Parimi i sovranitetit të popullit, e drejta e zgjedhjeve, të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, parimi I barazisë Parime dhe të drejta kushtetuese



http://eseshkolle.blogspot.com/
Parimi i kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë
Kuptimi i parimit të kushtetutshmërisë
Çfarë është kushtetutshmëria?
Kushtetutshmëria nënkupton parimin e rregullimit politik të shoqërisë, që garanton pushtetin e institucionalizuar, si dhe integritetin, lirinë dhe të drejtat e individit dhe të grupeve.
Kushtetutshmëria  nuk nënkupton vetëm idenë e ekzistimit apo të nxjerrjes së kushtetutës së shkruar  në kuptimin e saj formal, por edhe zbatimin e idesë së sovranitetit të popullit dhe kufizimin e absolutizmit dhe të autokracisë nëpërmjet institucioneve në të cilat përfaqsohet populli. Për rrjedhojë, kushtetutshmëria paraqet një proces objektiv, i cili paraqitet në kushtet e caktuara të historisë së njerëzimit, nga fundi i shekullit XVIII dhe gjatë shekullit XIX, periudhë kjo që përputhet me atë të miratimit të kushtetutave të para të shkruara.
Sikurse lufta për kushtetutë të shkruar, ashtu dhe lufta për kushtetutshmëri dhe zbatimin e këtij parimi, si pjesë përbërëse të organizimit politik dhe funksionimit të pushtetit politik, është intensifikuar, apo është dobësuar, varësisht nga rrethana të caktuara objektive. Lufta për kushtetutshmëri ka shënuar krizën më të thellë gjatë Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, veçanërisht në vendet fashiste. Por dhe pas Luftës së Dytë Botërore kriza e saj ka vazhduar në vendet ku është vendosur diktatura ushtarake, si dhe në vendet socialiste, në të cilat është zbatuar kulti i shtetit dhe totalitarizmit shtetëror, si ideologji e kundërt me demokracinë dhe kushtetutshmërinë. Ndryshe nga vendet perëndimore demokratike, ku parimi i kushtetutshmërisë u formua në një proçes gradual të vazhdueshëm, vendet në tranzicion  (ish-socialiste), kanë vuajtur nga inercia e së kaluarës në rrugëtimin drejt kushtetutshmërisë.
  
