BARAZIA
E NJËJTË DHE E DREJTË
Barazia apo barazitë? Në njëjës, barazia është një ide-proteste. Bota, si është sot, është e pabarabartë dhe është e strukturuar "në mënyrë të natyrshme" me pabarazi. Barazia si ide-proteste e lufton këtë ecuri inertësore, "shnatyralizon" natyrën. Barazia, në njëjës, është simbol i revokës kundër hierarkive të kristalizuara, disniveleve rastësore, privilegjeve, disavantazheve apo avantazheve prej L
indjes. Rusoi shkruante: "Pikërisht sepse forca e gjërave synon gjithmonë të shkatërrojë barazinë, forca e legjislacionit duhet të synojë gjithmonë ta ruajë" (Contratto Sociale). Ta plotësojmë me të kundërtën: pikërisht pse forca e gjërave synon përherë ta degjenerojë pabarazinë, forca e legjislacionit duhet të synojë gjithnjë ta shkatërrojë.Barazia në njëjës është gjithsesi edhe kërkim i "barazisë së vërtetë". Për "Lirinë e vërtetë" thashmë se ishte fjala për një nocion filozofik ose metafizik, që nuk ka të bëjë me lirinë politike; po pranuam që liritë, në shumës, mund të cojnë në një ide të përbashkeët themelore: liria si zgjedhje, si gjendje ose aftësi për të zgjedhur. Po për cështjen e barazisë nuk mund të bëjmë një arsyetim të tillë. Ndoshta shpjegimi është ky: që barazia është një koncept dykrerësh, me dy kokë.
Pyetjes "ç’është e barabartë?" mund t'i përgjigjem, për shembull, duke treguar dy bila bilardoje e duke thënë: këto janë të barabarta. Këtu "e barabartë" do të thotë identike (e njëjtë). Po problemi i barazisë midis njerëzve është një problem drejtësie. Këtu e barabarta futet në përkufizimin e asaj? ku është e drejtë. Aristoteli e shënonte këtë me një mprehtësi koncize: "padrejtësia është pabarazi, drejtësia është 176 barazi" (Etica Nicomachea). Kuptohet, njëjtësia - i barabartë si i njëjtë - dhe drejtësia - i barabartë si drejtësi - janë koncepte krejt të ndryshme. Po kur diskuton për barazinë, vjen gjithnjë një cast që ata kapërthehen. Gjë që e bën konceptin e barazisë konceptin më të vështirë të politikës. Barazia është lehtësisht e kuptueshme për atë që e lidh thjesht e vetëm me identitetin; po shumë e vështirë për atë që kërkon të drejtën në identitet dhe/ose identiken tek e drejta.
Atëherë, njëjës apo shumës? Sa kohë që mbetemi tek ideja- protestë, njëjësi shkon mirë. Po, sapo arrijmë te barazia si ide- propozim, atëhere problemi mund të trajtohet vetëm në kuptimin e barazive, në shumës.
BARAZITË NË SHUMËS
Po t'i marrim një nga një (nuk do ta bëjmë), barazitë janë shumë; po nuk janë pak, edhe po t'i grupojmë. Disa janë barazi-liri; të tjerat janë vetëm apo kryesisht barazi: së pari, barazi dhe, pastaj, ndoshta, liri. Ta fiksojmë mirë këtë dallim.
I barabartë në greqisht është isos: dhe barazitë antike që shpalleshin të tilla janë isonomia (ligje të barabarta) dhe isegoria (agor- e barabartë, asamble e barabartë). A janë barazi këto? Sigurisht. Po, në të njëjtën kohë janë edhe liri. Ligjet e barabarta janë liri të barabarta në ligj (dhe ligje që na bëjnë të lirë). Asamble e barabartë sjell liri për të dhe në asamble dhe, kështu, edhe liri të fjalës e të votës. Nga ana tjetër - është e qartë, po prandaj mund të na shpëtojë - liria është liri e barabartë: nëse nuk është e barabartë për të gjithë, nuk mund të jetë liri. Pra, ka barazi që janë edhe liri dhe, anasjelltas, liri që janë kontekstualisht barazi. Dhe, kur është kështu, barazia nuk ka dallueshmëri.
Kur, pra, barazia shtrohet si problem dhe, dora-dorës, bëhet problematike? Pikërisht kur bëhet e paqartë nëse një barazi është edhe liri dhe, akoma më shumë, kur është e sigurt që një barazi eliminon lirinë. Përgjatë kesaj besueshmërie gjejmë, në fillim, barazi të qeta, që nuk shqetësojnë, dhe, në fund, barazi të zhurmshme, që turbullojnë e shqetësojnë mjaft.
