VËSHTRIM GJEOPOLITIK I RAJONIT TË BALLKANIT NË TËRËSI DHE ATIJ PERËNDIMOR NË VEÇANTI

VËSHTRIM GJEOPOLITIK I RAJONIT TË BALLKANIT NË TËRËSI DHE ATIJ PERËNDIMOR NË VEÇANTI
Rajoni i Ballkanit gjithmonë ka qenë i shndërruar në fushë beteje e ndeshje për interesa të Fuqive të Mëdha në periudha të ndryshme të historisë, por shpesh edhe të konflikteve e luftërave civile brenda rajonit. Në Ballkan për shekuj me radhë janë bërë përpjekje për krijimin e kombeve sipas kufijve gjeografik të shteteve, pra të një bashkësie politike. Ky fakt ka qenë shkaku kryesor i problemeve të shumta në të kaluarën, sot dhe ndoshta edhe në të ardhmen.
Vlerësimi i gjendjes në Ballkan përfshin studimin dhe analizën e çështjeve të historisë, gjuhës, kulturës, përkatësisë dhe origjinës etnike, si dhe zhvillimet e institucioneve politike. Nëse institucionet e shtetit nuk kuptojnë këto çështje dhe marrin vendime jashtë realitetit aktual, do të ndikojnë vetëm në përkeqësimin e realitetit dhe do të influencojnë përsëri në përkeqësimin e situatës në Ballkan dhe jo në stabilizimin e integrimin e tij në BE-në. Pas shpërbërjes së ish Jugosllavisë, organizmat ndërkombëtare dhe BE-ja po ndihmojnë vendet e Ballkanit Perëndimor për të forcuar sistemet politike, demokracitë e reja, si dhe zhvillimin e reformave në fushën politike, ekonomike, sociale dhe ato të sigurisë. Është përgjegjësia e shteteve për të forcuar sistemin demokratik dhe të sigurojnë rritje të qëndrueshme ekonomike.
Siguria ne Ballkan është një nga sfidat kryesore që përballon rajoni dhe kjo realizohet me mbështetjen e plotë të faktorit ndërkombëtar si OKB, NATO, BE, si dhe në rrugën drejt reformave intensive, që përfshijnë ato të fushës politike, ekonomike, ushtarake, legjislative etj.
Vendet e Ballkanit natyrshëm do të integrohen në Evropë dhe strukturat e saj euro-atlantike. Përpjekjet bëhen individuale nga çdo shtet, por dhe të përbashkëta, ndërsa vlerësimi vetëm individual. Pra edhe integrimi mund të bëhet i diferencuar, shpejtësia e lëvizjes nga çdo vend i Ballkanit mund të jetë e ndryshme. Ne duhet të kuptojmë se nuk duhet të humbasim kohë.
E ardhmja e Ballkanit Perëndimor, ashtu si dhe e ardhmja e të gjithë rajonit të Ballkanit, nuk mund të mbështetet më në sajesa federative artificiale, por në zhvillimin e sistemeve politike të qëndrueshme, me objektivat bazë ato të procesit të integrimit euro-atlantik. Kjo do të jetë një sfidë e madhe për të gjithë për t’u ndjekur e për të krijuar kudo, në Shqipëri e Kosovë, Mal të Zi e Serbi, Maqedoni e Kroaci, Bosnje e Hercegovinë, një model të ri qytetarie, modelin e qytetarit evropian, për të cilin kufijtë gjeografikë do të bëhen gjithnjë e më pak të rëndësishëm.Duke i parë gjërat në këtë perspektivë, së bashku me “mandatin e arrestit evropian”, i cili nevojitet të shtrihet në tërë hapësirën evropiane, ne do të duhet të konvergojmë më tej forcat tona për amendime ligjore të përbashkëta në mënyrë që të arrijmë, pa paragjykime dhe mendësi të së kaluarës në legalizimin e vetëm dy lloj qytetarish: në atë të vendit dhe në atë evropian.
Për të arritur një stabilitet sa më të qëndrueshëm në Ballkan, nismat më të rëndësishme për rajonin janë integrimi rajonal dhe ai euro-atlantik, që duhen të mbështeten fuqimisht me angazhime gjithnjë e më serioze dhe konkrete. Kjo nënkupton gjithashtu dhe përshpejtimin e zbatimit të politikave dhe programeve të përbashkëta ekonomike, të cilat do të synonin në mënyrë normale në krijimin e një zone të lirë të shkëmbimeve tregtare, në përqasjen e legjislacionit fiskal, unifikimin e doganave dhe krijimin e një tregu të përbashkët rajonal ose “të një hapësire ekonomike të përbashkët”.
Krijimi i kësaj hapësire ekonomike të njehësuar do të kishte në bazë ndërveprimin më të mirë të ekonomive tona, të cilat të marra veçmas mund të mos jenë gjithmonë të vetmjaftueshme ose vetgjeneruese, por si plotësuese të njëra-tjetrës do të përbëjnë një treg me përmasa të konsiderueshme me mbi 50 milion banorë, dhe si i tillë një hapësirë tërheqëse për investime të mëdha të kapitaleve ndërkombëtare.

