Rrënjët historike perëndimore të arsimit shqiptar




SEMINARI I SHTATË MBARËKOMBËTAR PËR MËSIMIN PLOTËSUES NË GJUHËN SHQIPE NË DIASPORË. 
 

*Rrënjët historike perëndimore të arsimit shqiptar*

          Arsimi laik shqiptar, në rrënjët e tij, ka pasur një fizionomi perëndimore të qartë. Ata që vunë themelet e arsimit laik shqiptar ishin njerëz të përgatitur në shkollat perëndimore, sipas metodave pedagogjike më moderne, me botëkuptim e qytetërim perëndimor. Karakteri perëndimor i rrënjëve të arsimit tonë kombëtar, nuk është slogan e as spekulim patriotik. Ai mbështetet  në dialektikën e zhvillimit të shkollës laike shqiptare që nga viti 1887 e deri në vitin 1939.

          Është momenti të vëmë në dukje rëndësinë e jashtëzakonshme që merr vendimi historik i Kongresit të Manastirit në nëntor 1908 për përdorimin e alfabetit të njësuar, si një hap vendimtar drejt hedhjes së urave që lidhnin   edukimin e brezave të reja me kulturën dhe idetë përparimtare të Perëndimit. Kjo sfidë shumëfishohej në terrenin shqiptar të ndikuar   nga kultura otomane.

          Natyrisht, teza për rrënjët historike perëndimore të shkollës sonë nuk pranohet apriori. Madje ajo vihet në diskutim nga partizanët e origjinave më të hershme të arsimit shqip, të cilat, sipas tyre, janë orientale. Debati vazhdon të jetë i hapur. Prandaj, na duket e nevojshme të përpiqemi për një argumentim më të thelluar teorik të këtij problemi.

      Historia e shkollës laike shqiptare deri në vitin 1944

          Shkolla  kombëtare shqiptare, ka një histori relativisht të shkurtër, rreth 125 vjet. Por ajo që e dallon atë nga simotrat e vendeve fqinje, është,  përveç karakterit të fuqishëm patriotik, fryma e saj iluministe, thellësisht e ndikuar nga idetë e Revolucionit Borgjez Francez dhe roli i jashtëzakonshëm emancipues i tij në zhvillimin e shoqërisë shqiptare..

          Shkodra, historikisht, përfaqësonte një dritare të hapur nga perëndimi. Ajo ishte djepi i kulturës klasike, i mundësuar në mënyrë të veçantë nga fakti që ajo ka qenë një qendër e rëndësishme tregtare, që ka mundësuar kontaktet e shumta të natyrave të ndryshme.

          Ndikim të veçantë pati dhe nga kultura austriake, veçanërisht gjatë viteve të para të ekzistencës së shtetit tonë të pavarur. Pas krijimit të shtetit shqiptar, Vjena dhe qytetet e tjerë të Austrisë, patën vazhdimisht studentë shqiptarë. Në shkollat normale austriake,  u shkolluan një pjesë e mirë e atyre që, më vonë udhëhoqën procesin e ndërtimit të shkollës fillore, mbi baza moderne pedagogjike dhe didaktike.

          Në Jug, Janina ishte një vatër ku u mbajt e gjallë kultura klasike greke. Janina pati një gjimnaz të përmendur," Zosimea-n ", ku u shkolluan mjaft shqiptarë, si Naim Frashri, Sami Frashri, Ismail Qemali. Më vonë, Athina tërhoqi një pjesë të studentëve të parë shqiptarë të Jugut në universitetin e saj.

          Bukureshti qe një qendër tjetër arsimore për shqiptarët.

          Rëndësi edhe më të madhe, për arsimin shqiptar, pati Kolegji i Shën Mitrit në Kozenca të Italisë. Në këtë kolegj, që ishte në nivelin e shkollës së mesme, breza të tërë shqiptarësh u pajisën me kulturën shqiptaro-italiane.

          Me krijimin e shtetit shqiptar shkolla amerikane filloi të shtrijë ndikimin e vet veçanërisht me hapjen e shkollave amerikane, në të cilat jepnin mësim dhe instruktorë amerikanë.

          Zona e influencës frënge, shtrihej në Juglindje të vendit e kryesisht në Korçë, nëpërmjet Liceut Francez të Korçës.

          Ndikimi i  kulturës italiane në arsimin shqiptar u shtri dukshëm  në Veri, në Shqipërinë e Mesme e në Jugperëndim të vendit, duke kulmuar me hapjen e Shkollës Tregtare të Vlorës.