Barazia më e qetë prej të gjithave është barazia e kushteve, barazia shoqërore që vinte re në Amerikë Tokevili dhe që Braisi e bënte "barazis time", respekt të barabartë . Në këtë rast kemi një barazi që qëndron më vete, pavarësisht nga vlera e saj e lirisë (për të cilën Tokevili dyshonte mjaft). Po nëse barazia shoqërore është një "barazi" e dallueshme, ajo nuk është ende një barazi që shtrohet si problem. Tokevili e gjente, dhe e gjente "të dhënë" për arsyen e thjeshtë se Bota e Re nuk kishte një të kaluar feudale dhe ishte "e re". Të kemi parasysh që barazia shoqërore nuk vendoset nga lart; është një gjendje e natyrshme, e përftuar në shoqëri nga një ethos i njëjtë. Në skajin tjetër, atë të barazisë që me siguri hyn në konflikt me lirinë (kuptohet, i referohemi gjithnjë lirisë së jashtme) gjejmë barazinë materiale, barazinë ekonomike, që përkufizohet si pronësi e barabartë (të gjithë të barabartë në pasuri) ose, përkundrazi, si "të gjithëve asgjë", skamje e barabartë për të gjithë. Po midis barazisë shoqërore, nga njëra anë, dhe barazisë materiale (literale), nga ana tjetër, vendoset një gamë e tërë rastesh të ndërmjetme. Janë raste që meritojnë të ndalemi.
Klasifikimi tradicional i barazive shquan 1) barazinë juridike- politike, 2) barazinë shoqerore, 3) barazinë e mundësive, 4) barazinë ekonomike. Si një përafrim i parë mund të shkojë. Po nuk është ndonjë klasifikim që ndriçon shumë, madje, është një klasifikim të cilit i shpëtojnë nyjet e vërteta të çështjes. Për barazinë juridike- politike (ligje dhe të drejta) është folur disa herë; prandaj, po përsërisim vetëm që ajo shënon një tërësi barazi-lirish dhe një tërësi ku "barazia" nuk është karakteristika dalluese. Për barazinë shoqerore pamë pak më parë që nuk shtron probleme. Pra, debati për barazinë hapet me barazinë e mundësive. Edhe po të duam të themi se mundësi të barabarta janë njëkohësisht liri të barabarta, edhe kështu, në këtë shprehje, barazia bëhet parësore, ajo që tërheq. E, pra, diskutimi për barazinë, që shqetëson e na shqetëson, fillon prej këtu.
MUNDËSI TË BARABARTA
Neve na duket që barazia e mundësive është një barazi e kohëve të fundit. Po dhe jo. Pjesërisht, nis me Revolucionin Francez; dhe është mirë t'i kthehemi këtij fillimi. Në Deklaratën e të Drejtave të 1789-s, neni 6, lexohet: "duke qënë të gjithë qytetarët të barabartë [para syve të ligjit] ata kanë të drejta të barabarta për të gjitha shpërblimet dhe pozitat zyrtare publike dhe vetëm sipas kriterit të virtytit dhe inteligjencës së tyre". Është parabola që mbyllet me Kushtetutën e gushtit 1795, neni 3, ku pohohet se "barazia konsiston në atë që ligji është i barabartë për të gjithë... Barazia nuk pranon dallime nga lindja as trashëgim të pushtetit". Sikurse shihet, protagonistët e viteve 1789-1795 ankoroheshin të gjithë te "ligjet e barabarta". Po, nëse premisa është isonomia (dhe liria në ligj e Rusoit), prej kësaj premisë ata nxjerrin hyrjë të barabartë në të gjitha funksionet publike sipas meritës: aftësi, virtyt, inteligjencë. S'ka dyshim: kjo është barazia e mundësive në variantin që sot quajmë liberal të nocionit. Revolucioni Francez u mbyt në teprimet e veta dhe, në shekullin që pasoi, barazia që ndalon dallimet nga lindja dhe privilegjet e trashëguara pushoi së qëni një ide-forcë; po, kur u rishfaq si ide-forcë, formulimi ishte ai i 1789-s: hyrje e barabartë.