VËSHTRIM I SHKURTËR HISTORIKO–GJEOGRAFIK PËR BALLKANIN

Gadishulli i Ballkanit ndodhet ne pjesën lindore të Evropës Jugore dhe në të kalojnë rrugët më të rëndësishme që lidhin Evropën Perëndimore e Qendrore me Turqinë, si dhe me vendet aziatike të Lindjes së Afërt e të Mesme. Ai ndodhet në kryqëzimin e rrugëve që lidhin tre kontinente: Evropën, Afrikën dhe Azinë.
Referuar studiusve të ndryshëm dhe dëshmive gjuhësore-historike, rajoni e merr emrin e tij nga mali “Ballkan” në Bullgari, një fjalë turke që do të thotë “mal”. Pra “Ballkan” fillimisht u quajt masivi malor në Bullgari që mban të njëjtin emër edhe sot, prej të cilit që nga fundi i shek. XVII, ky emër i kaloi gjithë gadishullit që përbënte pjesën evropiane të Perandorisë Turke. Rajoni i Ballkanit është një gadishull trekëndor me një zgjatje të madhe të kufirit verior dhe duke u zvogëluar ndërsa shtrihet drejt jugut.
Relievi i gadishullit të Ballkanit paraqetet kryesisht kodrinor-malor e tepër i thyer, ku relievi malor dominon ndaj atij fushor. Ky reliev përbëhet nga shumë grumbuj e vargje malor që kanë drejtime të ndryshme.
Në pjesën veriore (Rumani) shtrihen malet Karpate dhe Alpet e Transivalisë që vazhdojnë në formën e gërmës “S” të përmbysur me malet Ballkan të cilat zgjaten kryesisht në Bullgarinë Qendrore duke përfunduar në Detin e Zi e në Anadollin Turk.
Në pjesën jugore ndohden malet Rodop, maja Musala 2925 m, e cila është edhe pika më e lartë e gjithë gadishullit. Në pjesën perëndimore shtrihet një masiv malor që fillon në veriperëndim me zgjatim të Alpeve Dinarikë, vazhdon në Shqipëri me Alpet e vargmalet e tjera shqiptare, që pasohen në Greqi me malet e Pindit, Peloponezit dhe Kretës.
Trajtat fushore e kodrinore të relievit ndodhen kryesisht në luginën e Danubit ku në pjesën lindore përfshihen ultësira e Danubit të Poshtëm dhe fusha e Maricës, ndërsa në pjesën bregdetare perëndimore fusha më e madhe është Ultësira Perëndimore e Shqipërisë. Lumenjtë kryesorë në rajon përveç Danubit dhe degëve të tij kryesore si Sava, Drava, Tisa, Olti, janë Neretna e Drini që derdhen ne Detin Adriatik, si dhe Marica që derdhet në detin Egje. Lumenjtë janë të shkurtër e pa ndonjë ndikim të veçantë pasi burimi i tyre është në male e derdhen në detin më të afët duke mos mundësuar lundrimin lumor. Përjashtim bën lumi Danub, i cili përshkon 10 shtete dhe ka shërbyer e shërben për depërtimin nga jashtë gadishullit. Liqenet më të mëdhenj në Ballkan janë liqeni i Shkodrës, Ohrit dhe Prespës.
Gadishulli i Ballkanit rrethohet nga detet Adriatik, Egje dhe Mesdheu të cilat kanë shërbyer si barrierë ndaj synimeve armiqësore, por edhe si porta hyrjeje në gadishull.
Në perëndim të gadishullit të Ballkanit, shtrihet gadishulli italian i cili është vetëm 40 milje larg Shqipërisë me detin Adriatik në mes. Ishujt e Egjeut dhe Mesdheut shërbejnë si nyje e fortë lidhëse me rajonin e Mesdheut Lindor dhe Egjyptin.
Në vështrimin gjeografik, Ballkani shpesh është quajtur si një urë kalimi nga një gjeohapësirë në tjetrën. Duke u ndarë e kufizuar njëkohësisht nga masive malore, këto të fundit kanë bërë që rajoni të ndahet në zona të vogla rafshnalta, fusha e lëndina ku dhe është përqëndruar edhe popullsia. Po kështu, në vështrimin gjeopolitik, rajoni i Ballkanit është parë si një rajon strategjik i dallueshëm nga ai i Lindjes së Afërme apo të Mesme.
Rajoni është i mbuluar me vargmale që shtrihen nga juglindja drejt verilindjes duke përcaktuar edhe korridoret kryesore të qarkullimit, të cilat edhe pse të ndërprera nga malet, asnjëherë nuk kanë ndryshuar drejtim: Moravë-Mariscë, që shkon nga Danubi në Bizant, Rruga “Egnatia” që përshkon rajonin nga Perëndimi në Lindje e që lidhte Durrësin me Selanikun, Porta e Fiumës që shndrroi Triesten dhe Rjekën në portën Austro-Hungareze.
Klima e gadishullit të Ballkanit është e ndryshme. Në pjesën veriore dhe në male, stina e dimrit ështe e ftohtë e me reshje të shumta bore, ndërsa stina e verës e nxehtë dhe e thatë. Në pjesën perëndimore e jugore, klima është tipike mesatare mesdhetare me dimër të butë e reshje, si dhe verë të nxehtë e të thatë. Në pjesën e brendshme, rajoni ka një klimë mesatare subkontinentale, e shoqëruar me një dimër më të ftohtë si dhe me një verë më të nxehtë.
Pjesa bregdetare dhe jugore e rajonit është vazhdimisht e gjelbëruar, ndërsa në brendësi ndohden pyje tipike të Evropës Qendrore.
Burimet e energjisë janë të rralla. Gjenden rezerva qymyri veçanërisht në Rumani, Bullgari, Kosovë, Bosnje-Hercekovinë; rezerva të naftës kryesisht në Rumani, por në sasi më të pakta edhe në Serbi, Shqipëri, Greqi dhe Kroaci. Energjia sigurohet kryesisht nga burimet hidrike.

