Shqipëria gjatë Luftës së Parë Botërore

http://eseshkolle.blogspot.com/
Shqipëria në fillim të Luftës së Parë Botërore (1914-1915)
Lufta e Parë Botërore filloi në korrik 1914, me sulmin e Austro-Hungarisë kundër Serbisë. Së shpejti në këtë luftë u përfshinë dy blloqet kundërshtare, Antanta (Franca,
Britania, Rusia) dhe Lidhja Trepalëshe (Austro-Hungaria, Gjermania), pa Italinë e cila në fillim mbeti neutrale. Gjatë viteve 1914-1917, në këtë luftë hynë dhe një mori shtetesh  të mëdha (SHBA-1917 dhe Japonia) e të vogla, me ç’rast lufta mori përmasa botërore. LIB preku dhe viset shqiptare. Shqipëria mbetej gjithmonë në qendër të disa interesave politike dhe të synimeve për hegjemoni në gjithë rajonin e Adriatikut dhe më gjerë në Ballkan. Shqipëria u kthye shpejt në një shesh luftimesh që shkaktuan në viset shqiptare  anarki, mjerim dhe gjakderdhje. Çdo përpjekje për të ruajtur atë çka ishte arritur, pra pavarësinë dhe njësinë politike territoriale, haste në forcën brutale të armëve. Është shumë vështirë të ndjekësh lëvizjet e trupave të huaja në territoret shqiptare, të cilat u bënë shesh lufte. Nëse si pikënisje marrim largimin e princ Vidit nga Shqipëria, 3 shtatorin 1914, konstatojmë se trupat e rregullta të ushtrisë greke që nga gushti 1914 kishin pushtuar krahinat e Shqipërisë jugore që kishin shpallur “autonominë e Vorio Epirit” madje kishin avancuar.
Në tetor 1914, Italia, nën pretekstin e garantimit të viseve shqiptare sipas vendimeve të Ambasadorëve të Konferencës së Londrës, si kundërveprim ndaj ushtrive pushuese greke, pushtoi Sazanin, kurse në dhjetor 1914, Vlorën. Ky akt ishte dhunimi i parë i vendimeve të Konferencës së Londrës nga Fuqitë e Mëdha. Italia e kishte shpallur veten juridikisht neutrale pasi ishte shkëputur nga Aleanca tripalëshe. Nën pretekstin se A-H nuk e kishte pyetur kur i kishte shpallur luftë Serbisë dhe se Aleanca tripalëshe kishte karakter mbrojtës dhe jo sulmues, Italia ishte larguar nga Aleanca. Në fakt arsyet ishin politike. Italia synonte që nëpërmjet neutralitetit të ngrinte hap pas hapi kërkesat dhe pretendimet e saj. Dhe është fakt që Italisë po i bëheshin lëshime dhe premtime të konsiderueshme nga të dy krahët: A-H dhe Antanta. (A-H i bëri lëshime Italisë për Shqipërinë, por jo për irridentën italiane, për viset italiane në Austri).
Por këtë premtim ia bënë Italisë shtetet e Antantës. Më 26 prill 1915, midis Anglisë, Francës, Rusisë dhe Italisë u nënshkrua në Londër një Traktat i fshehtë, që njihet me emrin “Traktati i Fshehtë i Londrës”. Sipas Traktatit:
      -     Italia hynte në Luftë dhe rreshtohej përkrah Antantës.
-        Italia fitonte “sovranitetin e plotë mbi Vlorën, mbi ishullin e Sazanit dhe mbi një territor aq të gjerë sa të siguronte mbrojtjen e këtyre pikave”.
Gjithashtu bëhej dhe “ndarja e plaçkës”:
-        Italia merrte disa toka që do t’i shkëputeshin A-Hungarisë (ëndrra e vjetër e irredentizmit italian, si Istria, Tripoli, Dalmacia).
-        Në shkëmbim të tokave të mësipërme, Italia lejonte që viset shqiptare në veri dhe në jug t’i jepeshin Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë.