          Me të tillë elementë kulturash të ndryshme perëndimore, u ndërtua mozaiku i shkollës shqipe i periudhës së pavarësisë. Secili element la gjurmën e vet por modelet e organizimit shkollor, u kërkuan më fort në arsimin e vendeve si,  Austria dhe Italia.

          Shkolla shqipe merr trajtën e saj përfundimtare në vitin 1934. Në këtë vit, sistemi arsimor ekzistues, i nënshtrohet një reforme të gjerë dhe të gjithanshme. Premisat për ndërmarrjen e një reforme të tillë ishin të qarta:
a.)Gjatë periudhës 1920-1933, krahas shkollave shtetërore, ishte zhvilluar një rrjet shkollash joshtetërore. Një numër shkollash të tjera sidomos të mesme, mbaheshin nga ente fetare të cilët,  në një farë mënyre, konkurronin arsimin shtetëror, i cili zhvillohej në vijën e tij laike.

b.) Arsimi joshtetëror zhvillohej në drejtim të pavarur dhe kjo nuk përkonte  me politikën arsimore shtetërore.

c.)Ndërmjet shkollave që vepronin në Shqipëri, disa prej tyre financoheshin nga të huajt, disa nga shtete si Italia, të cilët kishin synime politike në Shqipëri.

          Konsiderata të tilla, përcaktuan Reformën rrënjësore të vitit 1934, e cila u parapri nga Dekretligji i 22 Prillit 1933, “ Mbi kombëtarizimin e arsimit dhe suprimimin e shkollave private “. Ligji që u quajt " Ligji i Ivanajt", sipas emrit të autorit të tij, Ministrit të Arsimit të asaj kohe, Dr. Mirash Ivanaj, u dekretua më 6 Shtator 1934. Ky ligj megjithë kundërshtimet që pati reformoi plotësisht shkollën shqipe.

          Shkolla shqipe e reformuar paraqiste këto karakteristika: ajo ishte kombëtare, shtetërore dhe laike
         
          Sistemi arsimor shqiptar, i bazuar në Reformën e Ivanajt, ka ekzistuar nga viti 1934 deri në vitin 1944. Në këtë sistem, përfshiheshin: shkolla foshnjore, shkolla fillore dhe shkolla e mesme, me degët e saj, gjimnaz, normale dhe profesionale. Arsimi jo formal dhe arsimi për të rriturit, në këtë sistem, kishte vendin e vet.

          Shkolla fillore, nga 6 vjeçare që ishte më parë, gradualisht u kristalizua në formën e saj përfundimtare 5 vjeçare.

          Shkolla e mesme me këtë reformë zgjaste 8 vjet, ajo ishte e ndarë në dy cikle të lidhur me njeri tjetrin. Shkollat e mesme shqipe kanë qenë të mesme të ulta, të mesme të larta, ose së bashku: të mesme të ultë dhe të larta. Si e para, ashtu edhe e dyta, vazhdonin 4 vjet.

          Arsimi publik ishte organizuar mbi skemën 5+4+4 vite shkollimi.

          Përjashtim nga kjo skemë bënin vetëm Liceu i Korçës, i cili ishte i bazuar në skemën 5+1+8 vite shkollimi dhe Institutet teknike si ai “ Harry Fultz “,( Tiranë ) dhe Shkolla Bujqësore e Golemit( Kavajë ).
          Në këto shkolla mësimet zhvilloheshin në frëngjisht dhe anglisht. Për këtë arsye, në rastin e Liceut të Korçës, viti ndërmjetës konsiderohej klasë përgatitore për gjuhën frënge.

          Gjimnazi ka patur dy degë: klasike dhe reale(shkencore). Në të dy vitet e para, mësimet zhvilloheshin mbi një trung të përbashkët për të dy degët; dallimi fillonte në vitin e tretë.

          Kalimi nga një cikël në tjetrin bëhej me anë të provimeve. Dokumenti që lëshohej për mbarimin e fillores, quhej " Dëftesë lirimi". Pas dhënies me sukses të provimeve të 4 viteve të para të shkollës së mesme, kandidati fitues merrte" Dëftesë e semimaturës" dhe mund të vazhdonte gjimnazin më tej. Në përfundim të 4 viteve të shkollës së mesme të lartë dhe likuidimit me sukses të provimeve të shtetit, pranë një komisioni tepër rigoroz, kandidatit fitues i lëshohej një diplomë e quajtur “Dëftesë e Pjekurisë", e cila i jepte të drejtë nxënësit të vazhdonte studimet e larta në çfarëdo universiteti të Evropës.