Parimi i kushtetutshmërisë
Cili është nocioni ontologjik i parimit? 
· Parimi është “përfundim i përgjithshëm që del nga njohja e botës dhe që vihet në themel të një teorie, të një shkence a të një botkuptimi; një nga tezat themelore, mbi të cilat ngrihet e shtjellohet dija e teoria në një fushë…”. Pra parimi është rregulli bazë drejtues në një fushë të caktuar, ideja e përgjithshme nga ku burojnë të gjitha institutet e tjera. Megjithëse parimi është themeli ku ndërtohet sistemi juridik, njeriut i është dashur të kalojë nëpër një rrugë të gjatë për të zbuluar parimin, një rrugë e gjatë për ta testuar në praktikë, dhe vetëm kur parimi ngulitet në bindjen e njeriut, në bindjen e shoqërisë,  si udha e drejtë për të ecur, vetëm atëherë parimi bëhet drejtues, baza ku burojnë të gjitha rregullat e tjera juridike.
Parimi i kushtetutshmërisë është studjuar nga teoricienët e së drejtës, jo vetëm  në aspektin juridik, por dhe në kuptimin politik. Teoria juridike, kryesisht, e trajton kushtetutshmërinë në kuptimin juridik, ndërsa teoria politike dhe sociologjia, në radhë të parë kushtetutshmërinë e konsideron si parim politik. Për rrjedhojë në vijim pasqyrohet kuptimi pozitivisto-juridik dhe kuptimi politik i kushtetutshmërisë.
Sipas kuptimit pozitivisto-juridik me kushtetutshmëri kuptojmë pajtueshmërinë me kushtetutë të të gjitha akteve më të ulëta nga ajo, d.m.th. kemi të bëjë me kushtetutshmëri atëherë kur i tërë rendi juridik mbështetet në hierarkinë e akteve të përgjithshme juridike dhe në pajtueshmërinë midis tyre.
Sipas këtij kuptimi, ekzistimi i kushtetutës siguron kushtetutshmërinë, sepse ajo është paramenduar dhe miratuar si akt më i lartë juridik, në pajtim me të cilin duhet të jenë të gjitha aktet e tjera juridike. Në këtë mënyrë, kushtetutshmëria trajtohet si parim juridik statik, duke mos respektuar funksionalitetin e saj. Format e kushtetutshmërisë juridike janë: formale dhe materiale.  E para nënkupton pajtueshmërinë e aktit juridik me kushtetutën në pikëpamje të formës së saj, ndërsa e dyta nënkupton pajtueshmërinë e aktit juridik me kushtetutën në pikëpamjet të përmbajtjes së saj.
 Në kuptimin politik me kushtetutshmëri kuptojmë zbatimin e kufizimeve dhe të masave mbrojtëse në ushtrimin e pushtetit politik, të cilat kanë për qëllim të evitojnë mundësinë e arbitrarizimit, tejkalimit të autorizimeve, të konflikteve, si dhe sigurimin e mjeteve mbrojtëse nëpërmjet të të cilave shtetasit dhe shoqëria do të mbroheshin nga arbitrarizimi eventual.
Si e tillë, kushtetutshmëria paraqet mjet mbrojtjeje kundër absolutizmit, arbitrarizmit, si dhe formave të tjera të pushtetit “faktik”. Prandaj, kushtetutshmëria në kuptimin politik mund të ekzistojë dhe të jetësohet në praktikë, edhe nëse nuk ekziston kushtetuta e shkruar, pra nëse nuk ekziston kushtetutshmëria në kuptimin juridik.
Në kuptimin politik më të përgjithsuar “kushtetutshmëria” nënkupton respektimin e “rregullave të lojës politike” sipas të cilave askush nuk disponon më shumë pushtet apo të drejta sesa ato që janë të parashikuara, ndërkohë shoqëria është pajisur me mjete për të penguar shkeljen e rregullave kushtetuese.
Si mendimi pozitivisto-juridik, ashtu dhe ai politik, pasqyrojnë elemente të rëndësishme të parimit të kushtetutshmërisë, por për të shprehur kuptimin e plotë të këtij këtij parimi, duhet të gërshetohen tiparet përmbajtësore të kuptimit politik dhe juridik.
Për rrjedhojë kushtetutshmëria në kuptimin politiko-juridik nënkupton;
- ekzistimin e rregullave themelore (kushtetuese) shoqërore, në bazë të të cilave institucionalizohet dhe organizohet  sistemi politik, ushtrohet dhe kufizohet pushteti politik;
- garantohen liritë dhe të drejtat e njeriut, si dhe sigurohen mekanizmat efikas për mbrojtjen e tyre;
- ekzistimin e rendit juridik të mbështetur në harmoninë e ndërsjellë të akteve juridike dhe pajtueshmërinë e tyre me ligjin më të lartë të vendit – kushtetutën; si dhe
- ekzistimin e mekanizmave efikase për sigurimin e pajtueshmërisë së tyre.
Si faktorë të tjerë që ndikojnë në zbatimin e parimit kushtetutshmërisë në një vend, janë edhe organizimi i pushtetit  mbi parimin e ndarjes së tij, raportet e shëndosha mes pozitës dhe opozitës, zbatimi i “rregullave të lojës politike” në punën e organit përfaqësues, kultura dhe vetëdija e shtetasve, opinion publik aktiv, kultura politike, normat morale etj. Falë ekzistimit të këtyre faktorëve, në Angli ekziston dhe jetësohet në praktikë parimi i kushtetutshmërisë, pavarësisht se ky vend nuk ka një kushtetutë të shkruar. Një realitet tjetër ndodh në vendet që kanë një kushtetutë të shkruar, por mungojnë shumë prej faktorëve  që përcakojnë elementet substancialë të parimit të kushtetutshmërisë. Për rrjedhojë parimi i kushtetutshmërisë ose nuk njihet si kuptim, ose jetësimi në praktikë i këtij parimi është në shkallë shumë të ulët.

Përmbajtja e parimit të kushtetutshmërisë
Parimi i kushtetutshmërisë në kuptimin e tij të gjerë, përmban dhe nënkupton parime të tjera. Në teorinë juridike janë të njohura, në mënyrë të veçantë parimi i epërsisë të kushtetutës dhe parimi i kushtetutshmërisë funksionale
Parimi i epërsisë së kushtetutës (supremacionit)
Parimi i supremacionit nënkupton që Kushtetuta në kuptimin formal është akt juridik i shkruar dhe i kodifikuar me fuqi dhe vlerë më të lartë juridike, i cili emërtohet si kushtetutë (ose me ndonjë emërtim tjetër, por që ka karakterin dhe fuqinë e aktit më të lartë juridik) dhe nxirret sipas procedurës së veçantë, procedurë kjo që ndryshon nga ajo për nxjerrjen e ligjeve të zakonshëm. Prandaj me kushtetutë duhet të jenë në pajtim të gjitha aktet juridike nënkushtetuese: ligjet, aktet nënligjore dhe dispozitat e tjera juridike.
Sot në botë mbizotërojnë kushtetutat e forta. Fortësia e tyre ka për pasojë juridike fuqinë mbiligjore të normave kushtetuese (epërsia apo supremacioni i kushtetutës). Kjo do të thotë që ligji ka fuqi juridike më të ulët se kushtetuta. Për rrjedhojë në rastet kur akti juridik i emërtuar si ligj është në kundërshtim me dispozitat kushtetuese, në esencë, nuk është ligj. Për këtë arsye duhet mënjanuar nga rendi juridik.
Fuqia mbiligjore e normave kushtetuese, është pasojë e disa parakushteve formale, të cilat burojnë nga pozita e organit, i cili nxjerr normat kushtetuese-juridike dhe procedura e veçantë e nxjerrjes dhe ndryshimit të tyre, e cila është më e ndërlikuar sesa procedura për nxjerrjen e ligjeve të zakonshme.

