Udhezim: Për tatimin mbi te ardhurat



UDHËZIM
NR.5, datë 30.01.2006

 

Për tatimin mbi te ardhurat

Në mbeshtetje të nenit 102, pika 4 te Kushtetutës së Republikës së Shqiperise, si dhe në zbatim të nenit 40 të Ligjit Nr.8438, datë 28.12.1998, “Për Tatimin mbi të Ardhurat’’, i ndryshuar, Ministri i Financave,

UDHËZON:

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

1.1 Objekti i ligjit

Objekt i tatimit mbi të ardhurat janë të ardhurat personale të individeve, fitimi i personave fizikë e juridikë subjekte të këtij Ligji, si dhe të ardhurat për të cilat tatimi mbahet në burim.

1.2 Përkufizim

1.2.1 Termat: ‘’tatimpagues’’, ‘’person’’, ‘’individ’’, ‘’person fizik’’, ‘’’person juridik’’, ‘’ortakëri’’, ‘’persona të lidhur’’ dhe ‘’seli e përhershme’’, etj, kuptimi i të cilave jepet në Ligjin  “Për tatimin mbi të ardhurat”, do të kenë të njëjtin kuptim  si edhe në ligjet e tjera specifike tatimore dhe në terminologjinë e përdorur në Marrëveshjet dypalëshe për eliminimin e tatimeve të dyfishta që Shqipëria ka lidhur me shtete të tjera. Për interpretimin e dispozitave të këtij ligji, veç këtij Udhëzimi, do të merren në konsiderate, sipas rastit, edhe dizpozitat e ligjeve të tjera tatimore dhe të Marrëveshjeve për eleminimin e tatimeve të dyfishta, si dhe të Udhëzimeve të Ministrit të Financave të dala në zbatim të tyre.

1.2.2. Paragrafi “2” i nenit “2” të Ligjit, sqaron kuptimin e “selisë së përhershme”, e cila nënkupton një vend fiks biznesi, nëpërmjet së cilit një person (juridik apo fizik) i huaj ushtron biznes në Republikën e Shqipërisë pa qenë i regjistruar si person juridik apo fizik sipas legjislacionit Shqiptar. Përkufizimi i “selisë së përhershme” është i ngjashëm me përkufizimin e këtij koncepti nga “Modeli i Konventës Tatimore mbi të Ardhurat dhe Kapitalin” botim i OECD-së, Prill 2000, si edhe me përkufizimin e këtij termi në Marrëveshjet Bilaterale Tatimore për Eleminimin e Tatimeve të Dyfishta të hyra ne fuqi ne Shqiperi. Për pasojë në interpretimin e dispozitave që lidhen me selinë e përhershme do të merren në konsideratë edhe sqarimet e bëra në Udhëzimin e Ministrit të Financave nr.6 datë 10.2.2004 “Për Marrëveshjet Bilaterale për Shmangien e Taksimimit të Dyfishtë dhe Parandalimin e Evazionit Fiskal”.

Në rastet kur një biznes plotëson kushtet për t’u konsideruar si seli e përhershme (vend fiks biznesi) në Republikën e Shqipërisë, atëhere të ardhurat që i atribuohen kësaj selie të përhershme tatohen në Republikën e Shqipërisë, sipas dispozitave te akteve ligjore mbi tatim fitimin.

1.3 Rezidenca

1.3.1 Në nenin 3 të Ligjit jepen kriteret e përcaktimit të rezidencës tatimore për individët (paragrafët 1 dhe 2), për personat juridikë (paragrafi 3) dhe për personat fizikë (paragrafi 4).

Në paragrafin e parë të pikës 1 jepet kriteri i vëndbanimit të përhershëm, sipas përcaktimit në nenin 12 të Kodit Civil. Individi konsiderohet rezident shqiptar për qëllime tatimore, kur ka një banesë të përhershme, ka familjen, pra ka interesa jetësore dhe ekonomike në Shqiperi (vendi i interesave jetike), pavarësisht se mund të punojë në periudha të ndryshme jashtë vendit apo mund të ketë nënshtetësi të huaj.
Paragrafi i dytë i pikës 1 ka të bëjë me diplomatët dhe punonjësit  e tjerë shqiptarë të caktuar me punë nga shteti në ambasada, konsullata apo në organizma ndërkombëtare jashtë vendit, të cilët konsiderohen rezidentë tatimorë shqiptarë edhe pse jetojnë me vite jashtë Shqipërisë.
Në pikën 2, jepet kriteri i kohëgjatësisë së qëndrimit në Shqipëri. Pra konsiderohet rezident shqiptar për qëllime tatimore, individi që qëndron në Shqipëri gjatë një viti tatimor, në vazhdim ose me ndërprerje, në total, me tepër se 183 ditë, pavarësisht nga nënshtetësia apo vendi ku ka interesat jetike. Në llogaritjen e kohëgjatësisë së qëndrimit në Shqipëri përfshihen ditët e presencës fizike, pra jo vetëm ditët e punës por edhe ditët e mbërritjes, largimit, pushimet.
Konsiderohet rezident tatimor Shqiptar çdo individ që plotëson njerin ose të dy kriteret e sipër-përmendura (kriterin e vend-banimit dhe kriterin e kohëgjatësisë së qëndrimit).

1.3.2 Në pikën 3 jepen kriteret e përcaktimit të rezidencës tatimore për personat juridikë. Një person juridik konsiderohet rezident tatimor Shqiptar nëse: (i) ka selinë qëndrore (zyrën qëndrore) në Republikën e Shqiperisë; dhe/ose (ii) ka vendin e menaxhimit (drejtimit) efektiv të biznesit në Republikën e Shqipërisë.

1.3.3 Në pikën 4 jepet kriteri i përcaktimit të rezidencës tatimore për personat fizikë tregtarë. Një person fizik konsiderohet rezident tatimor Shqiptar kur ushtron biznesin dhe regjistrohet si person fizik tregtar në Gjykatën Shqiptare dhe në organet tatimore Shqiptare.

1.3.4 Përcaktimi i rezidencës tatimore ka rendësi pasi në bazë të paragrafit 1 të Nenit 7 dhe paragrafit 1 të Nenit 17 të këtij Ligji, personat rezidentë tatimorë Shqiptarë tatohen në Shqipëri për të gjitha të ardhurat e realizuara në shkallë botërore (të ardhurat me burim në Shqipëri dhe jashtë saj). Ndërsa personat jo rezidentë, në bazë të paragrafit 2 të Nenit 7 dhe paragrafit 2 të Nenit 17, tatohen në Shqipëri vetëm për të ardhurat me burim në Republikën e Shqipërisë.

1.3.5 Duhet patur parasysh që për personat që janë rezidentë në vendet me të cilat Shqipëria ka nënshkruar Marrëveshje për Eleminimin e Tatimeve të Dyfishta dhe Parandalimin e Evazionit Fiskal dhe këto marrëveshje kanë hyrë në fuqi, do të zbatohen dispozitat e këtyre Marrëveshjeve.

1.4 Burimi i të ardhurave

1.4.1 Përcaktimi i ‘’burimit të të ardhurave’’ është i rëndësishëm për të kuptuar mënyrën e përcaktimit të detyrimit tatimor të personave rezidentë dhe sidomos për personat jorezidente, të cilët tatohen në Shqipëri për të ardhurat me burim në Republikën e Shqipërisë. Në Nenin 4 të Ligjit Nr 8438 date 28/12/1998, i ndryshuar, “Per tatimin mbi te ardhurat” listohen të gjitha të ardhurat me burim në Republikën e Shqipërisë, por duke mos u kufizuar vetëm në atë listë. Për të përcaktuar të ardhurat me burim në Shqipëri të personave jo rezidentë, mënyra më e lehtë është identifikimi i pagesave që bëhen nga persona rezidentë tatimorë shqiptarë apo nga çdo ent, organ të qeverisjes qendrore dhe vendore, etj. Organi tatimor mund të shfrytëzojë, reklamat, njoftimet në gazeta apo media, informacionet nga bankat apo nga burime të tjera për të identifikuar të ardhurat e realizuara me burim në Shqipëri. Kur këto të ardhura realizohen nga persona jo-rezidentë, apo nga individë apo persona rezidentë shqiptarë që, në bazë të legjislacionit tatimor ekzistues, nuk janë të detyruar të regjistrohen në organet tatimore shqiptare, detyrimi tatimor do të mbahet në burim nga paguesi i të ardhurave. Në pamundësi për këtë, përfituesi i të ardhurave duhet të deklarojë dhe paguajë detyrimin tatimor në organin tatimor përkatës.

1.4.2 Të ardhura me burim në Republikën e Shqipërisë konsiderohen edhe të ardhurat e paguara nga një person (shoqëri, ent, individ, fondacion etj.) jashtë Shqipërisë (jo rezident) por të realizuara për një aktivitet të kryer në Republikën e Shqipërisë (p.sh. një koncert i një artisti në Shqipëri i paguar nga një fondacion i huaj). Pra, në këtë rast, është i rëndësishëm vendi ky kryhet aktiviteti dhe jo vendi ku kryhet pagesa.

1.5 Periudha tatimore

Periudha tatimore përputhet me vitin kalendarik, pra fillon më 1 Janar dhe përfundon më 31 Dhjetor të çdo viti.
2. TATIMI MBI TË ARDHURAT PERSONALE

2.1 Fusha e veprimit të tatimit mbi të ardhurat personale.

Tatimi mbi të ardhurat personale, përfshin te gjitha llojet e të ardhurave të individëve, të parashikuara nga Ligji.

2.2 Shtrirja e detyrimit

Në Nenin 7 “Shtrirja e detyrimit” jepet parimi i përgjithshëm sipas të cilit individët rezidentë i nënshtrohen detyrimit për tatimin mbi të ardhurat personale gjatë periudhës tatimore për të gjitha  burimet e të ardhurave (brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë), ndërsa individët jorezidente i nënshtrohen detyrimit për tatimin mbi të ardhurat personale gjatë periudhës tatimore për të ardhurat me burim në territorin e Republikës së Shqipërisë.

2.3 Të  ardhurat e tatueshme

Në zbatim të Nenit 8, të ardhura të tatueshme për qëllim të tatimit mbi të ardhurat personale, janë kategoritë e të ardhurave të mëposhtme:

2.3.1 Pagat dhe shpërblimet e tjera në lidhje me marrëdhëniet aktuale të punës (të ardhurat nga punësimi). Në këtë kategori të ardhurash përfshihen si pagat, ashtu edhe shpërblime të tjera në vlerë që lidhen me punësimin aktual të individit. Në të ardhura nga pagat përfshihet paga bazë si dhe të gjitha shtesat mbi pagën bazë që kanë karakter të përhershëm si shtesat për vjetërsi, vështirësi, largësi vendbanimi, natyrë të veçantë pune apo shërbimi, si dhe shtesa të tjera page e shpërblimi të bëra me akte të tjera ligjore e nënligjore.

Termi “shpërblime të tjera” përfshin të gjitha të ardhurat apo shpërblimet që përfitohen nga rezultatet e punës në vendin e punësimit aktual të individit. Në këtë kategori bëjnë pjesë të ardhurat që merr individi në formë shpërblimi nga fondi i veçantë, apo nga fonde të krijuara me akte të ndryshme ligjore apo statutore të shoqërive, si pagë e 13-të, apo pagesa të ndryshme të kësaj natyre.
Në grupin “shpërblime të tjera” përfshihen gjithashtu të ardhura që realizohen nga pjesëmarrja e individit në komisione, komitete, këshilla, borde drejtuese, këshilla mbikqyrëse, etj. Në këto raste mënyra e llogaritjes së tatimit mbi të ardhurat personale do të jetë si më poshtë:
            a) Kur shpërblimi i përfituar për pjesëmarrje në komisione, komitete, këshilla, borde drejtuese, këshilla mbikqyrëse etj.,  paguhet jashtë qendrës efektive të punës së individit, këto të ardhura tatohen në masën 10 përqind;
            b) Kur shpërblimi i përfituar për pjesëmarrje në komisione, komitete, këshilla, borde drejtuese, këshilla mbikqyrëse etj., paguhet në qendrën efektive të punës së individit, këto të ardhura do të tatohen duke u bashkuar me pagën e muajit përkatës, sipas tabelës nr. 1 bashkengjitur Ligjit.
Shembull: Supozojmë se individi “X”, i cili është i punësuar në subjektin “Y”, gjatë muajit Dhjetor 2003 ka përfituar këto të ardhura:
- Pagën bazë mujore (përfshirë pjesën e kontributit për sigurime shoqërore dhe shëndetsore që është përballuar nga punëmarrësi) 45.000 lekë;
- Shpërblim nga fondi i veçantë 20.000 lekë;
- Shpërblim prej 15.000 lekë, si anetar i Bordit Drejtues të subjektit  “Y”;
- Shpërblim prej 5.000 lekë nga pjesëmarrja në një komision testimi të subjektit “Y”, i cili mblidhet dy herë në vit;
- Individi X është shpërblyer gjithashtu me 10.000 lekë, nga pjesëmarrja në një Komision Testimi të subjektit “Z”;
- Individi X është shpërblyer gjithashtu me 8.000 lekë për një artikull që ka shkruar në një revistë të huaj.
Detyrimi tatimor për të ardhurat nga paga dhe shpërblimet e tjera për muajin Dhjetor 2003 për individin "X" do të jetë:
·   45.000 (paga bazë +shtesat) + 20.000 (shpërblimi nga fondi i veçantë) + 15.000 (shpërblimi si anëtar i bordit drejtues) + 5.000 (shpërblim nga pjesmarrja në Komisionin e testimit) = 85.000 lekë. Kjo shumë do të tatohet me tatim në burim sipas tarifave progresive të Tabelës nr.1 bashkangjitur Ligjit.
·   Për shpërblimin e marrë nga individi X nga pjesëmarrja në Komisionin e Testimit të subjektit “Z”, detyrimi tatimor është 10 përqind, ose 1000 lekë (10.000 x10 %), tatim që mbahet në burim nga subjekti “Z”;
·   Për të ardhurat e perfituara nga revista e huaj prej 8.000 lekë individi X duhet të deklarojë në organin përkatës tatimor dhe të derdhë një tatim në masën 10%, pra 800 lekë.  

2.3.2 Përjashtohen nga tatimi mbi të ardhurat personale, të ardhurat nga pagat dhe shpërblimet për marrëdheniet e punës të zyrtarëve të konsullatave, diplomatëve, ose funksionareve të ngjashëm të vendeve të tjera, si dhe të organizatave ndërkombëtare të cilët, gjatë kryerjes së funksioneve të tyre zyrtare në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me konventat apo marrëveshjet ndërkombëtare të nënshkruara, ose të pranuara nga Republika e Shqipërisë apo Qeveria Shqiptare, kanë statusin e diplomatit. Nuk do të përfitojnë të drejtën e këtij përjashtimi individët, shqiptare apo të huaj, të cilët mund të jenë të punësuar në këto organizata apo organizma, por nuk kanë statusin e diplomatit. 

2.3.3 Të ardhurat që rrjedhin nga fitimi i ortakut apo i aksionerit në shoqërinë tregtare (Pika b e paragrafit 1). Në kuptim të kësaj pike, behet fjale per të ardhurat që përfitojnë individët, në formën e ndarjes së fitimit nga ortakëritë, apo të dividentit nga shoqëritë tregtare dhe subjekte të tjera të parashikuara nga Ligji për Shoqëritë Tregtare.

2.3.4 Të ardhurat nga interesat bankare, apo ato të përfituara nga letrat me vlerë, me përjashtim të interesave të marra nga bonot e thesarit ose nga letra të tjera me vlerë të Qeverisë të emetuara para hyrjes në fuqi të Ligjit nr. 8438, datë 28.12.1998 “Per tatimin mbi te ardhurat”.

