Procesi i të shkruarit akademik
Nënçeshtje:
1. Fazat në të cilat kalon procesi i shkrimit akademik.
1.1. Parashkrimi
1.2. Planifikimi
1.3. Shkrimi dhe rishkrimi i dorëshkrimeve
1.4. Të shkruarit përfundimtar.
2. Teknikat për mbledhjen e informacioneve
2.1. Marrja e opinioneve përmes pyetjeve
2.2. Intervistimi.
2.3. Mbajtja e ditareve, shënimeve
2.4. Konsultimi dhe këshillimi
1. Fazat në të cilat kalon proçesi akademik.
Të shkruarit akademik ndryshon nga shkrimet e tjera si ato personale, letrare, gazetareske apo biznesi dhe kjo shpjegohet pjesërisht nga qëllimi dhe mënyra e të shkruarit. Të shkruarit kërkon zgjedhjen e fjalëve dhe struktura të rregullta gramatikore. Toni i një shkrimi mund të jetë serioz, personal, jopersonal. Ai duhet të jetë sa më objektiv. Proçesi it ë shkruarit akademik kalon nëpër katër faza kryesore:
1.1 Parashkrimi
Kjo fazë fillon me zgjedhjen dhe ngushtimin e një teme. Nëse bëhët fjalë për një temë specifike, ajo çka trajtohet është e kufizuar, ndërsa nëse është një temë paronamike (temë e përgjithshme dhe e gjërë) subjekti duhet ngushtuar. “Kjo mundëson thellimin në një a dy probleme, duke shmangur trajtimin sipërfaqësor të shumë çështjeve”.1 Ngushtimi i temës drejt një teme specifike bëhet me qëllim që të shkruhet në mënyrë më të qartë dhe të plotë.
Shembull:
Tema e përgjithshme: “Kontributi i gjuhëtarëve shqiptarë”
Tema specifike: “Kontributi i Nobert Joklit në gjuhësinë shqiptare”
Tema shumë specifike: “kontributi i Nobert Joklit në fushën e albanologjisë”
Model për specifikimin e një teme të përgjithshme
Media dhe problemet (tema bosht)
Përdorimi i fjalëve të huaja në media (tema specifike)
Përdorimi i fjalëve të huaja në median vizive (tema më specifike)
Përdorimi i fjalëve të huaja në edicionet e lajmeve (temë shumë specifike)
Pas zgjedhjes së temës dhe ngushtimit, hapi tjetër në këtë fazë është lindja e ideve. Kjo realizohet përmes një procesi të quajtur Brainstorming (përkthehet “stuhi truri” - është një teknikë që u kërkon studentëve të mendojnë rreth një çështjeje pa u shqetësuar për idetë që u lindin), i cili lejon të shkruhet më shpejt dhe kursen kohë në fazat e mëvonshme të procesit të të shkruarit.
Tri janë teknikat më të dobishme për të nxjerrë idetë kryesore (për brainstorming):
a) Listimi / është një teknikë përmes së cilës mendohet për temën dhe bëhet një listë me fjalë ose shprehje që vijnë në mendje. Qëllimi i saj është të prodhohen sa më shumë ide në një kohë të shkurtër.
b) Shkrimi i lirë / është një aktivitet, në të cilin shkruhet në mënyrë të lirë rreth një teme. Duke shkruar një ide lindin ide të tjera. Ka të bëjë me prodhimin e sa më shumë ideve pa u kushtëzuar nga rregullsitë gramatikore, logjike apo organizimit të saktë. Sa më shumë të shkruhet në mënyrë të lirë aq më shumë ide do të lindin.
c) Kllaster (përkthehet “harta e mendimeve” - nxit studentët të mendojnë lirshëm dhe hapur rreth një çështjeje) / është një tjetër teknikë që mund të përdoret për të prodhuar ide. Në qendër shkruhet tema, pastaj ide pas idesh të lidhura zinxhir.