-        Pjesa e cunguar që mbetej në Shqipërinë e Mesme, do të formonte “një shtet të vogël autonom e të neutralizuar”. Italia fitonte të drejtën për ta përfaqësuar atë në marrëdhëniet me jashtë. Pra, protektorat italian mbi Shqipërinë. Është karakteristike se këtë Traktat e firmosën pikërisht ata personalitete që kishin firmosur vendimet e Londrës për Shqipërinë. Në pikëpamje juridike vendimet e 1913-1914 garantonin pavarësinë dhe unitetin territorial të Shqipërisë. Kurse Traktati i Fshehtë i Londrës i konsideronte aktet e Konf Ambasadorëve si të paqëna e të pavlefshme. Zgjidhjen për këtë situatë e dhanë zhvillimi i veprimeve ushtarake dhe kundërveprimi i Lëvizjes Kombëtare shqiptare. Në maj 1915, pas nënshkrimit të Traktatit, Italia del nga neutraliteti dhe i shpall luftë A-H. Në qershor 1915, pikërisht pas Traktatit të Fshehtë të Londrës, trupat serbe-malazeze  hynë në viset veriore, lindore e verilindore të Shqipërisë dhe marshuan drejt Shqipërisë së Mesme, ku i erdhën në ndihmë dhe Esad Toptanit, që ishte i rrethuar nga kryengritësit e Haxhi Qamilit. Gjatë verës 1915, forcat malazeze futën në dorë Shkodrën dhe ekzekutuan një numër të madh të patriotëve shqiptarë: Çerçiz Topullin, Mustafa Qullin, Dedë Gj Lulin etj. Por nën presionin e Fuqive të Antantës, ushtria malazeze u tërhoq  dhe në Shkodër u vendosën forcat ndërkombëtare. Edhe Serbia shkeli pjesë të Shqipërisë Veriore. Por ofensiva e forcave A-H i largon ato nga Shqipëria. Së bashku me trupat serbe u largua nga Shqipëria edhe E. Toptani, pushteti i të cilit nuk kishte bazë të brendshme, por mbështetej te Serbët dhe Italianët.
2. Zonat e pushtimit gjatë Luftës së Parë Botërore
a) Zona e Pushtimit Francez
Në tetor 1916, forcat FRANCEZE të frontit maqedonas, (të LINDJES - Selanik), pushtuan Korçën me rrethinë dhe larguan prej andej grekët. Francezët nga kontaktet që patën me figura përfaqësuese të Korçës, shpejt e kuptuan se popullsia e Korçës ishte kundër grekëve të Athinës (ruajalistëve, përkrahësve të mbretit), grekërve të Selanikut (Venizellistëve) apo kundër italianëve, si dhe kundër Esadit i cili kishte krijuar një “qeveri shqiptare në mërgim”. Francezët (koloneli Dekuan, komandanti i trupave franceze), hynë në kontakt me patriotët  shqiptarë të Korçës, Themistokli Gërmenjin, Sali Butkën dhe me përfaqësues të tjerë dhe më 10 dhjetor 1916, lidhën me ta (një Përfaqësi prej 14 vetësh) një Protokoll në bazë të cilit:
•        formohej “Krahina autonome e Korçës”. KAK përfshinte Korçën dhe qendrat përreth.
•        Krahina do të administrohej nga shqiptarë, ndonëse nën mbrojtjen e autoriteteve ushtarake franceze.
•        Si organi kryesor i administratës autonome krijohej një Këshill prej 14 anëtarësh, i cili nga njëra anë duhej të ushtronte “kontrollin mbi të gjitha shërbimet publike” dhe nga ana tjetër duhej të siguronte lidhje të rregullta me komandën franceze.
•        Protokolli parashikonte krijimin e xhandërmarisë “polici për ruajtjen e rendit të brendshëm”, si dhe të një trupi tjetër xhandërmarie, të quajtur “xhandërmarija e lëvizshme shqiptare”, që do të ruante pavarësinë e territorit dhe lirinë e banorëve.
