Tema: “Metodat e kërkimit në Shkencën Politike”
Pse na duhet Metodologjia?
Qëllimi i këtij leksioni është t`i përgatisë studentët të flasin një gjuhë të përbashkët metodologjike që bën të mundur që studentët të arrijnë një pjekuri në kërkimin shkencor ku të kritikojnë njëri - tjetrin të bashkëpunojn me njëri-tjetrin duke patur një bashkëpunim të tillë nga aspekti metodologjik, pavarësisht degës specifike. Një
nga funksionet bazë të metodologjisë është pikërisht ky:A. Standartizimi disiplinor dhe gjuha e përbashkët. Për disa disiplina si p.sh. shkenca politike është e pamundur të flasësh për të si per një degë të veçantë nëse, mungon një kuptim i përbashkët dhe nëse është e pamundur të bihet dakort për metodat e përdorura në këtë disiplinë. Pra, identiteti disiplinor i secilës degë varet sa nga përmbatja teorike dhe çështjet, shqetësimet e përbashkëta që ngre aq dhe tërësia e metodave që përdor.
B. Funksioni i metodave lidhet me legjitimitetin që përdorimi i saktë i metodave i jep punimeve shkencore të bëra në institucione të ndryshme akademike e kërkuese në të gjithë globin. Megjithëse disa pozicione teorike mund te jenë më, të privilegjuara në universitetet e disa vendeve më shumë se në të tjera - p.sh teoritë post-strukturaliste nuk shihen me aq besim në SHBA sesa mund të shihen në Francë për sa kohë që metodologjia e përdorur është rigoroze, konsistente me teorinë e përdorur, koherente dhe shkencërisht e pranuar si e tillë, ajo e bën punimin shkencërish të vlefshëm dhe të besueshëm.
Në këtë mënyrë, metodologjia është një lloj 'pasaporte' e kërkimit shkencor për t'u pranuar si e barazvlefshme në çdo hapësirë e institucion tjetër ku bëhet shkencë.
Studimet e degëve të shkencave humane dhe shkencave sociale në vendet ish-komuniste kanë pasur probleme të theksuara ideologjizimi para viteve 90. Kështu, psh degë si filozofia dominohej vetëm nga rrymat marksiste dhe metodat e përdorura ishin ato metoda të cilat ishin ideologjikisht të pranueshme. Po ashtu dhe disiplina si historia, gjeopolitika, marredhëniet ndërkombëtare etj influencoheshin nga ligjërimi dominant politik. Fundi i viteve 80-fillim i viteve 90 pa një zhvillim të jashtëzakonshëm në shkencat sociale dhe në vendet e Evropës Perëndimore dhe SHBA. Shumë të vërteta të padiskutueshme në lidhje me 'Lindjen, Perëndimin', 'aktori racional', 'interesi kombëtar' etj , që u bënë objekt diskutimesh sidomos në disiplina si marrëdhëniet ndërkombëtare, shkenca politike etj, bashkë me rënien e këtyre supozimeve me botën e vërtetë, u lëkund dhe pushteti i padiskutueshëm deri atëherë i empiricizmit dhe nën-IIojeve të tij. Gjithashtu, ndarja mes disiplinave filloi të shihej jo më aq e ndarë me thikë sa para rënies së perdes së hekurt. Në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe në shkencat politike, studiuesit filluan të përdorin metoda kërkimi të përdorura tradicionalisht në disiplina si antropologjia, studimet kulturore si puna etnogafike apo të mësonin nga shkencat humane dhe posaçërisht nga linguistika, semiotika etj (sidomos në lidhje me metoda si analiza e ligjërimit apo analiza dokumentare). Interdisiplinariteti u ndoq nga një tendencë dhe këtu vlen të theksohet se kjo tendecë sa vjen e rritet, kombinimi i metodave sasiore me metodave cilësore, pra kjo tendencë mund të themi se sot po mbizotëron.