Po barazia jonë e mundësive nuk mbaron këtu. Hyrjes së barabartë ne i kemi shtuar nocionin e nisjeve të barabarta. Dhe, në realitet, kjo shtesë krijon një variant krejt të ndryshëm të barazisë në fjalë. Pra, çështja është që shprehja "mundësi të barabarta" përmban në vetvete dhe në një koncept fsheh dy koncepte heterogjene. Hyrje e barabartë për të gjithë, sipas meritës, është një gjë; kushte të barabarta nisjeje, që u japin të gjithëve aftësi fillestare të barabarta, është gjë tjetër. Flju (1981) shkruan: "ajo që kuptohet zakonisht me "mundësi të barabarta" mund të përshkruhej më mirë si konkurrim i hapët për mundësi të pakta". Thënie e saktë për hyrjen e barabartë; po e pazbatueshme për nisjet e barabarta.
Hyrje e barabartë do të thotë "vlerësim i barabartë për aftësi të barabarta" dhe, pra, promovon një meritokraci: karrierë (gradim) e njëjtë për aftësi të njëjta. Nisje të barabarta do të thotë që ata që nisën duhet të jenë në kushte të barabarta. Hyrja e barabartë heq pengesat; nisjet e barabarta janë nisje që duhen prodhuar. Në rastin e parë, talenti është atje ku është, merret i mirëqenë; në rastin e dytë, talenti, ndryshimi midis atij që e ka dhe atij që s'e ka, përbën problemin. Hyrja e barabartë ka të bëjë me format - të drejta, procedura, modalitete - e hyrjes. Nisjet e barabarta kanë të bëjnë me kushte dhe rrethana materiale. Hyrje e barabartë do të thotë që ndalohet diskriminimi. Kurse nisjet e barabarta, përkundrazi, (sikurse do të shohim) diskriminimi i ndihmon. Që hyrja e barabartë është një liri shtesë - dhe, pra, një liri-barazi - kjo s'ka dyshim. Që nisjet e barabarta janë edhe liri, kjo, përkundrazi, është e dyshimtë.
Është e qartë që ndërmarrja më e vështirë është barazimi i nisjeve. Barazimi i pozitave dhe kushteve fillestare të garës duhet kërkuar, në radhë të parë, në një arsim të barabartë për të gjithë. Por edhe arsimi i barabartë nuk barazon mjaft. Atëherë kërkohen trajtime preferenciale, avantazhe për ata që janë në disavantazh. Thelbi i çështjes është që, për një arsye a një tjetër, i varfri është gjithmonë në disavantazh në krahasim me të pasurin. Atëherë, rezultati është që nisja e barabartë kërkon një mirëqenie relativisht të barabartë. Dhe kjo sjell që kërkesa për nisje të barabarta derdhet në kërkesën për një barazi ekonomike relative. Po kjo nuk do të thotë se, duke ecur në këtë rrugë, barazia e mundësive dhe barazia ekonomike arrijnë të shkrihen. Jo. Jo, sepse mjetet e nisjes së barabartë nuk janë domosdoshmerisht dhe vetëm mjete ekonomike; jo, edhe sepse qëllimi i mundësive të barabarta mbetet gjithnjë i ndryshëm prej qëllimeve që ndjek barazia ekonomike.
Gjithsesi, prej dyzimit të barazisë së mundësive del që edhe barazia ekonomike duhet ndarë në dysh. Që barazia ekonomike pozitive - një barazim relativ në pasuri - ndryshon shumë nga barazia ekonomike negative - të gjithë asgjë - kjo është fare e njohur; dhe çka duam të përcaktojmë nuk është kjo, po që sot një nga përligjjet themelore të barazisë ekonomike (relative dhe pozitive) është pikërisht ideja e mundësive të barabarta në nisje. Që do të thotë se të dyja barazitë në Fjalë janë "të afërta" dhe i afron pikërisht optika e nisjeve teëbarabarta. Ngushtimi i mjerimit, shuarja e skajeve të miliarderit dhe lypësit, sot është jo vetëm një "drejtësi ekonomike", por edhe drejtësi në mundësi.
