Ismail Kadare



A.    Novatorizmi i Ismail Kadaresësi poet; analizë e poezive (Shekulli im);
Fluksi i vetëdijes: Kronikë në gur;
Alegoria politike te Pallati i ëndrrave;
********

Ismail Kadare lindi në qytetin e Gjirokastrës. Atje ai kaloi fëmijërinë dhe kjo la gjurmë të thella në gjithë jetën dhe krijimtarinë e tij. Kreu studimet e larta në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë në Universitetin e Tiranës, pastaj në Institutin "Gorki" të Letërsisë Botërore në Moskë.
Këto studime iu ndërprenë për shkak të krizës politike ndërmjet Shqipërisë dhe ish Bashkimit Sovjetik. Kadareja ka punuar në gazetën "Drita", pastaj drejtoi revistën "Les letres albanaises". Së fundi punonte në profesion të lirë.
Kadare ka qenë dhe është protagonist i jetës politike dhe i mendimit të vendit qysh prej viteve '60. Në fund të vitit 1990, dy muaj pas rënies së shtetit diktatorial, Kadare u largua së bashku me familjen në Paris, por mbajti lidhje mjaft të shpeshta me Shqipërinë.
Ai është një nga personalitetet më të shquara të kulturës shqiptare, ambasador i saj në botë. Kadare është shkrimtari që i ktheu mitet legjendare në realitet, shkrimtari që bëri histori prej prehistorisë; pa rënë në kundërthënie me vetveten dhe gjykimin modern, ai arsyetoi estetikisht në mënyrë të përkorë dhe për kohën absolute.
Në Shqipërinë e ndodhur në udhëkryq vepra e Kadaresë ka qenë dhe mbetet një shpresë apo një ogur i bardhë për të.
Vepra e Ismail Kadaresë është përkthyer në 32 gjuhë të huaja duke arritur kështu një rekord të përhapjes në tërë botën e qytetëruar.