Çfarë do të thotë të kërkosh në shkencat politike
Metodat në shkenca shoqërore, janë mjete të domosdoshme të hulumtimit, të cilat na mundësojnë që të arrijmë te rezultatet dhe njohuritë e reja, apo t’i korrigjojmë ato ekzistuese. Në krahasim prej hulumtimeve shkencore që disponojnë me instrumente të shumta metodologjike, me qasje të ndryshme teorike, shkencat politike kombinojnë një sërë metodash që janë te përbashkëta apo të ngjashme për të gjitha shkencat shoqërore. Gjithsesi në shkencat politike kërkohet zotërimi i njohurive dhe teknikave të kërkimit shkencor. Objektivi i secilit kërkim shkencor është rritja e njohurive por edhe të të kuptuarit tonë për realitetin shoqëror e politik. Kjo fillon me parashtrimin e një apo më shumë pyetjeve hulumtuese rreth problemit që na preokupon ose fenomeni që na intereson, këto pyetje rrjedhin apo udhëhiqen nga një teori duke i sfiduar përmes hipotezës të cilat duhet përfundimisht ti nënshtrohen vlerësimit dhe matjes nëpërmjet testimit që rezulton me konkluzione .
Procesi i kërkimit shkencor përbëhet nga disa faza që janë të ndërlidhura të cilat jnë:
1. formulimi i teorisë
2. operacionalizimi
3. përzgjedhja e teknikave kërkimore
4. analiza
5. interpretimi i të dhënave
Qasjet kryesore metodike në studime politike ndahen në:
Qasjet normative, që konsistojnë rreth asaj se “SI DUHET TË JETË” vlera dhe jo “SI ËSHTË”.
Qasja kërkimore empirike, e cila mundohet që realitetin politik ta hulumtojë dhe interpretojë në mënyrë sa më objektive përmes: vrojtimeve, përvojave, instrumenteve dhe metodave të caktuara shkencore duke testuar tezat dhe matur të dhënat e fituara, në kuptimin e verifikimit dhe falsifikimit të tyre (sipas tezës së Karl Popper-it), gjithnjë duke u nisur pyetja se ÇFARË ËSHTË ose edhe SI ËSHTË.
Ndersa qasjet teorike normative e vlerësojnë botën duke gjykuar më shumë sesa duke analizuar, ato empirike e përshkruajnë atë përmes observimeve sistematike dhe gjetjeve të lidhjeve kausale.
Metodat e hulumtimit për nga mënyra e veprimit mund të jenë kuantitative dhe kualitative. Përmes metodës kuantitative ose cilësore ne sigurojmë kuptimin dhe sqarimin e rasteve studimore, objekteve të hulumtimit nga prizmi historik e filozofik. Duke grumbulluar të dhënat e informacione me qëllim të krahasimeve të rasteve apo duke u bazuar në një rast të vetëm studimor.
Ndërsa te metodat kuantitative ose sasiore mbështetemi tek të dhënat numerike që janë zakonisht të prezantuara në trajtën e statistikave. Kështu, çështjet e hulumtuara përmes të dhënave të matura tentojmë ti interpretojmë duke shfrytëzuar indikatorët dhe matësit pak a shumë konkret, për të mberritur te rezultatet e duhura.
Megjithatë, se çfarë të dhënash dhe studimesh do të ofrohen, varet në masë të madhe, se si bëhet studimi, konkretisht se me çfarë metodash kërkohen të dhënat, si analizohen dhe se si interpretohen këto të dhëna. Duke i`u referuar studiuesit të spikatur Ëilliam N. Dunn, kërkimet në shkencat politike zakonisht i`u referohen dhe orientohen rreth pyetjeve si psh:
Cila është çështja për të cilën kërkohet zgjidhja?
Çfarë qasje duhet ndjekur për të zgjidhur këtë çështje?
Çfarë rezultati pritet të arrihen?
A e mundësojnë këto rezultate zgjidhjen e çështjes së caktuar?
Çfarë masa shtesë duhet ndërmarrë nëse këto veprime nuk do ishin të mjaftueshme?