Model i teknikave brainstorming
Tema: Përdorimi i fjalëve të huaja në edicionet e lajmeve
a) Listimi
Në edicionet e lajmeve përdoren:
- Anglicizma
- Italianizma
Fjalët e huaja përdoren kryesisht nga politikanet dhe gazetarët.
b) Shkrimi i lirë
Në median vizive dëgjomë gjithnjë e më shumë fjalë të huaja, sidomos në edicionet e lajmeve. Këto fjalë dëgjohen kryesisht në fjalimet e politikanëve dhe për rrjedhojë edhe tek gazetarët që përmbledhin ligjeratat e tyre. Si mund t’i shmangim? Me të vërtetë nuk kemi fjalë shqipe që t’i zëvendësojmë?
c) Kllasterizimi
Përdorimi i fjalëve të huaja në edicionet e lajmeve
Ndikimi i përdorimit të fjalëve të huaja tek dëgjuesit
Fjalë të huaja që duhen zëvëndësuar
3.1. Anglicizma
3.2. italianizma
1.2 Planifikimi
Faza e dytë është planifikimi (vendosja e një rregulli mbi shënimet e bëra gjatë listimit, shkrimit të lirë dhe kllasterit duke i analizuar ato). Idetë e organizuara në një skicë kllasteri bëjnë që ato të paraqiten në çështje dhe nënçështje mbi të cilat planifikohet të shkruhet në fazat e mëvonshme të punës krijuese. “Nuk mund të shkruajmë për diçka pa pasur një tërësi të dhënash, të cilat do të bëhen object analize”.2
Detyrë parësore në këtë fazë të shkruari është leximi i sa më shumë shkrimeve rreth kësaj teme, për disa arsye:
- Të mos biem në plagjiaturë (“koherenca” ka të bëjë me organizimin logjik të tekstit, me mënyrën se si gjykimet dhe arsyetimet lidhen mes tyre).
- Të kemi sa më shumë informacione që të mos biem në përsëritje.
- Skedimi i literaturës ndihmon në një shkrim më të mirë të temës.
1.3 Shkrimi dhe rishkrimi
a) Shkrimi i dorës së parë
Pasi është bërë leximi i literaturës përkatëse për temën dhe skedimi i materialeve fillohet hartimi i dorëshkrimit (drafti i parë).
Punimi duhet të ketë strukturën bazë me një hyrje, zhvillim dhe përfundim.
- Fillimisht shkruhet fjalia bazë.
- Duhet lënë hapësirë në të dy anët e letrës që të vendosen shënime kur të lexohet punimi.
- Shkruhen paragrafët sipas planifikimit, ku idetë janë të ndara në çështje dhe nënçështje. Qëllimi kryesor është që të jepet sa më shumë informacion.
b) Rishkrimi i përmbajtjes dhe i organizimit
Rishkrimi bëhet për të përmirësuar shkrimin. Punimi kontrollohet nga ana e përmbajtjes dhe organizimit, duke përfshirë unitetin, koherencën dhe logjikën.
Gjatë kësaj faze duhet:
- Të shtohen ose të hiqen fjalë duke synuar që mendimet të paraqiten në mënyrë të qartë, me efikasitet dhe në një formë interesante.
- Gjatë rishikimit të parë duhet të korrigjohet vetëm përmbajtja dhe organizimi.
- Të lexohen paragrafët me kujdes. Të vendosen shënime në hapësirat boshe për pjesët që duhen përmirësuar.
- Të shihet logjika ee përgjithshme dhe koherenca. Idetë e shkruara duhet të kuptohen me lehtësi nga lexuesi.
- Paragrafi duhet të ketë një fjali bazë dhe kjo fjali të ketë një fokus qendror.
- Të shihet uniteti. Të hiqen fjalitë që nuk e mbështesin fjalinë bazë.
- Fjalia bazë është e zhvilluar me detaje mbështetëse të mjaftueshme. Secili paragraf duhet t’i japë lexuesit informacionin e mjaftueshëm për të kuptuar idenë kryesore.
- Përdorimi i shenjave për të bërë ndryshime.
- Të shihet nëse paragrafi ka fjalinë mbyllëse.
- Rishikimi i paragrafit duke marrë parasysh të gjitha shënimet e bëra gjatë leximit të parë.
Kështu, përftohet drafti i dytë.
c) Shkrimi i dorës së dytë
Hapi tjetër është korrigjimi nga ana gramatikore, e strukturës dhe pikësimit.
Gjatë kësaj faze duhet:
- Kontrolli i secilës fjali për saktësinë dhe plotësinë, nuk duhet të ketë fjali pa kuptim.