          Karakteristikë themelore e këtij sistemi arsimor, ishte efikasiteti i tij i lartë dhe niveli i avancuar profesional i stafit pedagogjik.  Tipar tjetër dallues ishte koherenca e brendshme e sistemit dhe ekuivalenca e plotë me sistemet arsimorë të kohës. Graduati shqiptar i gjimnazit ose i liceut,(kështu emërtoheshin nxënësit që mbaronin shkollat e mesme), pranohej në çdo universitet të Evropës, pa konkurs, mjaftonte legalizimi i diplomës nga konsullata e vendit ku ai do të studionte. Në të njëjtën mënyrë, në shkollat e larta pedagogjike të Evropës, pranoheshin edhe normalistët shqiptarë. Ndërsa graduatët e instituteve profesionale,( Institutit Tregtar 4 vjeçar të Vlorës dhe Institutit Teknik 5 vjeçar të Tiranës), mund të regjistroheshin pa kurrfarë problemi në shkollat e larta respektive të çdo vendi.

          Me reformën e Ivanajt, shkolla shqiptare e kohës ishte plotësisht e njohur (akredituar), në Perëndim. Nga kjo pikëpamje, ajo përbën një pikë referimi të pazëvendësueshme për zhvillimet e sotme të shkollës dhe arsimit shqiptar.

          Rrethanat historike të kohës, nuk lejuan që kjo shkollë e standardeve euro-amerikane, të shtrihej në të gjithë vendin. Ndërkaq, mund të pohohet pa hezitim që, nga pikëpamja cilësore, arsimi ynë i paraçlirimit, sidomos gjatë viteve 30-të, arriti nivele të krahasueshme me atë të vendeve të tjerë fqinjë e më gjerë. Në kushtet e një prapambetjeje të madhe e të një analfabetizmi të theksuar, kjo reformë përfaqësonte në vetvete një revolucion arsimor për Shqipërinë  e asaj kohe.

          Të metat kryesore nga të cilat vuante shkolla jonë e paraçlirimit, veçanërisht në arsimin e përgjithshëm ishin: fryma herbartiane e edukimit, infrastruktura e pamjaftueshme laboratorike, mungesa e teksteve  dhe karakteri i theksuar selektiv i saj.


        Shkolla shqiptare nga viti 1944 e deri më 1990.

          Pas çlirimit të vendit, arsimi ynë kombëtar, njohu zhvillime sasiore, të orientuara sipas konceptimeve dhe zhvillimeve lindore për edukimin,( shkolla jugosllave, sovjetike e kineze). Këtij qëllimi i shërbeu edhe zgjerimi pa kriter i arsimit, sidomos atij të mesëm, bile edhe atje ku mungonte infrastruktura më minimale. Kuptohet, kjo bëhej në funksion të argumentimit të tezës “ mbi epërsinë e sistemit socialist ndaj atij kapitalist" në fushën e arsimit.
          Shtrirja voluntariste e arsimit të mesëm, pavarësisht se përkonte me aspiratën e popullit tonë arsimdashës, e vuri në diskutim dhe e minimizoi efektivitetin e brendshëm  të sistemit arsimor. Prandaj, edhe arritjet në rrafshin sasior, duhet t'i nënshtrohen një shqyrtimi rigoroz e një analize kritike, për të nxjerr efektet negative të një zhvillimi të paargumentuar shkencërisht e për llogari të politikës zyrtare të regjimit.
          Ndryshimet mes dy shkollave, asaj të pasçlirimit dhe asaj të paraçlirimit, janë ndryshime të thella botëkuptimore, konceptuale, metodologjike e edukative. Ato janë manifestim i drejtpërdrejtë i ndryshimeve mes sistemeve politike dhe ekonomike, nga të cilët, siç dihet sistemi totalitar dhe i ekonomisë së centralizuar dështoi. Si i tillë, ai gjeneroi një varg problemesh, të cilët kërkojnë dekada për t'u zgjidhur.