Cila alternativa duhet ofruar në këtë rast?
Siç edhe kemi theksuar më herët studimi kërkimor politike është inter-disiplinare prandaj edhe metodat e perdorura janë të huazuara nga fusha të tjera shkencore. Të gjitha këto disiplina si dhe metodat e tyre janë të ndërvarura dhe interferojnë edhe me faktorët e tjerë të cilat nuk duhet të anashkalohen. Ndërsa matjet e indikatorëve brenda politikave përkatëse mund të bëhen në forma statistikore, përmes figurave dhe të dhënave qoftë ekonomike apo nga anketimet e opinionit public ose përmbajtësore përmes shqyrtimit ligjor, apo politik, ose edhe në formë të krahasimeve me politika të ndryshme të vendeve tjera etj. Metodë unike, ideale dhe të caktuar nuk ka, ajo varet kryekëput nga vet objekti i studimit. Mirëpo një ndër mënyrat e kerkimit me të shpeshta dhe më të përhapura në shkencat politike është padyshim metoda krahasuese, që njihet edhe si “metoda mbretëreshë e shkencave politike”.
Kjo metodë nënkupton krahasimin e dy apo më shumë objekteve të studimit. Metoda krahasuese përbëhet prej konstatimit të ngjashmërisë dhe ndryshimeve në mes të dukurive të ndryshme, për shembull, të kuptohen dhe të interpretohen më mire shtetet dhe politikat e caktuara të tyre, shkalla e zhvillimeve ekonomike, niveli arsimor, administrimi, menaxhimi i burimeve etj. Krahasimet mund të bëhen ndërmjet fushave, faktorëve dhe aktorëve të ndryshëm, apo edhe ndërmjet shteteve ose organizatave të ndryshme. Në aspektin kohor mund të jenë:
v Diakron - pra në kohë të ndryshme.
v Sinkron - në kohë të njëjtë.
Ndërsa në sferën hapësinore studimet krahasimtare mund të jenë:
Brenda-shtetërore (p.sh. krahasimi i partive politike të një vendi)
Ndër-shtetërore (p.sh. krahasimi i të ardhurave mesatare apo shkallës së papunësisë mes dy apo më shumë shteteve).
Ndër-rajonale (modelet krahasuese mund të përdoren ndërmjet rajoneve në disa aspekte si p.sh: politikat energjetike në Ballkan dhe Skandinavi apo politikat tregtare ndërmjet Amerikës Latine dhe Azisë qëndrore, etj.
Globale, në të cilat bëhen krahasimet mes rendeve botërore në kohëra të ndryshme me karakter të përgjithshëm siç është rasti ndërmjet Pax Romana dhe Pax Americana ose hulumtimi për ngrohjen globale, vrima e Ozonit, popullsia botërore, terrorizmi etj.
Kjo metodë ka vlerën e vet praktike, sepse duke krahasuar dukuritë e ndryshme shoqërore, institucionet e ndryshme qeveritare dhe duke zbuluar vetitë e njëjta apo te ndryshme nga ky krahasim, konstatohen përparësitë apo mangësitë konkrete e asaj qe dëshirojmë te studiojmë dhe te njohim. Janë të njohura raportet e shumta ndërkombëtare, rajonale dhe kombëtare që bazohen në metoda krahasuese dhe që publikohen periodikisht për çështje të caktuara. Të tilla mund të jenë kërkimet statistikore të numrit të veprave kriminale apo të konflikteve të armatosura, shkallës së papunësisë, barazisë mes meshkujve dhe femrave në tërë vendet e botës nga institucionet qeveritare dhe organizatat joqeveritare ndërkombëtare, indeksi i zhvillimit njerëzor (Human Development Index) nga OKB-ja, liritë politike nga Instituti Freedom House, shkalla e korrupsionit nga organizata Transparency International, Conflict