të parlamentit mund të kenë gjithashtu vend në këshillat e sigurimit.
Pushtetet e Presidentit të Republikës së Shqipërisë sipas legjislacionit shqiptarPresidenti i Republikës me cilësitë Kushtetuese të Kryetarit të Shtetit, të përfaqësimit të unitetit të popullit, të Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, dhe të Kryetarit të Këshillit të Sigurimit është funksionari më i lartë përgjegjës për realizimin e misionit, parimeve e objektivave të sigurimit të vendit dhe mbrojtjen e zhvillimin e interesave kombëtare. Detyrat e mësipërme kushtetuese, i japin Presidentit të Republikës përgjegjësi kryesore lidhur me sigurinë e mbrojtjen e vendit dhe për ushtrimin e autoritetit komandues ndaj Forcave të Armatosura. Në vijim jepen dispozitat përkatëse për Presidentin nga Kushtetuta dhe ligji për pushtetet e autoritetet e komandimit dhe drejtimit strategjik.

Dispozita nga Kushtetuta
Neni 86. 1. Presidenti i Republikës është Kryetar i Shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit.
Neni 92.Presidenti ushtron edhe këto kopetenca: d) jep gradat ushtarake më të larta sipas ligjit.
Neni 168. 2. Presidenti i Republikës është Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura. 3. Këshilli i Sigurimit Kombëtar është organ këshillimor i Presidentit të Republikës.
Neni 169. 1. Presidenti i Republikës, në kohë paqeje, ushtron drejtimin e Forcave të Armatosura nëpërmjet Kryeministrit dhe Ministrit të Mbrojtjes. 2. Presidenti i Republikës, në kohë lufte, emëron dhe shkarkon Komandantin e Forcave të Armatosura me propozim të Kryeministrit. 3. Presidenti i Republikës me propozim të Kryeministrit, emëron dhe shkarkon Shefin e Shtabit të Përgjithshëm, si dhe, me propozim të Ministrit të Mbrojtjes, emëron dhe shkarkon Komandantët e Forcave Tokësore, Detare dhe Ajrore.
Neni 171. 1. Në rast agresioni të armatosur kundër Republikës së Shqipërisë, Presidenti i Republikës, me kërkesë të Këshillit të Ministrave shpall gjendjen e luftës.2. Në rast këcënimesh të jashtme ose kur detyrimi për mbrojtje të përbashkët buron nga një marrëveshje ndërkombëtare, Kuvendi me propozim të Presidentit të Republikës, shpall gjendjen e luftës, vendos gjendjen e mobilizimit dhe të çmobilizimit të përgjithshëm ose të pjesshëm.
Neni 172. 2. Në rastin e 171, paragrafi 1, Presidenti i Republikës i paraqet Kuvendit dekretin për vendosjen e gjendjes së luftës brenda 48 orëve nga nënshkrimi i tij, duke specifikuar të drejtat që kufizohen.

Dispozita nga ligji për autoritetet e komandimit dhe drejtimit strategjik
Neni 5. Presidenti i Republikës është Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
Presidenti i Republikës në kohë paqeje e ushtron drejtimin e Forcave të Armatosura nëpërmjet Kryeministrit dhe Ministrit të Mbrojtjes, ndërsa në kohë lufte i drejton Forcat e Armatosura drejtpërsëdrejti ose nëpërmjet Komandantit të Forcave të Armatosura.
Neni 6. Në rastet e një sulmi të të armatosur kundër Republikës së Shqipërisë, Presidenti i Republikës, me kërkesën e Këshillit të Ministrave, shpall gjendjen e luftës.
Dekretin për gjendjen e luftës, Presidenti ja paraqet Kuvendit brenda 48 orë nga nënshkrimi, duke përcaktuar qartë të drejtat që kufizohen.
Presidenti i Republikës, si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, gëzon autoritetin e plotë të komandimit e të drejtimit të Forcave të Armatosura dhe ka këto detyra dhe përgjegjesi:
1. Miraton, me propozimin e Ministrit të Mbrojtjes, strukturën organizative të Forcave të Armatosura.
2. Miraton planin e veprimeve të Forcave të Armatosura në kohë paqeje dhe në rastet e vendosjes së masave të jashzakonëshme.
3. ...
4. Në kohë lufte, emëron e shkarkon, me propozimin e Kryeministrit, Komandantin e Forcave të Armatosura.
5. Emëron e shkarkon, me propozimin e Kryeministrit, Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.
6. Emëron e shkarkon, me propozimin e Ministrit të Mbrojtjes komandantët e forcave tokësore, detare dhe ajrore.
7. Jep gradën e gjeneralit dhe dekoron ushtarakët e Forcave të Armatosura me propozimin e Ministrit të Mbrojtjes.
8. Emëron, gradon, shkarkon dhe nxjerr në rezervë ose në lirim, me propozim të Ministrit të Mbrojtjes, oficerë me grada madhore.
9. Urdhëron fillimin e veprimeve luftarake, kur shkelet integriteti i hapësirave tokësore, ajrore e detare të Republikës së Shqipërisë.
10. Miraton vendimet e Komandantit të Forcave të Armatosura për përdorimin në veprimet ushtarake në kohë lufte të Forcave të Armatosura.
11. I propozon Kuvendit përfundimin e gjendje së luftës dhe ndërkohë përcakton mënyrën e zhvillimit të bisedimeve për paqe.
12. Urdhëron vendosjen e shkallëve të ndryshme të gadishmërisë luftarake të Forcave të Armatosura, në kushtet e masave të jashtëzakonshme.
13. Urdhëron lëvizjen, rivendosjen dhe përdorimin e Forcave të Armatosura, në kushtet e masave të jashtëzakonshme.
14. Delegon autoritetin e komandimit operacional të njësive ushtarake, të madhësisë ushtar skuadër, togë, kompani, batalion të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë te komandat aleate, me të cilat forcat tona kryejnë misione e veprime të përbashkëta, sipas marrëveshjeve dhe traktateve të ratifikuara nga Kuvendi.
15. Miraton regjimin, rregullat e gatishmërisë luftarake dhe ngritjen në kushtrim të Forcave të Armatosura.
Këshillit i Sigurimit Kombëtar. Këshillit i Sigurimit Kombëtar është organ këshillimor i Presidentit (neni 168, pika 3 e kushtetutës).