Të ardhura nga interesat bankare konsiderohen të gjitha interesat nga llogaritë personale apo të përbashkëta të individëve, në banka ose në institucione të tjera financiare, si dhe të gjitha interesat nga depozitat personale ose të përbashkëta me afat, në formën e llogarisë me afat, çertifikatës së depozitës me afat, kontratës për depozitë me afat, si dhe çdo e ardhur tjetër në formë interesi.
Tatimit mbi të ardhurat i nënshtrohen të gjitha interesat e lindura dhe te paguara pas datës së hyrjes në fuqi të Ligjit nr. 8438, datë 28.12.1998, për llogaritë dhe depozitat në lekë dhe në valute. Këtij rregulli i nënshtrohen edhe depozitat me afat maturimi më të gjatë se një vit. Tatimi mbi të ardhurat nga interesat në valutë konvertohet në lekë, me kursin mesatar të këmbimit të aplikuar nga vetë banka për blerjen e valutave respektive, në ditën e kryerjes së veprimit.
Moment i pagimit të interesave konsiderohet dita e pagimit të interesave në “cash’’ ose dita e maturimit apo rikapitalizimit të tyre. Bankat apo institucionet e tjera financiare do të llogarisin dhe derdhin në organin tatimor përkatës tatimin mbi interesat brenda datës 15 të muajit pasardhës të muajit të pagimit, maturimit apo kapitalizimit. Në të njëtën mënyrë veprohet edhe për tatimin mbi interesat për llogaritë e mbyllura.
Për të ardhurat nga interesat e bonove të thesarit apo letrat me vlerë të emetuara nga Qeveria në tregun primar dhe të përfituara nga çdo person, tatimi llogaritet dhe derdhet nga Banka e Shqipërisë brenda datës 15 të muajit pasardhës.
Tatimi në burim nuk mbahet kur përfitues i interesave është një person juridik apo person fizik tregtar i regjistruar në organet tatimore dhe subjekt i tatimit mbi vlerën e shtuar dhe i tatimit mbi fitimin, dhe të ardhurat nga interesat përfshihen në të ardhurat e tatueshme të perfituesit. Në këto raste depozita apo bonot e thesarit apo letrat me vlerë ne lidhje me të cilat paguhen interesat duhet të jetë në emër të personit juridik.
Banka mban evidencë për interesat e paguara dhe njofton organin tatimor përkatës brenda datës 15 të çdo muaji për interesat e paguara dhe tatimin e mbajtur në burim për muajin paraardhës.

2.3.5 Të ardhurat e përfituara nga pagesat për të drejtën e autorit dhe pronësinë intelektuale. Këto janë të ardhura që lindin nga përdorimi apo e drejta për të përdorur të drejtat e autorit në letërsi, art, muzike apo shkence, që përfshijnë përdorimin apo të drejtën për të përdorur filmat kinematografikë, filmat dhe regjistrime te ndryshme për radio apo TV, çdo patentë, markë tregtare, skicë apo model, projekt, formulë sekrete, informacion apo proçes teknollogjik, lidhur me aktivitete industriale, tregtare apo shkencore.

2.3.6 Të ardhurat nga enfiteoza, huaja dhe qeratë (pika d). Me termin “enfiteozë” do të kuptohet kontrata me të cilën një personi i jepet e drejta të përdore dhe të përmiresojë një pasuri të paluajtshme, sipas perkufizimit te nenit 784 e vijues te Kodit Civil. E ardhur nga enfiteoza do të konsiderohet shperblimi periodik në të holla ose në natyrë që i paguhet pronarit të pasurisë së paluajtshme nga personi që e merr pronën në përdorim. Në rastet kur marrësi në përdorim, sipas kontratës midis palëve, kryen shpenzime për përmirësimin dhe përshtatjen e kësaj pasurie për nevojat e tij, atëherë këto shpenzime do të konsiderohen si të ardhura për individin pronar të objektit dhe do të tatohen sikur të ishin e ardhur nga enfiteoza.

E ardhur nga huaja do të konsiderohet çdo e ardhur e përfituar nga dhënia në formën e huasë e mjeteve monetare apo të mjeteve të tjera të ngjashme me to.
Të ardhura nga qeraja do të konsiderohen të gjitha të ardhurat e përfituara nga dhënia me qera e tokës, ndërtesave e objekteve të tjera që shërbejnë për banim, aktivitet industrial, tregtar, shërbimi etj., por pa u kufizuar vetëm në to.
Llogaritja e detyrimit tatimor për këtë kategori të ardhurash do të bëhet duke u bazuar në kontratën përkatëse.

2.3.7 Të ardhurat nga kalimi i së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajshme (pika dh). Në këtë grup përfshihen të ardhurat nga shitja e pasurive të paluajtshme ose vlera e tregut e pasurive të paluajtshme të dhuruara. Këto të ardhura tatohen sipas tabelës nr.2 të Ligjit, me përjashtim të transferimit të së drejtës së pronësisë së tokës bujqësore që tatohet me 0.5% të vlerës së transaksionit.

            2.3.8 Të ardhurat e realizuara nga diferenca ndërmjet çmimit të shitjes dhe çmimit të blerjes së kuotave të pjesemarrjes në kapital apo te aksioneve. Në këtë grup përfshihen të ardhurat e realizuara nga shitja e kuotës që një ortak zotëron në një biznes apo ortakëri, apo të ardhurat e realizuara nga shitja e aksioneve. Ndryshe nga grupet e tjera, baza tatimore në këtë rast është diferenca midis:
1.    të ardhurave nga shitja apo likujdimi i biznesit me vlerën e kontributit në para ose natyrë të ortakëve;
            a) të ardhurave nga shitja e kuotës së pjesemarrjes në kapital me vlerën nominale ose të blerjes se kuotes;
            b) të ardhurave nga shitja e aksioneve me vlerën nominale ose të blerjes aksioneve;
            c) totali i kuotës së pjesemarrjes ose pjesës së kapitalit të tërhequr nga një ortak ose pronar me kapitalin fillestar të kontribuar prej tij në kapitalin themeltar.

2.3.9 Të ardhura të tjera që nuk identifikohen në format e paraqitura në këtë nen (pika g). Në këtë grup përfshihet çdo lloj e ardhure me burim në Republikën e Shqipërisë e realizuar nga individë rezidentë ose jo rezidentë, por që nuk identifikohet në format e paraqitura më lart. Në këtë grup përfshihen të ardhurat nga sponsorizimet (p.sh. individë të ndryshëm që nuk janë të regjistruar në organet tatimore marrin sponsorizime nga burime të ndryshme dhe i përdorin për aktivitete artistike apo sportive), të ardhura nga aktiviteti profesional si mësimdhënie, trajnime, shkrime në gazeta, etj., kur përfituesi nuk është i regjistruar në organet tatimore (dhe aktivitete të tilla i ka të përkohshme apo dytësore). Siç shihet, në të gjitha rastet personi përfitues nuk është i regjistruar në organet tatimore, pra nuk i deklaron ato të ardhura në të ardhurat e tatueshme te biznesit.

Edhe në rastet kur paguesi i të ardhurës është person juridik apo fizik i regjistruar në organet tatimore shqiptare ose çdo ent, organizatë joqeveritare, apo organ i qeverisjes qendrore apo vendore në Shqipëri, apo përfaqesi e organizmave ndërkombëtare apo ambasadë e huaj në Shqipëri, tatimi mbahet në burim në masën 10% të pagesës dhe derdhet në organin tatimor përkatës brenda datës 20 të muajit që pason muajin në të cilin është kryer pagesa. Në rastet kur përfituesi është individ rezident Shqiptar dhe paguesi është person jo-rezident (i pa regjistruar në organet tatimore Shqiptare), përfituesi i të ardhurave duhet të deklarojë dhe paguajë tatimin në organin tatimor përkatës jo me vonë se data 20 e muajit që pason muajin në të cilin është kryer pagesa. Deklarimi i të ardhurës dhe i shumës së tatimit bëhet siapas modelit të formularit që i bashkangjitet këtij Udhëzimi.

2.4 Te ardhura te perjashtuara

Në zbatim të Nenit 8/1 “Të ardhura të përjashtuara”, përjashtohen nga detyrimi për pagimin e tatimit mbi të ardhurat personale:
1. Të ardhurat e përfituara si rezultat i sigurimit në skemën e detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetsore si dhe ndihmat ekonmike për familjet dhe individët pa të ardhura apo me të ardhura të ulta sipas përcaktimeve në legjislacionin përkatës;
            a) Bursat e nxënësve dhe studentëve, pavarësisht nga burimi i financimit, përjashtohen nga tatimi mbi të ardhurat personale, deri në masën e përcaktuar në dispozitat e legjislacionit dhe dispozitave nënligjore në fuqi në Republikën e Shqipërisë që sanksionojnë bursat e nxënësve dhe studentëve;
            b) Shpërblimet e marra për rastet e sëmundjeve apo fatkeqesive, në përputhje me dispozitat e legjislacionit dhe dispozitave nën ligjore në fuqi. Këtu përfshihen shpërblimet e dhëna nga punëdhënësi të punësuarve për raste sëmundjesh apo fatkeqesish, por, masa e shpërblimit që përjashtohet nga tatimi nuk duhet të kalojë 20% të të ardhurave vjetore nga punësimi të punonjësit përfitues të shpërblimit;
            c) Të ardhurat e përfituara, përfshirë të ardhurat në formë monetare apo në natyrë, nga pronarët si shpërblim për shpronësimet që i bëhen nga shteti për interesa publike. Në çdo rast përjashtimi duhet të bazohet në dokumentacionin ligjor që vërteton natyrën e këtyre të ardhurave;
            d) Të ardhurat e përfituara si dëmshpërblim i dëmeve nga kompanitë e sigurimit;
            dh) Të ardhurat në natyrë në formën e ushqimeve (antidote) për biznese që e parashikojnë një gjë të tillë në akte ligjore ose nënligjore në fuqi (si minierat, etj.).
            e) Të ardhurat që përjashtohen në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare të ratifikuara nga Kuvendi i Shqipërisë. Në çdo rast përjashtimi duhet të bëhet vetëm pasi të jetë depozituar dokumentacioni ligjor (dispozitat e marrëveshjes) që japin përjashtimin si dhe të jenë respektuar proçedurat e vendosura nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për këtë qëllim.

2.5 Tarifat Tatimore

2.5.1 Në zbatim të Nenit 9, pagat dhe shpërblimet e tjera në lidhje me marrëdhëniet aktuale të punës do të tatohen sipas tarifave të pasqyrës nr.1 “Tabela e Tatimit mbi të Ardhurat nga Punësimi” bashkëngjitur këtij Udhëzimi.

2.5.2 Dividentët, të ardhurat që rrjedhin si fitim i ortakut, qoftë ky ortak i vetëm, interesat nga huatë, depozitat ose kontratat e ngjashme, të ardhurat nga e drejta e autorit ose pronësia intelektuale, qeratë apo të ardhura nga kontrata e tjera të ngjashme (huapërdorja, enfiteoza), tatohen 10 për qind në përputhje edhe me sqarimet e dhëna në dispozitat e tjera të këtij Udhëzimi (pikat 2.3 dhe 5).

2.6 Mbledhja e tatimit

2.6.1 Në zbatim të Nenit 10, çdo punëdhënës që paguan një pagë a shpërblim të parashikuar në gërmën ‘’a’’ të nenit 8 të Ligjit është i detyruar llogarisë dhe të mbajë në burim tatimin mbi të ardhurat personale (të ardhurat nga punësimi) në përputhje me paragrafin e parë të nenit 9 të Ligjit. Tatimi i mbajtur nga punëdhënësi duhet të derdhet në organin tatimor përkatës jo me vonë se data 20 e muajit pasardhës të kryerjes së pagesës. Deklarimi dhe pagesa e këtij tatimi do të bëhet duke përdorur “Formularin e Deklarimit dhe Pagesës të Tatimit mbi të Ardhurat nga Punësimi”, që i bashkangjitet këtij Udhëzimi. Kjo deklaratë paraqitet në Bankën ku kryhet pagesa, dhe, pas kryerjes së pagesës, dërgohet në organin tatimor. Punëdhënësit që janë të regjistruar si tatimpagues të taksës vendore mbi biznesin e vogël, duhet të llogarisin dhe të mbajnë tatimin mbi të ardhurat nga punësimi për çdo muaj, por formulari i deklarimit dhe pagesës dhe derdhja e tatimit për llogari të organit tatimor do të bëhet në baza tremujore, brenda dates 10 të muajit që pason mbylljen e çdo tremujori.

2.6.2 Punëdhënësit detyrohen të bëjnë ndalesat në borderotë e pagave (listpagesat), për efekt të tatimit mbi të ardhurat personale për pagat dhe shpërblimet e tjera në lidhje me punësimin aktual (të ardhurat nga punësimi). Të ardhurat nga punësimi për çdo punonjës dhe llogaritja dhe mbajtja e tatimit pasqyrohen në formularët përkatës që i bashkangjiten këtij Udhëzimi dhe Udhëzimit të Ministrit të Financave ne zbatim te ligjit Nr. 9136, Datë 11.9.2003 “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetesore”, i ndryshuar . Këto të dhëna mujore do të hidhen në librin përmbledhës ku janë pasqyruar të gjithë të punësuarit dhe ndalesat përkatëse sipas muajve. Në fund të fletës të muajit përkatës të regjistrit, regjistrohet edhe numri dhe data e urdhër-xhirimit që pasqyron derdhjen në llogarinë e administratës tatimore të detyrimit përkatës.

2.6.3 Për pagesa të tjera që lidhen me të ardhurat e listuara në gërmat b deri g të Nenit 8, paguesi i të ardhurave mban në burim tatimin, sipas tarifave të përmendura në pikën 2.5.2. më lart, dhe e derdh atë në organin tatimor përkatës jo më vonë se data 20 e muajit pasardhës të kryerjes së pagesës. Për të ardhurat nga lojrat e fatit tatimi mbahet në burim dhe paguhet brenda 24 orëve nga kryerja e pagesës.

2.6.4 Për të ardhura të realizuara nga burime jashtë Shqipërisë dhe/ose të paguara nga persona të cilët nuk mund të bëjnë mbajtjen e tatimit në burim për llogari të organeve tatimore Shqiptare, perfituesi i të ardhurave është i detyruar të deklarojë dhe të paguajë në organin tatimor përkatës tatimin në masën 10 perqind të të ardhurave të realizuara jo më vonë se data 20 e muajit që pason muajin në të cilin është kryer pagesa.

2.6.5 Punëdhënësit duhet të paraqesin në organin tatimor, dokumentat e referuara më lart edhe në rastet kur, për shkak të nivelit të ulët të të ardhurave nga punësimi, nuk është mbajtur tatim në burim mbi të ardhurat nga punësimi.

2.7 Kalimi i së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme

2.7.1 Me kalim të së drejtës së pronësisë do të kuptojmë nje akt shitjeje apo dhurimi të pasurive të paluajtshme. Në rastin e dhurimit, për efekt të llogaritjes së tatimit, vlera e pasurisë së paluajtshme që dhurohet përcaktohet në bazë të vlerësimit të berë nga zyra e regjistrimit të pasurive nëpërmjet agjenteve vlerësues të autorizuar prej saj.

2.7.2 Kalimi i të drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme, tatohet sipas pasqyrës nr. 2 “Tatimi mbi Kalimin e të Drejtës së Pronësisë mbi Pasuritë e Paluajtshme” bashkëngjitur këtij Udhëzimi, me përjashtim të kalimit të së drejtës së pronësisë mbi tokën bujqësore që tatohet me 0,5% të vlerës së transaksionit.

2.7.3 Tatimi mbi të ardhurat nga kalimi i të drejtës së pronësisë paguhet nga individi që kalon të drejtën e pronësisë mbi pasurinë e paluajtshme. Derdhja bëhet para kryerjes së regjistrimit të sendeve të mësipërme, në përputhje me aktet ligjore. Zyrat e regjistrimit të pasurisë së paluajtshme mbledhin tatimin lidhur me kalimin e të drejtës së pronësisë së pasurisë së paluajtshme dhe e derdhin atë brenda 10 ditëve nga kryerja e veprimeve në llogarinë e administratës tatimore. Brenda datës 10 të muajit pasardhës, zyrat e regjistrimit të pasurisë së paluajtshme, dërgojnë në degën përkatëse të tatimeve evidencën përkatëse e cila përmbledh emrin e personit tatimpagues, shumën e llogaritur të tatimit si dhe numrin dhe datën e dokumentit të derdhjes së këtij detyrimi në organin tatimor.