Parimi i kushtetutshmërisë funksionale
Parimi i kushtetutshmërisë funksionale  në kuptimin e gjerë nënkupton nënshtrimin e veprimtarisë së organeve të pushtetit shtetëror kushtetutës.
Ndërsa në kuptimin e ngushtë dhe juridik parimi i kushtetutshmërisë funksionale nënkupton kërkesën që:
· ligjet të nxirren në pajtim me parimin e ndarjes së pushtetit, të sanksionuar me aktin më të lartë juridik të vendit, me kushtetutë;
· organi ligjvënës gjatë nxjerrjes së ligjeve duhet t’i përmbahet procedurës së përcaktuar në kushtetutë;
· ligjet dhe aktet e tjera juridike, për nga përmbajtja, të jenë në pajtim me dispozitat e kushtetutës.
Veprimtaria dhe funksionet e të gjitha organeve shtetërore duhet të bazohen në kushtetutë. Nga kjo buron kërkesa dhe parimi, sipas të cilit aktet juridike më të ulëta duhet të jenë në pajtim me aktet juridike më të larta, si në kuptimin formal, ashtu edhe atë material. Një parim të tillë e sanksionon shprehimisht shumica e kushtetutave të forta të shkruara. Ky parim shprehet dhe në Kushtetutën e Shqipërisë “Aktet nënligjore nxirren në bazë dhe për zbatim të ligjeve nga organet e parashikuara në kushtetutë…”.
Në bazë të parimit të kushtetutshmërisë funksionale, organet shtetërore duhet të veprojnë vetëm brenda kornizave dhe autorizimeve, që iu jep kushtetuta dhe ligji. Një parim i tillë sanksionohet në nenin 4 të Kushtetutës së Shqipërisë: “1. E drejta përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së shtetit. 2. Kushtetuta është ligji më i lartë në Republikën e Shqipërisë…”.
Qytetari dhe organi shtetëror. Kushtetuta është ligji më i lartë dhe duhet t’i nënshtrohen të gjithë, por detyrimi i shtetasit për të vepruar në përputhje me kushtetutën dallon nga detyrimi kushtetues i organeve shtetërore. Qytetari është i detyruar t’i përmbahet Kushtetutës dhe ligjeve, por shtetasit i lejohet çdo gjë që nuk është e ndaluar nga kushtetuta apo dispozitat e tjera juridike. Ndërsa organet shtetërore duhet të sillen dhe veprojnë vetëm brenda kontureve që përcakton kushtetuta dhe aktet e tjera juridike.

Instrumentet juridike për sigurimin e kushtetutshmërisë
Për të siguruar epërsinë e kushtutës dhe pajtueshmërinë e ligjeve dhe të akteve të tjera juridike me të, nevojiten edhe mekanizma përkatës shtetëror për kontrollin e kushtetutshmërisë. Për sigurimin e kushtetutshmërisë duhet të plotësohen së pari dy kushte:
· Një kushtetutë e fortë e shkruar.
· Një mekanizëm i posaçëm shtetëror, që të ushtrojë kontrollin e kushtetutshmërisë.