SHTETET, POPULLSIA, BESIMI FETAR, GJUHA DHE KULTURA

Shtetet. Aktualisht në rajonin e Ballkanit bashkëjetojnë 12 shtete nga të cilat: Sllovenia, Kroacia, Bosnje-Hercekovina, Serbia, Mali i Zi, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia ndodhen në Ballkanin Perëndimor; Greqia dhe Turqia Evropiane ndodhen në Ballkanin Jugor ndërsa Bullgaria dhe Rumania ndodhen në Ballkanin Lindor.
Popullsia. Rajoni i Ballkanit ka një sipërfaqe prej 795.000 km2 dhe një popullsi rreth 75 milion banorë të kombësive të ndryshme ku përfshihen: Sllovenia-2 milion banorë, Kroacia-4.5 milion banorë, Bosnje-Hercekovina-4.5 milion banorë, Serbia- 7.5 milion banorë, Mali i Zi – 650 mijë banorë, Shqipëria- 3.3 milion banorë, Kosova-2 milion banorë, Maqedonia-2.1 milion banorë, Greqia-10.6 milion banorë, Turqia Evropiane-6 milion banorë, Bullgaria-7.5 milion banorë dhe Rumania-23 milion banorë. Të gjitha vendet e Ballkanit kanë një komunitet të caktuar romë, si dhe minoritete të tjera të vogla pa gjendje të përcaktuar si gagauzë, goranë, karakaçanë, arvanitas dhe aromunë.
Besimi fetar. Besimet kryesore të rajonit të Ballkanit jane besimi Kristian (orthodoks dhe kristian) dhe besimi Islam. Besimi Orthodoks është besmi fetar kryesor në Bullgari, Greqi, Rumani, Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni. Besimi Katolik është besimi fetar kryesor në Kroaci dhe Slloveni. Besimi fetar Islam është besimi kryesor në Shqipëri, Kosovë dhe Turqi. Në disa vende të rajonit, ka më shumë se një grup besime fetare që i kalojnë më shumë se 10 si: Bullgaria, ortodoksizmi lindor dhe islami. Shqipëria, islami, ortodoksizmi dhe katolicizmi. Bosnje-Hercekovina, islami, ortodoksizmi lindor dhe katolicizmi. Maqedonia, ku popullsia sllave është në shumicën e saj me besim fetar ortodoks dhe ajo shiptare është në shumicën e saj myslimane.
Gjuha. Në rajonin e Ballkanit si pasojë e ekzisencës së disa kombeve dhe shteteve, fliten nëntë gjuhë të ndryshme si rumanisht, bullgarisht, shqip, turqisht, serbo kroatisht, greqisht dhe hungarisht. Shumica e këtyre gjuhëve kanë rrënjë sllave dhe përdorin alfabetin cirilik. Por përveç sa sipër, sipas Charles dhe Barbara Jelavich, krahas këtyre gjuhëve ka minoritete që flasin gjuhë greke, italiane, hungareze dhe turke. Ndërkohë që vetëm bullgarët flasin bullgarisht, rumunët flasin rumanisht dhe shqiptarët shqip, ndërsa sipas studiuesit William T. Jonsen, gjuhët kanë gjetur aplikim edhe brenda një vendi si brenda ish Jugosllavisë gjuha e përzier serbo-kroate e cila njihej si gjuha zyrtare, është ndarë në kufijtë etnikë, kroatët flasin kroatisht dhe serbët serbisht. Sipas autores Eva Tafili, në ish Jugosllavi, gjuha e perzier serbo kroate njihej si gjuhë zyrtare, por me shpërbërjen e saj, edhe gjuha u shpërbë ku tashmë secili shtet ka gjuhën e tij zyrtare. Duke qenë se gjuha, feja dhe etnia janë faktorë bazë për ekzistencën e një kombi, si dhe duke patur parasysh lidhjen ndërmjet tyre, e rritjen e numrit të gjuhëve sipas kufijve etnikë në dekadat e fundit të shekullit të kaluar, mund të themi se ato kanë ushtruar një ndikim të fortë në rajonin e Ballkanit.
Kultura. Edhe pse Ballkani ka qenë për një kohë të gjatë nën pushtimin Otoman i cili ka qenë unik në gjithë rajonin, reflektimi tek popujt ka qenë i ndryshëm, duke ruajtur identitetin, kulturën dhe gjuhën. Autorja M.Todorova, në librin Ballkani Imagjinar, thekson se “... Një nga gjërat më të bukura të kombeve balkanike, është se kanë një histori jashtëzakonisht të pasur, por që më së tepërmi janë të mbyllur në vetvete...”.
Historia e Ballkanit është një histori shkëmbimi kulturor, gjuhësor, fetar e njerëzor ndërmjet popujve të ndryshëm, ku përplasjet gjuhësore, etnike e kulturore, përbëjnë elementet themelorë të diversitetit dhe të konflikteve kulturore. Këto ndryshime të thella kulturore kanë filluar që me ndarjen e perandorive dhe konkretisht me ndarjen e periudhës romake nga ajo bizantine ku sipas William T. Jonsen “... dy këto kultura kanë ndryshime shumë të mëdha në qeveri, fe, institucione dhe zakone...”.
Ballkani është në kontinentin Evropë, pavarësisht se për arsye të ndryshme që lidhen me zhvillimet historike dhe pushtimet e ndryshme kanë bërë që pozicioni gjeografik, politika, ekonomia, kultura, feja e lënë shpesh-herë mënjanë.

ROLI I BALLKANIT NË GJEOPOLITIKË

Theksuam edhe më parë, Ballkan është emri historik dhe gjeografik për të përshkruar Evropën Juglindore, origjina e të cilit është nga malet Ballkan që shtrihen përmes Bullgarisë e mbrrijnë deri në pjesën lindore të Serbisë.
Rajoni i Ballkanit ka qenë përherë në kufijtë e perandorive të mëdha, e për rrjedhojë historia e tij është dominuar nga luftërat, rebelimet, pushtimet e përplasjet midis perandorive që nga koha e Perandorisë Romake deri tek luftërat e fundit në ish Jugosllavi.
Nga një vështrim i termit Ballkan, si dhe gjithë historisë së tij shekullore, mund të themi se: Përgjithësisht ky term tregon një lidhje me dhunën, konfliktet fetare, përplasjet etnike, si dhe sensin e një zone të thellë. Po kështu edhe kalimi nga termi Gadishulli i Ballkanit në fjalën ballkanas, si dhe deri tek derivati i saj “ballkanizim”, ishte si rezultat i fillimit të rënies së perandorisë Osmane dhe i luftërave në Ballkan, si dhe i Luftës së Parë Botërore.
Pas Kongresit të Berlinit (1878) termin “Gadishulli Ballkanik” apo “Ballkan” e kanë zëvendësuar shpikjet që kishin për bazë praninë e osmallinjve në rajon. Shumë shpejt në përdorimin gazetaresk, termi Ballkan mori kuptimin “gjysmë i zhvilluar, gjysmë kolonial, gjysmë civilizues dhe bota gjysmë orientale”, ku kjo e fundit është parë gjithmonë si rajon ndërmjet Krishterimit të Lindjes dhe të Perëndimit, nërmjet Pax Christiana dhe Dar al-Aslam, ndërjet “botës së lirë” dhe “botës prapa perdeve të hekurta”. Perceptimet negative të trashëgimisë osmane në Ballkan nga autorë jomysliman, ishin faktori kryesor që i ka dhënë shijen e keqe termit “Ballkan”.
Luftërat çlirimtare dhe revolucionet kombëtare në Ballkan në fillim të shek. XIX, përplasën interesat kombëtare të popujve të tij, ndërsa ndërhyrjet e Fuqive të Mëdha, nuk lejuan asnjë nga këta popuj të vendosë kufij etnik, apo të marrë në dorë hegjemoninë e rajonit. Për këtë arsye, edhe shek. XX në Ballkan filloi e mbaroi me luftëra etnike, duke e bërë të njohur këtë rajon si “fuçi baruti” apo “shtete të egra” në Evropë, duke krijuar reputacion negativ në Perëndim, reputacion i cili u përforcua edhe më shumë nga luftërat në ish Jugosllavi nga fundi i shek. XX. Theksuam, shek. XX ka qenë jo i qetë, si dhe një periudhë tragjike në historinë e Ballkanit duke filluar me krizën në Bosnje-Hercekovinë në vitin 1908 e Luftën e Parë Ballkanike në 1912 e përfunduar me luftën civle në Bosnje-Hercekovinë në vitet 1992-1995 dhe në Kosovë 1999.
Gjatë shek. XX në Ballkan janë zhvilluar një total prej 7 luftëra (të përfshirë gjithë Ballkanin) të cilat kanë bërë që territoret e Ballkanit të ndryshohen e zvogëlohen vazhdimisht, duke ndryshuar njëkohësisht edhe identitetin e rajonit i cili në kohën e Perandorisë Osmane ka qenë i njohur me emrin Rumeli ose Osmanët Evropianë, shumica e autorëve të shek. XIX e quanin Turqia Evropiane, Lindja e afërt, Levanti Evropian, etj.