Nga pikëpamja thjesht formale, Protokolli ishte akti i vetëm gjatë gjithë periudhës së Luftës IB, në të cilën Lëvizja Kombëtare Shqiptare ka dalë si subjekt, si palë në raport me palët ndërluftuese. Përsa i takon përmbajtjes, Protokolli kishte rëndësi edhe më të madhe sepse përmbante vëllimin më të madh të të drejtave të popullsisë shqiptare në kohë lufte dhe në përgjithësi parafiguronte një sistem politik, i cili në mbarim të luftës mund të jepte më tepër shanse për realizimin e së drejtës së vetëvendosjes dhe rrjedhimisht të rimëkëmbjes së pavarësisë shqiptare. Protokolli njohu përkatësinë etnike shqiptare të Korçës dhe krahinës përreth. Përfitimi ishte i dyanshëm: Për shqiptarët –politik, kurse për francezët-ushtarak, ruajtja e qetësisë. KAK është jo vetëm shprehje e patriotizmit të popullit të Korçës, por edhe një vullnet pozitiv i ushtarakëve francezë që arritën ta kuptojnë vullnetin kombëtar e politik të shqiptarëve për vetëqeverisje. Si rezultat i këtij mirëkuptimi, u lejua:
•        gjuha shqipe të ishte gjuhë zyrtare.
•        U hapën shkolla shqipe të përbashkëta, pa dallim feje, në vend të shkollave në gjuhën greke. Grekët ishin sjellë shumë keq me shqiptarët dhe i kishin mbyllur shkollat që më 1912.
•        U përdor flamuri kombëtar i shqiptarëve, flamuri i Skënderbeut, edhe pse këtij i bashkëngjiteshin shiritat tringjyrësh të flamurit francez.
Shpejt u bë e qartë se autonomia e Korçës nuk ishte thjesht një autonomi lokale, shprehje e tendencave separatiste provinciale. Patriotët shqiptarë e quajtën Krahinën autonome të Korçës –Republika autonome e Korçës dhe e konsideronin atë si bërthama dhe modeli i organizimit të Shqipërisë së ardhme. Ushtarakët francezë në Korçë ishin më realistë se Parizi zyrtar që e quante Republikën e Korçës “një incident”. Duhet shënuar se autonomia e Korçës pati impakt edhe në zonat e tjera të pushtuara, në zonën A-H dhe zonën italiane, të cilat reaguan në mënyra konkurruese, por nuk e arritën dot statusin e Korçës.
Zona e pushtimit Austro-hungarez (1916-1918)
Në nëntor-dhjetor 1915, A-H ndërmori ofensivën kundër forcave serbe dhe i dëboi ato nga territori i Shqipërisë nëpërmjet bregdetit Adriatik. Ushtritë A-H okupuan brenda disa javësh Shqipërinë veriore dhe të Mesme. Në janar 1916, forcat ushtarake austro-hungareze përfunduan pushtimin e Shqipërisë Veriore dhe të Mesme, ku edhe u krijua zona e pushtimit austro-hungareze (1916-1918). Patriotët shqiptarë e konsideronin A-H si faktorin mbështetës të pavarësisë së Shqipërisë, e në këtë kontekst dhe pushtimin A-H si të keqen më të vogël. Ata shpresonin të gjenin tek autoritetet pushtuese A-H mirëkuptimin për të krijuar një bërthamë të administratës kombëtare për të hedhur themelet e shtetit të ri shqiptar që do të rimëkëmbej pas mbarimit të luftës, ndoshta edhe me kufij të rivendosur etnikë. Vetë autoritetet A-H nuk i kursyen deklaratat se kishin ardhur si “miq” të Shqipërisë. Kjo edhe për të mos i hedhur shqiptarët në kampin kundërshtar. Kështu
•        në Shkodër u krijua një Këshill Administrativ Civil i përbërë nga shqiptarë, dhe i kryesuar nga ish përfaqësuesi A-H i KNK. Ky Këshill ishte i përbërë nga disa drejtori, si drejtoria e arsimit, financave dhe e drejtësisë.