Vërejta që klasifikimi tradicional i barazisë në katër zëra nuk është i kënaqshëm. Tabela regjistron dallimet që bëmë në mjedisin e barazisë së mundësive dhe, njëkohësisht, neëmjedisin e barazisë ekonomike;
TIPET E BARAZISË:
1.Barazia juridike-politike
2.Barazia shoqërore
→3. Hyrje e barabartë
Barazia e mundësive
→ 4. Nisje të barabarta
→5. relative (pozitive)
Barazia ekonomike
→6. radikale (negative)
7. Barazitarizëm i plotë (të gjithë njësoj në gjithcka)
Vija ndarëse midis lirisë dhe barazisë (duke iu referuar numrave të tabeles) është e saktë për barazitë 1, 2 e 3, që përbëjnë raste të sigurta të lirive-barazi. Po kështu, është e saktë për barazitë 6 e 7, që janë me siguri mohuese të lirise. Përkundrazi, barazitë 4 e 5 janë polivalente dhe, pra, të papërcaktueshme: pjesërisht çlirojnë, pjesërisht jo. Duhet të vendosim herë pas here, duke parë konkretisht politikat barazimtare që kerkojnë.
KRITERET E BARAZISË
Deri tani vumë rregull në universin e barazive: një univers i përbërë, pjesërisht, nga liri-barazi dhe, pjesërisht, nga barazi, të mirëfillta. Por ato që kanë më shumë rëndësi dhe, në fund të fundit, vendosin, janë kriteret në bazë të të cilave atribuohet një barazi e caktuar. Edhe këtu, modelin e gjejmë tek Aristoteli (Etica Nicomachea, L. V) që bën dallim midis i) barazisë "aritmetike" (ose numerike) dhe ii) barazisë "përpjesëtimore" (të përpjesëtuar). Kriteri i barazisë aritmetike është: të njëjtën të gjithëve. Kriteri i barazisë përpjesëtimore është: të njëjtën të njëjtëve, pra, gjëra të barabarta të barabartëve dhe gjëra të pabarabarta të pabarabartëve. Në barazinë aritmetike "e barabartë" do të thotë identike. Kurse barazia proporcionale është barazi midis të ndryshmëve: këtu, shpjegon Aristoteli, "të pabarabartët janë trajtuar në përpjesëtim me ndryshimin përkatës". Pra, në rastin e dytë barazia është një barazi që është e drejtë. Në fakt, drejtësi është, t'i japësh secilit atë që i takon; të mos i japësh secilit të njëjtën gjë. Një gjykatës që i bie përherë në mes konflikteve mes dy vetave do të ishte, në thelb, i padrejtë (përveç që i padobishëm).
Është e qartë që herë zbatojmë barazinë e parë, herë të dytën. Ligje të barabarta janë ligje identike: isonomia kërkon të njëjtën gjë për të gjithë. Po drejtësia fiskale është përpjesëtimore, në përpjesetim me pasurinë: taksa të barabarta për të barabartët, të pabarabarta për të pabarabartët. Asnjeri kriter nuk është thelbësisht epror ndaj tjetrit. Ndryshimi midis dy kritereve është që barazia aritmetike është e lehtë - pasi caktohet cila është, zbatohet automatikisht - ndërsa barazia përpjesëtimore është e vështirë, sepse çdo herë duhet vendosur i) ç'pjesë dhe ii) ndaj kujt. Kur rregulli nuk është me "të gjithëve të njëjtën", po, përkundrazi, "të njëjtën kujt është i njëjtë", pyetja është: kush me kë është i barabartë? Për t'u përgjigjur duhet të përcaktojmë cilat janë njëjtësite dhe ndryshimet e rëndësishme. Lëmshi është kaq i ngatërruar, sa është më mirë ta përballojmë, duke e thjeshtëzuar në formën e një tabele.
TABELA II: KRITERET E BARAZISË
1. Të njëjtën të gjithëve: kuota (detyrime, përfitime) e rregulla të barabarta për të gjithë
2. Të njëjtën të njëjtëve: kuota (detyrime, përfitime) e rregulla të barabarta për ata që janë të barabartë dhe të pabarabarta për ata që janë të pabarabartë. Kështu:
2a: në përpjesëtim (monotonik ose progresiv)
2b: kuota të pabarabarta për ndryshime të rëndësishme
2c: kuota të barabarta për merita të barabarta (secilit sipas aftësive)
2d: kuota të barabarta për nevoja të barabarta (secilit sipas nevojave)
Para se të hyjmë në brendi, dy vërejtje të përgjithshme. E para është që barazia nuk është kurrë barazi në gjithçka. Të njëjtën të gjithëve nuk do të thotë kuota të barabarta për gjithçka, po gjithnjë - konkretisht - kuota të barabarta të diçkaje. Vërejtja e dytë është që gjithmonë duhet të saktësojmë kush apo çfarë duhet barazuar në ç'aspekt. Në botën reale gjithçka është e ndryshme. Dhe një pjesë shumë e madhe e kësaj bote të ndryshme, e ndryshimeve ekzistuese, pranohet, ose sepse kalon pa u vënë re, ose sepse nuk quhet një ndryshim "i padrejtë", ose sepse vlerësohet si e pakorrigjueshme. Ndryshojmë shumë për nga bukuria, dhe kjo s'është e drejtë; po barazimi në bukuri ishte i pamundur deri me lindjen e kirurgjise plastike e, edhe kështu, të qenët të pabarabartë në karakteristikën "bukuri" nuk shtrohet sot si një pabarazi e rëndësishme.