2. Parimi i ligjshmërisë
Ku dallon parimi i kushtetutshmërisë nga parimi i ligjshmërisë?
Kushtetueshmëria në kuptimin e  gjerë është forma më e lartë dhe më themelore e ligjshmërisë. Në këtë kuptim edhe kushtetuta konsiderohet ligj, por është ligji më i lartë, i cili përbëhet nga dispozita juridike më të përgjithsuara sesa ligjet, për rrjedhojë qëndron në majë të piramidës së hierarkisë juridike.
Ndërsa parimi i ligjshmërisë në kuptimin e ngushtë nënkupton ligjet, të cilat në shkallën hierarkike qëndrojnë më poshtë se kushtetuta, por më lart se të gjitha dispozitat e tjera juridike. Për rrjedhojë ligji përbëhet nga rregulla juridike me natyrë të përgjithshme, me të cilat duhet të jenë në pajtim të gjithe aktet juridike nënligjore të organeve qëndrore dhe vendore. Kjo do të thotë se, dispozitat juridike që i nënshtrohen ligjeve janë në përgjithsi të konkretizura dhe individuale. Pra në këtë kuptim parimi i ligjshmërisë mund të ekzistojë pavarësisht nga fakti  nëse kemi kushtetutë të shkruar apo jo.
Parimi i ligjshmërisë është parim me natyrë politiko-juridike, ku përmbajtja konceptuale e këtij parimi mund të zbërthehet në disa elemente apo tipare;
- pajtueshmërinë e të gjitha akteve juridike më të ulëta me ligjin.
- sundimin e së drejtës, kufizimin e arbitraritetit.
- ekzistimin e gjendjes juridike të raporteve të ligjshme ndërmjet pushtetit dhe shtetasve.
- ushtrimin e pushtetit publik si shërbim publik.
- garantimin e lirive dhe të drejtave themelore të individit;
- nënshtrimin e të gjitha akteve individuale, normave të ligjit;
- mbështetjen në ligj të çdo procedure administrative apo gjyqësore, në rastet e marrjes   së vendimeve lidhur me të drejtat e shtetasve.
Parimi i ligjshmërisë shprehet, sidomos në punën e organeve të administratës shtetërore dhe të organeve gjyqësore, të cilat nxjerrin akte individuale apo ushtrohet vendimarrja për të drejtat apo detyrimet e shtetasve. Pra pushteti i këtyre organeve, funksionet dhe kompetencat e tyre janë të rregulluara me ligj, në mënyrë që të mos shkelen të drejtat e shtetasit nga arbitrariteti i mundshëm i tyre.
Por jetësimi në praktikë i parimit të ligjshmërisë është i ndërvarur nga një sërë faktorësh; rregjimi politik, niveli i demokracisë, shkalla e respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut në një vend të caktuar etj.
Instrumentet kryesore  juridike për sigurimin e ligjshmërisë janë;
- kufizimi i organeve të administratës dhe të organeve gjyqësore me normat e përgjithshme;
- ekzistimi i gjykatave të pavarura dhe autoritare;
- ekzistimi i formave të përshtatshme të mbrojtjes efikase të lirive dhe të drejtave themelore të individit.
Për të siguruar ligjshmërinë e veprimtarisë së organeve shtetërore në të gjitha shtetet bashkëkohore moderne zbatohet kontrolli i akteve të organeve administrative dhe atyre gjyqësore, me qëllim të shfuqizimit të akteve që janë në kundërshtim me ligjin.
Kontrolli i ligjshmërisë së akteve të organeve gjyqësore organizohet brenda hierarkisë së këtyre organeve (gjyqësore).
Kontrolli i ligjshmërisë së organeve të administratës organizohet së pari brenda hierarkisë së organeve të administratës shtetërore. Dhe pas ankimimit në rrugë administrative, aktet  administrative i nënshtrohen kontrollit gjyqësor. Në disa vende kontrolli gjyqësor i akteve administrative iu është besuar gjykatave të zakonshme, ndërsa  në  vende të tjera gjykatave administrative, si gjykata speciale të formuara vetëm për këtë çështje (sistemi tradicional francez).

Përmbajtja e parimit të ligjshmërisë
Pas kushtetutës, ligji është akti juridik më i rëndësishëm. Nëpërmjet ligjit përpunohet dhe bëhet e zbatueshme pjesa më e madhe e kushtetutës, përveç atyre që janë drejtpërdrejt të zbatueshme. Kufizimi i të drejtave të caktuara të shtetasve dhe vendosja e detyrimeve lejohet të bëhet vetëm me ligj. Çdo akt i pushtetit publik duhet të bazohet në ligj dhe të zbatohet në pajtim me ligjin. Askush nuk mund të dënohet për një vepër e cila, në momentin kur është kryer, nuk ka qenë e ndaluar me ligj.
Për ligjshmërinë, ashtu si dhe për kushtetutshmërinë vlejnë tri parime;
- parimi i epërsisë së ligjit;
- parimi i ligjshmërisë funksionale;
- parimi i ligjshmërisë së akteve juridike individuale të organeve shtetërore.
Parimi i epërsisë së ligjit nënkupton pajtimin e të gjitha dispozitave juridike, në aspektin formal dhe material me ligjin. Pra të gjitha aktet nënligjore duhet të nxirren sipas procedurave të përcaktuara me ligj, dhe përmbajtja e tyre duhet të jetë e bazuar në (akte juridike me fuqi më të lartë) në kushtetutë dhe ligj.
Aktet nënligjore të organeve të qeverisjes vendore kanë një pozitë të veçantë, në krahasim me dispozitat e tjera juridike nënligjore. Meqenëse këto akte nxirren në bazë të të drejtave të shtetasve për vetëqeverisje lokale të garantuara me kushtetutë, për to kërkohet që të mos jenë në kundërshtim me ligjin, e jo të jenë në pajtim me ligjin. Ndërsa aktet e organeve të pushtetit vendor për zbatimin e ligjit duhet të jenë në pajtim me ligjin.
Parimi i ligjshmërisë dhe mënyra e kontrollit dhe mbrojtjes së këtij parimi, paraqet esencën e  e veprimtarisë së shtetit ligjor. Institucionet që ushtrojnë kontrollin dhe mbrojtjen e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë janë garanci për realizimin e të drejtave dhe lirive të shtetasve dhe ndikojnë në zbatimin e rendit juridik objektiv.
Si përfundim duhet thënë se në një shtet që synon të konsolidojë parimet demokratike në organizimin dhe funksionimin e tij, duhet të udhëhiqet nga Kushtetuta dhe ligji, të jetësojë në praktikë parimin e kushtetutshmërisë dhe të ligjshmërisë, të cilët mbrojnë interesin e përgjithshëm të shoqërisë, liritë dhe të drejtat e qytetarit.