POEZIA E KADARESË

Poezia e Ismail Kadaresë është një prej zhvillimeve më novatore në vjershërimin shqip gjatë një gjysmë shekulli. Ajo shprehu vendosmërinë e shkrimtarëve të brezit të viteve '60 për të realizzar qëllime estetike të ndryshme prej paraardhësve.
Frymëzime dialoshare (1954),
Ëndërrimet (1957),
Endërr industriale (1960),
Shekulli im (1961),
Poemë e blinduar (1962),
Përse mendoben këto male (1964),
Shqiponjat fluturojnë lart (1966),
Motive me diell (1968),
Koha (1976),
Shqipëria dhe tri Romat,
përbëjnë titujt kryesorë të veprës poetike të Kadaresë.
Ismail Kadare, ndryshe nga Agolli, në periudhën e parë të krijimtarisë së tij, u tërhoq pas poemës epiko-lirike. Në prirjen e përgjithshme ai nuk u shkëput prej frymës monumentalizuese të poezisë së mëparshme, por e kushtëzoi këtë me tipin e njeriut shqiptar, të historisë së tij kombëtare, të fatit të tij nëpër shekuj. Thuajse në të gjitha poemat e shkruara në vitet '60 -'70 ka një gërshetim të mjeteve të reja të të shprehurit me mënyrën tradicionale të të vështruarit të jetës dhe të historisë:
Poezia e Kadaresë, ndryshe prej prozës së tij, është përgjithësisht e qartë, pa ekuivoke, shpesh marciale, thuajse përherë optimiste. Ajo, në kritikën zyrtare, është pritur si pasurim problematik i poezisë shqipe, veçanërisht me temën e qëndresës shumëshekullore të popullit shqiptar në rrugën e tij të gjatë të historisë. Poezia e Kadaresë është poezi e sfidave të mëdha shqiptare. Ajo është e përshkuar nga qëndrimi hyjnizues ndaj historisë kombëtare, ndaj lavdisë së tyre, ndaj tokës së të parëve, ndaj gjuhës shqipe.
Qëndresa hyn në poezinë e Kadaresë qysh prej kohërave antike, deri në periudhat më të afërta të historisë.
Përgjithësisht poezia e Kadaresë është e sunduar prej mitit të së shkuarës, evokimit të lavdisë së dikurshme.
Poema epiko-lirike shqipe arriti një nivel të lartë afirmimi me vepra të tilla të I. Kadaresë, si "Përse mendohen këto male" dhe "Shqiponjat fluturojnë lart", pastaj me "Shekulli i 20-të", "Poemë e blinduar", "Shqipëria dhe tri Romat" e vepra të tjera.
Poezia e Kadaresë është e prirur drejt sintetizmit dhe abstraksionit. Në këtë cilësi poezia e Kadaresë të sjell ndërmend vjershërimin e Migjenit. Sintetizmi shfaqet në mungesën e çfarëdo subjekti apo elementi të subjektit. Poemat e Kadaresë, përgjithësisht poezia e tij, janë art mendimi, pa elemente të rrëfimit (narracionit). Si të tilla, si poema mendimi, ato ofrojnë shumësi leximesh, në kohë dhe në miedise të ndryshme.
Kadare në problematikën e poezisë shqipe, krijoi emërtesën e "temës së madhe". dhe jo vetëm kaq, ai e ktheu në mit atë, duke e bërë mbizotëruese në jetën letrare të vendit për më shumë se dy dekada. Para së gjithash poezinë e Ismail Kadaresë e intereson ajo që shpesh quhet gojëdhënë kombëtare ose mit i origjinës. Sfidat më të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar janë stacione të poezisë së tij.
Kadare i shkroi disa prej veprave të tij më të rëndësishme në vargje të lira, duke përvetësuar vlera të rëndësishme të vjershërimit tradicional, prej De Radës deri tek Migieni. Në fillimet e veta ishte i ndikuar prej poezisë ruse, veçmas prej Majakovskit. Poezia intime e Kadaresë është mjaft e ngrohtë, e drejtpërdrejt, një bashkëbisedim me të dashurën që përgiithësisht është larg si vend apo si kohë. Gjithashtu poezia intime e Kadaresë përshkruhet nga malli për qytetin e lindjes, për njerëzit që lanë gjurmë në fëmijërinë e tij, për atdheun kur ndodhet larg tij, për kohën studentore, vajzat dhe rrugët e Moskës kur është në atdhe, e mbi të gjitha, për vajzën që le gjurmë në shpirtin e tij, por që përgjithësisht ndodhet larg.


Ky Dimër
Ç'i gjatë ish ky dimër, ç'i pafund.
E lodhur pudra mbi fytyrën tënde.
I mpirë është gëzimi, thua s'ngjallet dot.
Apo si ai q'u dergj nga një lëngatë e gjatë.
S'do mëkëmbet kurrë ashtu siç qe?
Ç'i gjatë ish ky dimër, ç'i ftohtë ish.
Në pusin e ndërgjegjjes mezi ndihen
Tinguj kambanash si rënkim të mbyturish.
Ato gjithashtu vdiqën, dot s'i ngjall,
Sa gjëra u vyshkën, më e keqe se vetë vdekja
Ish vyshkja e tyre e ngadaltë, o zot.
Ç'i gjatë ish ky dimër, ç'i pashpresë ish.
Kinezët që s'duken më në udhëkryqë rrugësh
Por vetë ata s'kanë vdekur: qelqe dritaresh
Të stilit q'ata sollën vezullojnë ngriraz
Duke dërguar ftohtësinë e tyre
Mbi mijëra fytyra si prej maske kalimtarësh
Sa kohë vallë do ti duhet
Genit të racës atë maskë të shpëlajë.
Apo në luftën e maskës me lëkurën
Maska do të fitojë më në fund?
Ç'i gjatë ish ky dimër, ç'i acartë ish,
Mbi varrin e tiranit monoton
Shiu po bie.
Ka gjumë a s'ka nën dhè?
Ç'i gjatë ish ky dimër, ç'i vrerosur ish.
E lodhur pudra mbi fytyrën tënde.
Nën pluhur tempujsh,
i lodhur shpirti im.