Duke hyrë në temë, kriteri 1 (barazia aritmetike) karakterizon sistemet ligjore që ngrenë mbi "ligje të barabarta" lirinë në ligj. Këtu kriteri formulohet kështu: i njëjti rregull (identik) për të gjithë; dhe duhet nënvizuar se, po të heqim "për të gjithë", heqim diçka shumë të rëndësishme. "Për të gjithë" imponon karakterin e përgjithshëm të ligjit; dhe çështja është që ligjet jo të përgjithshme, ligjet që pranojnë përjashtime, nuk janë ligje mbrojtëse. Nuk mund të vendoset kurrë një normë që "t'u pritet gjuha të gjithëve", nëse ajo përfshin dhe atë që e nxjerr; po, nëse ajo pranon që gjuhëprerësi përjashtohet, nëse të gjithë nuk janë të gjithë, atëherë pse jo? Në fund të fundit, gjuhët që priten janë të të tjerëve, jo vetjakja. Pra, mbrojtja e ligjeve është e sigurt, vetëm nëse ato veprojnë edhe mbi atë që i bën, pra, vetëm nën mbulojën e karakterit të përgjithshëm të ligjeve. Ligji i përgjithshëm sanksionon parimin që të mos u bëhet të tjerëve çka nuk do të doje për vete. Të jetë e qartë: një ligj i përgjithshëm nuk është pa tjetër "i mirë"; mund të jetë i marrë, i gabuar, i dëmshëm. Po karakteri i përgjithshëm i ligjeve bllokon ligjet "e prapa", që i shkojnë pas qejfit tiranit dhe dëmtojnë nënshtetasit e tij.
Kuptohet, ky avantazh ka edhe minuset e veta. Ligji "i përgjithshëm" nuk sheh kush i del përpara. Ligji, për të qenë i tillë, duhet të jetë "i rreptë", i palëkundshëm. Mjerë, nëse ligji preket apo nis të bëjë përjashtime.
Duam përjashtime, duhet lakueshmëri? Atëherë duhet të kalojmë te barazia përpjesëtimore, te kriteri 2 dhe dy nënklasat e tij. Barazia përpjesëtimore "sheh kush i del përpara". E meta është që kriteri "të njëjtën të njëjtëve" varet tërësisht nga përcaktimi se kush është i njëjtë dhe, kështu, lejon që, përgjatë degëzimeve dhe nënklasave të veta, çdo rregull apo çdo gjendje të shpallet e barabartë. Për shembull, shoqëria mesjetare mund të rezultojë "e barabartë" sipas kriterit 2b (kuota të pabarabarta për ndryshime të rëndësishme) ose edhe sipas kriterit 2d (secilit sipas nevojave), nëse shtrojmë, më arsye, që nevojat e luftëtarit, të zotërisë që mbron fshatarët, janë më të larta se nevojat e fshatarit. Po mbi këtë kriter, edhe një shoqëri e kastave, sikurse është shoqëria indiane, mund të përligjet si "e barabartë". Shembujt janë ekstremë, po vënë në dukje se fleksibiliteti i barazisë "në përpjesëtim" është një avantazh i rrezikshëm.
Argumentet pro dhe kundër kritereve të barazisë së treguar në Tabelën II të çojnë te premisa që cilido rregull trajton në mënyrë të barabartë (ndryshe, nuk do të ishte një rregull). Prandaj ndryshimi midis rregullave qëndron në përfshirjen më të madhe a më të vogël që ka. Që do të thotë se vetëm një rregull gjithëpërfshirës - që është i tillë, sepse u jep ose u heq të njëjtën të gjithëve - është autentikisht barazimtar, kur i trajton të gjithë në mënyrë të barabartë. Në të kundërt, sa më e vogël të jetë "popullsia" (nënpopullsia) së cilës i adresohet një rregull, aq më e madhe është kuota e gjithë popullsisë që trajtohet në mënyrë të pabarabartë, në detyrime ose në përfitime, prej kësaj rregulle. E, pra, - në mënyrë paradoksale - politikat barazimtare, ndërhyrjet që synojnë të nxisin një barazi më të madhe, janë të gjitha "diskriminuese": nuk trajtojnë kurrë në mënyrë të barabartë, po, përkundrazi, të pabarabartë.