- Kontrolli i fjalive për përdorim të saktë të kohëve të foljeve.
- Kontrolli i shenjave të pikësimit, përdorimi i shkronjës së madhe, etj…
- Përfitimi i larmisë leksikore (zëvendësimi ose perifrazimi i fjalëve që përsëriten).
d) Redaktimi i shkrimit të dytë
Kjo fazë është mirë të realizohet pas një periudhe pushimi, në mënyrë që shkrimi të shihet me objektivitet. Ao ka të bëjë me anën e përmbajtjes dhe anën gjuhësore të një shkrimi.
Punimi duhet të shihet në tërësinë e tij:
- A trajtohet tema me një fillim, zhvillim dhe përfundim?
- A është shkrimi i kuptueshëm për lexuesin?
- A ka rrjedhë logjike dhe kronologjike?
- A ka përsëritje fjalësh apo idesh?
- A e paraqet mbyllja synimin e autorit, të parashtruar në paragrafin hyrës?
e) Korrektimi
Korrektimi ka të bëjë me përcaktimin e formave të sakta drejtshkrimore dhe gramatikore, si edhe njësimin e trajtave të ndryshme grafike që janë paraqitur në tekst (citime, skema, bibliografi etj.).
1.4 Shkrimi përfundimtar
Së pari, duhet të shihet realizimi i të gjitha ndryshimeve të shënuara në draftin e dytë. Pas rileximit të kopjes përfundimtare ende mund të bëhet ndonjë ndryshim. Duke qënë një proces i vazhdueshëm, të shkruarit i nënshtrohet përshtatjeve deri në formën përfundimtare.
Kontrolli përfundimtar që i duhet bërë punimit ka të bëjë me:
- Strukturën e fjalisë
- Koherencën
- Gramatikën
- Fjalorin
Teknikat për mbledhjen e informacioneve
Pasi keni bërë një listë të ideve që do të trajtoni në shkrimin tuaj, shpesh kërkohet të hulumtoni burime të ndryshme në mënyrë që informacioni i përfshirë në ese apo detyrë kursi të jetë sa më i saktë dhe i plotë. Për këtë arsye përdoren teknika të ndryshme për mbledhjen e informacioneve:
2.1. Pyetjet
Gjithnjë mund të përdoren pyetje të tilla si: Kush? Çfarë? Kur? Ku? Pse? Si? pothuajse në çdo temë. Këto pyetje ju ndihmojnë t’i drejtoheni temës siç bën një gazetar, duke e vënë atë në prespektiva të ndryshme që mund të krahasohen me njëra-tjetrën.
2.2. Intervistim
Shpesh qëllimi që i kemi vënë vetes kërkon më shumë informacion se ç’mund të gjendet në formë të shkruar. Prandaj janë të rëndësishme edhe intervistat me ekspert të temës tuaj. Intervistimi mund të ndahet në tre etapa:
a) Përcaktimi i personit të duhur për intervistë.
Është vetë tema e zgjedhur e cila përcakton se cilin person duhet të zgjidhni. Mund të zgjidhni një profesor, ligjvënës, shoqata qeveritare, jo qeveritare që merren më këtë çështje, etj…
b) Përgatitja për intervistën.
Mësoni sa më shumë në lidhje me personin që do të intervistoni. Fillimisht duhet ta kontaktoni dhe t’i shpjegoni se:
- Kush jeni ju.
- Pse po kontaktoni me të.
- Pse e keni zgjedhur pikërisht atë për intervistë.
- Temën e intervistës.
- Dëshironi të lini një datë, vend dhe orar për intervistën (në varësi të mundësive të tij).
- Do ta lejoni të shikojë draftin tuaj para se të dorëzohet.
Përgatisni një listë pyetjesh për të intervistuarin tuaj. Është e rëndësishme që pyetjet të jenë specifike dhe të drejtpërdrejta, jo të përgjithshme.
Gjatë intervistimit duhet të mbani parasysh disa pika:
- Jini të sjellshëm dhe të sigurtë. Kujtohuni se keni shkuar për të mbledhur informacion, kështu që mos kini turp të pyesni për gjëra që kanë lidhje direkte me temën tuaj.
- Përdorni listën e pyetjeve që keni përgatitur.