2.8 Detyrimi i individeve për të deklaruar

Çdo individ që gjatë periudhës tatimore, përfiton të ardhura, të cilat i nënshtrohen tatimit mbi të ardhurat personale, i deklaron çdo vit këto të ardhura sipas pasqyrës bashkëngjitur këtij udhëzimi. Nuk i nënshtrohen detyrimit për paraqitjen e deklaratës individët, të ardhurat e vetme të të cilëve janë ato sipas paragrafit të pikës „a”, „b”, „c” të nenit 8 dhe nenit 33 të këtij ligji. Kjo deklaratë dorëzohet në organin tatimor të juridiksionit brenda 30 ditëve nga përfundimi i periudhës tatimore (brenda 30 janarit të vitit pasardhës).    

2.9 Kundervajtjet administrative dhe denimet

Në zbatim të neneve 14 dhe 15, mosparaqitja në kohë e formularëve të deklarimit dhe pagesës së tatimit mbi të ardhurat personale dhe të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetsore, dënohet me 10% të shumës përkatëse të detyrimit tatimor për të ardhurat nga punësimi, por jo më pak se 10 mijë lekë për çdo muaj ose pjesë të muajit të vonesës në paraqitjen e këtyre dokumentave.
3. TATIMI MBI FITIMIN

3.1 Fusha e veprimit të tatimit mbi fitimin

Personat që i nështrohen tatimit mbi fitimit janë:
·   Personat juridikë të krijuar sipas Ligjit ‘’Për shoqëritë tregtare’’ dhe që janë të regjistruar për TVSH-në;
·   Personat juridike të themeluar sipas Kodit Civil të cilët ushtrojnë veprimtari fitimprurese në territorin e Republikës së Shqipërisë;
Personat e tjerë juridikë të themeluar ose të njohur si të tillë me Ligje të veçanta;
·   Ortakëritë sipas përcaktimit në pikën d të nenit 2 të Ligjit;
·   Personat juridike, ortakëritë apo bashkimet e tjera të personave, të themeluara ose të organizuara në bazë të një Ligji të huaj dhe që ushtrojnë veprimtari në territorin e Republikës së Shqipërisë nëpërmjet një selie të përhershme;
·   Çdo person tjetër, pavarësisht nga forma juridike e regjistrimit të tij, përfshirë personat fizikë që nuk janë subjekte të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin, por janë të regjistruar si subjekte të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar.

 

3.2 Detyrimi  për të paguar

Në zbatim të nenit 17, tatimpaguesit rezidentë, të cilët i nënshtrohen detyrimit për tatimin mbi fitimin, do të tatohen në Shqipëri për fitimet e realizuara nga të gjitha burimet, brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

Shembull:
Një person juridik rezident shqiptar, zhvillon aktivitetin e tij në Tiranë (ku ka zyrat qendrore dhe/ose qendrën efektive të menaxhimit të biznesit të tij) dhe ka njëkohësisht aktivitet (degë, pika shitje – seli të përherëshme) në Durrës si dhe në Milano të Italisë.
Supozojmë se fitimet e realizuara nga ky subjekt për vitin 2006 kanë qenë:
·             Në Tiranë                                  10.000.000 lek
·             Në Durrës                                   7.000.000 lek
·             Në Milano                                   8.000.000 lek
·             Totali                                          25.000.000 lek
Në këtë rast, tatimpaguesi rezident shqiptar në fjalë, paguan tatim mbi fitimin në masën 20% mbi fitimin total prej 25.000.000 lekë të realizuar nga të gjitha burimet brenda dhe jashtë vendit. Ky fitim duhet të pasqyrohet në bilancin përmbledhës të zyrave qendrore në Tiranë. Në këtë shembull, nuk eshte konsideruar mundësia e kreditimit te tatimin fitimit te paguar në Itali, problem i cili trajtohet në pikën 7 të këtij Udhëzimi.
Ndërsa tatimpaguesit jorezidentë, paguajnë tatim mbi fitimin vetëm për fitimet me burim në Republikën e Shqipërisë.
Shembull:
Një person juridik rezident italian (i krijuar sipas ligjit Italian), përveç aktivitetit në Itali, ushtron aktivitet edhe në Shqipëri ku vepron si person jorezident në zbatim të legjislacionit shqiptar nëpërmjet një selie të përhershme (që mund të jetë një shesh ndërtimi, një zyrë, zbatimi i një projekti, etj).
Fitimet e realizuara përkatësisht supozojmë se janë:
·             Ne Itali                                         5.000.000 lek
·             Ne Shqiperi                                2.000.000 lek
Në këtë rast, tatimi mbi fitimin që ky tatimpagues paguan në Shqipëri është 2.000.000 x 20% = 400.000 lekë, pasi ai është tatimpagues jorezident dhe paguan tatim mbi fitimin vetëm për fitimet e realizuara në Shqipëri.

3.3 Përjashtimet

Të përjashtuar nga tatimi mbi fitimin janë:
            a) Organet e qeverisjes qendrore dhe vendore.
            b) Banka e Shqipërisë.
            c) Personat juridikë që ushtrojnë veprimtari të karakterit fetar, humanitar, bamirës, shkencor apo edukativ, pasuria apo fitimi i të cilave nuk përdoret për përfitime nga organizuesit apo anetarët e tyre. (Në rast se këto     subjekte ushtrojnë edhe veprimtari të tjera të karakterit ekonomik me qëllime fitimi, këto aktivitete janë të tatueshme në bazë të këtij Ligji). Për aktivitetin ekonomik me qëllim fitimi, personat e përmendur në këtë pikë janë të detyruar të deklarojnë në organet tatimore. Në këtë rast, si shpenzime të njohura do të jenë vetëm shpenzimet e kryera për aktivitetin ekonomik fitimprurës dhe si të ardhura do të konsiderohen të ardhurat që i atribuohen këtij aktiviteti ekonomik. Shpenzimet e tjera që kanë të bëjnë me veprimtari të karakterit fetar, humanitar, bamirës, shkencor apo edukativ, nuk njihen si të zbritshme.
            d) Organizatat e punës (sindikatat, konfederatat) dhomat e tregëtisë industrisë apo bujqësisë si dhe organizmat e ngjashme me to që nuk kanë qëllime fitimi si: urdhëri i mjekut, dhomat e avokatisë, instituti i ekspertëve kontabël, etj; me kusht që pasuria apo fitimi i tyre të mos përdoret për përfitimin e një individi apo të një anetari të tyre. Po kështu, në rast se subjektet e përmendura në këtë pikë, ushtrojnë edhe veprimtari të tjera të karakterit ekonomik fitimprurës, ky aktivitet është i tatueshëm në bazë të këtij Ligji.
            e) Organizatat ndërkombëtare dhe përfaqësitë e tyre në Republikën e Shqipërisë (si përfaqësitë apo organizmat e Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Europian, etj.), agjensitë e bashkëpunimit teknik dhe përfaqësitë e tyre, që janë të njohura si të tilla nga Shteti Shqiptar me dispozita ligjore, dhe përjashtimi nga tatimi i të cilave është parashikuar në marrëveshje të veçanta.
            f) Personat e parashikuar në marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara nga Kuvendi i Shqipërisë.
            g) Fondacionet ose institucionet financiare jo bankare të krijuara me Vendim të Këshillit të Ministrave që nuk kanë qëllim fitimi por kanë për qëllim mbështetjen e politikave zhvilluese të Qeverisë nëpërmjet dhënies së kredive favorizuese për zhvillimin e sektorëve të caktuar si bujqësisë, bizneseve të vogla, etj.
            h) Shtëpitë filmike të prodhimit kinematografik, të liçensuara dhe të subvencionuara nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë.
Për përjashtimet e parashikuara në pikat “c’’ deri “ë” me sipër, Degët e Tatimeve kërkojnë për çdo rast miratim në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.

3.4 Fitimi i tatueshëm

Deklarimi dhe llogaritja e tatimit mbi fitimin bazohet në “Formularin e Deklarimit dhe Pagesës së Tatimit mbi Fitimin”, sipas modelit që i bashkangjitet këtij Udhëzimi.
Për përcaktimin e fitimit të tatueshëm të një periudhe tatimore do të shërbejë si bazë bilanci kontabel dhe anekset e tij, të cilat duhet të jenë në përputhje me Ligjin nr. 7661, datë 19.1.1993 “Për kontabilitetin”, me dispozitat e Ligjit nr. 8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi te ardhurat”, I ndryshuar, si dhe dispozitat e këtij udhëzimi. Në parim, fitimi ose e ardhura neto e tatueshme, del si rezultat i diferencës midis të ardhurave totale (të ardhurat nga aktiviteti normal dhe të ardhura të jashtëzakonshme), përfshirë vlerën e përfitimeve dhe të avantazheve në natyrë, me shpenzimet e kryera me qëllim realizimin dhe ruajtjen e te ardhurave.

3.5 Shpenzimet e njohura

Shpenzime të njohura jane ato qe kryhen për qëllime të biznesit, që synojnë sigurimin dhe ruajtjen e të ardhurave. Keto janë të gjitha shpenzimet (përfshirë shpenzimet e jashtezakonshme) e biznesit, me përjashtim të atyre që janë kryer me qëllim formimin dhe rritjen e kapitalit. Shpenzimet e njohura janë kryesisht shpenzime të destinuara për të ruajtur ekzistencën e kapitalit si burim i të ardhurave dhe për të siguruar në kohën e duhur riformimin apo zëvendësimin e kapitalit (p.sh amortizimi). Shpenzimet e njohura janë shpenzime që njihen si të zbritshme nga të ardhurat për përcaktimin e fitimit të tatueshëm. Për të qënë të njohura (të zbritshme) shpenzimet duhet të përmbushin këto kushte:
a.    të jenë kryer në interes të drejtëpërdrejtë të veprimtarisë ekonomike prej së cilës realizohen të ardhurat ose të jenë të lidhura me drejtimin normal të aktivitetit të tatimpaguesit;
b.    të jenë kryer ose të jenë përballuar efektivisht dhe të jenë të mbështetur në dokumente justifikuese të njohura ligjërisht;
c.    të jenë pasqyruar nëpërmjet një veprimi kontabël duke pakësuar aktivet neto;
d.    në çdo rast shpenzimet duhet të jenë të provuara nga tatimpaguesit me dokumentacionin përkatës ligjor. Dokumente të përdorura si bazë për justifikimin e shpenzimit, për efekt tatimor, është fatura tatimore me TVSH, fatura e thjeshtë tatimore, faturat e leshuara nga persona jo-rezidentë që nuk janë të regjistruar në organet tatimore shqiptare dhe çdo dokument tjetër i lëshuar nga ente ose organizma juridike (p.sh. Ambasada të huaja, organizma ndërkombëtare, Zyra pune, Komisariate Policie, etj.) për pagesat e tarifave të shërbimeve që këto ente i kryejnë tatimpaguesve, subjekt i tatimit mbi fitimin në Shqipëri. Degët e tatimeve mund të kërkojnë interpretimin me shkrim nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve lidhur me dokumenta të tjera të cilat nuk janë parashikuar në këtë udhëzim por që vërtëtojnë shpenzime biznesore të subjektit.
Materialet dhe mallrat publicitare si postera, spote publicitare ato filmike dhe fotografike, masa e produkteve te te cilave reklamohen ne promovimet e promocionet e organizuara, qe mbeshtetur ne dokumentacionin justifikues, kryhen per qellime te biznesit, bazuar ne nenin 20 te Ligjit,  njihen si shpenzime te njohura per efekt  fiskal. Dokumentacioni qe duhet te perdoret per rastet e promocioneve dhe promovimit jane:
- Vendimi i asamblese se ortakeve ose administratorit ku te jene te percaktuar vendi, periudha e organizimit te promocionit, sasia e produkteve qe do te shperndahen, materialet  publicitare qe do te perdoren, etj.
- Projekt – ideja lidhur me menyren e organizimit te promocionit dhe promovimit.
- Proçes - verbali per produktet qe shperndahen me personat qe perfitojne produktin falas                                                                                                                                                                           
- Flete shoqerimi malli, me ekstreme te plotesuara, ku tek  marresi i mallit do te firmosin promovusit e shoqerise. Fleta e shoqerimit te mallit do te jete ditore per çdo promovues te ciles duhet ti bashkangjiten ne fund te dites proçes verbalet e mbajtura me personat perfitues.
Dokumentacioni qe duhet te perdoret per dhenien e dhuratave  simbolike :
-Vendimi i asamblese se ortakeve ose administratorit per llojin dhe sasine totale te mallrave qe dhurohen dhe kujt do ti dhurohen