Një Vajzë

Duke të puthur, pa të dashur
Në shpirt ai ty të plagoi
Buzëpërgjakur nga të kuqtë e tu,
si vrasës tinëz shkoi


Krenar që ty "të shtiu në dorë"
Gjith' shokëve emrin tënd ua tha.
Pranë gotës së birrës për ty folën
në park, të dielave ata.


Dhe ti e vetme mbete, bosh
mbenë sytë e ty në net bilbilash
Si sheshi i shkretë, ku posa ndodhi
Një katastrofë automobilash.


Tani kur shkon Rrugës së Dibrës
Ata me sy të ndjekin pas
Pataj me bërryl i bien shokut
"E sheh filanen? E ka pas..."


Dhe ti ul kokën shpejton hapin
T'arrish tek shoqja sa më shpejt
Të përsërisësh fjalët standart:
"Ah, njëlloj janë të tërë djemtë"


Të dyja t'ulura pranë radios
Do ndizni heshtur një cigare
tek supi i saj, nën fjalë lajmesh
një çast dremitja do të t'marrë


Dhe do të të çojë tek një rrugë tjetër
M'e gjerë, m'e bukur dhe më e re
Atje në sfond fabrikash, njerëzit
Nga kembët s'do të të venë re.


Atje ku t'ecësh midis turmash
Në një grup djemsh, ndoshta midis
Dikush me brryl do t'i bjerë shokut:
"E sheh filanen? Ishim miq..."




Kronikë në Gur, analizë

"Kronikë në gur" është një prej romaneve të hershëm të Ismail Kadaresë. Ndryshe nga letërsia e deriatëhershme për Luftën Antifashiste, e karakterizuar nga dy kampe personazhesh - partizanë e pushtues - ky roman solli një imazh më të ndërlikuar të saj, ku ndërthuren fate ushtrish të huaja të pakteve të ndryshme kundërshtare, fate shtresash të ndryshme brenda për brenda tyre, fate të njerëzve të lidhur vullnetarisht me rezistencën ose të mobilizuar prej komandës, fate të indiferentëve, të sehirxhinjve dhe të kundërshtarëve.
            Që lufta ishte një kohë mjaft më e ndërlikuar se ajo që shërbehej prej një tradite letrare skematike; kjo mund të shihet edhe në fatin e një familjeje qytetare në vendin e "kronikës në gur", ku konflikti hyn brenda saj, duke ia tronditur regjimin tradicional. Me këtë roman Kadare pasuroi temën e Luftës Antifashiste, duke sjellë një shikim prej fëmije për evokimin e ngjarjeve të saj. Rrëfimi në vetën e fëmijës, në vetën e personazhit që evokon fëmijërinë e autorit, me "pafajësinë" e vet, megjithëse i ka dhënë romanit njëfarë karakteri autobiografik, njëherësh e ka mbrojtur atë prej qëndrimit të kritikës.
Duke qenë vështrimi prej fëmije një vështrim thelbësor në roman, lexuesi e ka të vështirë të dallojë se ku fillon koncepti i arsyetuar i saj e ku mbaron të konceptuarit si lojë.
Në studimin "Subversion kundër konformizmit" një studiues ka këmbëngulur se romani "Kronikë në gur" është një vepër hyjnizuese e Luftës Antifashiste, një "roman komisarësh", dhe se përpjekja e autorit për të hyrë në lëkurën e fëmijërisë së vet nuk është gjë tjetër veçse një procedim letrar për të mbuluar konformizmin. Përkundër këtij mendimi, shumica e studiuesve bashkohen në vlerësimin se "Kronikë në gur" është një vepër atipike në pikëpamjen metodologjike, e shkruar me një liri që tejkalonte kufizimin ideologjk dhe vlerësimin e partishëm për luftën.
Sipas një pjese të studiuesve, "Kronikë në gur", duke pasur këtë vështrim, në fakt sjell tek lexuesi një përqasje psikanalitike frojdiste rreth luftës, ose jetës së qytetit në kohë lufte. "Kronikë në gur" është një prozë me subjekt të reduktuar, gjë jo fort e përshtatshme nga pikëpamja teorike për një letërsi të orientuar.
Me këtë vepër Kadare bëri përpjekjen e parë për t'i dhënë vlerë letrare së zakonshmes, së rëndomtës, madje së shëmtuarës dhe absurdes. "Kronikë në gur" është një vepër e përshkuar nga grotesku. Vështrimi i luftës me sytë e fëmijës i ka dhënë mundësi autorit që t'i shohë ngjarjet dhe personazhet e saj pa ndonjë partishmëri të dukshme.
"Kronikë në gur" përmban vlera të rëndësishme të një letërsie të mirëfilltë etnografike.    
            Etnografizmi në romanin e Kadaresë u jep edhe mjediseve një cilësi jotipike, ndryshe prej kërkesave të rrepta të metodës së realizmit socialist.