- Lëreni të intervistuarin të flasë. Mos u përpiqni ta habisni me njohuritë tuaja.
- Jini objektivë. Mos jepni opione tuaja mbi çështjen. Ju jeni atje për të marrë informacion, jo për të debatuar.
- Disa përgjigje çojnë në pyetje shtesë. Mos hezitoni t’i pyesni. Nëse nuk ia drejtoni këto pyetje kur ju lindin, më vonë mund t’i harroni fare.
- Kur i intervistuari del nga tema, bëhuni gati që me pyetje specifike dhe të drejtpërdrejta ta ktheni në temë.
- Merrni vetëm shënime të shkurtra që do t’ju ndihmojnë ta kujtoni intervistën më vonë. Mos i kërkoni të intervistuarit të ngadalësojë të folurin që ju të jeni në gjëndje të merrni shënime të detajuara. Diçka e tillë mund të harxhojë kohe, por edhe të shqetësojë mendimet e tij/saj.
- Shpesh përdorimi i regjistruesit është i papërshtatshëm duke qënë se influencon folësin dhe duhet transkriptuar.
2.3. Marrja e shënimeve.
Qëllimi i marrjes së shënimeve është të përmbledhë informacionin e nxjerrë nga hulumtimi i materialeve. Sfida më e madhe gjatë këtij procesi është përpunimi i shkurtuar i mendimit të dikujt tjetër me fjalët tuaja, pa shtrembëruar mendimin origjinal. Që kjo të arrihet duhet që të lexoni me shumë vëmendje, sepse që të kuptosh idetë e një tjetri, duhet që së pari t’i kuptosh ato. Sigurohuni që shënimet që merrni, të jenë të kuptueshme për ju edhe më pas. Mos humbisni qartësinë për hir të shkurtësisë. Kujdes mos e kopjoni burimin fjalë për fjalë. Mund të perifrazoni idetë dhe konceptet bazë të autorit original por mos ndryshoni dy-tre fjalë formalisht sepse do të ishte plagjarizëm. Kur kemi të bëjmë me një pikë të rëndësishme, lejohet ta citoni fjalë për fjalë, por duke vendosur thonjëzat në fillim e fund të shprehjes, duke e shoqëruar me gjithë informacionin e duhur mbi burimin.
Rregullat mbi marrjen e shënimeve:
- Zgjidhni idetë dhe konceptet kryesore dhe shkruajini në skeda shënimesh.
- Krijoni shkurtimet tuaja personale.
- Përdorni shifrat në vend të fjalëve për numrat.
- Bëni kujdes të shënoni të gjithë emrat, datat dhe përkufizimet.
- Vendosni shenja dalluese për çështjet e paqarta. Mund të shënoni me një “*” ndonjë shënim që nuk e kuptoni dhe mendoni se duhet shtjelluar më tej.
- Kontrolloni saktësinë e shënimeve tuaja para se të dorëzoni materialin original.
2.4. Mbajtja e ditareve
Ditaret mund të jenë dy llojesh; të thjeshtë e personalë me strukturë minimale, ku të përfshihet data dhe mendimet e çastit rreth ditës që sapo u mbyll, duke nxjerrë në pah momentet më interesante. Lloji tjetër ka një strukturë më të detajuar, ku përfshihet data, vendi, tema për të cilën po shkruani, informacioni që ka lidhje me temën, si dhe komentet personale që kanë lidhje me të. Modeli i parë ju ndihmon të kujtoni se kur ka ndodhur ngjarja dhe si keni reaguar ndaj saj, ndërsa përmes modelit të dytë do të jeni në gjëndje të përdorni informacionin e dhënë ose t’i ktheheni burimit për informacion më të detajuar, që ju nevojitet për shkrimin e një eseje apo detyre kursi.
2.5. Konsultimi
Ndodh që mund të jeni konfuz ose keni shumë pak informacion mbi temën tuaj. Prandaj mund të jetë i rëndësishmën në këtë pikë konsultimi. Ai është një proces që realizohet me pedagogun/en, kolegët apo persona të tjerë që mund të dinë diçka rreth temës. Konsultimi do t’ju vlejë për të diskutuar idetë tuaja, si dhe për t’ju dhënë informacione të mëtejshme në lidhje me temën që po shtjelloni.