3.6 Shpenzime të panjohura

Në përcaktimin e fitimit të tatueshëm, nuk do të njihen si shpenzime të zbritshme, shpenzimet e mëposhtme:
           a. Kosto e blerjes dhe e përmirësimit të tokës dhe truallit, konsiderohet shpenzim që nuk ka lidhje me rezultatin ushtrimor përkatës, por me investimin në aktivet e biznesit.
           b. Kosto e blerjes, përmirësimit, rinovimit dhe rikonstruksionit të aktiveve, të cilat janë objekt i amortizimit. Për efekte fiskale, në kostot e përmirësimit, rinovimit dhe rikonstruksionit të aktiveve të qëndrueshme hyjnë shpenzimet që kanë për qëllim përmirësimin e kapacitetit përfitues të ardhshëm të aktiveve dhe vlera e të cilave është më e madhe se 15 përqind e vlerës kontabile të mbetur të aktiveve për të katër kategoritë e tyre.
          c. Çdo zmadhim i kapitalit të shoqërisë, ose i kontributit në ortakëri, mbi kapitalin ose kontributin fillestar të përcaktuar në kontratën dhe statutin e shoqërisë apo ortakërisë.
          d. Vlera e shpërblimeve në natyrë, e cila nënkupton çdo shpërblim të paguar jo në para, por në natyrë dhe që merret si shpërblim, për punën e kryer nga të punësuarit apo persona të tjerë. Të kësaj natyre janë shpërblime të tilla si: kompensimet ushqimore, dhurimi i automjeteve, i paisjeve elektroshtëpiake, bileta për udhëtime turistike, dhënie në përdorim e banesave apo ambjenteve për qëllime personale apo qëllime të tjera që nuk kanë lidhje direkte me biznesin, etj. Vlera e shpërblimeve në natyrë është shpenzim i panjohur për shkak të faktit se ato nuk tatohen si te ardhura personale ne zbatim te nenit 8 të Ligjit dhe të pikës 2.3 të këtij Udhezimi. Në rastet kur shpërblimet e paracaktuara në natyrë jepen në para (psh kompensimi ushqimor për të punësuarit jepet në lekë, pasi subjekti nuk ka mencë për gatim) ato do të konsiderohen si të ardhura personale të individit dhe do të tatohen  së bashku me pagën sipas tabelës nr. 1 bashkangjitur Ligjit, ndërkohë që do të konsiderohen si shpenzime të zbritshme të biznesit. Kur shpërblimet në natyrë i jepen personave të tretë (jo të punësuar) ato në asnjë rast nuk do të njihen si shpenzime të lejuara.
         e. Kontributet vullnetare për pensione apo sigurime të tjera, (ndërkohë që kontributet e detyrueshme të punëdhënësit sipas ligjit janë shpenzime të zbritshme të biznesit).
          f. Dividentët apo ndarjet e fitimit për aksionerët apo ortakët, pasi ato paguhen nga fitimi pasi të jetë paguar tatimi mbi fitimin.
          g. Interesat e paguara nga tatimpaguesi gjatë vitit ushtrimor, të cilat tejkalojnë normën mesatare të interesit 12 mujor të kredisë për tregun bankar sipas publikimit zyrtar të Bankës së Shqipërisë.
Po kështu konsiderohet shpenzim i panjohur, shuma e interesave të huasë që kalon raportin 1 me 4, d.m.th. 1 njësi kapitale te veta (kapitali themeltar + diferenca nga rivleresimet + primet + rezerva te ndryshme + fitime/humbje te mbartura + fitime/humbje te ushtrimit) kundrejt 4 njësi hua, sipas përcaktimit të bërë në paragrafin 2 të nenit 21 të Ligjit. Huate bankare afatshkurtra me një kohezgjatje me te vogel se nje vit kalendarik nuk konsiderohen per efekt te llogaritjes se raportit te huasë si më sipër. Nga ky kufizim (raporti 1:4) përjashtohen Bankat dhe Shoqëritë e Sigurimit.
         h. Gjobat, kamatvonesat dhe kushtet e tjera penale që paguhen nga subjekti për shkelje të ndryshme ligjore apo administrative, jane shpenzime te panjohura per efekt fiskal. Ne rastin e faljes se gjobave, kamatvonesave dhe kushteve te tjera penale me akte ligjore e nenligjore (akte administrative) te ardhurat e perfituara nga falja e tyre jane te ardhura te patatueshme ose shpenzime te njohura per efekt fiskal nese fillimisht ne momentin e vendosjes se tyre keto gjoba, kamatvonesa apo kushte te tjera penale jane pasqyruar si shpenzime te panjohura per efekt fiskal.  
          i. Krijimi ose rritja e rezervave dhe e fondeve të tjera speciale. Ne baze të ligjit, rezervat krijohen nga fitimi pas tatimit. Këtu përjashtohen rastet kur krijimi i rezervave parashikohet në ligje apo në akte të tjera nënligjore, si në ligjin Nr. 9267, datë 29.7.2004 “Për veprimtarinë e sigurimit dhe risigurimit” i ndryshuar, si dhe në ligjin dhe rregulloret e Bankës së Shqipërisë. Me rezerva dhe fonde të tjera duhen kuptuar edhe provigjonet për rreziqe (humbje) dhe shpenzime (detyrime) të krijuara nga fitimi pas tatimit sipas përcaktimit në nenin 38 të Ligjit ‘’Për kontabilitetin’’. Pra për qëllim të llogaritjes se tatimit mbi fitimin, provigjonet që krijohen për mbulimin e humbjeve ose të shpenzimeve të pritshme, nuk përbëjnë shpenzime të njohura për efekt fiskal.
          j. Tatimi mbi të ardhurat personale, akciza, tatimi mbi fitimin dhe TVSH e zbritshme, si më poshtë:
·             Tatimi mbi të ardhurat personale mbahet 100 përqind nga paga e të punësuarve me detyrimin ligjor për t’u transferuar në llogarinë e organeve tatimore sipas përcaktimeve ligjore. Këtu bëhet fjalë për tatimin mbi të ardhurat personale të llogaritur dhe të mbajtur nga punëdhënësi mbi pagën bruto të punëmarrësve, pagë e cila është përfshirë njëherë në shpenzimet e biznesit. Në këtë mënyrë shmanget mundësia e dublimit të këtyre shpenzimeve në shpenzimet e njohura;
·             Tatimi mbi fitimin llogaritet mbasi është përcaktuar rezultati financiar (fitim ose humbje). Në këtë kuptim ai nuk është shpenzim por pjesë e rezultatit;
·             TVSH e zbritshme nuk kontabilizohet në llogarinë e shpenzimeve, ajo redukton TVSH e llogaritur ne shitje, duke u kontabilizuar ne  llogarine e TVSH-se. Perjashtimisht  rastet  kur TVSH-ja ne blerje nuk kreditohet sipas Ligjit “Per Tvsh” dhe Udhezimit ne zbatim te tij, ne  keto raste kjo shume e  Tvsh-se do te kontabilizohet ne llogarine e shpenzimeve dhe do te njihet  si shpenzim i zbritshem per efekt  fiskal.
·             Akciza e paguar në blerje ose në import në çdo rast është shpenzim i zbritshëm. Kështu p.sh. nëse një shoqëri transporti blen karburante, në çmimin e të cilave është përfshirë edhe akciza, e gjithë vlera e këtyre shpenzimeve është shpenzim i njohur. E kundërta ndodh me akcizën e llogaritur në shitje. Kjo akcizë nuk njihet si shpenzim i zbritshëm. Kështu p.sh. një tatimpagues prodhues birre, kur shet birre, llogarit edhe akcizën përkatëse të cilën e mbledh dhe e derdh për llogari të shtetit. Në këtë rast për pjesën e akcizës së llogaritur nuk preken llogaritë e të ardhurave dhe të shpenzimeve. pasi akciza në këtë rast është shtesë mbi çmimin e shitjes (kosto plus fitim) dhe nuk  zbritet nga shpenzimet e biznesit;
·             Tatimi i mbajtur në burim si pjesë e pagesës për shërbime teknike apo shërbime të tjera, nuk rëndon veçmas llogaritë e shpenzimeve, pasi pagesa bruto për shërbimin (përfshirë tatimin në burim) njihet si shpenzim.
          k. Shpenzimet e përfaqësimit dhe shpenzimet për pritje-përcjellje që tejkalojnë vleren e 0,3 % të qarkullimit vjetor (siç është përkufizuar qarkullimi vjetor ne Udhezimin e Ministrise se Financave “Per TVSH”). Në shpenzimet e përfaqesimit përfshihen shpenzime me karakter të përgjithshëm që një shoqëri bën për prezantimin dinjitoz të saj në marredhëniet me partnerët apo institucione të tjera, p.sh. organizimi i takimeve, prezantimi i projekteve të reja, perurimi i linjave apo prodhimeve të reja, qerasjet dhe pritje-përcjelljet që lidhen me mardhëniet e biznesit
l. Shpenzimet e konsumit personal, ku përfshihen të gjitha shpenzimet e karakterit të konsumit personal, të cilat nuk kanë lidhje direkte me mbarëvajtjen dhe rezultatin e biznesit. Të tilla shpenzime konsiderohen për shembull kur tatimpaguesi një pjese të mallrave të prodhuara apo të tregëtuara prej tij i përdor për konsum personal apo familjar, kur një pjesë të karburantit e përdor për automjetin personal apo familjar, shpenzimet telefonike për vete apo persona të tjerë që nuk janë të punësuar në biznes apo funksionet e tyre nuk i justifikojnë këto shpenzime. Gjithashtu, konsiderohen si shpenzime të konsumit personal dhe të panjohura për efekt fiskal edhe shpenzimet për qeratë e banesave, të cilat shërbejnë për akomodimin dhe fjetjen e punonjësve vendas dhe të huaj, pavarësisht nga kushtet e vëna në kontratën e punësimit ose shërbimit.
m. Shpenzimet që kalojnë kufijtë e përcaktuar në ligje apo akte nënligjore, siç janë:
·             shumat e amortizimit të aktiveve të biznesit, të cilat tejkalojnë normat e përcaktuara në nenin 22 të këtij Ligji;
·             shpenzimet që tejkalojnë kufirin e përcaktuar në ligjin “Për sponsorizimet”, jo më shumë se 4% të fitimit para tatimit për sponsorizimet në përgjithesi dhe jo më shumë se 10% për sponsorizimet për aktivitete kulturore, sportive,etj., sipas përcaktimit në Ligjin “Për Sponsorizimet”, por në asnjë rast totali i sponsorizimeve nuk duhet të kalojë 10% të fitimit para tatimit. Për një tatimpagues i cili rezulton me humbje në vitin korent, shpenzimet e kryera nga ai për sponsorizime gjatë këtij viti, janë shpenzime të panjohura, pra në këtë rast për efekt fiskal, për këtë tatimpagues bëhet korigjimi i rezultatit;
·             Shpenzimet e kryera për dieta të cilat kalojnë kufirin prej 3 mijë lekë për ditë të plota shërbimi brenda vendit dhe 1 mijë lekë për gjysëm ditë shërbimi brenda vendit si dhe shpenzimet e kryera për dieta jashtë vendit të cilat kalojnë kufirin prej 60 EURO për çdo ditë të plotë shërbimi dhe 30 EURO për çdo gjysëm dite shërbimi. Shpenzimet për shërbimet e biznesit brenda ose jashtë vendit duhet të justifikohen me dokumentat përkatëse të udhëtimit, si dokumentat e transportit, faturat e hotelit, pasaporta (vulat e hyrjes e të daljes nga vendi), etj., si dhe dokumentacioni teknik që vërteton nevojat e biznesit të shërbimit brenda ose jashtë vendit; etj.
          n. Shpenzimet për dhurata nuk njihen si shpenzim biznesi, përjashtuar dhuratat simbolike brenda kufirit të shpenzimeve të përfaqesimit te parashikuara ne germen “k” te pikes 3.6.
          o. Shpenzimet që rrjedhin si rezultat i korigjimit të regjistrimeve të gabuara kontabile të kryera vitet e kaluara. Në zbatim të Ligjit ‘’Për kontabilitetin’’, regjistrimet e gabuara kontabile të viteve të kaluara korigjohen në vitin që ato konstatohen, por efekti fiskal i tyre do të llogaritet që nga periudha kur janë regjistruar në mënyrë të gabuar. Në këto raste paguhet detyrimi dhe interesat, por nuk aplikohen gjoba.
          p. Çdo shpenzim, masa e të cilit nuk vërtetohet me dokumente nga tatimpaguesi. Kjo do të thotë se asnjë shpenzim per blerje brenda vendit nuk është i njohur nëse ai nuk justifikohet me një nga dokumentat e përshkruara në pikën 3.5, d). Fatura që lëshohet nga tatimpaguesit e biznesit të vogël është dokument justifikues për shpenzimet vetëm në rast se ajo përmban të gjithë elementet që përcakton Ligji ‘’Për dokumentimin dhe mbajtjen e llogarive për tatimet’’ (numrin rendor, datën dhe vendin e lëshimit, numrin e Çertifikatës së Ushtrimit të Veprimtarisë, emrin dhe adresën e shitësit dhe blerësit, sasinë, çmimin dhe vleftën e plotë të shitjes, etj.). Kuponat tatimorë të lëshuar me arkat regjistruese dhe dëftesat tatimore nuk njihen si dokumente justifikues për shpenzimet.
q. Në bazë të shkronjës ll të paragrafit 1 të Nenit 21, nuk do të njihet si shpenzim i lejuar vlera e faturave të pranuara për shërbime që janë kryer nga persona jo-rezidentë që nuk janë të regjistruar në organet tatimore shqiptare, nëse brenda vitit kalendarik nuk është paguar tatimi në burim për ato shërbime. Kjo dispozitë ka synim shmangien e abuzimeve që janë vërejtur tek tatimpagues shqiptarë që kanë pranuar faturime për shërbime teknike dhe konsulenca nga jashtë (kryesisht nga persona të lidhur) i kanë kontabilizuar ato duke rritur shpenzimet (pra kanë ulur për atë vleftë fitimin e tatueshëm) dhe nuk kanë kryer likujdimin duke e spostuar atë nga një periudhë tatimore në tjetrën, duke mos paguar tatimin në burim. Në një rast të tillë, fatura e pranuar do të konsiderohet shpenzim i panjohur për efekt fiskal në fund të periudhës tatimore, përderisa ajo të jetë likujduar ose të jetë paguar tatimi në burim në masën 10%.
           r. Humbjet, dëmtimet, firot dhe skarcot gjatë prodhimit, tranzitimit dhe magazinimit do të njihen si shpenzim i lejuar deri në nivelin e përcaktuar në aktet ligjore apo nënligjore përkatëse. Në rastet kur akte të tilla mungojnë, Ministritë apo Institucionet Qendrore përkatëse duhet të paraqesin në Këshillin e Ministrave projekt-vendimet për miratimin e kufijve maksimalë të normativave apo firove. Pra me ligj apo me Vendim të Këshillit të Ministrave duhet të jenë të përcaktuar kufijtë maksimalë të normativave apo firove, dhe, sigurisht, firot faktike duhet të jenë të dokumentuara me dokumentacionin përkatës teknik e financiar.
          s. Në rastin e nxjerrjeve jashtë përdorimit ose shkatërrimit të materialeve apo mallrave të cilat për arsye të ndryshme, si dëmtime, kalim i afatit të skadencës, etj., janë të papërdorshme ose të pa tregtueshme apo tregtohen më çmime të ulura, perfshire uljen sezonale, shpenzimet përkatëse ose të ardhurat e reduktuara do të njihen për efekt fiskal vetëm nëse vërtetohen me proces-verbalin përkatës të mbajtur nga një komision të posaçëm vlerësimi, dhe subjekti ka njoftuar organin tatimor përkatës. Ky  njoftim duhet te shoqerohet me nje kopio te proçes verbalit perkates. Organi tatimor mund te dergoje perfaqesuesin e vet qe te jete prezent ne momentin e nxjerrjes jashte perdorimit ose shkaterrimit te mallit, jo me vone se 5 dite nga data e njoftimit.Per hipermarketet ky afat eshte 24 ore.  Proces-verbali i vlerësimit duhet të përmbajë të dhëna të plota mbi sasitë, vlerat, kohën e furnizimit , arsyet e zhvlerësimit apo nxjerrjes jashtë përdorimit, duke i garantuar organeve tatimore mundësinë e verifikimit dhe kontrollit.
Kur secili prej shpenzimeve të përmendura më sipër është regjistruar në kontabilitet dhe është zbritur nga të ardhurat gjatë llogaritjes së fitimit vjetor të tatimpaguesit, ato do të veçohen dhe t’i shtohen fitimit vjetor të tatueshëm.

3.7 Amortizimi

3.7.1 Personat që llogarisin amortizimin

Në zbatim të nenit 22 të Ligjit, Amortizimi i aktiveve të biznesit llogaritet nga:
·             Pronari i aktiveve;
·             Personi që mbart riskun, në rastin e aktiveve të dhëna me qera apo huapërdorje afat-gjata ose me qera financiare (leasing), duke u bazuar në të dhënat e kontratave përkatëse, dhe, duke mos lejuar dyfishim të shpenzimeve të amortizimit, tek pronari edhe tek përdoruesi i aktivit.
Në kushtet e zakonshme të qeradhënies, amortizimi do të llogaritet nga pronari i aktiveve dhe përdoruesit i njihet qeraja si shpenzim i lejuar, ndërsa pronari, sigurisht, do të raportojë të ardhurat nga qeraja në të ardhurat e tatueshme.
Aktive të tilla si: toka, trualli, veprat e artit, sendet antike, bizhuteritë, metalet dhe gurët e çmuar, nuk amortizohen.

3.7.2 Normat e amortizimit sipas grupeve

Amortizohen individualisht dhe në mënyrë lineare:
         a. Kostot e blerjes ose ndërtimit, kostot e përmirësimit, rinovimit dhe rikonstruksionit të ndërtesave, si dhe kostot e konstruksioneve, makinerive e pajisjeve me afat përdorimi më të madh se 20 vjet, të trupëzuara ne menyre të qendrueshme e të vazhdueshme me ndërtesat ose tokën. Te tilla janë sendet e ngjitura me plumb, gips ose tjeter qe nuk mund te shkeputen pa u thyer ose pa u cenuar, ose pa prishur apo demtuar pjesen e tokes ose te nderteses me te cilen eshte trupezuar si p.sh. ashensorët, konstruksionet metalike pjesë e ndërtesës, instalimet elektrike dhe hidraulike, etj. Po në këtë mënyrë amortizohen edhe impiantet e ndryshme të transportimit si: ujësjellësit, naftësjellësit, gazsjellësit, linjat hekurudhore, linjat e tensionit të lartë, teleferikët, e të tjera aktive të ngjashme me to. Norma e amortizimit të këtyre aktiveve është 5 përqind.
          b. Aktivet e patrupëzuara të biznesit si patentat, markat tregtare, shpenzimet e nisjes së aktivitetit, “emri i mirë” në rastet kur ky i fundit është blerë, etj. amortizohen me një normë të lejuar për efekt fiskal prej 15 përqind.
Baza e llogaritjes së amortizimit për dy kategoritë ‘’a’’ dhe ‘’b’’ të aktiveve të përmendura më sipër është vlera fillestare e aktivit (kosto historike) të cilës i shtohen edhe kostot e përmirësimit, rinovimit dhe rikonstruksionit të aktivit. Për llogaritjen e amortizimit merret për bazë koha (muaji) e hyrjes apo e daljes së aktivit, sipas percaktimit te bere në Planin Kontabël.
  Amortizohen mbi bazë grupimi:
           c.Kompjuterat, sistemet e informacionit, programet kompjuterike dhe në përgjithesi produktet software e pajisjet e ruajtjes së të dhënave. Norma e amortizimit për këtë kategori aktivesh është 25 përqind.
           d.Të gjitha aktivet e tjera të veprimtarisë të cilat nuk përfshihen në grupimet ‘’a’’, ‘’b’’ dhe ‘’c’’ të përmendura më sipër, si makineritë e pajisjet e prodhimit e të shërbimit, mjetet e transportit të të gjitha llojeve, etj., amortizohen me një normë të lejuar për efekt fiskal prej 20%.
  Baza e llogaritjes së amortizimit për dy kategoritë ‘’c’’ dhe ‘’d’’ të aktiveve të përmendura më sipër është vlera kontabel e mbetur e grupit të aktiveve (vlera fillestare minus amortizimi), të cilës i shtohen edhe kostot e përmirësimit, rinovimit dhe rikonstruksionit të aktiveve të grupit si dhe i zbriten të ardhurat nga shitja dhe kompensimet e marra.
  Normat e lejuara per efekt  fiskal ne masen 5%, 15%, 20% dhe 25% jane te alpikueshme  dhe per llogaritjen e amortizimit te aktiveve  te dhena me qera financiare (leasing), nga personi qe mbart riskun, pamvaresisht nga kohezgjatja e kontrates se qerase financiare.
Për të gjitha aktivet që hyjnë gjatë periudhës ushtrimore, llogaritja e amortizimit fillon nga dita e parë e muajit që pason muajin e hyrjes, duke ndjekur të njëjtin rregull edhe për muajin e daljes së aktivit, pra amortizimi pushon së llogarituri ditën e pare të muajit që pason muajin e daljes.
Për të katër kategoritë e aktiveve të përmendura më sipër, për efekte fiskale, konsiderohen kosto të përmirësimit, të rinovimit dhe të rikonstruksionit, shpenzimet që kanë për qëllim përmirësimin e kapacitetit përfitues të ardhshëm të aktiveve dhe vlera e të cilave është më e madhe së 15 përqind e vlerës kontabel të mbetur të aktiveve. Kur këto shpenzime janë më të vogla së 15 përqind e vlerës kontabel të mbetur të aktivit përkatës, ato konsiderohen shpenzime për mirëmbajtjen e aktivit dhe pasqyrohen totalisht si shpenzime biznesi për periudhën korente.
Persa i takon shpenzimeve te mirembajtjes, permiresimit, rinovimit dhe rikonstruksionit ne nje transaksion qiraje  financiare, nese qiramarresi mbart riskun per humbjen apo shkaterrimin e aktivit, perballon keto shpenzime sigurisht te justifikuara me dokumentacionin e nevojshem, ne perputhje me percaktimet e bera ne paragrafin e mesiperm.
Po keshtu do te njihen si te zbriteshme ne varesi te percaktimit te pronesise se aktivit te dhene me qera financiare edhe shpenzimet per tarifat e tjera qe paguhen, prane organeve shteterore siç jane taksa e regjistrimit te pervitshem per automjetet, primet e sigurimit etj.