Barometer nga Fondacioni Bertelsman, e kështu me radhë. Përveç për studime të politikave publike krahasimet e tilla përdoren sidomos në marrëdhënie ndërkombëtare si dhe ekonomi. Mirëpo, të dhënat e tilla krahasuese për analiza të politikave preferohen zakonisht për një numër më të vogël shtetesh duke u fokusuar më shumë në përmbajtje sesa në përgjithësime të çështjeve përkatëse. Përzgjedhja e rasteve studimore mund të bëhet duke u bazuar në raste me ngjashmëri më të përafërta (most smilar systems design) dhe atyre me dallime më të mëdha (most different systems design).Varësisht prej intencionit të hulumtimit dhe vet natyrës së objektit të studimit bëhet përzgjedhja edhe e rasteve studimore dhe numrit të tyre. Një metodë mjaft e popullarizuar është modeli i rasteve të veçanta studimore (case study), që mundëson përqendrimin në një fushë të caktuar politike dhe përfitimin e rezultateve me specifike. Kjo mënyrë, është edhe klasike apo të themi konvencionale gjatë studimit të politikave publike. Në kuadër të saj mund të shërbehemi me intervista të ekspertëve, analizave të dokumenteve dhe dispozitave ligjore, analizave të ligjërimit, anketimeve etj. Kurse kerkimi i opinionit apo anketimi mbetet një ndër metodat më të përhapura dhe nder me te preferuarat gjatë kërkimeve të shumta rreth dukurive shoqërore e politike. Sot zgjedhjet demokratike as që mund të imagjinohen pa anketime e sondazhe të tilla. Në politike, rezultatet e dala nga sondazhe te tilla merren edhe si indikatorë teë sukseseve apo dështimeve të politikave si dhe ndikojnë mjaft në procesin e politikëbërjes dhe vendimmarrjes. Madje edhe ekonomia e ka përvetësuar aq shume kërkimin e opinionit sa qe e konsideron një komponent të pandarë të tregut dhe të marketingut. Përveç metodave të lart-përmendura, në shkenca shoqërore mjaft e përhapur është edhe Vezhgimi si dhe Ekspetimenti (social). Gjithashtu edhe analiza përmbajtësore e teksteve dhe dokumenteve përben një metodë, e cila sidomos në studime të politikave preferohet shumë.
Së fundi duhet mbajtur mend një postulat në Shkencën e Kërkimit:
Metodat janë të varura nga teoritë, ndërsa teoritë të ndërlidhura me hipotezat, dhe hipotezat me pyetjen hulumtuese dhe të gjitha këto nga të dhënat respektive të cilat duhen interpretuar dhe analizuar. Njohuritë tona shkencore si dhe rezultatet e kërkimeve shkencore varen nga saktësia, objektiviteti si dhe lloji adekuat i metodës kërkuese.
Kërkimi Shkencor
Çfarë është kërkimi?
Kërkimi është një aktivitet ose një grup aktivitetesh të organizuara sistematikisht me qëllim për të përballuar më mirë një problem a fenomen.
Metodologjia është bashkësia e strategjive mbi bazën e të cilave problematika e një aspekti, për ne problematikat sociale dhe politike, bëhen objekt studimi.
Ndryshe nga sa është besuar deri tani, metodologjia nuk është vetëm mbledhja dhe analizimi i të dhënave. Metodologjia kërkimore synon hartimin e strategjive bindëse, të cilat përmes rregullave dhe parimeve synojnë të ofrojnë një sistem pune me kritere të logjikshme. Pikërisht mbi bazën e këtij sistemi logjik studiuesi apo kërkuesi provon vërtetësinë apo falsitetin e një hipoteze.