Këshilli i Sigurimit KombëtarKëshilli i Sigurimit Kombëtar këshillon Presidentin e Republikës në çështje të sigurisë dhe mbrojtjes së vendit, si dhe të drejtimit, organizimit dhe mobilizimit të burimeve njerëzore dhe materiale, në dobi të sigurisë e të mbrojtjes së vendit.

Dispozita nga Kushtetuta
Neni 168. 3. Këshilli i Sigurimit Kombëtar është organ këshillimor i Presidentit të Republikës.
Dispozita nga ligji për autoritetet e komandimit dhe drejtimit strategjik
Neni 13. 1. Këshilli i Sigurimit Kombëtar thirret nga Presidenti i Republikës, sipas një renditje të përcaktuar. 2. Këshilli i Sigurimit Kombëtar ndihmon Presidentin e Republikës në çështje të sigurisë dhe të mbrojtjes së vendit, si dhe të drejtimit, organizimit dhe mobilizimit të burimeve njerëzore dhe materiale, në dobi të sigurisë e të mbrojtjes së vendit. 3. Këshilli i Sigurimit Kombëtar diskuton dhe jep mendime për çështje të politikës së sigurimit, të politikës së mbrojtjes, të armëkontrollit dhe për të gjitha çështjet e sigurisë e të mbrojtjes. 4. Këshilli i Sigurimit Kombëtar nuk merr vendime. Mbledhjet e tij, si rregull, zhvillohen të mbyllura.

ROLI I EKZEKUTIVIT NË KONTROLLIN DEMOKRATIK TË FA
(Në veçanti pushtetet e KM, kryeministrit dhe MM të RSh)