3.8 Inventari

Për vlerësimin e gjendjes së inventarit në fund të periudhës tatimore, tatimpaguesi mund të përdorë një nga metodat e vlerësimit të parashikuara në ligjin për Kontabilitetin, duke mos e ndryshuar këtë metodë nga njëra periudhë në tjetrën pa patur arsye të forta objektive për një ndryshim të tillë. Ndryshimi i metodës së vlerësimit mund të bëhet vetem pasi të jetë njoftuar me shkrim Dega përkatëse e Tatimeve jo më vonë se 30 ditë para fillimit të periudhës tatimore në të cilën do të aplikohet metoda e re e vlerësimit.

3.9 Borxhet e këqija

Me borxh të keq kuptohet një kërkesë për t’u arkëtuar (detyrim debitor) e cila për shkak të gjendjes së keqe financiare të debitorit, vënies së tij në faliment ose për një shkak tjetër që nuk varet nga kreditori, kthehet në një detyrim që mund të mos arkëtohet tërësisht ose pjesërisht.
Një borxh i keq, që të njihet si i tillë gjatë vitit ushtrimor, duhet të përmbushë njëkohësisht tre kushtet e mëposhtme:
·              Shuma e këtij borxhi të jetë përfshirë më përpara në të ardhurat e tatimpaguesit (me faturë ose dokumentacion tjetër qe është kontabilizuar si e ardhur në evidencën kontabile).
·             Për arkëtimin e tij janë bërë të gjitha përpjekjet e mundshme ligjore dhe janë zbatuar sanksionet e përcaktuara në aktet ligjore e nënligjore në fuqi, dhe, pasi nuk është bërë i mundur arkëtimi, ai dokumentohet me vendim të gjykatës apo organeve të tjera kompetente të njohura me ligj.
·             Kur ky borxh është fshirë nga librat kontabël, gjë që do të thotë se është kaluar nga llogaritë përkatëse të klientit ku është kontabilizuar fillimisht, në llogaritë e rezultatit financiar të subjektit.
Nëse për çdo rast, një shumë e njohur më parë si borxh i keq arketohet gjatë vitit korent, kjo shumë përfshihet në të ardhurat e këtij viti.

3.10 Pjesëmarrjet që përjashtohen nga tatimi mbi fitimin

Dividentët dhe ndarjet e fitimit të përfituara respektivisht nga shoqëri dhe ortakëri rezidente shqiptare (përfituesit), me qëllim që të shmanget tatimi i dyfishtë, përjashtohen nga tatimi mbi fitimin, me kusht që këta dividentë të jenë paguar nga një shoqëri rezidente tatimore shqiptare apo fitimi të jetë ndarë nga një ortakëri rezidente tatimore shqiptare (pra këta dividentë apo ndarje fitimi shpërndahen pasi është paguar tatimi mbi fitimin në Shqipëri) dhe përfituesi i dividentëve apo i fitimit të shpërndarë të zotërojë jo më pak se 25% të aksioneve apo kapitalit të shoqërisë apo ortakërisë që bën shpërndarjen.
Dividentët ose shpërndarjet e fitimit te përfituara nga një shoqëri ose ortakësi (shkurt përfituesi) përjashtohen nga tatimi mbi fitimin, kur plotësohen të tre kushtet që vijojnë:
·             Përfituesi është rezident tatimor shqiptar në kuptimin e paragrafit 3 të nenit 3 të Ligjit.
·             Paguesi (shoqëria ose ortakëria që bën shpërndarjen e dividentëve apo ndarjen e fitimit) është rezidente tatimore shqiptare në kuptimin e paragrafit 3 të nenit 3 të Ligjit (pra dividentët ose ndarjet e fitimit janë bërë pasi është paguar tatimi mbi fitimin).
·             Përfituesi zotëron jo më pak se 25% të kapitalit aksioner ose të se drejtës së votës (në rastin e shoqërive aksionere), apo të kapitalit fillestar (në rastin e ortakërive), të paguesit.
E shprehur ndryshe, dividentët apo ndarjet e fitimit te përfituara nga një person juridik shqiptar, tatimpagues i tatimit mbi fitimin (përfituesi), përjashtohen nga tatimi mbi fitimin i përfituesit (nuk përfshihen në të ardhurat nga biznesi i tij) me kusht që personi që shpërndan dividentët ose fitimin (paguesi) të jetë gjithashtu tatimpagues i tatimit mbi fitimin në Shqipëri dhe përfituesi të zotërojë jo më pak se 25% të kapitalit të paguesit.

3.11 Mbartja e humbjeve

Humbja e rezultuar dhe e njohur nga organet tatimore, mund të mbartet në tre vitet e ardhshme rradhazi. Per shembull, nëse një subjekt ka rezultuar në vitin 2000 me 9 milionë lekë humbje, ai ka të drejtë ta mbartë këtë humbje në tre vite radhazi deri në vitin 2003. Keshtu, nëse subjekti në fjalë rezulton me një fitim prej 4 milionë lekë në vitin 2001, për efekt fiskal, i lejohet të përdorë të gjithë fitimin e këtij viti për të mbuluar humbjen e vitit parardhes. Pra, nga 9 milionë humbja reduktohet në 5 milionë lekë. Nëse në vitin 2002 subjekti rezulton përsëri me një humbje, prej, p.sh., 3 milionë lekë, ai ka të drejtë ta mbartë atë në tre vitet e ardhshme, pra deri në vitin 2005. Nëse në vitin 2003 subjekti rezulton me fitim 2 milionë leke, ai mund ta përdorë këtë fitim për të mbuluar humbjen e mbetur prej 5 milionë nga humbja e vitit 2000, e cila tashmë reduktohet në 5-2 = 3 milionë lekë. Nëse në vitin 2004 subjekti do të rezultojë p.sh. me 6 milionë lekë fitim, ai ka të drejtë të mbulojë me këtë fitim humbjen e rezultuar në vitin 2002 pra 3 milionë, dhe fitimi i mbetur prej 3 milionë tatohet normalisht. Ne kete menyre, e drejta e mbartjes së humbjes së mbetur nga viti 2000 ka përfunduar (për efekt fiskal nuk njihet mbulimi i saj me fitimin e vitit 2004). Keshtu, çdo humbje mund të mbartet deri në tre vitet e ardhshme, duke u evidentuar veçmas humbja e çdo viti, me parimin sipas te cilit humbja me e hershme mbartet përpara humbjes më të vonë. Nëse një humbje nuk arrin të mbartet për tre vite pasardhëse radhazi (pasi subjekti mund të rezultojë përsëri me humbje), ajo nuk mund të shtrihet më tej dhe të prekë rezultatin e viteve të tjera, para aplikimit të tatimit mbi fitimin.
Paragrafi 2 i nenit 27 ndalon transferimin e humbjes së shoqërive, pasi i mbartja e humbjes duhet të jetë e lidhur vetëm me tatimpaguesin që e pëson ate. Meqënëse zbatimi i këtij parimi kërkon që referimi të bëhet ndaj pronarit të shoqërisë, në rast se gjatë një periudhe tatimore pronësia e drejtpërdrejtë dhe/ose e terthortë e kapitalit themeltar, ose të drejtave të votës të një personi ndryshon me më shumë se 25% në vlerë ose në te drejta votash, e drejta e mbartjes së humbjes në atë periudhë tatimore dhe në periudhat paraardhëse të tatimit humbet.

3.12 Deklarimi tatimor dhe llogaritja perfundimtare e detyrimit

Tatimpaguesi është i detyruar të paraqesë në organet tatimore Formularin e Deklarimit dhe Pagesës së Tatimit mbi Fitimin, së bashku me pasqyrat analitike, brenda datës 31 Mars të vitit pasardhës, duke paraqitur në të njejtën kohë edhe bilancin kontabël së bashku me anekset e tij, pasqyrën e qarkullimit të likuiditeteve (cash-flow), një kopie të raportit të ekspertit kontabël të autorizuar për shoqëritë që e kanë të detyruar ekspertizën sipas legjislacionit në fuqi, si dhe çdo të dhënë tjetër mbështetëse për argumentimin e të dhënave të deklaratës tatimore.
Në zbatim të nenit 29 të këtij Ligji dhe dispozitave të Ligjit nr.8560 datë 22.12.1999 “Për Proçedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, të dhënat e dokumentave të mësipërme quhen të pranuara kur miratohen nga organi tatimor përkatës ose kur kalojnë 60 ditë nga data e dorëzimit të tyre dhe organi tatimor nuk ka dhënë një përgjigje zyrtare me shkrim.

3.13 Parapagimet (paradhëniet)

Tatimi mbi fitimin paguhet në formë paradhënie, brenda datës 15 të çdo muaji. Këstet mujore të vitit ushtrimor llogariten siç percaktohet ne pikat 3.13.1 deri 3.13. më poshtë. Organi tatimor, bazuar në të dhënat e deklaruara nga tatimpaguesi dhe të dhënat e bilancit kontabël dhe anekseve të tij të paraqitura nga tatimpaguesi, të korrigjuara në përputhje me rezultatet e kontrolleve të kryera pranë tatimpaguesit, përgatit Njoftim Vleresimin Tatimor në lidhje me këstet e parapagimit të tatimit mbi fitimin. Njoftim Vlerësimi Tatimor për periudhën Janar-Prill i njoftohet tatimpaguesit brenda datës 15 dhjetor të vitit paraardhës, ndërsa Njoftim Vleresimi Tatimor për periudhen Maj-Dhjetor i njoftohet brenda datës 15 prill. Njoftim Vlerësimi Tatimor i nxjerrë në përputhje me këtë paragraf është subjekt i apelimit tatimor, siç parashikohet nga Ligji “Për proçedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”.

3.13.1 Llogaritja e kësteve të parapagimeve (të paradhënieve)

          a. Për periudhën tatimore të vitit ushtrimor, kësti mujor i paradhënies përcaktohet duke u mbështetur në masën e fitimit të tatueshëm të dy viteve më parë, siç është përshkruar në shembullin e mëposhtëm:
Shembull nr. 1.
Tatimi mbi fitimin
·             Viti 2000                           1200000 lekë
·             Viti 2001                           1800000 lekë
Paradhëniet për vitin 2002.
Janar - Prill 2002:                   1200000/12 muaj=100000 lekë/muaj
                             100000x4 muaj=400000 lekë në muaj
Maj - Dhjetor 2002: 1800000-400000/8 muaj =175000 lekë/muaj
                                175000 x 8 muaj = 1400000 lekë për 8 muaj
          b. Në rastin kur tatimpaguesi ka më pak se dy vite që e ka filluar veprimtarinë, këstet e paradhënieve të tatim fitimit për periudhën ushtrimore llogariten sipas shembullit të mëposhtëm:
Shembull nr. 2.
Tatimi mbi fitimin
·             Viti 2000 (fillon aktivitetin më 1 prill)     900.000
·             Viti 2001                                              1.800.000
Paradhëniet për vitin 2002.
Janar-prill 2002:  900.000/9 muaj=100.000 lekë/muaj
                             100.000 lekex4 muaj=400.000 lekë.
Maj-dhjetor 2002 1.800.000-400.000/8muaj=175.000 lekë/muaj
          c. Kur tatimpaguesi  ka më pak se një vit që e ka filluar veprimtarinë, paradhëniet e tatim fitimit llogariten sipas shembullit të mëposhtëm:
Shembull nr. 3.
Tatimi mbi fitimin
·             Viti 2000                                              Nuk ka aktivitet
·             Viti 2001        Fillon aktivitet më 1 prill         1.350.000lekë
Paradhëniet për vitin 2002
Janar-prill 2002             Paradhënia sipas vlerësimit të tatimpaguesit
Maj-dhjetor 2002           1.350.000 lekë/9 muaj =150.000 lekë/muaj
150.000 x 8 muaj=1.200.000 lekë
          d. Kur tatimpaguesi e fillon veprimtarine në vitin vijues, paradheniet e tatimit mbi fitimin llogariten duke u bazuar në deklaratën parashikuese për shumën e vlerësuar të tatimit mbi fitimin, pjesetuar me numrin e muajve të mbetur deri në fund të vitit. E njëjta mënyrë do të përdoret për llogaritjen e paradhënieve të tatimit mbi fitimin në rastet kur periudhat paraardhëse paraqiten me humbje.
Tatimpaguesit që e fillojnë veprimtarinë në vitin vijues tatimor dhe ushtrojnë aktivitet në sferën prodhuese (sipas përcaktimit të INSTAT-it për veprimtaritë prodhuese), në bazë të nenit 30 të Ligjit (“Parapagimet”), nuk do të paguajnë tatim mbi fitimin në formë paradhënie për 6 muajt e parë të veprimtarisë pas regjistrimit në organin tatimor. Kështu, nëse një tatimpagues që zhvillon veprimtari në sferën prodhuese, regjistrohet në organin tatimor më 1 janar të vitit vijues, ai nuk do të paguajë tatim në formë paradhënie mbi fitimin për periudhën janar-qershor të vitit vijues, ndërsa për periudhën tjetër korrik-dhjetor, ai do të paguajë tatim mbi fitimin në formë paradhënie mbi bazën e deklaratës parashikuese për shumën e vlerësuar të detyrimit mujor, sipas paragrafit të parë të kësaj pike.
Në rast se veprimtaria e këtij tatimpaguesi (regjistrimi në organin tatimor) kryhet në muajin shtator të vitit vijues, ai nuk do të paguajë tatim mbi fitimin në formë paradhënie për periudhën shtator-dhjetor të vitit vijues.