Faktet e mirëqëna. Të gjithë e dimë që po të mos marrësh frymë, vdes; Indigjenët e Amazonës flasin gjuhën piraha; Arusha e madhe është një yllësi me 7 yje, ku secili është një galaktikë më vete. Nga i dimë këto? Është e kotë ta shtrojmë këtë pyete, sepse do të ngjajmë qesharakë. Por mund të shtrojmë pyetjen tjetër...A kam vdekur ndonjëherë nga mos marrja frymë? A kam qënë ndonjëherë në Amazonë mës fiseve indigjene? A e kam vizituar ndonjëherë Arushën e Madhe? Arsyeja pse i shtroj këto pyetje, që mund të ngjajnë qesharake, është për të treguar që një pjesë të madhe të infomacionit dhe dijes, ne e kemi të mësuar, pra pak bazohet në eksperiencën tonë personale. Është vetë pjesë e proceseve socializuese në shoqëri, ku secili prej nesh duhet të dije gjërat që di dhe grupi, përndryshe humbasim përkatësinë nga ky grup social.
Duhet patur parasysh që në shkencën e kërkimit një pohim duhet të ketë dy karakteristika bazë:
1. Aspektin logjik
2. Aspektin empirik
Këtu sapo kemi shkelur në terrenin e Epistemologjisë, që është shkenca e të njohurit, nga e cila rrjedh metodologjia që është shkenca e “të gjeturit si”. Problemet sociale dhe padyshim ato politike janë të larmishme, jo vetëm në llojin e tyre, por mbi të gjitha në specifikat që marrin në grupe, shtete, organizata, institucione etj, prandaj një njohje sa më empirike e këtyre problemeve do të ishte bazë e mirë për ndërtimin e strategjive të ndërhyrjes në funksion të zgjidhjes së këtyre problemeve.
Konceptet dhe termat bazë në Kërkimin Shkencor
Teoria është një bashkësi konceptesh të ndërlidhura që drejtojnë veprimet dhe nocionet. Teoritë sigurojnë orientime ose udhëzime për të ndërhyrë dhe ndihmuar, për të shpjeguar gjëra, fakte që nuk janë plotësishtë të qarta. Teoritë duhen konceptuar si një ndërthurje e asaj që është e ditur me ato që hamendesohen, pra me gjëra që hipotetikisht mund të qëndrojnë (hipotezën do ta shohim pak më poshtë).
Teoritë kanë tre funksione qëndrore organizimi, shpjegimi, parashikimi. Duhet patur parasysh që kërkimi shkencor që secili bënë ndikohet në mënyrë të ndjeshme nga teoritë që studjuesi zgjedh për tu bazuar. Teoritë për studjuesin e Shkencave Politike dhe shoqërore në përgjithësi, udhëhiqen ndjeshëm nga parashikimet rreth botës, realitetit në të cilin ne operojmë. Një teori mund të krahasohet më një hartë mendore ku shihen rrugët dhe shtigjet e drejtimit shkencor. Një teori e mirë dhe rezistente në kohë, padyshim i hap rrugë qindra studimeve shkencore të mapasëshme.
Hipoteza është një pohim i shprehur si një deklarim. Është një premisë që mund të përdoret si bazë për kërkimin shkencor në Shkencat Politike. Babbie (1986) e përcakton hipotezën si: një pritje rreth asaj se si gjërat duhet të jenë në botë, nëse parashikimet teorike janë të sakta”. Hipoteza duhet konsideruar si versioni formal i hamendësimit të studjuesit, i cili më pas i`a nënshtron këtë hipotezë një procedure të komplikuar dhe të hollësishme testimi, kjo procedurë njihet si Testimi i Hipotezës. Hipoteza mund të parashikojë një drejtim ose të shpreh një marrëdhënie të pranueshme mes variblave (për të cilët do flasim më pas). Ato që njihen si hipoteza rstësore, apo neutrale jane shumë të shpeshta, një rast mund të jetë “nota mesatare e universtetit varet nga nota mesatare e shkollës së mesme”, kjo nuk aspak e vërtetë, madje nuk ka asnjë lidhje mes të dy pjesëve të hipotezës. Në këtë rast hipoteza quhet e pavlefshme. Hipoteza e pavlefshme na tregon se nuk ka asnjë korelacion, qoftë ngjashmërie qoftë dallimi mes subjekteve që krahasohen.