          Shkolla, si një nga institucionet më konservatore të shoqërisë, nuk i pranon hopet revolucionare, sidomos kur këto janë të pastudiuara e të pambështetura nga zhvillimet e përgjithshme ekonomike-shoqërore të vendit. Në rastin më të mirë, ajo do të pësojë deformime, që do të kërkojnë përpjekje të jashtëzakonshme për t'u riparuar.

          Një nga këto deformime, të cilët s'mund të jenë të lidhur vetëm me aspekte ekonomike, është rezistenca ndaj ndryshimit, ndaj përqendrimit, ndaj decentralizimit apo dhe harmonizimit të zhvillimit të arsimit me zhvillimet rajonale demografike e ekonomike-shoqërore. Kjo shpjegon edhe vonesën në përshtatjen reale të praktikës së shkollës me standardet e vendeve të zhvilluara.

          Nga pikëpamja e analizës historike të problemit, mund të pohojmë që, shkolla shqiptare, deri në vitin 1976, u ekuivalentua dhe u akreditua disa herë: fillimisht me modelin jugosllav, pastaj me atë sovjetik; pas 1962, megjithë influencën e fortë të kulturës ruse, në arsimin tonë u adoptuan teori kineze( si ajo e harmonizimit të tri komponentëve). Pas prishjes së marrëdhënieve me Pekinin, ajo u izolua në  vetvete sipas formulës " As Lindje, as Perëndim". Ky vetizolim absolut nga zhvillimi botëror, përfaqëson edhe dëmin  më të madh që iu bë arsimit tonë. I mbërthyer në prangat e izolimit të plotë kulturor nga qytetërimi të cilit i përkiste, arsimi ynë u atrofizua dhe humbi karakteristikat e tij më të vyera, të krijuara me mundin e me djersën e brezave të tërë  dhe me sakrificat e mbarë popullit.

          Analiza objektive e kontekstit historik të zhvillimit të arsimit nuk lejon mospërmendjen e disa fakteve substanciale. Nuk mund të mohohet që sistemi arsimor ka lëvizur, ka bërë përpjekje për t'u vetëzhvilluar, që brenda tij, në segmente të caktuar, është akumuluar një përvojë jo e pakët dhe janë shënuar disa arritje cilësore. Kështu, p.sh., niveli i formimit akademik ka qenë, deri diku, i krahasueshëm me atë të vendeve të tjera të rajonit.
          Në matematikë e në shkencat e natyrës, prej kohësh, viheshin re përpjekje për adoptimin e kurrikulave respektive perëndimore. Kjo dukuri nuk mund të konsiderohet e rastit. Ajo i dedikohet presionit të artikuluar me kujdes nga ana e shkencëtarëve tanë progresistë, që në shumicë, ishin edhe hartuesit më autoritarë të teksteve të shkollës sonë të pasçlirimit.
Por, pavarësisht nga kjo, në tërësinë e vet, shkolla që ne trashëguam, karakterizohej nga politizimi dhe indoktrinimi ekstrem, aq sa nuk kishte të krahasuar me simotrat e saj të vendeve ishkomuniste.


        Shkolla shqiptare nga viti 1990 e deri më 2011.

          Ngjarjet e 1990, që pasuan shembjen e Murit të Berlinit dhe përmbysjen e diktaturës, shënuan një çarje të dukshme në konceptet tona edukative. U vu në krizë i tërë sistemi ekzistues i edukimit; u lëkundën tërësisht " vlerat " e propaganduara me forcë për rreth 50 vjet dhe praktikat që stimulonin krijimin e këtyre të ashtuquajturave vlera. Pas ndryshimeve të mëdha në sistemin politik, ekonomik e legjislativ të vendit, u pa qartë që, edhe në arsim, do të duhej të futeshin koncepte e praktika të reja, të cilat do të modifikonin tërësisht përfytyrimet ekzistuese mbi vendin dhe rolin e arsimit në një shoqëri liberale të tregut të lirë.

          Koncepti i integrimit u bë promotor i të gjitha lëvizjeve në skenën e politikës shqiptare të fundit të shekullit XX dhe të dekadës së parë të shekullit XXI. Natyrisht, ky koncept përshkonte tërë hapësirën postkomuniste të vendeve të Evropës Qendrore, Lindore e Juglindore. Parë nën këndvështrimin tonë, politika e integrimit të vendeve të Evropës Lindore, drejt vendeve perëndimore, bën të domosdoshme, midis te tjerave, edhe përgatitjen e njerëzve të aftë për t’u integruar në tregun rajonal e global të punës.       Bashkimi Evropian, nga ana e tij, është i interesuar për këtë trend përgatitjeje të burimeve njerëzore, sepse, herët apo vonë, integrimi do të realizohet. Për këtë qëllim, prej kohësh, po punohet për identifikimin e mundësive, ritmeve, prioriteteve dhe mekanizmave të këtij procesi, i cili, duhet pohuar, është një proces afatgjatë e tepër i ndërlikuar.