ROLI I GJEOPOLITIKËS DHE GJEOSTRATEGJISË TË BALLKANIT NË EVROPË

Shkrimtari Ismail Kadare në librin “Ballkani i Jugut”, thekson se: “... është e qartë për gjithkënd se stabiliteti në gadishullin e Ballkanit varet nga dy faktorë kryesorë: e para nga vetë popujt e Ballkanit dhe e dyta nga Evropa...” Pra, me fjalë të tjera mund të themi se kur fati i diçkaje varet nga dy palë, mirëkuptimi ose moskuptimi i tyre, kthehet në faktor bazë për zgjidhjen ose jo të problemeve. Popujt e Ballkanit kanë nostalgji për Evropën, por njëkohësisht ndjejnë edhe nervozizëm për fajet e tyre e që s’duan ti pranojnë, si dhe zemërim për harrësën e gjatë të Kontinentit plakë, Evropës, e cila për një kohë të gjatë i është shmangur përgjegjësisë së saj në rajon. Nga sa me sipër, arrijmë në përfundimin se Evropa e lodhur me Ballkanin ka bërë dhe bën përpjekje për ta integruar e përfshirë atë në organizmat e saj. Po kështu, edhe popujt e ballkanit përpiqen të rivendosin marrëdheniet e vjetra që i lidhin ata me kulturën, zakonet, doket, marrëdhënie të cilat kanë rrënjë të thella në vendet ku jetojnë, por që janë shkatërruar nga luftërat e vazhdueshme e të pafundme në rajon.
Vetë pozicioni gjeografik dhe ekonomik nga njëra anë, si dhe lidhjet e shumta me popuj e vende të ndryshme të Evropës dhe botës nga ana tjetër, e bëjnë rajonin e Ballkanit që të mos i shmanget prirjeve politike e gjeopolitike që përfshijnë Evropën dhe mbarë botën. Për sa sipër, lind pyetja: Përse thuhet që historikisht në pikëpamje gjeopolitike dhe gjeostrategjike Ballkani ka luajtur një rol të rëndësishëm në Europë?
Së pari. Ballkani është vendi i përplasjeve më të mëdha që nga koha greke, romake, bizantine, habsburge, osmane, si dhe i përzierjes së kulturave dhe popujve të tri kontinenteve. Theksojmë se nuk është i rëndësishmëm numri i perandorive që kanë kaluar në Ballkan, por dhuna që ka mbretëruar në rajon pas largimit të tyre. Ekspasioni i Perandorisë Habsburge drejt Juglindjes deri në fillim të shek. XX dhe Perandorisë Osmane për ekspasion në drejtim të veriut, e bëri Ballkanin rajon të përplasjes së tyre duke rinxitur më tepër ndarjet etnike, gjuhësore e fetare që janë shfaqur dhe ekzistonin në Ballkan që nga shek. IV. Një faktor tjetër i nxitjes së nacionalizmit në Ballkan, kanë qenë edhe padrejtësitë e bëra nga Fuqitë e Mëdha për zgjidhjen e problemeve gjeopolitike, ku traktatet dhe marrëveshjet e të cilave si Traktati i Shën Stefanit, Kongresin e Berlinit, Traktatin e Bukureshtit, etj., ballkanasit i shihnin me dyshim e si të padrejta të cilat jo vetëm që nuk i shërbenin zgjidhjes së problemeve ballkanike, por e keqësonin më tej situatën.
Së dyti. Ballkani si një urë natyrore që bashkon Evropën me Azinë, ndodhet në “zemrën” gjeopolitike e gjeostrategjike të rajonit me dy zona kyçe si ishulli i Kretës që kontrollon gjithë korridoret detare strategjike të Mesdheut Lindor dhe e dyta është Serbia Jugore dhe Kosova që konsiderohet si nyja tokësore më e rëndësishme e Ballkanit pasi kontrollon të gjitha akset natyrore strategjike të rajonit.
Së treti. Çështjet etnike të Ballkanit gjatë gjithë historisë së luftërave të tij përfshi edhe shek. XX, nuk kanë shërbyer kurrë për një “fqinjësim” të mirë mes popujve të rajonit, por vetëm janë përdorur për lëvizje, përfitime e ndryshime politike. Por, në zhvillimet aktuale, Ballkani po tregon se ka ndryshuar aktualitetin e vet gjeopolitik, pasi ka shënuar përparime të dukshme në aspekte të mentalitetit jetik, fqinjësisë, si dhe gadishmërisë për t’u shkuar deri në fund proceve të nisura për demokratizimin e rajonit e integrimin në strukturat euro-atlantike. Zhvillimet e fundit në Ballkan duket se po lënë pas filozofinë “secili në pus të vet” si dhe po sfidon përditë e më shumë sentencën bismarkiane se “Ballkani prodhon histori më tepër nga ç’konsumon”, pasi në rajon ka një klimë besimi lidhur me perspektivat e reja dhe bashkekzistencë paqësore e miqësore në një komunitet me të gjitha kombet. Pas zhvillimeve të fundit në rajon në dekadën e fundit të shek. XX, mund të themi se ndarjet tashmë kanë përfunduar dhe po mendohet për të ecur drejt Evropës, pasi Ballkani para së gjithash është pjesë integrale e saj dhe s’ka dyshim që me një Ballkan të destabilizuar nuk do të ketë një Evropë të plotë.