Rregullimet e ekzekutivitNë çdo sistem demokratik, pushtetet ekzekutive burojnë nga populli, qoftë në mënyrë direkte, si në rastin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ose nëpërmjet përfaqësuesve të popullit, pra të parlamenteve që zgjedhin pushtetin ekzektuiv. Përpjekja kryesore për ndërtimin e një mbrojtje të efektshme, efiçiente, të përballueshme dhe të përligjur përqëndrohet kryesisht të ekzekutivi, ku Ministri i Mbrojtjes është në rolin drejtues për pjesën më të madhe të kohës.
Autoriteti i ekzekutivitPushteti ekzekutiv është inicuesi kryesor i hartimit të ligjeve, dhe ka të drejtën të propozojë për mënyrën si duhet të institucionalizohet dhe drejtohet sektori i mbrojtjes (Forcat e Armatosura).
Ka të drejtën e botimit të dokumenteve të politikave dhe programeve për aspekte të veçanta të mbrojtjes.
Kontrolli demokratik nënkupton që këto të drejta të ekzekutivit kontrollohen nga parlamentet nëpërmjet pushtetit (kompetencës) të tyre për të nxjerrë ligje, miratuar dhe autorizuar veprimtari të caktuara.
Përgjegjësitë kryesore të pushtetit ekzekutiv në lidhje me kontrollin demokratik të Forcave të Armatosura janë si për kontrollin e zbatimit të politikave të mbrojtjes dhe vendimeve ashtu dhe për raportimin e rezultateve. Faza e raportimit të procesit demokratik ndodh njëherazi si për parlamentin dhe publikun.
Transparenca e veprimeve të qeverisëGjithë vendet demokratike zhvillojnë procedurat e transparencës për veprimet e qeverisë nëpërmjet legjislacionit të informimit të publikut. Parimi kryesor qëndron në kërkesën që qeveria duhet t’i bëjë publike si strategjitë dhe politikat e mbrojtjes ashtu dhe rezultatet e tyre.
Ky parim ka rëndësi të dyfishtë: përgjegjëshmërinë dhe besueshmërinë, dhe të dyja janë të dobishme në rritjen e sigurisë së vendit. Në përgjithësi pranohet që një vend demokratik nuk përbën kërcënim për paqen e sigurisë ndërkombëtare dhe se një vend i përgjegjshëm ndaj popullit të tij është gjithashtu i përgjegjshëm dhe ndaj komunitetit ndërkombëtar.
Njëkohësisht, një vend që ndërton mbrojtjen e tij në mënyrë transparente është edhe më shumë i besueshem në komunitetin ndërkombëtar. Si miqtë ashtu dhe armiqtë do të besojnë që ky vend mund të mbrojë popullin, vlerat dhe interesat e tij ndaj çdo kërcënimi të identifikuar.
Minstria e MbrojtjesRoli i ministrive të mbrojtjes në formulimin, miratimin dhe zbatimin e vendimeve të politikës së mbrojtjes është i shprehur qartë në ligjet e nxjerra në fushën e mbrojtjes. Në lidhje me kontrollin demokratik të mbrojtjes (Forcave të Armatosura), ministritë janë si subjekte ashtu dhe objekte, pasi ata janë përgjegjës për kontrollin e drejtpërdrejtë të Forcave të Armatosura, dhe njëherazi janë përgjegjes ndaj titullarëve më të lartë ekzekutive (kryeministrit dhe/ose presidentit) dhe ndaj parlamenteve.
Ministria e Mbrojtjes është autoriteti publik i specializuar kryesor për zhvillimin e Forcave të Armatosura, të cilat organizojnë, koordinojnë dhe zhvillojnë e drejtojnë veprimtaritë për mbrojtjen e vendit. Në lidhje me formulimin dhe zbatimin e politikës, Ministria e Mbrojtjes:
-Vlerëson mjedisin politiko-ushtarak;
-Identifikon kërcënimet dhe rreziqet me dimension ushtarak;
-Përpunon kërkesat e autoriteteve të tjera publike që do të plotësohen me mjete ushtarake;
-Kontribuon në përgatitjen e draftit të politikës së sigurisë dhe përcaktimin e drejtimeve kryesore për zbatimin e saj.
Si pjesë e pushtetit ekzekutiv, ministria ka të drejtën e nisiativës legjislative të propozimit të ligjeve dhe rregulloreve të nevojshme për çështjet e mbrojtjes, si dhe përfshihet në përgatitjen e propozimeve të projekt buxhetit. Gjithashtu, ajo është përgjegjëse për organizimin e kërkimeve shkencore në fushën ushtarake dhe për zbatimin e rezultateve të kërkimeve që kanë lidhje me Forcat e Armatosura të vendit.
Pushtetet ekzekutiveMinistrat e Mbrojtjes miratojnë dokumentet e mbrojtjes të dala nga Shefat e Mbrojtjes (Shtabit të Përgjithshëm) dhe departamentet përkatëse në ministritë e mbrojtjes, në përputhje me dispozitat ligjore. Vendimet e tjera politike dhe administrative të marra nga ministrat e mbrojtjes, zbatohen në mënyrë të drejtpërdrejtë në gjithë institucionin e mbrojtjes nën autoritetin e tyre. Nga ana tjetër, ministrat e mbrojtjes, nxjerrin vendime të politikës së mbrojtjes që i paraqesin për miratim në parlamente, drejtpërsëdrejti ose nëpërmjet kryeministrit ose kryetarit të shtetit, zakonisht pas shqyrtimit në Këshillat e Sigurimit Kombëtar.
Ministritë e mbrojtjes janë gjithashtu institucionet ekzekutive kryesore përgjegjëse për shpërndarjen e informacionit në lidhje me çështjet e mbrojtjes. Në gjithë vendet demokratike, ministritë e mbrojtjes paraqesin strukturën e mbrojtjes në mënyrë transparente të autoritetet më të larta dhe para publikut.
Pushtetet e KM, Kryeministrit e Ministrit të Mbrojtes sipas legjislacionit shqiptar.Këshilli i Ministrave është organi më i lartë i pushtetit ekzekutiv. Ai përgjigjet për zbatimin e Strategjisë së Sigurisë Kombëtare dhe gjendjen e zhvillimit të instrumentave të sigurise dhe të burimeve kombëtare.
Këshilli i Ministrave përcakton drejtimet kryesore të Politikës së Sigurimit dhe drejton veprimtarinë e organeve në vartësi në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet.
Në programin qeveritar duke u vlerësuar si prioritet theksohet që: “vendosja e plotë e kontrollit demokratik civil në ushtri, departizimi tërësor dhe real dhe krijimi i marrëdhënieve të shëndosha civile dhe ushtarake, do të jetë detyra themelore për të siguruar integrimin e ushtrisë në shoqëri”.
KryeministriKryeministri është funksionari më i lartë i pushtetit ekzekutiv. Ai koncepton dhe paraqet drejtimet kryesore të Politikës së Sigurisë dhe siguron koordinimin e zbatimin e tyre në përputhje me ligjet dhe kushtetutën. Kryeministri është përgjegjës para Kuvendit dhe Presidentit të Republikës për çështjet e sigurisë kombëtare.