          Vendet e Ballkanit që përfshihen në kartën e Adriatikut, mes tyre edhe Shqipëria, duhet t’i demonstrojnë Perëndimit të zhvilluar, siguri se shoqëritë e tyre plotësojnë standardet e kërkuara në disa fusha prioritare, përpara se sa të fitojnë statusin e vendit kandidat ose anëtar i BE. Arsimi ose edukimi, siç përkufizohet në Perëndim, është funksion i zhvillimit ekonomik të shoqërisë dhe, vetë edukimi, nga ana e tij, shërben si faktor i zhvillimit të shpejtë ekonomik. Nisur nga një filozofi e tillë, analiza e ndryshimit tek ne duhet të konsideronte një numër të rëndësishëm variablesh duke bërë të mundur artikulimin e alternativave të shumëllojta të procesit. Në radhë të parë, duhej konsideruar struktura e ngurtësuar 40 vjeçare e arsimit parauniversitar.

          Bazuar në teoritë bashkëkohore të psikologjisë dhe në mendimin shkencor euroatlantik për evolucionin e strukturave arsimore, u propozuan tri variante të reja të strukturës së arsimit bazë: shtimi i një viti parapërgatitor para klasës së parë të shkollës fillore, për t'i vënë nxënësit në një start të barabartë; shtimi i një viti shkollor pas klasës së katërt për të kaluar në një shkollë fillore bazë me 5 klasë, si dhe shtimi i një viti shkollor pas mbarimit të klasës së tetë. Këtu nuk bëhej fjalë për shtesë mekanike, por për reforma strukturore të rëndësishme, që synonin rritjen e cilësisë kombëtare të arsimit, përafrimin e shkollës sonë me ato të rajonit, pse jo, dhe me ato të vendeve të zhvilluar të Perëndimit.

          Në rrugën e reformave arsimore, në Perëndim e në Lindje janë përvijuar drejtime të ndryshme zhvillimi. Në rast se Perëndimi ndjek rrugën e zhvillimeve nga poshtë, studiuesit e Evropës Qendrore e Lindore mendojnë se rruga më e shkurtër, më e përshtatshme për këto vende dhe më ekonomike, është ajo e reformave nga lart. Në Shqipëri u ndoq strategjia e  ndryshimeve të tipit Big-Bang, të shoqëruara këto me alternime zhvillimesh graduale, në funksion të arritjes së maksimumit të suksesit me minimumin e shpenzimeve të mundshme.  Kjo filozofi bazohet në situatën ende të pakonsoliduar qartë të perspektivës ekonomike-shoqërore të vendit, e cila imponon ndryshime të studiuara, për të mos shkaktuar trauma tek nxënësit, mësuesit dhe prindërit.

          Në koherencë të plotë me zhvillimin historik të edukimit në përgjithësi e të shkollës sonë në veçanti, u projektua dhe u ndoq rruga " nga e lehta tek e vështira", gjë që i përshtatej natyrshëm këtij procesi, duke amortizuar, deri diku, edhe rezistencën ndaj ndryshimit. Dhe një nga çështjet kyç për të ilustruar këtë ide është rruga që është ndjekur për certifikimin dhe licencimin e mësuesve.

          Qëllimi i licencës është mbrojtja e publikut dhe, nga kjo pikëpamje, licenca është një mënyrë për kontrollin e cilësisë së kandidatit për mësues. Kur u shtrua për herë të parë problemi i licencimit të mësuesve, tingëlloi si utopi. U desh të kalonin pothuaj dy dekada që të arrihej në konkluzionin se, edhe profesioni i mësuesit duhet të jetë profesion i rregulluar me ligj, njëlloj si ai i mjekëve, arkitektëve,etj.

          Në fillim të këtij shekulli, Shqipëria po përjeton historinë e riintegrimit të saj në familjen e shoqërive demokratike të perëndimit. Këtij qëllimi i shërben kursi i reformave të thella të ndërmarra gjatë viteve të fundit në të gjithë sektorët e jetës ekonomiko- shoqërore të vendit. Ndryshimet me të kaluarën janë impresionuese.