3.13.2 Korigjimi në ulje i kësteve të pagesave paradhënieve të tatimit mbi fitimin.

Kur tatimpaguesi vërteton para organeve tatimore, në mënyrë domethënëse dhe të argumentuar uljen e masës së përcaktuar të tatimit mbi fitimin, atëherë organet tatimore pas kontrollit dhe verifikimit në vend pranë tatimpaguesit, pranojnë zvogëlimin e kësteve të pagesave paradhënieve.
Shembull 1.
Këstet e llogaritura për muajt janar-prill:      400.000 lekë
Këstet e llogaritura për muajt maj-tetor:       200.000 lekë
Shuma:                                                      1.600.000 lekë
Tatimi mbi fitimin i vlerësuar mbështetur në informacionet e dhëna nga tatimpaguesi):                                     1.500.000 lekë
Këstet e llogaritura paraprakisht për muajt nëntor-dhjetor
                                                                   400.000 lekë
Këstet totale për vitin tatimor ushtrimor   2.000.000 lekë
Tatimi mbi fitimin i vlerësuar është 23 përqind më i ulët se shuma e kësteve të llogaritura paraprakisht (2 000 000/1 500 000), gjë që do të thotë se administrata tatimore duhet të ulë në zero këstet mujore të periudhës nëntor-dhjetor të vitit tatimor ushtrimor sipas pikës 5 të nenit 30.

3.13.3 Korigjimi në rritje i kësteve të paradhënieve.

Administrata tatimore mund të rrisë këstet mujore të paradhënieve për dy muajt e fundit të vitit tatimor ushtrimor, në rastet e mëposhtme:
         a. Kur tatimpaguesi konstaton se fitimi i vlerësuar prej tij është më i lartë se 10% te kësteve te parapaguara prej tij, ai duhet të paraqese një deklaratë vlerësimi të fitimit të vitit tatimor ushtrimor jo më vonë se data 31 tetor. Mbi këtë bazë administrate tatimore korigjon këstet për muajt nëntor dhe dhjetor.
Shembull 1.
Këstet e llogaritura për muajt janar – prill:       400.000 lekë
Këstet e llogaritura për muajt maj – tetor:     1.200.000 lekë
Shuma:                                                          1.600.000 lekë
Tatimi mbi fitimin i vlerësuar (mbështetur në  informacionin e dhënë nga vetë tatimpaguesi):                                      2.500.000 lekë
Këstet e llogaritura paraprakisht për muajt nëntor–dhjetor:                   
                                             400.000 lekë (2x200.000)
Këstet totale për të gjithë vitin tatimor  ushtrimor           
                                          2.000.000 lekë (1.600.000+400.000)
Tatimi mbi fitimin i vlerësuar është 25 përqind  më i lartë se këstet e llogaritura paraprakisht, gjë që çon në një shtesë kësti për muajt nëntor-dhjetor prej 500.000 lekë në muaj (250.000+250.000 lekë)
Shembull 2.
Këstet e llogaritura për muajt janar-prill:     400.000 lekë
Këstet e llogaritura për muajt maj-tetor:    1 200.000 lekë
Shuma:                                                      1 600.000 lekë
Tatimi mbi fitimin i vlerësuar (mbështetur në informacionet e dhëna nga tatimpaguesi):                                     2.100.000 lekë
Këstet e llogaritura paraprakisht për muajt nëntor – dhjetor:                                                                                        400.000 lekë
Këstet totale për vitin tatimor ushtrimor:   2.000.000 lekë
Tatimi mbi fitimin i vlerësuar është 5 përqind më i lartë se shuma e kësteve të llogaritura paraprakisht (2.100.000/2.000.000), gjë që do të thotë së administrata tatimore nuk do të  zbatojë pikën 6 të nenit 30.
          b.Administrata tatimore korigjon madhësinë e këstit mujor kur pas një kontrolli të kryer për vitin tatimor paraardhës rezulton se tatimi mbi fitimin për vitin paraardhës ka qënë i pasaktë.
          c. Administrata tatimore korigjon madhësinë e këstit mujor, në çdo rast kur tatimpaguesi nuk vepron në përputhje me kerkesat e përmendura në pikën ‘’a’’ më sipër, duke u bazuar në të gjithë informacionet që ka në dispozicion, si të dhënat për xhiron, importet, eksportet, tenderat e fituar, informacione nga bankat, furnitorët, klientët, etj.
Ne çdo rast, organi tatimor njofton tatimpaguesin per shtesen e kesteve, nëpërmjet Njoftim Vleresimit Tatimor, document që përpilohet në përputhje me dispozitat e Ligjit nr.8560, datë 22.12.1999 “Për Proçedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.

3.13.4 Afatet e pagesës dhe rillogaritja përfundimtare

Gjatë periudhës vijuese tatimore, tatimpaguesi paguan në llogarinë e organeve tatimore, jo më vonë se data 15 e çdo muaji, tatim fitimin mujor përkatës, për llogari të muajit në vijim, sipas metodës së përllogaritjeve të përshkruar me lart. Përjashtim nga ky rregull bëjnë tatimpaguesit, paradhënia e të cilëve nuk kalon shumën 10.000 lekë në muaj. Në këtë rast paradhëniet paguhen në mënyrë të përmbledhur për çdo tremujor, deri në datën 15 të muajit që pason tremujorin. 
Llogaritja perfundimtare e tatimit mbi fitimin bazohet në të dhënat faktike të deklaratës tatimore dhe dokumentave të tjera mbështetëse, si bilanci kontabël dhe anekset e tij, të dhënat nga rezultatet e kontrollit tatimor, si dhe çdo dokumenti tjetër ligjor që ndihmon në përcaktimin e detyrimit tatimor. Organi tatimor mund të kërkojë të dhëna shtesë nga tatimpaguesi ose të bëjë verifikime në vend që ndihmojnë në saktësimin e detyrimit tatimor.
Nëse tatimi i deklaruar në bazë të deklaratës vjetore të të ardhurave është më i madh se paradhëniet e bëra gjatë vitit, tatimpaguesi është i detyruar të derdhë diferencën në momentin e paraqitjes së deklaratës. Nëse shumat e paradhënieve rezultojnë më të mëdha nga ato të deklaruara në deklaratën vjetore të të ardhurave, apo nga rezultatet e një kontrolli tatimor, organet tatimore janë të detyruara t’i njohin këto shuma për shlyerjen e detyrimeve tatimore të prapambetura ose për pagesën e detyrimeve tatimore të ardhshme, përfshirë pagesën e kësteve paradhënie për periudhat e ardhshme. Me kërkesën e tatimpaguesit këto shuma mund t’i rikthehen atij brenda 60 ditësh nga marrja e deklaratës tatimore.
4. TATIMI I THJESHTUAR MBI FITIMIN

4.1 Objekti i Tatimit të Thjeshtuar mbi Fitimin

Tatimi i thjeshtuar mbi fitimin zbatohet ndaj tatimpaguesve, pavarësisht nga forma e organizimit, që nuk janë të regjistruar, ose të detyruar me ligj për t’u regjistruar si tatimpagues për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.

4.2 Tarifa e tatimit të thjeshuar mbi fitimin

Tarifa e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin është 1.5% e të ardhurave bruto (qarkullimit) të tatimpaguesit. Për efekt të llogaritjes së bazës tatimore mbi të cilën llogaritet ky tatim nuk njihet asnjë lloj shpenzimi i zbritshëm.

4.3 Përjashtimet

Në bazë të pikës 2 të Nenit 32/1 do të përjashtohen nga tatimi i thjeshtuar mbi fitimin:
          a. Ambulantët në fushën e tregtisë. Këtu përfshihen tregtarët lëvizës, pra që nuk kanë një vend fiks biznesi por i tregtojnë mallrat ose produktet e tyre artizanale në mjete të thjeshta lëvizëse si karroca, apo qëndrojnë përkohësisht në vende të caktuara ku shesin me pakicë produkte artizanale ose produkte të tjera si gazeta, revista, pije freskuese, akullore, misra, zbukurime artistike, etj. Pra në këtë grup përfshihen tregtarë të vegjël ambulantë që nuk kanë dyqan apo një vend fiks në tregjet e shitjes me shumicë ose me pakicë;
         b. Personat që merren me transport individual. Këtu përfshihen shoferat e taksive, të furgonëve, autobuzëve, kamionëve, kamionçinave apo të triçiklave që transportojnë pasagjerë apo mallra për nevoja të popullatës;

4.4 Regjistrimi

Regjistrimi i tatimpaguesve të biznesit të vogël bëhet në  përputhje me proçedurat që vijojnë:
         a. Tatimpaguesit e biznesit të vogël regjistrohen vetëm një herë në momentin e fillimit të aktivitetit të tyre. Për t’u regjistruar në organin tatimor tatimpaguesi duhet të paraqesë të dhënat dhe dokumentat e mëposhtme:
·             Formularin “Kërkesë për Regjistrim” sipas formatit që i bashkangjitet këtij Udhëzimi, të plotësuar me të gjithë të dhënat e kërkuara si dhe të nenshkruar nga tatimpaguesi.
·             Dokumentin e identifikimit (çertifikatën personale me fotografi) të lëshuar nga zyra e gjendjes civile.
·             Vendimin e gjykatës per regjistrimin e personit fizik ose juridik.
·             Statutin dhe aktin e themelimit në rastin e regjistrimit personave juridike.
·             Aktin e pronësisë të vendndodhjeve te biznesit ose kontratat e qeramarrjes për vendndodhjet e biznesit.
·             Të dhëna për qarkullimin (xhiron) e parashikuar për vitin vijues, sipas Formularit ”Deklarate Parashikuese e Qarkullimit per Biznesin e Vogel” E-TBV-014.
·             Liçensën teknike dhe profesionale per veprimtarite ekonomike per te cilat kerkohet me ligj nje gje e tille.                                                                                                                                                  
         b. Në rast mosregjistrimi, tatimpaguesit do të regjistrohen nga vetë organi tatimor përkatës me te njejtat efekte si të ishte bërë nga tatimpaguesi. Në bazë nenit 32/8 të Ligjit, në një rast të tillë aplikohet një gjobë prej 35.000 lekësh.
          c. Tatimpaguesit do të regjistrohen në degën e tatimeve ku gjendet vendi kryesor i biznesit. Nëse nuk ka vendndodhje fikse të veprimtarisë, vendi kryesor i veprimtarisë do të jetë adresa e vendbanimit ose ajo e deklaruar nga vetë tatimpaguesi.
          d. Çdo tatimpagues, pas përfundimit të proçesit të regjistrimit, pajiset nga dega e tatimeve me Certifikatën e Regjistrimit. Tatimpaguesit që janë regjistruar me detyrim nuk pajisen me çertifikatë regjistrimi deri sa të plotësojnë të gjithë kërkesat për regjistrim të parashikuara në ligj. Megjithatë, për qëllime evidentimi dhe të pagimit të detyrimeve, këta tatimpagues konsiderohen si të regjistruar.
          e. Kur tatimpaguesi ka më shumë se një vendndodhje biznesi, ai pajiset me Çertifikatë për cdonjerën nga këto vendndodhje. Në këtë rast, çertifikatat janë me të njejtin NIPT, por me numër serial të ndryshëm të plotësuar me të dhënat e çdo vendndodhje të biznesit. Për qëllimet e nenit 32/2 te Ligjit, dhe të çdo dispozite tjetër të këtij Ligji, nuk pranohet fotokopja e çertifikatës së regjistrimit. Çertifikata e Regjistrimit është e detyrueshme të vendoset në një hapesirë të dukshme të vendndodhjes së biznesit, me qellim identifikimin e regjistrimit të kësaj vendndodhje. Çertifikata e Regjistrimit është subjekt inspektimi nga organet tatimore.
           f. Tatimpaguesi duhet të informojë degën e tatimeve për çdo ndryshim në të dhënat e paraqitura në momentin e regjistrimit, përfshirë ndryshime në adresë, në llojin e aktivitetit, etj., duke përdorur Formularin e Kërkesës për Regjistrim. Nëse tatimpaguesi ndryshon vendndodhjen e biznesit, duke e kaluar atë në një vendndodhje që është nën juridiksionin e një dege tjetër tatimesh, ai duhet të njoftojë organin tatimor ku është i regjistruar si dhe organin tatimor ku është vendndodhja e re, brenda 2 javësh. Organi tatimor do të lëshojë një Formular për Pagesë të Zakonshme, ku jepet adresa e re, ndërsa pagesa mund të bëhet në filialin e bankës ose zyrës së postës ku ndodhet vendndodhja e biznesit. Nëse ndryshimi nuk njoftohet, pagesa e tatimeve duhet të bëhet në përputhje me të dhënat e Formularit për Pagesë të Zakonshme në bankë ose zyrën e postës në vendin e regjistrimit.

4.5 Deklarimi

Tatimpaguesi duhet të deklarojë çdo vit para dates 31 Mars qarkullimin e tij të përgjithshëm per vitin e kaluar, nga të gjitha bizneset qe perfshihen ne objektin e Tatimit të Thjeshtuar mbi Fitimin, sipas “Formularit te Deklarimit dhe Pageses se tatimit te Thjeshtuar mbi Fitimin” , bashkengjitur ketij Udhezimi.
Tatimpaguesi duhet te deklaroje gjithashtu brenda dates 31 Mars edhe qarkullimin e parashikuar per vitin ne vijim, sipas Formularit ”Deklarate Parashikuese e Qarkullimit per Biznesin e Vogel” E-TBV-014.
Nëse tatimpaguesi mbyll aktivitetin, ai duhet të paraqesë një deklaratë të qarkullimit të tij për vitin në vazhdim deri në datën e mbylljes, me Formularin e Njoftimit të Ndryshimeve në Regjistrim, sipas modelit bashkengjitur ketij Udhezimi.
Ne rastet e nderprerjes se perkohshme te aktivitetit, tatimpaguesi eshte i detyruar te deklaroje ne Degen e Tatimeve kerkesen per nderprerje te aktivitetit, ne te cilen jepen detaje per arsyet dhe afatin e nderprerjes se perkohshme te aktivitetit. Me paraqitjen e kesaj kerkese dorezohet edhe Certifikata e Regjistrimit, NIPT-i, deklarata mbi qarkullimin e realizuar dhe pagesa e detyrimit deri ne afatin e nderprerjes.

4.6 Dokumentacioni që përdoret dhe mbajtja e regjistrimeve

Për çdo vendndodhje të veprimtarisë, tatimpaguesi duhet të mbajë një seri regjistrimesh më vete dhe dokumentacionin që lidhet me atë vendndodhje biznesi.
Për qëllimet e këtij tatimi, tatimpaguesi duhet të mbajë regjistrimet dhe dokumentat që vijojnë:
·             Dokumentat e blerjes, ku përfshihen fatura me TVSH, fatura të thjeshta, dëftesa tatimore, etj. për të vërtetuar blerjet e kryera.
·             Dokumentat e shitjes, fatura të thjeshta tatimore, dëftesa tatimore dhe përmbledhëset ditore të arkes regjistruese (për shitjet me arke).
·             Librin e blerjeve, dhe
·             Librin e shitjeve.
Të gjitha këto dokumenta do të jenë në përputhje me modelet që i bashkangjiten këtij Udhëzimi.
Tatimpaguesit e biznesit të vogël janë të detyruar të lëshojnë dokumentat e mëposhtëm për çdo shitje malli apo shërbimi që realizojnë:
·             Kupon tatimor në rastin kur tatimpaguesi është i pajisur me arkë regjistruese. Ky kupon i jepet klientit për çdo shitje të kryer.
·             Dëftesë tatimore, sipas modelit bashkangjitur këtij Udhëzimi, në rastin kur tatimpaguesi nuk është pajisur me arkë regjistruese, ose kur për arsye objektive, si mungesa e elektricitetit, etj., tatimpaguesi nuk mund të përdorë arken regjistruese. Dëftesat tatimore përgatiten në dy kopje me letër vetëkopjuese nga të cilat njëra i jepet klientit.
·             Faturë të thjeshtë tatimore (sipas modelit që i bashkangjitet këtij Udhëzimi) e cila lëshohet vetëm nga tatimpaguesit, të cilët shesin mallra apo shërbime për klientë të cilët nuk janë konsumatorë finalë të mallit apo shërbimit, por i kryejnë këto blerje për qëllim përpunimi apo rishitje, dhe janë subjekte të regjistruar për tatimet. Tatimpaguesi duhet t’i japë klientit një faturë për çdo shitje mallrash apo shërbimesh. Fatura do të përbëhet nga dy kopje duke përdorur letër vetëkopjuese ose letër karbon, dhe tatimpaguesi do t’i japë një kopje klientit dhe një kopje do t’a mbajë vetë. Fatura duhet të jetë me numër serial, dhe numri i faturës duhet të shënohet në librin e shitjeve dhe blerjeve.
Në fund të çdo dite pune, tatimpaguesi duhet të regjistrojë në librin e blerjeve totalin e blerjeve që ka bërë atë ditë, si edhe shpenzime të tjera që mund të ketë kryer, si pagesë qeraje, elektriciteti, paga, etj.
Në librin e shitjeve, në fund të çdo dite pune, tatimpaguesi duhet të regjistrojë totalin e vlerës së shitjeve të realizuara prej tij, duke i grupuar respektivisht në shitje me faturë të thjeshtë tatimore, shitje me arke regjistruese (totali ditor i kasës) dhe shitje me dëftesa tatimore.
Jo më vonë se data 5 e çdo muaji, tatimpaguesi duhet të ketë llogaritur dhe mbyllur totalin e blerjeve dhe të shitjeve për muajin e kaluar. Tatimpaguesi nuk lejohet të grisë apo zëvendësojë faqet e librit të blerjeve apo të shitjeve, apo faqet e blloqeve të faturave të thjeshta tatimore apo dëftesave tatimore.
Të gjitha këto regjistrime dhe dokumenta duhet të ruhen nga tatimpaguesi, për një periudhë prej jo më pak se 5 vjet nga fundi i vitit kalendarik të cilit i përkasin.
Dega e tatimeve mundet që, në çdo kohë, të kontrollojë mbajtjen ose lëshimin nga ana e tatimpaguesit të dokumentave që vërtëtojnë shitjen (kupon kase, dëftesë tatimore, faturë e thjeshtë tatimore).