Paradoksi shpjegohet shpejt. Barazitë-liri janë trajtime të barabarta, ndërsa progresi i barazisë shihet te rezultatet e barabarta. Dhe është fakt që trajtimet e barabarta (ligjet e barabarta) nuk prodhojnë rezultate të barabarta (barazime në rezultat); prej ku rrjedh që për t'u bërë të barabartë, duhen trajtime të pabarabarta, domethënë ligje të pjesshme dhe diskriminime kompensuese. Nëse duhet që vrapuesit e ngadaltë dhe ata të shpejtë të arrijnë njëkohësisht në finish, atëherë të shpejtët duhen penguar dhe të ngadaltët duhet të favorizohen. Atëherë, s'ka më mundësi të barabarta. Përkundrazi, me qëllim që të barazohemi në arritje, nevojiten "mundësi të pabarabarta" (trajtime preferenciale) në nisje. Mund të thuhet që, nëse kështu duhet, kështu le të bëhet. Po kujdes. Duke ndjekur këtë rrugë, të cilën ata që e cmojnë e quajnë affirmative action, veprim afirmues, ndërsa ata që nuk i besojnë - "diskriminim së mbrapthi", jo vetëm që humbim mbrojtjen që siguron karakteri i përgjithshëm, por edhe futemi në fushën e minuar të pasojave të padëshiruara dhe të efekteve të kundërta .
Ta zëmë që pabarazitë e perceptuara si të rëndësishme jane raca dhe seksi. Thuhet që, për t'i eliminuar, është e nevojshme që disa racave dhe seksit "të dobët" t'u jepen përfitime kompensuese, domethënë privilegje. Del që ata që, kur lindin, "gabojnë" racën dhe seksin, trajtohen në mënyrë të pabarabartë. Për ta ky është diskriminim: ndodhen në disavantazh. Pastaj, përse ka peshë të jesh i zi, meksikan, indian etj., ndërsa jo kur je armen, irlandez, italian etj.? Fillimisht përgjigja është që "rëndësia" e grupeve etnike të parazgjedhura (të favorizuara) përcaktohet nga disavantazhi më i madh i tyre. Po, me kalimin e kohës, grupet etnike të përjashtuara do të ndjehen të prekura dhe do të organizohen për të kërkuar të njëjtat privilegje që u lejohen të tjerëve. Në fund të fundit, kjo është një mënyrë për të cytur konfliktualitetin dhe për të shumëfishuar, në brendësi të shoqërisë, perceptimin, pak a shumë të bazuar, të dallimeve të padrejta. Kështu kemi hapur kutinë e Pandorës; dhe pa ndonjë përfitim të madh, sepse, për të shëruar një pabarazi, krijojmë një tjetër, e kështu pa fund në një kreshendo të çoroditur. Në fillim (për barazinë aritmetike) pyetja është "e barabartë në krahasim me çfarë?"; më pas (për barazinë përpjesëtimore) duhet të shtojmë "e barabartë për kë?"; dhe me diskriminimin së mbrapthi "për kë" do të thotë edhe kundër kujt.
Por edhe po ta lëmë mënjanë diskriminimin së mbrapthti, mbetet fakt që, për t'u bërë të barabartë në përfundim, duhet të trajtohemi në mënyrë të pabarabartë. Ketij kalvari nuk i shpëtojmë dot.
LLOGARITJA E BARAZISË
U nisëm nga liritë-barazi, që janë të tilla pandashmërisht. Po në një çast të caktuar barazia bëhet një ideal më vete, një ide-force autonome. Pas kësaj, dhe në këtë rrugë, arrijmë te barazitë që mohojnë lirinë. Pse? Është e domosdoshme të ndodhë kështu? Ia vlen t'i shkojmë çështjes deri në fund, duke bërë, të shprehemi kështu, "llogaritjen e barazisë".
Mendimi i përgjithshëm është që barazi mohuese të lirisë janë:
i) barazia si identitet dhe/ose ii) barazia aritmetike.