3. Kontrolli dhe mbrojtja e kushtetutshmërisë
Cilat janë shkaqet juridike të paraqitjes së kontrollit gjyqësor të kushtetutshmërisë?
Kontrolli gjyqësor i kushtetutshmërisë paraqitet në rrethana të caktuara shoqërore,  historike dhe ekonomike, atëherë kur në shoqëri fillon të fitojë peshë kushtetuta, si dhe kur forcat politike e shoqërore në shoqëri për të sigururar zhvillimin e marëdhënieve ekonomike shoqërore, janë përpjekur të lirohen nga absolutizmi. Por shkaqet duhen kërkuar dhe në nevojën e shoqërisë për të ndërtuar mekanizma të posaçëm, për të mbrojtur vlerat e kushtetutës, për të jetësuar dhe bërë realitet qëllimet dhe synimet e kushtetutvënësit. Teroricieni i të drejtës kushtetuese Kristaq Traja, e konsideron “drejtësinë kushtetuese”, një revolucion intelektual, meqenëse përcjell në praktikë barazinë para vlerave që qëndrojnë në themel të qytetërimit. Pra drejtësia kushtetuese lindi si rezultat  i krijimit të kulturës kushtetuese, kulturë e cila u shndërrua në një revolucion intelektual, e ndikuar kjo dhe nga përvojat e hidhura të Gjermanisë naziste, Italisë fashiste apo Rusisë Staliniste. Siç përmend Chappelleti, rreziku i cili ka provuar të jetë më i frikshmi në shekullin tone (XX), pa dyshim ka qenë abuzimi me pushtetin shtetëror.
Kontrolli dhe mbrojtja e kushtetutshmërisë është e lidhur ngushtë me parimin e kushtetutshmërisë. Vetëm me paraqitjen e kushtetutave të forta shtrohet parimi sipas të cilit çdo akt i pushtetit në kundërshtim me kushtetutën është i paligjshëm. Vetëm me kushtetutën sigurohen rregulla të tilla, të cilat duhet t’u përmbahet edhe organi përfaqësues në aktivitetin ligjvënës. Në këtë kuptim ligjet dhe aktet e tjera janë bazë  e rendit juridik, por rendi juridik i nënshtrohet rendit më të lartë – rendit kushtetues.
Kushtetutshmëria, si në aspektin juridik, ashtu edhe në atë politik, është rezultat i proklamimit dhe i garantimit juridik të lirive dhe të drejtave individuale të njeriut, por në shtetet federale (SHBA), edhe i mbrojtjes së strukturës federative të shtetit. Pra kushtetutshmëria është mekanizmi mbrojtës për të mbrojtur vlerat më të larta që kanë shqetsuar kombet, shtetet dhe në radhë të parë njeriun. Por që të funksionojë ky mekanizëm duhet të ekzistojë një organ i specializuar, që të garantojë mbrojtjen e kushtetutshmërisë.
 “Kontrolli dhe mbrojtja e kushtetutshmërisë” identifikohet me “drejtësinë kushtetuese”. Sipas autorit të librit “Drejtësia Kushtetuese” K.Traja, drejtësia kushtetuese është “institucioni dhe teknika, që garanton respektimin e hierarkisë së burimeve të së drejtës dhe, me këtë, supremacinë e normës kushtetuese, si norma eprore në një sistem juridik”. Por drejtësia kushtetuese duhet parë në dy këndvështrime.
· Sipas një përkufizimi, drejtësia kushtetuese është funksioni i arbitrimit të kompetencës ndërmjet pushteteve publike. Pra, një gjyqtar jep drejtësi kushtetuese kur vendos mbi konfliktet në të cilat janë palë pushtetet publike dhe, këtu nuk ka rëndësi nëse rregullat që zbatohen janë me natyrë kushtetuese. Ky nocion e bën gjyqtarin kushtetues një arbitër në lojën e aktorëve të lojës politike, duke e bërë drejtësinë kushtetuese një funksion me ndikim të lartë politik.
· Sipas një konceptimi të dytë, drejtësia kushtetuese është funksion i zbatimit të rregullave kushtetuese, pavarësisht nëse palët janë pushtete publike ose subjekte të tjera.
Në përkufizimin e drejtësisë kushtetuese nga autorë të tjerë, përmenden dy funksione thelbësore të drejtësisë kushtetuese, “sigurimi i procesit të kushtetutshmërisë” dhe “ruajtja e rendit kushtetues”.[7]  Drejtësia kushtetuese, kontrolli dhe mbrojtja e kushtetutshmërisë, është revolucion intelektual i qytetërimit, meqenëse përcjell në praktikë barazinë para vlerave, që qëndrojnë në themel të tij. Praktikisht, kjo drejtësi ka si standart kushtetutën, por kjo e fundit nuk është një ligj thjesht i vendosur nga pushteti; ajo është marrëveshje e të gjithë qytetarëve që jetojnë në një komunitet për të ndarë të njëjtat vlera që i quajnë të denja për qenien njerëzore.