Dispozita nga Kushtetuta
Neni 80.1. Kryeministri dhe çdo anëtar tjetër i Këshillit të Ministrave është i detyruar t’u përgjigjet interpelancave dhe pyetjeve të deputetëve brenda tri javëve.
Neni 171.1. Në rast agresioni të armatosur kundër Republikës së Shqipërisë, Presidenti i Republikës, me kërkesë të Këshillit te Ministrave shpall gjendjen e luftës.
Neni 172.3. Në rast rreziku për rendin kushtetues dhe për sigurinë publike, Kuvendi, me kërkesë të Këshillit të Ministrave, mund të vendosë në një pjesë ose në të gjithë territorin e shtetit gjendjen e jashtëzakonshme, e cila zgjat për aq kohë sa vazhdon rreziku, por jo më shumë se 60 ditë.

Dispozita nga ligji për autoritetet e komandimit dhe drejtimit strategjik
Këshilli i Ministrave
Neni 14. Këshilli i Ministrave ka këto përgjegjësi dhe detyra: 1. Përgatit dhe i paraqet për miratim Kuvendit projekligjet për mbrojtjen dhe dokumentin e strategjisë së sigurimit dhe dokumentin e politikës së mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë, si dhe projektligje të tjera, të nevojshme për funksionimin efektiv të Forcave të Armatosura. ... 4. Paraqet në Kuvend buxhetin e Mbrojtjes dhe programet e veçanta financiare për Forcat e Armatosura për kohë paqeje dhe lufte. ... 12.  I kërkon Kuvendit të vendosë në një pjesë ose në të gjithë territorin e shtetit gjendjen e jashtëzakonshme në rast rreziku për rendin kushtetues dhe për sigurinë publike. 13. I kërkon Kuvendit, me vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme, ndërhyrjen e Forcave të Armatosura për rivendosjen e rendit, vetëm kur forcat e policisë nuk janë në gjendje të kryejnë këtë detyrë.
Neni 15. Kryeministri është përgjegjës para Kuvendit dhe Presidentit të Republikës për drejtimin dhe gjendjen e Forcave të Armatosura në kohë paqeje.
Neni 16Kryeministri ka këto detyra dhe përgjegjësi:
1. I propozon Presidentit të Republikës emërimin dhe shkarkimin e komandantit të Forcave të Armatosura në kohë lufte.
2. I propozon Presidentit të Republikës emërimin dhe shkarkimin e shefit të Shtabit të Përgjithshëm.
3. I propozon Presidentit të Republikës gradimin, uljen në gradë, si dhe nxjerrjen, në rezervë a në lirim, të ushtarakëve me gradë madhore në Forcat e Armatosura, të përmendur në pikat 1 dhe 2 të këtij neni.
4. Urdhëron përdorimin e Forcave të Armatosura për parandalimin, mënjanimin ose zhdukjen e pasojave të një fatkeqësie natyrore ose njerëzore.

Dispozita nga ligji për autoritetet e komandimit dhe drejtimit strategjik
Ministri i Mbrojtes
Neni 17. Ministri i Mbrojtjes përgjigjet para Kuvendit, Presidentit dhe Kryeministrit për zbatimin e politikës së mbrojtjes, strategjisë ushtarake.
Neni 18.Ministri i Mbrojtjes është person civil.
Neni 19. <

Popular

BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR

BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR
BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR - GJITHASHTU DHE RIPAROJME