•        U organizua dhe administrata në bazë dhe kuadri i saj ishin nëpunësit shqiptarë brenda kufirit të Shqipërisë së 1913 dhe matanë këtyre kufijve.
•        U hapën shkolla shqipe,
•        u lejua ngritja e flamurit shqiptar,
•        u formua “Komisia Letrare” e drejtuar nga Aleksandër Xhuvani dhe Luigj Gurakuqi, e cila luajti rol në lëvrimin e gjuhës shqipe, në përparimin arsimor dhe kulturor të kësaj pjese të Shqipërisë. Në këtë mënyrë edhe në Shqipëri monarkia danubiane njohu autonominë kulturore të shqiptarëve.
•        Në zonën e pushtimit A-H u bënë ndërtime objektesh publike, sidomos rrugësh, si dhe u hapën miniera të reja. Iniciativa A-H funksionoi shumë mirë. Por rekrutimi ushtarak, rekuizimet e shumta si dhe puna angari shkaktoi edhe revolta, siç ishte ajo e popullsisë së Shkodrës, në prill 1916.

Megjithatë në Vjenë e kuptonin se shqiptarët ishin të shqetësuar për të ardhmen e vendit të tyre. Më 23 janar 1917, autoritetet austro-hungareze shpallën “autonominë e gjithë Shqipërisë nën egidën e Monarkisë Dualiste”. Kjo deklaratë ishte dhe një kundërpërgjigje ndaj nënshkrimit të Protokollit të Korçës të nënshkruar më 10 dhjetor ndërmjet forcave pushtuese franceze dhe përfaqësuesve të qytetit të Korçës me rrethe për autonominë e Korçës.
Zona pushtuese italiane
Në fund të vitit 1916, forcat italiane dëbuan forcat greke nga Shqipëria Jugore. Kështu, Zona pushtuese italiane shtrihej që nga Shkumbini e deri në Gjirokastër. Italia nuk qëndroi inaktive ndaj përçapjeve të autoriteteve franceze dhe A-H. Ministria e Jashtme italiane e konsideroi Protokollin e 10 dhjetorit 1916 të autonomisë së Korçës një veprim të njëanshëm, që ishte bërë pa u konsultuar paraprakisht me Italinë dhe si një shkelje të dispozitave të Traktatit të Fshehtë të Londrës, 1915, sipas të cilit Italia dhe Franca ishin palë. Si kundërveprim Italia mori disa masa, lejoi ngritjen e flamurit shqiptar në disa qendra të Shqipërisë jugore (Gjirokastër, Delvinë, Tepelenë, Leskovik); lejoi arsimin në gjuhën shqipe, bëri ndërtime publike (rrugë), trajnim të forcave policore shqiptare etj. Kurse më 3 qershor 1917, në Gjirokastër, autoritetet italiane të pushtimit shpallën Proklamatën për “Unitetin dhe pavarësinë e gjithë Shqipërisë nën egidën dhe mbrojtjen e Italisë”.
Proklamata e Gjirokastrës shënon mbizotërimin e atyre qarqeve italiane që ishin për monopolin italian në Shqipëri, pra kundër “ndarjes së plaçkës” me shtetet fqinje të Ballkanit. Iniciativa franceze e autonomisë së Korçës shikohej si një ndërhyrje e pajustifikuar në një zonë të rezervuar për interesat italiane. Proklamata italiane shkaktoi pështjellim në kancelaritë e Antantës, të cilat kundërshtuan në mënyrë jo publike (konfidenciale) dhe kërkuan sqarime nga qeveria italiane, pasi Proklamata “ishte në kundërshtim me marrëveshjen e Londrës”. Italia kundërshtoi nëpërmjet ministrit të saj të Jashtëm, Sonnino, i cili u shpreh se
•        kjo masë ishte plotësisht e justifikuar në referencë me  shpalljen e autonomisë së krahinës së Korçës.