Probleme të klasifikimit
Po të marrësh si kriter klasifikimi efektet e drejtësisë kushtetuese, do të gjesh diferencime të ndryshme në vendet evropiane: Gjykata Kushtetuese Gjermane detyron të gjitha gjykatat e zakonshme dhe organet e tjera të shtetit të respektojnë kushtetutën, kurse Këshilli Kushtetues francez kontrollon ligjin e ardhshëm dhe nuk futet në gjykimin e çështjeve konkrete të së drejtës së përgjithshme. Për rrjedhojë disa autorë kanë propozuar një klasifikim tjetër që mbështetet në procedurën që ndiqet për të investuar gjyqtarin në një çështje objekt gjykimi, por dhe në natyrën e vendimeve që mund të jepen. Në këtë mënyrë, në qoftë se vendimi merret si rezultat i një kërkese të bërë nga individi, ai ka vlerë vetëm për palët në proces. Në rastet kur vendimi merret pas një kërkese të bërë nga aktorët e jetës politike lidhur me konflikte ndërmjet autoriteteve ose për çështje të karakterit publik, drejtësia këtu është abstrakte dhe vendimi ka fuqi erga omnes, sepse ai synon të ndikojë në funksionimin normal të shtetit dhe jo në zgjidhjen e një problemi privat. Në këtë këndvështrim kemi dy modele të drejtësisë kushtetuese: kontrollin konkret-subjektiv dhe kontrollin abstrakt objektiv.
Në qoftë se si kriter merret “organi”, që ushtron kontrollin dhe mbrojtjen e kushtetutshmërisë, doktrina juridike kushtetuese njeh disa modele të kontrollit të kushtetutshmërisë.


Sistemet e kontrolli të kushtetutshmërisë
Në teorinë kushtetuese krahasuese përmenden tri sisteme të kontrollit dhe të mbrojtjes së kushtetutshmërisë në botë.
- sistemi i kontrollit nga ana e organit legjislativ;
- sistemi i kontrollit nga ana e organit të posaçëm kushtetues – politik; dhe
- sistemi i kontrollit gjyqësor (nga ana e gjykatave të zakonshme dhe gjykata të specilizuara – kushtetuese).