KONFIGURACIONI I RI GJEOPOLITIK I BALLKANIT

Faktorët që ndikuan në konfigurimin e ri gjeopolitik janë rënia e sistemit komunist dhe përfundimi i Luftës së Ftohtë të cilat krijuan premisa për ndërtimin e një Evrope të pandarë, të një Evrope të madhe e të lirë, të stabilizuar e paqësore, demokratike dhe të begatë. Gjithashtu rënia e murit të Berlinit dhe bashkimi i Gjermanisë u pasua me shpërndarje shtete e federata. Në shumë vende situata u përcoll me qetësi e me rrugë demokratike sipas vullnetit të popujve, ndryshe ndodhi në ish Federatën Jugosllave, ku që nga viti 1992 deri në vitin 1999 janë zhvilluar luftëra gjatë procesit të shpërbërjes të saj. Nacionalizmi serb ka qenë shkaku i krizave dhe i luftërave në territorin e ish Federatës me rrjedhoja tepër të dhimbshme për popujt, zhvillimet demokratike dhe integrimin e rajonit te Ballkanit në strukturat euro-atlantike. Konfliktet ballkanike të fund shek. XX kërcënuan përsëri realitetin dhe balancën e brishtë të periudhës të pas rënies të komunizmit. Shpërbërja e dhunshme e ish Jugosllavisë, ka ndikuar shumë në krijimin e një realiteti të ri gjeopolitik, i cili çoi në rënien e blloqeve ideologjike ne rajon, e shoqëruar edhe me zvogëlimin gjithnjë e më shumë të konflikteve të mundshme të Fuqive të Mëdha (për shkak te interesave të tyre në rajon), kohë në të cilën Evropa u përfshi në mënyrë të përshpejtuar në një proces të thellë të integrimit të saj të brendshëm e të jashtëm.
Por, krahas këtij fenomeni bashkëpunues në Ballkan, një fenomen tjetër negativ mbizotëroi në Ballkan për afro një dekade, ku shpërbërja e ish Jugosllavisë u shoqërua me tensione ndëretnike të përgjakshme që çuan në 4 luftëra, përfshirë këtu edhe ndërhyrjen e parë nga NATO duke konsumuar jo vetëm vlera materiale e monetare por edhe mjaft inisiativa rajonale e evropiane të lodhshme diplomatike.
Për shkak të veçorive të pozitës gjeopolitike, ku Ballkani i përket zonës së tretë të vendeve ish komuniste në Evropë, si dhe për shkak të vendosjes gjeografike në “qoshen” Juglindore të kontinentit Evropian, rajoni i Ballkanit ka qenë dhe do të mbetet përherë në fokusin e konfrontimeve midis shteteve perëndimore dhe atyre lindore, pasi e gjithë historia e deritanishme e Ballkanit përfaqëson një konflikt të faktorëve nacional, etnik dhe fetar.
Në Samitin e Zagrebit në nëntor të vitit 2000, iu kushtua vëmëndje afrimit të vendeve të Ballkanit me Bashkimin Evropian. Pas luftërave në rajon vatrat e krizave ishin Bosnje-Hercegovina, Maqedonia dhe Kosova, që u monitoruan nga NATO dhe OSBE me trupa. Por nëse proceset demokratizuese nuk do të përfshijnë Serbinë dhe Maqedoninë zyrtare, nëse sipas tyre do të shohin të keqen tek “rebelët” dhe fondamentalistët myslimanë shqiptarë e boshnjakë dhe jo tek politika e tyre nacionaliste, etnike e fetare, vatrat e krizave do të zgjasin. Por pansllavizmi nuk ka shanse për të mbështetur mbijetesën e sundimit serbo-sllav ndaj kombeve e shteteve të tjera në Ballkan.
Situata aktuale gjeopolitike në rajon mund të dallohet nga disa karakteristika ku si ndër me kryesore mund të përmëndim:
-Ballkani do të mbetet një rajon i rëndësishëm gjepolitik, gjeoekonomik e gjeostrategjik ku SHBA-ja, BE-ja e Rusia kanë interesa të mëdha.
-Zona e Evropës Juglindore përfshi edhe vendet e ish Jugosllavisë është përfshirë në një rrugë të pakthyeshme integrimi në strukturat euro-atlantike, duke braktisur ideologjinë komuniste në këto vende, por proceset e transformimit rajonal, janë ende larg përfundimit.
-Në rajon ekziston modeli i ekonomisë në trazicion, e cila nga ana e saj kërkon përfshirjen në invenstimet e huaja.
-Megjithëse është një rajon në tranzicion, marrëdhëniet ndërshtetërore janë mbështetur në marrëveshje dypalëshe duke promovar frymën e dialogut politik, fqinjësisë së mirë, zgjidhjen e problemeve në mënyrë paqësore, duke ndjekur në këtë mënyrë një linjë të përgjithshme evropiane të zgjidhjes paqësore të problemeve.
-Përzirja e disa steriotipeve kulturore e fetare në rajon, ku më predominueset janë ortodoksizmi dhe myslimanizmi, është një karakterstikë tjetër e këtij rajoni.
-Prapambetje e thellë e zonave rurale.
-Gjeopolitika e vendeve të rajonit, nuk ndikohet nga zhvillimet ndërshtetëroe të vendeve të saj, por edhe nga ndikimi në mënyrë direkte i Fuqive të Mëdha nëpërmjet institucioneve ndërkombëtare politike, ekonomike dhe ushtarake.
Pas përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe shpërberjes së dhunshme e ish Jugoslavisë, Ballkani paraqitet me një realitet të ri gjepolitik, ku përveç shteteve kryesore klasike që ishin në rajon pas Luftës së Dytë Botërore, u krijuan edhe shtete të tjera si Sllovenia, Kroacia, Bosnje-Hercekovina, Mali i Zi, Maqedonia dhe Kosova, të cilat kanë edhe karakteristikat e veta dalluese. Karakteristika kryesore është se Ballkani përjetoi tranzicionin më të vështirë për shkaqe historike, politike, ekonomike, ushtarake, gjeopolitike e strategjike që çuan në fragmentizmin e tij, ku për rrjedhojë nga gjashtë shtete kryesore ballkanike pas Luftës së Dytë Botërore si Shqipëria, Greqia, Turqia Evropiane, Jugosllavia, Bullgaria dhe Rumania, pas Luftës së Ftohtë kemi një Ballkan me 12 shtete ku përfshihen shtete të reja si Sllovenia, Kroacia, Bosnje-Hercekovina, Serbia, Maqedonia, Mali i Zi dhe Kosova.
Realiteti i ri gjeopolitik në Ballkan pas shpërbërjes së ish Jugosllavisë, paraqitet si vijon:
Sllovenia. E shkëputur nga ish Jugosllavia në janar 1991, është shteti i parë i rajonit që u anëtarësua në NATO dhe BE, si dhe një nga vendet me të ardhura më të larta në gadishullin e Ballkanit. Për shumë arsye Sllovenia nuk dëshiron të quhet vend ballkanik.
Kroacia. Pas shkëputjes nga ish Jugosllavia në qershor 1990 dhe përfundimit të luftës, ka vazhduar e qetë rrugën e proceseve demokratike e integruese në strukturat euro-atlantike. Është një vend i angazhuar maksimalisht në të gjitha nismat rajonale. Është bërë vend anëtar i NATO-s në Samitin e Strasburgut më 4 prill 2009, si dhe është kandidate favorite për në BE.
Serbia. Zemra e dikurshme e ish Jugosllavisë, nuk ndjehet akoma e çliruar nga e kaluara. Ka shumë probleme të brendshme dhe nevojë për thellim të proceve demokratike. Çështja e Kosovës e ka bërë Serbinë që njërën këmbë ta hedh drejt BE-së dhe tjetrën drejt Rusisë, pozicion të cilin shumë analistë e cilësojnë si politikë tradicionale që i bën gjithmonë serbët të vonuar, pasi një gjë është e sigurt, Kosova nuk kthehet më nën sovranitetin serb. Ka firmosur Partneritetin me NATO-n, mban marrëdhënie me BE-në por pa statusin përkatës.
Bosnje-Hercegovina. Pas një lufte të gjatë etnike (1992-1995) me pasoja katostrofike në të gjitha fushat, ka një strukturë administrative mjaft të komplikuar e lidhur me komponentet etnik, fetar (48.6% boshnjak; 37.10% kroatë; 14.3% serb) bazuar në marrëveshjen e Paqes së Dejtonit dhe është nën administrim ndërkombëtar. Ka firmosur Partneritetin me NATO-n, mban marrëdhënie me BE-në por pa statusin përkatës. Është një realitet i vështirë i bashkëjetesës multietnike dhe ka nevojë të mbështett nga Komuniteti Ndërkombetar.
Mali i Zi. Ka fituar pavarësinë më 3 qershor 2006 pas ndarjes nga bashkësia shtetërore Serbi-Mali i Zi. Është shtet multietnik i përbërë nga popullsi malazeze, serbe, boshnjake, shqiptare, rome, etj. Është një shtet që ka ecur shpejt në rrugën e demokratizimit dhe një nga shtetet që ka ndërtuar marrëdhënie të mira me pothuajse të gjitha vendet e rajonit. Njohja e pavarësisë së Kosovës ka qënë një hap pozitiv në arenën ndërkombëtare, ndonëse ka ndikuar në përkeqësimin e marrëdhënieve me Serbinë. Ka firmosur Partneritetin me NATO-n, mban marrëdhënie me BE por pa statusin përkatës.
Maqedonia, është përkrahur e përshëndetur nga bashkësia ndërkombëtare gjatë konflikteve në Ballkan, si një model i ndërtimit e funksionimit të një shteti multietnik, ndonëse jo në harmoni perfekte, por në bashkëjetesë paqësore. Ngjarjet e vitit 2001, reflektuan edhe njëherë se problemet etnike të vendit nuk ishin zgjidhur, por ishin mbajtur të mbylluar duke u acaruar më tepër për shkak të rënies ekonimike të vendit, situatë e cila u bë e mundur të parandalohej një luftë civile falë bashkëpunimit me BE-në dhe SHBA-në. Ngjarjet e vitit 2001 përfunduan me nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit, e cila ofron mënyrën më të mirë për të mbajtur vendin të bashkuar në një bashkëjetesë multietnike, ndonëse fillimisht u kundërshtua ashpër nga qarqe radikale nacionaliste në Maqedoni. Ka firmosur MSA me BE dhe pas zgjidhjes së çështjes së emrit me Greqinë, pret të marrë menjëherë ftesën për anëtarësim në NATO.
Rumania. Pas përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe fillimit të proceseve demokratike në rajonin e Ballkanit, ka vazhduar e qetë në rrugën e proceseve integruese në strukturat euro-atlantike. Është anëtare e NATO-s që nga viti 2004 dhe anëtare e BE-së që nga 2006, si dhe është një nga vendet e rajonit me rritje më të larta të zhvillimeve ekonomike. Për shkak edhe të pozicionit të saj të rëndësishëm gjeostrategjik në rajon, Rumania synon të shndërrohet në një vend tranzit dhe një nyje lidhëse unifikuese midis rajonit të Kaspikut dhe Evropës.
Bullgaria. Pas përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe fillimit të proceseve demokratike në rajonin e Ballkanit, ka vazhduar me jo pak probleme e vështirësi në rrugën e proceseve integruese në strukturat euro-atlantike. Aktualisht është anëtare e NATO-s që nga viti 2004 dhe anëtare e BE-së që nga viti 2006. Për shkak edhe të pozicionit të saj të rëndësishëm gjeostrategjik në rajon, synon të shndërrohet në një vend tranzit dhe një nyje lidhëse unifikuese kryesisht në fushën ekonomike e energjitike midis rajonit të Kaspikut dhe Evropës.
Turqia. Është vend me rritje të lartë e të qëndrueshme ekonomike, vend anëtar i NATO-s, si dhe vend kandidat për t’u pranuar anëtar i BE-së, proces në të cilin është përfshirë në një debat të ashpër vetë BE-ja, për përfshirjen e një shteti me shumicë myslimane në këtë organizëm evropian. Për shkak edhe të pozicionit të saj të rëndësishëm gjeostrategjik në rajon, synon të shndërrohet në një vend tranzit dhe një nyje lidhëse midis rajonit të Lindjes së Mesme dhe Kontinentit Evropian.
Greqia. Është i vetmi vend në rajon që ka aderuar që herët në organizmat ndërkombëtare si NATO e BE, edhe pse rajoni ka qenë i përshirë i gjithë nën ndikimin e Lindjes dhe komunizmit. Aktualisht është vend në krizë dhe rrezikon të dalë nga euro-zona. Ka një pozicion të rëndësishëm gjeostrategjik. Është në qendër të vëmëndjes së ndihmave evropiane, për shkak të të cilave ka probleme në ekonomi dhe në sistemin politik, vetëm vitet e fundit brenda vitit janë bërë dy zgjidhjë politike. Vazhdimisht Greqia është përpjekur që në realitietin e ri gjeopolitik të krijuar në rajon pas Luftës së Ftohtë, të krijonte zonën e vet të influencës, por mosmarrëveshjet e vazhdueshme me fqinjët nuk ia kanë lejuar asaj të marrë këtë rol drejtues në rajon. Pas zhvillimeve demokratike në rajon, pas viteve ’90 të shek. XX, edhe vende të tjera të rajonit po i zvogëlojnë ndjeshëm këto diferenca me Greqinë.