4.7 Kontrolli tatimor dhe verifikimi

Gjatë vitit, organet tatimore kontrollojnë rregullshmërinë e regjistrimeve të kërkuara nga ligji, për tatimpaguesit. Për këtë qëllim ato kontrollojnë: lëshimin e kuponit tatimor, të dëftesës tatimore apo faturës së thjeshtë, si dhe regjistrimin e çdonjërit prej këtyre dokumentave në librin e qarkullimit. Ato kontrollojnë gjithashtu edhe evidentimin dhe regjistrimin nga tatimpaguesit të blerjeve të realizuara për qëllimet e biznesit (rishitje, përpunim apo shpenzime te tjera), nëpërmjet dokumentacionit përkatës.
Dega e tatimeve, gjithashtu mund të ushtrojë kontroll të plotë në ambjentet e tatimpaguesit, duke e njoftuar paraprakisht atë. Në kontrollin e plotë organi tatimor kontrollon dhe verifikon mbajtjen e të gjithë dokumentacionit dhe regjistrimeve sipas përcaktimeve të bëra në këtë Udhëzim.
Krahas kontrollit të dokumentacionit, punonjesit e kontrollit te organeve tatimore bejne jo me pak 2-3 kontrolle (sondazhe per matjen e xhiros) ne vit per çdo tatimpagues, me qellim vleresimin e qarkullimit të realizuar nga tatimpaguesi nëpërmjet kronometrimit. Të dhënat e grumbulluara nga kronometrimet sherbejne per vleresimin e detyrimeve tatimore si te vitit vijues, ashtu edhe te vitit pasardhes. Për saktësimin e të dhënave të tatimpaguesve, organet tatimore shfrytëzojnë edhe burime të tjera informacioni me të cilët tatimpaguesi ka operuar (si të dhënat e veprimeve me Thesarin, të dhëna nga shkëmbimi i informacionit, të dhëna nga zbërthimi i shitjeve të tatimpaguesve të mëdhenj importues apo prodhues etj). Mbi bazën e regjistrimeve korrekte të mbajtura gjatë gjithë vitit, dhe vleresimeve nga kontrollet e organit tatimore, tatimpaguesit llogarisin dhe derdhin tatimin e thjeshtuar mbi fitimin, sipas afateve të përcaktuara në Ligj. Për mos deklarim të saktë të qarkullimit, në bazë të nenit 32/8, pika 1/b, të këtij Ligji, aplikohet një gjobë e barasvlefshme me 25% të shumës së detyrimit tatimor të fshehur.

4.8 Pagesa

4.8.1 Llogaritja e kësteve të pagesës paradhënje

Tatimpaguesi duhet të bëjë një parashikim të qarkullimit të tij për të gjithë vendndodhjet e biznesit, që duhet të bazohet në qarkullimin faktik të vitit të kaluar, dhe në ndryshimet që parashikohen të ndodhin gjatë periudhës në vazhdim. Administrata tatimore llogarit këstet e tatimit në bazë të qarkullimit të parashikuar nga tatimpaguesi, përveç rasteve kur ekzistojnë të dhëna që tregojnë se parashikimi i bërë nga tatimpaguesi është i pasaktë, situatë në të cilën administrata tatimore mund të përdorë të dhënat që disponon dhe metoda indirekte për të rivlerësuar shifrën e qarkullimit të dhënë nga tatimpaguesi dhe të llogarisë këstet në bazë të të dhënave të saj.
Në rastet kur tatimpaguesi ka kryer veprimtari vetëm një pjesë të vitit (disa muaj) të mëparshëm, për të llogaritur qarkullimin për vitin vijues do përdoret formula e mëposhtme:
12/n x qarkullimin e deklaruar (ku n është numri i muajve të pjesshëm ose të plotë për të cilët ka patur qarkullim).
Administrata tatimore përdor gjithashtu të dhënat e ndryshme që disponon për të rivlerësuar shifrën e qarkullimit të dhënë nga tatimpaguesi dhe të llogarisë këstet në bazë të shifrave të rivlerësuara.
Lidhur me llogaritjen e kësteve të pagesës së detyrimeve, në vijim jepet një shembull ilustrues.
Shembull 1
Supozojmë se një tatimpagues, siç përcaktohet në nenin 32/4 të Ligjit, jo me vone se data 31 Mars te vitit 2006 ka deklaruar qarkullimin per  vitin 2005 dhe ka parashikuar per qarkullimin e vitit 2006  shumen 8.000.000 leke.
Mbi bazen e ketij parashikimi Tatimi i thjeshtuar mbi fitimin per vitin 2006  llogaritet :
8.000.000 x 1.5% = 120.000 leke. Kjo shume  duhet të paguhet në 4 këste, respektivisht per 30.000 leke,  jo më vonë se 20 prill, 20 korrik, 20 tetor dhe 20 dhjetor të vitit 2006.
Deri  me date 20 Prill te vitit 2006  krahas  pageses se kestit te pare per shumen  30.000 leke duhet  bere dhe pagesa e mbetur  nga rillogaritja  e Tatimit te thjeshtuar mbi fitimin  te vitit 2005.

4.8.2 Llogaritja dhe pagesa e tatimit mbi të ardhurat nga punësimi.

Personat juridikë dhe fizikë të regjistruar si tatimpagues të taksës vendore mbi biznesin e vogël llogarisin dhe paguajnë tatimin mbi të ardhurat nga punësimi për personat e punësuar, brenda datës 10 të muajit pasardhës të çdo tremujori të vitit kalendarik. Në rastin e personave juridikë, të punësuar konsiderohen edhe pronarët e personit juridik të cilët ushtrojnë funksione drejtuese apo çdo funksion tjetër tek ky person juridik.
Llogaritja e tatimit mbi të ardhurat nga punësimi pasqyrohet në listpagesën “Për kontributet e sigurimeve shoqërore, shëndetesore dhe tatimit mbi të ardhurat nga punësimi” sipas modelit që i bashkangjitet Udhëzimit të Ministrit të Financave “Për kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetesore”. Kjo listpagesë hartohet në baza mujore por dorëzohet në degën përkatëse të tatimeve në baza tremujore (brenda datës 10 të muajit pasardhës të çdo tremujori të vitit kalendarik). 
Pagesa e tatimit mbi të ardhurat nga punësimi duhet të kryhet së bashku me pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetesore brenda datës 10 të muajit pasardhës të çdo tremujori të vitit kalendarik. Për këtë qëllim përdoret “Formulari i deklarimit dhe pagesës së tatimit mbi të ardhurat nga punësimi”, që i bashkangjitet këtij Udhëzimi.

4.8.3 Vlerësimi i detyrimeve tatimore shtesë

Kur vlerësohen detyrimet tatimore shtesë, organet tatimore mund të përdorin metoda alternative vlerësimi të parashikuara në Ligjin ‘Për Proçedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë’ dhe Udhëzimin në zbatim të tij. 
Organet tatimore, për rastet kur konstatojnë se dokumentacioni i blerjeve dhe shitjeve nuk është mbajtur konform kërkesave Ligjore, që do të thotë se: tatimpaguesi nuk pasqyron në mënyrë korrekte qarkullimin, nuk lëshon në mënyrë korrekte dokumentin e kërkuar për çdo shitje, nuk pasqyron në librat e blerjes të gjitha furnizimet që ka kryer, kanë të drejtë të përdorin metodat alternative të vlerësimit të detyrimit tatimor. Metodat alternative të vlerësimit janë percaktuar në Ligjin “Për proçedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë” dhe në Udhëzimin ne zbatim të tij. Gjithashtu, këto metoda do të përdoren edhe në rastet kur tatimpaguesit nuk deklarojnë të ardhurat e realizuara. Këto metoda do të përfshijnë, por pa u kufizuar vetëm në to, sondazhet dhe fotografimet e kryera lidhur me xhiron, sipërfaqet e prodhimit apo të shërbimit që disponon tatimpaguesi, pozicioni i vendit të biznesit (qëndër apo periferi) detyrimet e llogaritura nga tatimpagues të rregullt, por që kanë afërsisht të njëjtat kushte biznesi sikurse tatimpaguesi të cilit i bëhet vlerësimi, konsumi i energjisë elektrike, niveli i qerasë, numri i punonjësve, etj.

4.8.4 Mënyra e pagesës

Pagesa bëhet duke përdorur Urdhër Pagesën për Tatimin e Thjeshtuar mbi Fitimin, sipas modelit që I bashkangjitet këtij Udhëzimi. Përpara pagesës, në formular duhet të vendoset NIPT-i i tatimpaguesit. Tatimi paguhet në një bankë ose zyrë postare e cila vepron si agjente për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.
Pagesa bëhet në datën e përcaktuar nga ligji ose përpara saj, në një bankë ose zyrë postare që ndodhet në rrethin ku është regjistruar tatimpaguesi. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve nxjerr gjithashtu në formë kujtese një kalendar me datat e deklarimeve dhe të pagesave të detyrimeve tatimore.
Pagesa e pjesshme apo parapagesa për të cilën nuk identifikohet tatimpaguesi duke iu referuar NIPT-it, nëse pranohet nga banka apo zyra postare që vepron si agjent për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, nuk do të konsiderohet si pagesë kundrejt atij detyrimi të tatimpaguesit derisa të identifikohet pozitivisht nga organi tatimor se cili është tatimpaguesi që ka bërë pagesën. Nëse ky identifikim bëhet pas datës kur duhet të kryhej pagesa e tatimit, tatimpaguesi do të gjobitet sikur tatimi të ishte paguar në bankë apo zyrën postare në datën e identifikimit.

4.9 Transferimi i të ardhurave në buxhetet e bashkive

Tatimi i mbledhur derdhet në buxhetin e shtetit për t’u transferuar eventualisht në buxhetet e çdo bashkie apo komune ku tatimpaguesi ka vendndodhjen e veprimtarisë, në përpjestim me qarkullimin e realizuar nga kjo vendndodhje, sipas procedurave ekzistuese.
Organi tatimor pajis degën e tatimeve të bashkisë ose komunës me një listë të çertifikatave të regjistrimit të lëshuara për vendndodhjet e biznesit brenda juridiksionit të tyre. Kjo listë identifikon qartë emrin dhe NIPT-in e tatimpaguesit, adresën e vendndodhjes së biznesit dhe shumën e tatimit të paguar.
Punonjësit e zyrës se tatimeve të bashkisë ose komunës duhet të përdorin këtë informacion për të informuar Degën përkatëse të Tatimeve për çdo biznes të njohur i cili nuk është pajisur me çertificatë regjistrimi.
Kur merr informacione nga bashkia apo komuna për biznese të cilat nuk janë të pajisura me Certificatë Regjistrimi, dega e tatimeve merr masa për t’i regjistruar keto biznese brenda 30 ditësh pas marrjes së informacionit dhe informon bashkinë apo komunën për masat e marra brenda 45 ditësh pas marrjes së informacionit. Proçedurat e bashkëpunimi midis degëve të tatimeve dhe organeve të pushtetit vendor përcaktohen në Udhëzimin e Përbashkët të Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Pushtetit Vendor nr.5, date 27.1.2003 “Mbi bashkëpunimin ndërmjet organeve tatimore qendrore dhe organeve të pushtetit vendor lidhur me administrimin e taksës vendore mbi biznesin e vogël dhe tatimin e thjeshtuar mbi fitimin”.
           5. TATIMI NE BURIM

5.1 Mbajtja ne burim e tatimit mbi te ardhurat

Në zbatim të nenit 33 të Ligjit, të gjithë personat, përfshirë personat juridikë, ortakëritë, personat fizikë tregtarë rezidentë tatimorë në Shqipëri, organet e qeverisjes qendrore apo vendore, organizatat jofitimprurëse, dhe çdo ent apo person juridik i krijuar si i tillë në Shqipëri, që bën pagesë të çdonjerës nga llojet e pagesave që listohen në nenin 33, është i detyruar të mbajë tatim në burim dhe ta derdhë atë në organin tatimor përkatës jo më vonë se data 20 e muajit që pason muajin në të cilin është kryer pagesa.

 

 

5.2 Tatimi në burim nuk do të mbahet kur pagesa i bëhet:

         a. Personave juridikë të referuar në shkronjën a të pikes 1 të Nenit 16, që janë tatimpagues të tatimit mbi fitimin dhe tatimit mbi vlerën e shtuar në organet tatimore shqiptare (pasi këta persona i përfshijnë këto të ardhura në të ardhurat e tyre të tatueshme);
         b. Personave fizikë tregtarë (të përfshirë në shkronjën c) të pikës 1 të nenit 16, të cilët janë të regjistruar si tatimpagues të tatimit mbi vlerën e shtuar dhe të tatimit mbi fitimin dhe i përfshijnë këto të ardhura në të ardhurat e tatueshme).
         c. Personave fizikë tregtarë, subjekte të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin kur pagesa është për shërbime që përbëjnë aktivitetin normal te biznesit të tyre.
Ketu do te perfshihen dhe personat fizik tregtare qe merren me grumbullimin e mbetjeve te metaleve, grumbullimit te bimeve mjeksore, grumbullimin e qumeshtit, ullirit, rrushit, shishe, etj.
Nuk mbahet tatim në burim për faturën që i paguhet një eksperti kontabël të regjistruar si tatimpagues i tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për shërbimet profesionale të kryera prej tij (pasi këto të ardhura janë të ardhura nga veprimtaria e tij normale biznesore dhe tatohen si të tilla), por do të mbahet tatimi në burim në rastet e pagesave që i bëhen ekspertëve kontabël për dividentë, interesa, të ardhura nga qeratë, etj., sipas përcaktimit në nenin 33.
          d. Çdo personi juridik Shqiptar apo të huaj për pagesa lidhur me transportin ndërkombëtar të mallrave dhe pasagjerëve.
          e. Çdo personi fizik ose juridik të huaj për shërbime që ata kryejnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, të vërtëtuara me dokumentacionin përkatës financiar e teknik. Degët e tatimeve kërkojnë interpretimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve për trajtimin tatimor të këtyre shërbimeve.

5.3 Niveli i tatimit te mbajtur ne burim

Tatimi në burim mbahet në masën 10% të pagesës bruto për të gjitha pagesat e listuara në nenin 33 (me përjashtim të rasteve të dhëna në pikën 5.2 më lart). Për të ardhurat nga shitja e aksioneve apo kuotave të pjesemarrjes, apo për tërheqjet (zvogëlimet) e kapitalit themeltar, ky tatim llogaritet për të ardhurat neto, në përputhje me sqarimet e bëra në këtë Udhëzim.

5.4 Mbajtja e tatimit ne burim per pagesat e kryera nga jorezidentet

Në zbatim të pikës 3 të nenit 33 të Ligjit, edhe personat jorezidentë mbajnë në burim tatimin për të gjitha pagesat (përcaktuar në pikën 1 të nenit 33 të Ligjit) e kryera nga ana e tyre, kur këto pagesa kryhen nëpërmjet një selie të përhershme që ata kanë në Republikën e Shqipërisë, apo përfaqesuesit të emëruar prej tyre.