· Kontrolli dhe mbrojtja e kushtetutshmërisë nga ana e organit legjislativ
Ky sistem është karakteristik për vendet me kushtetutë të butë dhe kushtetutë jo të qartë (kushtetutat fiktive). Kontrolli i kushtetutshmërisë nga ana e organit legjislativ është aplikuar, në mënyrë të veçantë në vendet ish-socialiste[8], duke u mbështetur në parimin e  unitetit të pushtetit. Kushtetutat e buta të këtyre vendeve nuk kanë qenë të interesuara për kushtetutshmërinë, si parim politik-juridik, si dhe për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të shtetasit. Organi legjislativ (përfaqësues) përkundër përkufizimit të tij në kushtetutë si “organi më i lartë i pushtetit”, ka qenë në pozita inferiore në raport me organin ekzekutiv  (të udhëhequr nga Partia). Organi legjislativ vetëm ka ligjësuar në mënyrë formale, pa debat dhe pa vërejtje, duke miratuar unanimisht propozimet e organit ekzekutiv. Pozita e tillë e organit legjislativ në vendet ish-socialiste në fakt ka mundësuar arbitraritetin e pakufizuar të organit ekzekutiv në ushtrimin e veprimtarisë së vet, me “bekimin” e Partisë. Teoria politike e kushtetuese – juridike socialiste ka konsideruar se çdo formë e kontrollit të kushtetutshmërisë jashtë organit përfaqësues është e papajtueshme me parimin e unitetit të pushtetit. Ajo nuk ka shfrytëzuar as përvojat pozitive të Zvicrës, e cila ka zbatuar në mënyrë konsekuente parimin e unitetit të pushtetit. Për rrjedhojë në vendet ish-socialiste, realisht nuk ka ekzistuar kontrolli i kushtetutshmërisë së ligjeve nga ana e organit legjislativ. Pas viteve 90, me ndërrimin e sistemit, në të gjitha këto vende është zbatuar kontrolli dhe mbrojtja e kushtetutshmërisë nëpërmjet Gjykatës Kushtetuese, si rezultat i miratimit të kushtetutave të tyre të forta dhe angazhimit të tyre, për mbrojtjen e të drejtave  dhe lirive të njeriu, në rrugëtimin e tyre drejt demokracisë.
Si realizohet kontrolli dhe mbrojtja e kushtetutshmërisë në Angli? Në Angli, e cila nuk ka një kushtetutë të shkruar, asnjë organ nuk mund të refuzojë zbatimin e një ligji me arsyetimin se dispozitat e tij janë në kundërshtim me kushtetutën. Kjo është e kuptueshme për këtë vend, pasi vlen parimi sipas të cilit bartës i sovranitetit është parlamenti. Kjo nuk do të thotë se në këtë vend nuk i kushtohet vëmendje kushtetutshmërisë së ligjeve. Përkundrazi në këtë vend, djep i parlamentarizmit, respektohet parimi i kushtetutshmërisë, madje edhe më tepër se në shumë vende të tjera, të cilat kanë një kushtetutë të fortë. Kjo është rezultat i pranisë së faktorëve të shumtë, që kanë të bëjnë në radhë të parë me rrënjosjen  e parimeve demokratike në ndërgjegjen e politikanëve dhe të  qytetarëve të këtij shteti, pasi duke qenë të bindur në vlerat që mbartin këto parime, vlerësohen dhe zbatohen jo me anë të forcës detyruese të një dokumenti me fuqi juridike me të lartë, por me anë të vetëdijes shoqërore, që mbart brenda vetes një detyrim më të lartë, bindjen e thellë në vlerat e demokracisë, bindjen se mbrojtja e të drejtave dhe lirive të njeriut janë obligim parësor i shtetit.
Si përfundim duhet thënë se kontrolli dhe mbrojtja e kushtetutshmërisë me anë të organit legjislativ është më tepër një konstrukt teorik, sesa sistem i zbatuar në praktikë.