Shqipëria. Është vendi i fundit që braktisi komunizmin pas një periudhe të gjatë izolimit afro 50 vjeçare. Shqipëria është vendi i parë ish komunist që pas përmbysjes së diktaturës është shprehur zyrtarisht për anëtarësim në BE, si dhe vendi i parë ish komunist që bëri kërkese zyrtare për anëtarësim në NATO. Roli i Shqipërisë në rrafshin rajonal është shumë i rendësishëm i ndikuar nga përhapja rajonale e popullsisë shqiptare, si dhe pozicioni gjeopolitik i saj si një portë midis detit Adriatik dhe gadishullit të Ballkanit. Zhvillimet e brendshme në vend deri në vitin 1996, kishin shumë tregues pozitiv. Ngjarjet e vitit 1997, shkatërruan jo vetëm ç’ka ishte arritur në planin e brendshëm, por ishte edhe një thikë pas shpine për Kosovën, pasi sipas analistëve të ndryshëm, përveç faktorit të brendshëm, kriza mund të jetë shkaktuar edhe nga faktorë të jashtëm, pasi po kristalizohej çështja e Kosovës dhe një Shqipëri e fortë dhe me shumë aleatë në Perëndim, ishte një faktor i jashtëzakonshëm për Kosovën. Shqipëria është ndër të parët vend i rajonit që ka dhënë mbështetje dhe bërë pjesëmarrëse e koalicionit ndërkombëtar kundërterrorizmit, si dhe ka ndjekur me kujdes të gjitha hapat e procesit të integrimit në Strukturat Euro-atlantike. Ka marrë ftesën për anëtarësim në samitin e Bukureshtit në vitin 2008 dhe brenda një kohe të shkurtër, është bërë vend anëtar i NATO-s pas Samitit të Strasburgut më 4 prill 2009. Ka nënshkruar MSA me BE në mars 2009, si dhe ka paraqitur më 28 prill 2009, kërkesën zyrtare për anëtarësim në BE.
Kosova. Është zemra gjeopolitike e gadishullit të Ballkanit, si dhe një rajon me rëndësi të madhe gjeostrategjike, pasi pozicioni i saj gjeografik është mjaft i favorshem për të kontrolluar boshtet e tjera që kalojnë nëpër territorin serb, përfshirë edhe ato që vijnë nga Azia, Evropa Juglindore dhe Rusia. Për këtë, Pavarësia e Kosovës, i krijon disa shqetësime Serbisë në lakmitë e saj gjeopolitike. Fatmirësisht, politika shoviniste e pikëpamjet e mbrapshta gjeopolitike të Beogradit dështuan jo vetëm ndaj popujve të vet sllav, që e paguan me një çmim jo të vogël, por dështuan turpshëm edhe me popullin e Kosovës, njëkohësisht dështuan edhe me provokimet ndaj gjithë kombit shqiptar për ta tërhequr e futur atë në luftë. Pas shpalljes së Pavrësisë në vitin 2008, e krijimit të shtetit të ri të pavarur e demokratik, Kosova me pozicionin që i ka falur natyra në gadishullin e Ballkanit jo vetëm është vendi me rëndësi të madhe gjeopolitike e gjeostrategjike, por zgjidhi përfundimisht vuajtjet historike të popullit të saj heroik, si dhe prishi çdo ëndërr të keqe jo vetëm të shtetit e politikës shoviniste serbe, por edhe kujtdo tjetër që do të tentonte të prishte këtë mjedis të ri gjeopolitik në rajon.
Aktualisht, periudha që po jetojmë, është e dominuar nga fenomeni i globalizmit, i cili nuk na paraqitet vetëm si globalizëm ekonomik, por edhe si globalizim i rreziqeve e kërcënimeve në fushën e sigurisë ndërkombëtare, rajonale e kombëtare. Konfliktet në rajon pas Luftës së Ftohtë kryesisht në ish Jugosllavi, e pamundësia për t’i menaxhuar e zgjidhur nga vet vendet e rajonit, diktuan nevojën e bashkëpunimit të ngushtë me BE-në e NATO-n të cilat luajtën rol vendimtar në ndërprerjen e luftërave, parandalimin e tyre, si dhe vendosjen e paqes e stabilitetit në rajon.
Në periudhën e konflikteve në ish Jugosllavi, strategjia e institucioneve ndërkombëtare, BE-ja dhe NATO-ja për Ballkanin ka qenë arritja e qëllimit kryesor, stabilizimi i rajonit të Ballkanit, të cilin do ta realizonin nëpërmjet drejtimit politiko-diplomatik; strategjiko-ekonomik dhe strategjiko-ushtarak.
Në realitetin e ri gjeopolitik e të mjedisit të sigurisë të krijuar në Ballkan, pothuajse të gjitha vendet e rajonit kanë ndërmarrë hapa pozitiv për të krijuar një stabilitet kolektiv duke përcaktuar rreziqet dhe kërcënimet e përbshkëta të sigurisë në nivel rajonal, si dhe duke përcaktuar rrugë e mënyra më efikase për përballimin e tyre. Krijimi i një mjedisi të ri sigurie në Ballkan, do të mbetet edhe në të ardhmen një nga sfidat kryesore për vendet Perëndimore. Angazhimi intensiv i BE-së dhe NATO-s në Ballkan mbetet akoma një faktorë i domosdoshëm dhe që shpreh qartë dëshirën e vendeve ballkanike për t’u integruar në strukturat euro-atlantike. Synimi i prezencës së NATO-s dhe BE-së në rajon, është të luajnë rol kryesor veçanërisht në zbatimin e reformave në fushën e forcimit të kuadrit ligjor, ushtarake dhe luftën kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar.
Theksuam edhe më lart, vet pozicioni gjeografik dhe ekonomik nga njëra anë, si dhe lidhjet e shumta me popuj të vendeve të ndryshme të Evropës e botës nga ana tjetër, e bëjnë rajonin e Ballkanit, një rajon përparësish e për t’u mos u shmangur në asnjë mënyrë zhvillimeve politike, gjeopolitike e gjeostrategjike që përfshijnë rajonin por edhe me gjerë. Historikisht, në pikëpamje historike dhe gjeostrategjike, rajoni i Ballkanit ka luajtur një rol të rëndësishëm dhe jashtëzakonisht të madh në zhvillimet evropiane.