Variablat njihen edhe si ndryshorë dhe paraqesin një koncept të matshëm siç mund të jetë mosha, pesha, pasuria, bindja politike etj. Variabli na tregon se subjektet për të cilët ne po mbledhim të dhëna, kanë një numër të pafundëm dallimesh në dimensione të ndryshme. Variablat mund të mendohen si rregulla për klasifikimin e njerëzve, qëndrimeve, besimeve etj në kategori të ndryshme (Kidder & Jud, 1986). Duhet patur parasysh që vlera e variablit është e ndryshueshme. Variablat mund të jenë diskrete dhe që shfaqin zgjedhjet “ose.../ose..., pra një njeri mund të jetë ose femër osë mashkull, një shtet mund të jetë ose i madh ose i vogël. Nga ana tjetër variablat mund të jenë dhe të vazhdueshëm, pra janë të vazhdueshëm në kuptimin e variacionit të tyre, brenda një sërë mundësish, psh. kur masim nivelin e demokracisë së një shteti, sipas një sistemi pikëzim nga 1 deri në 100, shteti që është subjekt i studimit tonë mbase nuk është 100 pikë, por le të thëmi variojnë nga 85-90 pikë demokraci.
Variablat ndahen në:
Variabla të pavarur, janë variabla që mendohet se influencojnë fenomenin që kemi objekt studimi. Psh. papunësia është një variabël i pavarurë nesë ne studjojmë problemin e alkolizmit. Duhet patur parasysh që variablat e pavarur janë të kontrollueshëm dhe te manipuleshëm nga studjuesi.
Variabla të varura, janë ndryshorët të cilët studjuesi përpiqet t’i parashikoj, pikërishtë reagimin e variablave të varur duam të shohim dhe të masim në një studim kërkimor. Variabli i varur në një studim, mund të shërbej si variabël i pavarur në një studim tjetër.
Atributet - atributet janë pjesë komponente të variablave, psh. atributet e variablit “gjini” janë Femër/Mashkull; pjesë e variablit “regjim politik” janë Demokraci liberale/Diktaturë/etj.
Të dhënat përfshijnë të gjithë informacionin që mblidhet gjatë një studimi por që ende nuk është analizuar dhe përpunuar. Do më thënë quhen të dhëna të gjitha informacionet që merren dhe i nënshtrohen analizës së përpunimit metodologjik. Për të ekzaminuar të dhënat studiuesi përpiqet të gjejë rrugën që e ndihmon për të kuptuar problemin ose fenomenin që ka në shqyrtim.
Matjet kur flasim për kërkimin në shkencat sociale, ku bëjnë pjesë edhe shkencat politike, duhet patur parasysh një nocion “diçka që përcaktohet mund edhe të matet”. Nëse do na duhej t’i japim një përkufizim matjes mund të themi që është procesi për të kuatifikuar pozitën shoqërore, qëndrimet, sjelljet dhe konceptet teorike. Në lidhje me matjen ekzistojnë dy aksioma të Walter Hudson (1977):
Nëse nuk mund të kryeni matje të një problemi, atëherë ai nuk ekziston”.
“Nëse nuk mund të kryeni matje për problemin, atëherë nuk mund ta trajtoni atë”
Subjekti është personi, shteti, partia, institucioni që merr pjesë në studimin kërkimor. Përmes subjekteve merren të dhënat të cilat më pas do t’i përpunojmë, ekzaminojmë, masim dhe analizojmë.
Korrelacioni është një madhësi statistikore që na ndihmon të kuptojmë relacionin mes dy variablave. Pra, përmes korrelacionit ne zbulojmë lidhjen e shkakësisë. Megjithatë jo të gjithë korelacionet qëndrojnë, kështu psh. para disa kohësh doli një lajm sipas të cilit ekziston një lidhje mes nivelit të inteligjencës dhe të qenit miop, kjo sepse, sipas studimit, miopët dilnin më mirë në testet e inteligjencës. Por kjo nuk do të thotë aspak që korrelacioni është i dykahshem, pra askush nuk mendon që do të rrisë inteligjencën duke u bërë miop.