          Por, pavarësisht nga vullneti politik e nga dëshira e mirë, pavarësisht nga deklarimet e të gjitha ngjyrave, nga pretendimet për një demokraci liberale në një shoqëri të dalë nga totalitarizmi, hapja e menjëhershme e vendit ndaj botës dhe padurimi për të fituar kohën e humbur, përmbajnë, potencialisht, edhe rrezikun e shtresëzimit social të antivlerave dhe krizën e përgjithshme të identitetit e të konstitucionit tonë shpirtëror.  Këto dukuri, janë rrjedhojë e drejtpërdrejtë e ndikimit kaotik të kulturave nga më të ndryshmet, shpesh në konflikt me njëra tjetrën.

          Për të parandaluar këto rreziqe, theksi duhet vënë tek forcimi i edukimit, ruajtja e identitetit tonë kulturor e kombëtar, ruajtja dhe zhvillimi i vlerave pozitive të grumbulluara ndër shekuj dhe afirmimi i vlerave të reja demokratike.

          Shkolla shqiptare do të duhet të përballojë sfidat e përgatitjes së subjekteve me profil shqiptar e me dimension euroatlantik. Ky proces, i iniciuar nga iluministët shqiptarë të fillimeve të shekullit XX, lypset të zhvillohet në hinterlandin prej të cilit u largua me dhunë, për rreth 50 vjet, për t'u rikthyer në mënyrë përfundimtare, në agim të viteve 2000, si pjesë përbërëse e procesit të pandalshëm të integrimit  euroatlantik.

          Kjo përbën ndoshta dhe arsyen kryesore pse historia e zhvillimit të arsimit tonë kombëtar duhet të njihet, të studiohet dhe të promovohet. Ideja e ruajtjes së identitetit kombëtar të shkollës sonë, është shprehur dhe në krijimin e vlerave të caktuara pozitive arsimore, kontribute këto të punës titanike të mija mësuesve të thjeshtë.

          Historia moderne e Shqipërisë është edhe histori e zhvillimit të arsimit tonë kombëtar. Çështja kombëtare dhe çështja e shkollës shqipe, kanë përbërë  binomin lëvizës të historisë së shqiptarëve dhe në treva të caktuara, vazhdon të jetë sensitive.

          Nga kjo pikëpamje  mund të pohojmë me krenari që vetë  zhvillimi i  Shqipërisë si shtet gjatë një shekulli, e ka zanafillën tek puna e mësuesve, te misionarët e dijes, të cilët, në anonimatin e tyre, meritojnë mirënjohje e respekt.


Bibliografi


1.      Banka Botërore- Studim Strategjik: Sistemi Shkollor Shqiptar, Tiranë 1993.

2.      Birzea, C.- "L' analyse operationelle des systems educatifs"- Quebec, Universite Laval, 1977, f.20-28.

3.      Council of Europe- The Education of Young People in Europe -Developments, Problems and Trends, Strasbourg 1973, f.12,13.

4.       Jelavich, B. History of the Balkans. Cambridge, U.K.; New York N.Y., Cambridge University Press, (1983).


5.      Mialaret Gaston- " Pedagogie Generale", PUF( fondamental), Paris 1991, përshtatur në shqip nga Ladi Shahini, Shtëpia botuese “ Faik Konica”, f.41, 1995.

6.      Mbingarkesa në mësime- Studim i pabotuar i Departamentit.të Kurrikulës, ISP, Tiranë 1995, f.5.

7.      Pipa, F. " Një shekull shkollë shqipe", Shejzat, Romë, 1962, f.14.

8.      Shahini Ladi - " Konteksti historik i akreditimit", RD, dhjetor 1996.

9.      Shahini Ladi – “ Politikat arsimore në fokusin e akreditimit”, Botimet Enciklopedike, Tiranë 2000.

10.  Shahini Johana - “ Vlerësim paraprak i mundësisë së akreditimit në arsimin parauniversitar”, Buletini” Vlerësimi në arsim”, Nr.3, ISP, 2003.

11.  Shahini Johana – Cështje të politikave arsimore”,( Artikull i pabotuar ), 2011.

12.  Skendi, S. Albania. Mid-European Studies Center of the Free Europe
      Committee. New York, N.Y.: F.A. Praeger, (1958).



Popular

BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR

BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR
BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR - GJITHASHTU DHE RIPAROJME