PËRFUNDIME

Në këndvështrimin gjeopolitik, Ballkani luan një rol të padiskutueshmëm pozitiv, si në Evropën Jugore ashtu edhe në pellgun strategjik të Mesdheut, pavarësisht se rrjedhojat gjeopolitike pas Luftës së Ftohtë do të vazhdojnë të kenë një ndikim shumë të madh mbi Ballkanin. Në Ballkan, problemet e gjeopolitikës së një vendi janë të lidhura në mënyrë të pazgjidhme me problemet rajonale e globale.
Aktualisht, Ballkani përveç proceseve integruese pozitive, po vuan edhe pasojat e shpërbërjes së ish Jugosllavisë, rilindjes së nacionalizmave mbi baza etnike, si dhe të luftës për sundim të etnive të ndryshme. Edhe pas luftës në Kosovë, Ballkani vazhdon të mbetet një rajon i pastabilizuar nga ana politike, sociale, si dhe me prapambetje ekonomike. Tashmë vendet e Ballkanit, përjashtuar Serbinë, kanë synime të sinqerta për normalizimin e vendit dhe arritjen e standardeve të vendeve Evropiane, pasi integrimi në strukturat euro-atlantike, është bërë parësore për interesta e vendeve Ballkanike.
Anëtarësimi në NATO dhe BE do të thotë më shumë siguri, më shumë vlera të njëjta, të cilat përbëjnë edhe një bazë shumë të mirë për të ndërtuar harmoninë në rajon, zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve dhe marrëdhënie të sigurisë dypalëshë dhe shumëpalëshe.
Sigurimi i një paqeje të qëndrueshme në një rajon të ndërlikuar si Ballkani nuk ka qenë asnjëherë e lehtë jo vetëm për popujt e gadishullit por edhe për Fuqitë e Mëdha. Çurçilli e përkufizonte: “Në Ballkan prodhohet më shumë histori se sa konsumohet”.
Analisti gjeopolitik, Karlo Xhani lidhur me këtë problem përcakton si rrugën e vetme të sigurtë për ta bërë rajonin e Ballkanit prodhues sigurie. “… Vetëm integrimi në NATO dhe BE mund të çojë drejt një stabilizimi përfundimtar të Ballkanit, heqja e kufijve të vjetër të pakuptueshëm, lejueshmëria për një kompromis të pranueshëm ndërmjet principeve të vjetra, të respektimit të kufijve dhe të drejtës së vetvendosjes së popujve”.
Demokratizimi i Ballkanit është një proces që synon bashkëjetesën e popujve ballkanas, kthimin e tij në një rajon të stabilizuar e të sigurtë dhe ndërtimin e institucioneve e shoqërive demokratike. Ka një sërë shkaqesh e faktorësh që e bëjnë këtë proces më të gjatë e më të vështirë nga sa ne dëshirojmë:
Së pari, zhvillimet historike shumë shekullore në Ballkan kanë kultivuar një gjendje të trashëguar konfliktuale dhe prapambetje në nivelin demokratik.
Së dyti, shembja e sistemeve dhe udhëhqjeve diktatoriale.
Së treti, ngritja e institucioneve të reja demokratike dhe gjetja e udhëheqësve me formim të evropian.
Së katërti, krijimi i mëndësive dhe traditave demokratike.
Së pesti, procesi i integrimit të vendeve ballkanike në Evropë dhe në institucione ndërkombëtare.
Në përfundim mund të themi se e ardhmja e vendeve të Ballkanit, do të bazohet në zhvillimin dhe konsolidimin e sistemeve politik, nëpërmjet forcimit të demokracisë, ekonomisë së tregut të lirë, shtetit ligjor e të drejtave e lirive të njeriut, të pakicave kombëtare me objektiva bazë ato të procesit të integrimit në strukturat euro-atlantike. Kjo do të jetë sfida e madhe për të gjithë vendet e rajonit në përpjekje për të krijuar në Shqipëri e Kosovë, Mal të Zi e Serbi, Maqedoni e Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë, një model të ri qytetarie, modelin e qytetarit evropian, për të cilin kufijtë shtetëror janë kthyer në kufij gjeografik dhe gjithmonë e më pak të rëndësishëm.

Literatura:
Dr. Lleshi Abaz: “Gjeopolitika e Ballkanit dhe Perspektivat e Sigurisë në Rajon”, GEER Tiranë, 2009.
Kadare Ismail, Ballkani i Jugut, Tirane 2005.
Prof. Dr. Pajtim Ribaj, Sfidat e rajonit te Ballkanit, Tirane 2005.
Prof. Dr. Pëllumb Danaj, Studime për Ballkanin,
Puto Arben, “Analisti i Ballkanit”, Nr.1.

Popular

BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR

BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR
BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR - GJITHASHTU DHE RIPAROJME