•        Gjithashtu në kushtet kur në Ballkan po bëheshin përpjekje intensive për krijimin e një shteti të bashkuar jugosllav, që e nxirrte Serbinë në Adriatik, Shqipëria merrte një rëndësi ekskluzive për Italinë. Shteti i bashkuar Serbo-Kroato-Slloven do të zëvendësonte A-H në Adriatik dhe Roma ishte shumë e shqetësuar.
•        Ministri i jashtëm italian u shpreh disa herë në Parlamentin italian se rregullimi i çështjes së Adriatikut pas Lufte paraqiste një “interes vital” për Italinë, dhe si komponent i çështjes së Adriatikut ishte dhe Shqipëria. Italia ishte për “pavarësinë e Shqipërisë”, Pra, në vigjilje të përfundimit të Luftës, Italia ishte për të mos lejuar asnjë partnership ballkanik ose tjetër lloj. Ajo nuk ishte më për “ndarjen e plaçkës”.
Megjithëse përfaqëson realizimin më të rëndësishëm të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, në rrethanat tepër të vështira të okupacionit të vendit nga ushtritë e palëve ndërluftuese, jetëgjatësia e KAK qe e shkurtër. Pas shtatorit 1917, u morën një varg masash që çuan brenda pak muajsh në suprimimin e administratës shqiptare dhe në rikthimin e qytetit dhe të krahinës së Korçës nën një regjim ushtarak tradicional të trupave franceze.
•        Koloneli francez Dekuan, që kishte ndjekur kursin e vetëqeverisjes së Krahinës u shkarkua nga detyra.
•        Kurse Themistokli Gërmenji, që kishte luajtur një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në organizmin e forcave të xhandarmërisë dhe të administratës së Krahinës, u dërgua në Selanik për gjykim dhe u ekzekutua në nëntor 1917.
•        Bashkëpunëtorët më të afërt të Themistokliut u burgosën, u pushuan nga puna dhe disa u internuan.
•        Autonomia u cungua pak nga pak, derisa u arrit në shkurt 1918, kur Protokolli u anulua zyrtarisht dhe në vend të tij u shpall vendimi i 16 shkurtit 1918. Sipas këtij vendimi administrata e mëparshme shndërrohej në një administratë ushtarake, ku elementi vendas ishte më i pakët dhe drejtimi i saj bëhej drejtpërsëdrejti nga gjenerali francez.
Megjithatë francezët nuk vepruan në mënyrë ballkanike, me egërsi të skajshme. Popullsisë vendase iu lanë disa të drejta të fituara, si flamuri kombëtar, shkollat shqipe, ndaj të cilave popullsia shqiptare ishte veçanërisht e ndjeshme. Gjithsesi, ajo që duhet theksuar është që qyteti dhe krahina nuk iu dorëzua autoriteteve greke, ashtu siç kishte kërkuar qeveria e Athinës. Ato mbetën nën administratën franceze deri në mbarimin e Luftës, madje edhe pak kohë më tej.
Gjatë viteve 1917-1918, pati një lloj statusquoje ushtarake ndërmjet trupave italiane e franceze nga një anë dhe atyre austriake nga ana tjetër. Vetëm luftime të vogla për pozicione. Vetëm në verë 1918, filluan operacionet në shkallë të gjerë. Megjithatë fati i luftimeve në territorin shqiptar u vendos nga luftimet në sektorët e tjerë më të rëndësishëm në Ballkan e në Evropë. Nga shtator-tetori 1918, ushtria A-H u tërhoq nga viset shqiptare drejt veriut. Në Shqipërinë e Mesme dhe në një pjesë të Veriut përfituan dhe hynë forcat italiane, që ndodheshin në Shqipërinë Jugore me qendër në Vlorë. Francezët në verilindje ua dorëzuan viset shqiptare - forcave të ushtrisë serbe. Në Shkodër u vendosën forcat ndërkombëtare të komanduara nga gjenerali francez De Furtu.

Popular

BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR

BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR
BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR - GJITHASHTU DHE RIPAROJME