· Kontrolli dhe mbrojtja e kushtetutshmërisë nga ana e organit të veçantë kushtetues ose politik
Ky sistem i kontrollit është i rrallë. Karakteristikë për këtë sistem është se kontrollin dhe mbrojtjen e kushtetutshmërisë e ushtron një organ i posaçëm “kushtetues” ose “politik”, jashtë parlamentit, qeverisë dhe organeve gjyqësore. Organi i tillë ka qenë kompetent të shqyrtojë pajtueshmërinë e ligjeve dhe dispozitave të tjera juridike me kushtetutën.
Një sistem i tillë i mbrojtjes së kushtetutshmërisë është paraqitur qysh në shekullin XVIII krahas sistemit të kontrollit gjyqësor të kushtetutshmërisë. Një formë e tillë ka qenë “Cenzori” në Pensilvani (SH.B.A.) gjatë shekullit XVIII. Ky institucion ka qenë i përbërë nga personalitete të shquara dhe ka pasur për funksion mbrojtjen e “integritetit të kushtetutës”. Kjo formë u zbatua vetëm për një periudhë të shkurtër, kështu që më tepër njihet si tentativë dhe si një ide e Franklinit.
Kontrolli i kushtetutshmërisë nga ana e organeve jogjyqësore, apo “kushtetuese – politike”, ka gjetur zbatim në Francë që nga koha e pushtetit të Napoleonit. Që nga Revolucioni i vitit 1789 Franca tradicionalisht ka aplikuar sistemin e kontrollit të  kushtetutshmërisë i cili, herë më pak e herë më shumë, ka qenë nën ndikimin e pushtetit qëndror dhe shefit të shtetit. Teoria politike juridike në Francë është nisur nga demokracia përfaqësuese dhe roli dominant i parlamentit, gjë që është shprehur në Deklaratën mbi Liritë dhe të Drejtat e Njeriut (1789). Kjo ka ndikuar  që në këtë vend të formohen organe të veçanta për kontrollin e kushtetutshmërisë jashtë parlamentit dhe jashtë gjykatave të zakonshme.
Qysh nga Revolucioni në Francë, buron ideja për zbatimin e mbrojtjes së kushtetutshmërisë nëpërmjet organit të posaçëm politik. Kështu, në vitin 1793 u propozua “Juria e Madhe Kombëtare” si “garanci e shtetasve kundër shkeljes së të drejtave dhe lirive të tyre nga ana e organit legjislativ dhe të qeverisë”. Me rastin e hartimit dhe të miratimit të Kushtetutës të vitit 1799 (Republikës së Parë të Francës) u zbatua ideja e Sieyés për  “Jurinë Kushtetuese” , ndonëse pjesërisht. Në bazë të kësaj kushtetute u vu në funksion Senati (i përbërë prej 80 antarësh), me komptencë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së ligjeve. Për rrjedhojë, kjo është forma e parë e kontrollit të kushtetutshmërisë nëpërmjet organit të posaçëm politik. Senati u ruajt edhe me Kushtetutën e Francës të vitit 1852. Për dallim nga Senati i mëparshëm, ky ishte senat klasik në gjirin e organit përfaqësues, i cili kishte kompetencë të vlerësonte kushtetutshmërinë e ligjeve para shpalljes së tyre. Kjo formë e kontrollit të kushtetutshmërisë, u bë traditë sepse u ruajt dhe në Kushtetutën e vitit 1958. 
Por me Kushtetutën e vitit 1958 për mbrojtjen e kushtetutshmërisë, u formua Këshilli Kushtetues, si organ mjaft i organizuar dhe mjaft efikas. Ligjet e caktuara të miratuara, ende para se ato të miratohen, i dërgohen Këshillit. Ligjet organike dhe rregulloret e brendshme të parlamentit dhe të dhomave të tij, Këshilli i kontrollon detyrimisht sipas detyrës zyrtare (ex officio), ndërsa ligjet e tjera dhe aktet nga lëmi i detyrimeve ndërkombtare mund të dërgohen në Këshill, me propozimin e Kryetarit të Republikës, kryetarëve të dhomave të parlamentit (Kuvendi Kombëtar apo Senati), Kryeministrit, 60 deputetëve ose 60 senatorëve. Këshilli ka kompetenca të gjera, veçanërisht në kontrollin rregullsisë së zgjedhjeve, të propagandës parazgjedhore, të zgjedhjes së Kryetarit të Republikës, rregullsisë së referendumit, etj. Edhe pse  në shumicën e rasteve paraqitet si organ preventiv, në raste të caktuara zhvillon procedurën e kontrollit të kushtetutshmërisë së ligjeve, pasi ato të kenë hyrë në fuqi, me kusht që ato të mos kenë qenë objekt i kontrollit paraprak.

Bibliografia 
Kristaq Traja, Drejtësia Kushtetuese,  Tiranë 2000;
Visar Morina, Gjyqësia Kushtetuese, Prishtinë 2011.
Pr.Dr.Osman Ismaili, Filozofia e së Drejtës
Kushtetuta e Shqipërisë me interpretime të Gjykatës Kushtetuese, Tiranë 2008.
Kozeta Vuksanlekaj, Qeverisja Vendore e Nivelit të Dytë dhe Sfidat e Rajonalizimit, Prishtinë, Korrik 2011, fq.5
Mbi parimin e kushtetueshmërisë dhe ligjshmërisë më gjerësisht shih: Kurtesh Saliu, E drejta kushtetuese




[1] Mbi parimin e kushtetueshmërisë dhe ligjshmërisë më gjerësisht shih: Kurtesh Saliu, E drejta kushtetuese, Prishtinë 2004, fq.91-100; Kristaq Traja, Drejtësia Kushtetuese,  Tiranë 2000; Visar Morina, Gjyqësia Kushtetuese, Prishtinë 2011.
[2] Sistem qeverisje, në të cilin pushteti i lartë është në duart e një njeriu, të mbretit apo të perandorit (Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe, TIranë, 1980, fq.73).
[3] Veçoritë, tiparet e brendisë së parimit si nocion (Shih më gjerësisht. Pr.Dr.Osman Ismaili, Filozofia e së Drejtës).
[4]Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Fjalor i Gjuhës së Sotme Shqipe, Tiranë 1980, faqe 1371.
[5] Kozeta Vuksanlekaj, Qeverisja Vendore e Nivelit të Dytë dhe Sfidat e Rajonalizimit, Prishtinë, Korrik 2011, fq.50.
[6] Neni 118, paragrafi i parë i Kushtetutës së Shqipërisë cituar nga: Kushtetuta e Shqipërisë me interpretime të Gjykatës Kushtetuese, Tiranë 2008.
[7] VIsar Morina, Gjyqësia Kushtetuese, Prishtinë 2011.
[8] Në vendet ish –socialiste është aplikuar kontrolli i kushtetueshmërisë nga organi legjislativ, me përjashtim të të ish-RSFJ (nga viti 1963), ish-Çekosllavakisë (nga viti 1968) dhe Polonisë (nga viti 1988).

Popular

BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR

BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR
BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR - GJITHASHTU DHE RIPAROJME