5.5 Evidentimi i tatimit te mbajtur ne burim

Tatimi i mbajtur në burim evidentohet nga personat rezidentë në Republikën e Shqipërisë, organet e qeverisjes qëndrore dhe vendore, si dhe nga çdo subjekt tjetër i njohur si i tillë nga legjislacioni në fuqi, nëpërmjet regjistrimeve në librat përkatës të evidentimit, të cilët përmbajnë të dhëna të plota identifikuese për subjektin përfitues (përfshirë fotokopje të çertifikatës së regjistrimit në organin tatimor të përfituesit - sidomos kur nuk mbahet tatim në burim), shumën e pagesës, dhe tatimin e mbajtur në burim.

5.6 Mbajtja e tatimit ne burim per dividentet

Në zbatim të nenit 33/1 të ligjit, tatimpaguesit subjekt të tatimit mbi fitimin, brenda datës 31 korrik të çdo viti, duhet të depozitojnë,pranë Degës së Tatimeve, vendimin e organit kompetent vendim-marrës të shoqërisë lidhur me rezultatet financiare të vitit paraardhës dhe destinimin e fitimit pas tatimit, duke përcaktuar shumën e rezervave ligjore, pjesën që do të përdoret për investime ose për shtesë të kapitalit dhe pjesën që do të shpërndahet në formë dividenti.
Në rast paraqitje me vonesë të këtij vendimi zbatohet një gjobë në masën 25.000 lekësh, për çdo muaj apo pjesë të muajit.
Tatimi mbi dividentin për llogari të organeve tatimore, duhet të derdhet nga shoqëria, brenda datës 30 korrik të vitit kur bëhet miratimi i rezultateve, pavarësisht nëse është bërë ose jo pagesa e dividentit për përfituesit. Për mos pagesën e këtij detyrimi brenda datës 30 korrik zbatohen interesat për pagesë të vonuar në zbatim të ligjit Nr. 8560, datë 22.12.1999 “Për Proçedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”

5.7 Zvogelimet e kapitalit

Çdo zvogëlim kapitali, që nuk ka për qëllim zvogëlimin e humbjeve, do të konsiderohet divident i tatueshëm dhe do të tatohet me 10%, por vetëm në masën që zvogëlimi i kapitalit rrjedh nga fitimet e kapitalizuara të shoqërisë dhe jo nga kontributet në para ose në natyrë të pronarëve. Sigurisht shtesat e kapitalit, kontributet në para ose në natyrë të ortakëve, dhe zvogëlimi i kapitalit duhet të jenë bërë në përputhje me rregullat dhe proçedurat e Ligjit nr.7638, date 19.11.1992 “Për Shoqëritë Tregtare”.

5.8 Mbajtja e tatimit ne burim mbi te ardhurat e ANTA-s

Në zbatim të paragrafit 5 t ë nenit 33 “Mbajtja në burim e tatimit mbi të ardhurat”, Agjensia Ndërkombëtare e Transportit Ajror (ANTA) duhet të llogarisë dhe të derdhë në oprganet tatimore një tatim në masën10 % të arkëtimeve bruto nga Eurokontrolli, jo më vonë se 15 ditë nga çasti i arkëtimit. Brenda datës 20 të çdo muaji Dega e tatimeve Tiranë dhe ANTA duhet të rakordojnë mbi shumat e faturuara dhe arkëtuara dhe tatimin e paguar, duke mbajtur dhe një akt-rakordimi.
6. TRANSFERIMI I ÇMIMIT
"Transferimi i çmimit", që në një formulim më të gjërë mund të shprehet "Transferimi i fitimit nëpërmjet ndryshimit të çmimeve", ka të bëjë kryesisht me persona të lidhur si: shoqëri, degë apo filiale që janë pjesë të një grupi kompanish, të një shoqerie shumekombeshe apo ortakërie, apo që zotërohen nga i njëjti person apo grup personash, etj, të cilat janë të shpërndara dhe ushtrojnë biznesin në dy ose më shumë shtete, në të cilat trajtimi tatimor është i diferencuar.
Duke qenë se këta persona kanë lidhje të veçanta midis tyre (pra kontrollojnë njeri tjetrin apo kontrollohen nga të njejtët persona apo i përkasin të njëjtës kompani shumekombeshe) ato mund të vendosin çmimet e shitjes për lendet e para, gjysëmproduktet apo produktet që lëvizin nga njeri tek tjetri në mënyrë të tillë që pjesa më e madhe e fitimit të transferohet në atë vend ku tatim fitimi është më i ulët ose ku nuk ka tatim fare. E njejta gjë mund të ndodhë edhe me shërbimet, si shërbime teknike, konsulenca, etj. që personat e lidhur i faturojnë njëri tjetrit.
Çdo korigjim i transferimit të çmimit në rastin e transaksioneve ndërkombëtare mund të bëhet vetëm nëpërmjet Komisionit të Transferimit të Çmimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve në Ministrinë e Financave. Nëse një organ tatimor kërkon të zbatojë këtë dispozitë, ajo duhet t’ja kalojë çështjen komisionit të lartpërmendur. Ky Komision zbaton nenin 36 duke iu referuar rigorozisht Udhëzuesit të OECD-së të botuar në vitin 1995 për transferimin e çmimit.
Ky Komision mund të hyjë në marëveshje detyruese me tatimpaguesin, mbështetur në pikën 2 të nenit 36, për të përcaktuar që më përpara transferimin e çmimit. Një marëveshje e tillë do të nënshkruhet nga Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve. 
7. KREDITIMI I TATIMIT TË HUAJ

7.1 Kreditimi i tatimit te paguar jashte territorit te Republikes se Shqiperise

Neni 37 (paragrafi 1 dhe 2) ka të bëjë me kreditimin e tatimit që tatimpagues rezidentë në Republikën e Shqipërisë kanë paguar në vende të tjera (jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë) për fitime që ata kanë realizuar në ato vende. Por ky reduktim nuk do të kalojë nivelin e tatimit që do të aplikohej mbi ato të ardhura sikur ato të realizoheshin brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, ne baze te legjislacionit fiskal shqiptar.
Shembull:
Rasti 1. Një person juridik, rezident në Shqipëri, për vitin 2006, ka aktivitet në Shqipëri si edhe një degë në Itali, ku realizon fitim neto si më poshtë:
·             nga aktiviteti në Shqipëri:                    1.000.000 lekë;
·             nga aktiviteti në Itali:                              600.000 lekë.
Në bazë të dispozitave të këtij Ligji (neni 17) ky person, meqenëse është rezident Shqiptar, i nënshtrohet tatimit në Shqipëri mbi fitimet e realizuara nga të gjitha burimet, brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
Pra detyrimi tatimor në Shqipëri do të jetë:
·             fitimi në total:                                      1.600.000 lekë
·             tatim fitimi=1.600.000 x 20% =    320.000 lekë
Por, për fitimin që ka realizuar në Itali tatimpaguesi është tatuar atje (si jo rezident) me tarifën e tatim fitimit në Itali që është 36%. Pra, tatimi i paguar në Itali:
·             600.000 x 36%=216.000 lekë
Tatimpaguesi sjell dokumentacionin e plotë që vërteton pagesën e këtij tatimi në Itali. Pas kësaj, Organi Tatimor Shqiptar bën reduktimin e tatimit si më poshtë:
·             tatimi që duhej të paguhej sikur të ardhurat e realizuara në Itali të realizoheshin në Shqipëri: 600.000 x 20%=120.000 lekë. Pikërisht për këtë shumë do të bëhet reduktimi i tatimit, pra:
·             400.000 -120.000= 280.000 lekë, që është detyrimi përfundimtar i tatim fitimit që ky subjekt do të paguajë në Shqipëri.
Rasti 2. Supozojmë se i njejti Person Juridik Shqiptar ka një degë për ushtrimin e aktivitetit të tij në Hungari, ku tarifa e tatim fitimit është 18 %. Në këtë rast do të kishim:
·             fitimi i realizuar në Shqipëri:                         1.000.000 lekë
·             fitimi i realizuar në Hungari:                            600.000 lekë
Detyrimi tatimor në bazë të Nenit 17 të Ligjit:
·                                                         1.600.000x20%=320.000 lekë
Por, për fitimin që ka realizuar në Hungari, tatimpaguesi është tatuar atje me tarifën 18%. Pra tatim fitimi i paguar në Hungari: 600.000 x 18 % = 108.000 lekë. Në këtë rast, meqenëse tatimi i paguar në Hungari (18%) nuk e kalon tatimin e pagueshëm për ato të ardhura në Shqipëri (20%),është pikërisht kjo shumë, pra 108.000 lekë që do të reduktohet nga detyrimi tatimor në total. Në këtë rast, pasi nga tatimpaguesi të jetë marrë dokumentacioni i plotë që ka realizuar të ardhurat dhe ka paguar tatimin në Hungari në këtë shumë, kreditimi i tatimit do të bëhet si më poshtë:
·             320.000 -108.000=212.000 lekë, që është detyrimi përfundimtar i tatimfitimit që ky subjekt do të paguajë në Shqipëri.
Siç shihet, kreditimi (reduktimi) i tatim fitimit të paguar jashtë për fitime të realizuara jashtë, në asnjë rast nuk duhet të kalojë, pra mund të jetë më i vogël ose i barabartë, se tatimi që do të paguhej në Shqipëri nëse ato fitime do të realizoheshin në Shqipëri.
I njejti parim vlen edhe për tatimin e individëve. Një individi rezident Shqiptar do ti kreditohet tatimi mbi të ardhurat i paguar jashtë Shqipërisë për të ardhura të realizuara jashtë (përkundrejt dokumentave vërtëtuese), por jo më shumë se tatimi që do të paguhej në Shqipëri nëse ato të ardhura do të realizoheshin në Shqipëri.
Pra, gjithmonë, kreditohet (ose reduktohet) tatimi i paguar jashtë Shqipërisë për fitime ose të ardhura të realizuara jashtë Shqipërisë dhe nuk preket tatimi i të ardhurave të realizuara në Shqipëri.

7.2 Kreditimi i humbjeve

Paragrafi 3 i Nenit 37  lidhet me kreditimin (ose reduktimin) e humbjeve që një tatimpagues person juridik rezident shqiptar ka realizuar jashtë, përkundrejt fitimit që ai person ka realizuar në Shqipëri. Në këtë rast veprohet sikur Neni 27 (Mbartja e Humbjeve) të zbatohej në çdo vend të huaj.
Shëmbull. Një person juridik rezident Shqiptar përveç aktivitetit në Shqipëri ka krijuar një degë në Itali (p.sh. aty mund të ambalazhojë produktet dhe të përfundojë kontrata shitjeje për tregun Italian), dhe, dega në Itali vitin e parë rezulton me humbje dhe vitin e dytë me fitim. Të shohim si do të bëhet kreditimi (reduktimi) i humbjes në bazë të dispozitave të paragrafit të tretë të Nenit 37:
Për vitin 2001:
·             fitimi në Shqipëri:                                1.000.000 lekë
·             humbja e degës në Itali:                         200.000 lekë
·             fitimi nga të gjitha burimet Brenda dhe jashtë Shqipërisë
 (fitimi botëror ose global):                                       800.000 lekë
·             tatim fitimi në Shqipëri:800.000x25%=   200.000 lekë
·             tatim fitimi në Itali:                                          0 leke
Për vitin 2002:
·             fitimi në Shqipëri:                                1.000.000 lekë
·             fitimi në Itali:                                          600.000 lekë
·             fitimi nga të gjitha burimet Brenda dhe jashtë Shqipërisë (fitimi botëror):                                                   1.600.000 lekë
·             tatim fitimi në Shqipëri si rezident (Neni 17) i llogaritur për fitimin global:1.600.000 x 25% =                                      400.000 lekë
·             tatim fitimi në Itali:600.000 x 36% =                216.000 lekë
Kreditimi (reduktimi) i tatimit të paguar në Itali do të bëhet në mënyrën dhe në masën që vijon:
·             Nga fitimi i vitit 2002 i degës në Itali mbartet (zbritet) humbja e vitit të mëparshëm  600.000 - 200.000 = 400.000 lekë (sipas Nenit 27). Për këtë shumë llogaritet tatimi sikur ky fitim të ishte realizuar në Shqipëri (sipas paragrafit 1 dhe 2 të Nenit 37), pra 400.000 x 25% = 100.000. Eshtë pikërisht kjo shumë që do të reduktohet nga detyrimi tatimor global. Pra detyrimi tatimor përfundimtar per tatimin mbi fitimin që do të paguajë personi juridik në Shqipëri për vitin 2002, është: 400.000 - 100.000 = 300.000 lekë.
Paragrafi 4 i Nenit 37 jep faktin që (kreditimi) reduktimi i tatim fitimit i paguar në vende të tjera për të ardhura të realizuara apo humbje të pësuara në ato vende do të bëhet sipas metodave të përshkruara më lart për çdo vend në mënyrë të veçantë.
Në rastet e tatimit të paguar në vendet me të cilat janë përfunduar Marrëveshje (Konventa) për eleminimin e tatimeve të dyfishta, atëhere do të zbatohen dispozitat e këtyre Marrëveshjeve.
8. DISPOZITA KALIMTARE
Në zbatim të këtij neni, tatimpaguesit që përfitonin lehtësitë tatimore, sipas nenit 6 të ligjit nr. 7677, datë 03.03.1993  “Për tatimin mbi fitimin” do të vazhdojnë t’i gëzojnë ato në përputhje me dispozitat e atij ligji. Ndërsa subjektet e krijuar mbas datës së hyrjes në fuqi të Ligjit nr. 8438, datë 28.12.1998, nuk përfitojnë më lehtësi tatimore.
Gjithashtu, do të gëzojnë lehtësitë tatimore dhe përjashtimet, të gjithë tatimpaguesit e parashikuar në Iigjet: nr. 7665, datë 21.1.1993 “Për zhvillimin e zonave që kanë përparësi turizmin”; nr 8098, datë 28.3.1996 “Për statusin e të verbërit” dhe me Dekretin nr. 782, datë 22.2.1994  “Për sistemin fiskal në sektorin e hidrokarbureve”.

9. Shfuqizime
Udhëzimi i Ministrit të Financave Nr. 5, datë 18.01.2005 shfuqizohet.
10. Bashkengjitur janë:
1.   Tabela nr.1 “Tatimit mbi të ardhurat nga punësimi”;
2.   Tabela nr.2 “Tatimi mbi kalimin e të drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluejtëshme”;
3.   Formulari i Deklarimit dhe Pagesës të Tatimit mbi të ardhurat nga punësimi,  E-TAP 010/a;
4.   Formularit i deklarimit të të ardhurave personale nga burime të tjera (jo nga mardhënjet e punësimit aktual) E-TAP 013/a;
5.   Formulari i Deklarimit dhe Pagesës së Tatimit mbi Fitimin E-TAF 001/A;
6.   Deklarata Analitike e Tatimit mbi të Ardhurat E-TAF 000/a;
7.   Formulari “Kërkesë për Regjistrim”  Form 1.1;
8.   Formulari “Njoftim i Ndryshimeve në Regjistrim” Form 4.1;
9.   Model Urdhër Pagese për Tatimit të Thjeshtuar mbi Fitimin
               E-TBV-020/a;
10.                Modeli i Librit të Blerjes për Tatimpaguesit e Biznesit
                të Vogël E-TBV-010;
11.                Modeli i Librit të Shitjeve (Qarkullimit) për
                 Tatimpaguesit e Biznesit të Vogël, E-TBV-011;
12.                Modeli i Faturës së Thjeshtë Tatimore, E-TBV-055/a;
13.                Modeli i Dëftesës Tatimore, E-TBV-013;
14.                Formulari “Deklarata Parashikuese e Qarkullimit të
                       Biznesit të Vogël” E-TBV-014.
15.               Formulari i deklarimit dhe pageses se tatimit te
                     thjeshtuar mbi fitimin. FDP-SPT 001.

11. Hyrja në fuqi

Ky Udhëzim hyn në fuqi me botimin në Fletoren Zyrtare.

 MINISTRI I FINANCAVE
                 
                                      RIDVAN  BODE

Popular

BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR

BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR
BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR - GJITHASHTU DHE RIPAROJME