Teza e dytë është patjetër e gabuar. Sikurse pamë, parimi (aritmetik) "të gjithëve të njëjtën" është në themel të karakterit të përgjithshëm të ligjeve dhe, pra, mbeshtet lirinë në ligj, ndërsa rreziqet për lirinë vijnë, ose mund të vijnë, nga barazia përpjesëtimore. Por edhe teza e parë - që barazia e pabesë është barazia e konceptuar si identitet - e thënë kështu, nuk qëndron. Trajtimet e barabarta janë sigurisht instrumente të lirisë; dhe nuk janë të barabarta vetëm në kuptimin që zbatohen për të gjithë, por edhe në kuptimin se janë të njëjta (identike) për të gjithë. Prandaj, e barabarta si identike nuk është, në vetvete, lirivrasëse.
Arrijmë kështu të shohim që problemi është identiteti në rezultat, rezultatet e barabarta materiale (ekonomike), që, më pas, kalojnë në rezultate të barabarta njerëzore: ideali i arritjes së "njeriu identik". Pra, barazia që heq lirinë (deri në zhdukje) nuk është një trajtim identik, po rezultat identik. Mundësitë e barabarta janë ende një barazi cliruese. Kurse nisjet e barabarta, përkundrazi, kërkojnë një "kosto lirie": kosto që mund të pranohet apo jo - në vartësi të rrethanave që duam të barazojmë. Paskëtaj arrijmë te barazitë në rezultat - si të barabartë në pasuri apo në varfëri - kostoja e të cilave nuk është zvogëlimi, po humbja e lirisë.
Sigurisht, egalitaristi (barazitaristi) - i obsesionuar pas barazisë - nuk mendon kështu. Teza e tij është që:
i) liria nuk prodhon barazi, po që, përkundrazi, ii) barazia është liri.
Për barazitaristin në drejtimin që shkon nga liria te barazia "nuk lëviz asgjë": nuk ka asnjë marrëdhënie midis dy termave. Në të kundërtën, në drejtimin barazi-liri "kalon gjithçka": të dy termat janë në simbiozë, barazia jep njëherësh liri. Dhe kështu, me dy levizje të thjeshta, barazitaristi jo vetëm mohon sakrificën që i kërkohet lirisë, po, madje, premton edhe një liri më të madhe e më të mirë'. A është e mundur? Le të rinisim llogaritjen e barazisë.
Që liria nuk prodhon barazi kjo është e saktë, mjaft të saktësohet që nuk prodhon barazi në rezultat. Por është e pasaktë, kur teza bëhet - sikurse bëhet - që liria nuk nevojitet, që liria nuk ndihmon. Skllevërit janë të barabartë, krejt të barabartë. Po janë skllevër. Si kështu? Është një pyetje që barazitaristi nuk i jep përgjigje. E, pra, përgjigja është fare e qartë: skllevërit janë të barabartë në skllavëri, sepse barazia e tyre kapërcen hallkën e parë, sepse nuk paraprihet dhe nuk mbështetet nga liria. Pra, liria është parakusht i barazis. E para mund të mos japë të dytën, nuk është kusht i mjaftueshëm për të dytën; po pa liri mbetemi edhe pa barazi: liria është kusht i domosdoshëm i barazisë (midis joskllevërve).
Dhe nëse egalitaristi gabon në drejtimin që shkon nga liria te barazia, gabon akoma më rëndë në të kundërt, në drejtimin që shkon nga barazia te liria. Për te barazia është eo ipso liri, një barazi më e madhe është automatikisht liri më e madhe dhe, kështu, më në fund, barazia totale është liria e plotë "reale". Po që është kështu duhet vërtetuar. Po, përkundrazi, vërtetohet vetëm që nuk është kështu.
Po të mendohemi pak, do të shohim se skema e arsyetimit të barazitaristit nuk përputhet. Në lëvizjen e parë, ai e ndan krejtësisht lirinë nga barazia; po, pastaj, në lëvizjen e dytë menjëherë i shkrin plotësisht me njëra-tjetrën dhe barazia bëhet liri. Në këtë mënyrë egalitaristi arrin t'i shpëtojë përherë problemit të marrëdhënies midis dy termave. Në lëvizjen e parë nuk ka marrëdhënie, sepse "nuk kalon asgjë"; nuk ka as në lëvizjen e dytë, sepse të dy termat bëhen identike. Po, t'i shmangesh një problemi, nuk do të thotë ta zgjidhesh. Dhe nëse e përballojmë, zgjidhja është e qartë: marrëdhënia midis lirisë dhe barazisë është proceduriale; si procedurë, shkohet nga liria te barazia dhe ky rend procedurial nuk është i kthyeshëm. Prej lirisë arrihet, ose mund të arrihet, te barazia, por jo e kundërta. Kush niset nga barazia pa liri (mes skllevërve) mbetet në vend. Shtatëdhjetë vjet të barazisë sovjetike mbeten shtatëdhjetë vjet jolirie. Dhe, pra, është pa dyshim e rreme që "barazia e vërtetë" (materiale dhe në rezultat) është "liria e vërtetë".
Mbetet teza - më e butë - që barazia është "një formë lirie". Kjo tezë mund të jetë e vërtetë apo e rreme, në vartësi të mënyrës se si kuptohet. Nëse duam të themi se ka barazi që mund të "rishkruhen" si liri, është fare e vërtetë dhe e kemi nënvizuar disa herë (për shembull, ligjet e barabarta për të gjithë janë pa dyshim një "formë " lirie). Po nëse janë forma të lirisë disa barazi, nuk do të thotë se janë të gjitha. Kapërcimi nga disa te të gjitha është, me logjikën e shëndoshë, një kërcim akrobatik. Nuk mund të shitet sapuni për djathë. Prandaj, kur, pa asnjë provë, kjo tezë shtrihet edhe te barazitë në rezultat, është e rreme.
Thelbi është ky. Të barazosh në rezultat do të thotë të shpërndash, të rishpërndash dhe, ëmë në fund, të shpronësosh. Kush e bën këtë? Mund ta bëjë vetem shteti? Po cili shtet dhe me ç'mjete? Bëhet kusht që shteti të jetë "i fortë". Po, nëse shteti është i gjithë- pushtetshëm dhe del jashtë kontrollit, nuk është aspak e sigurt që ai do të jetë një shtet flirues, i drejtë dhe mirëbërës; përkundrazi, ka shumë të ngjarë të mos jetë i tillë. Nëse programi barazitar duhet t'i japë shtetit pushtetin për të shkelur lirinë nga shteti, atëherë ky nuk garanton as rezultatin (barazitar) që premton. Sikurse u vërtetua plotësisht nga shteti që thuhej se qe i paracaktuar - në qëllime - "të clironte duke barazuar": shteti komunist. Është e vërtetë që rezuëtatet e barabarta kërkojnë trajtime të pabarabarta. Por është po kaq e vërtetë që trajtime të pabarabarta mund të çojnë edhe në rezultate teëpabarabarta.
Në fillimet e Revolucionit Francez Marati i shkruante Demulenit: "C'i hyn në punë liria politike atij që nuk ka bukë? Ajo u shërben vetëm teoricieneve dhe politikaneëe ambiciozë'". Pyetja ishte serioze, po përgjigja e pasaktë. Demuleni do ta zbulonte në kurriz të vet, kur e gijotinuan. Që liria nuk jep bukë, është e vërtetë. Që nuk interesohet për ata që janë të uritur është thuajse po aq e vërtetë (jo plotësisht, sepse, të paktën, liria lejon të kërkohet bukë). Po, nëse buka është gjithçka për atë që s'e ka, bëhet hi? (ose thuajse), sapo sigurohet. Nuk jetohet - ma falni këtë thënie të rëndomtë - vetëm me bukë. Nga ana tjetër, pyetja e Maratit nxit një pyetje paralele: "ç'i hyn në punë joliria atij që s'ka bukë? "Përgjigja është e njëjtë: për asgjë. Kush heq dorë nga liria në këmbim të bukës është budalla. Nëse liria nuk jep bukë, është akoma më e vërtetë që as mungesa e lirisë nuk jep bukë.
Duke gabuar llogaritjen e barazisë, sikurse bëri bujshëm "marksizmi i realizuar", domethënë komunizmi, u shkaktoi një miliardi e gjysmë qenieve njerëzore privacione, vuajtje dhe mizori krejt të padobishme, krejt të panevojshme. Po, duke kthyer faqen, duhet kuptuar që gjithçka varet nga bërja të barabartë - të nënshtruar në mënyrë të barabartë ndaj ligjeve të barabarta - e atyre që i kryejnë barazimet. Dhe si barazohen ata që barazojnë është një problem i lirisë politike (dhe i inxhinierisë konstitucionale) dhe, sigurisht, jo i barazisë materiale.