 Fragment nga Kronikë në gur
Ndërsa Japonia përgatitet t'i bjerë Indisë dhe Australisë. Gjyq. Përmbarim. Pronë. Thirret në gjyq për mosshlyerje borxhesh Gole Balloma nga lagjja Varosh. Ankandi i plaçkave të shtëpisë së L. Xuanos bëhet të dielën. U lëshuan fletarrestimi për plakat H. Z. dhe C. V të cilat akuzohen se kanë bërë magji . Lajmëroj lexuesit se shkaku që numri i kaluar i gazetës doli i dobët dhe me gabime ishte se kam qenë sëmurë nga stomaku. Kryeredaktori. Përjashtohen nga gjimnazi elementë të tjerë turbullues. Na kanë ardhur një numër ankesash nga prindërit për mësuesin Qani Kekezi. Sistemi pedagogjik i zotit Kekezi është me të vërtetë i babitshëm. Gjatë mësimit të anatomisë ky njeri ther mace në sytë e nxënësve, duke tmerruar kalamajtë e shkretë. Herën e fundit majia e masakruar i shpëtoí nga duart dhe u hodh sipër bankave të nxënësve me zorrët përjashta. Zojiusha Lejla Karllashi, vajza e pronarit të nderuar të fabrikës së lëkurëve Mak Karllasbit, u nis dje për në Itali. Përfitojmë nga ky rast për të dhënë orarin e nisjes së vaporëve të linjës Durrës-Bari. Adresat e mamive të qytetit. Çmimi i bukës. Lajmërime lindjesh, martesash, vdekjesh.
- Je dobësuar, - tha gjyshja, - Duhet të shkosh ca ditë te babazoti.
Më pëlqente shumë të shkoja mysafir te babazoti (kështu e thërrisnim gjyshin nga ana e nënës). Më pëlqente, se atje vendi ishte më i qeshur dhe më i butë dhe kryesorja se atje nuk kishte uri si në shtëpinë tonë. Në shtëpinë tonë të madhe, ndoshta nga shkaku i korridoreve, hajateve, musëndrave e kuberave, uria ndihej edhe më shumë. Veç kësaj lagja jonë ishte bojë hiri, me shtëpi të dendura, pothuaj të ngjitura me njëra-tjetrën. Këtu çdo gjë ishte e përcaktuar, e ngulur njëherë e përgjithmonë, qindra vjet më parë. Rrugët, kthesat, qoshet, pragjet e shtëpive, shtyllat e telefonit dhe gjithçka tjetër ishin si të derdhura në gur, në largësi të përcaktuara me centimetra nga njëra-tjetra. Kurse te babazoti çdo gjë ishte e butë dhe e ndryshme. Atje rrugët dhe rrugicat bënin sikur harronin vendin nga kalonin një javë më parë dhe qetë-qetë e pa bujë zhvendoseshin nga e majta apo nga e djathta. Kjo ndodhte, sepse atje asgjë nuk ishte shtruar me kalldrëm, por me tokë të shkrifët. Veç kësaj, toka këtu ishte e rrëshqitshme. Këtu vendi ishte si njeriu: shëndoshej, dobësohei, zbukurohej, vrenjtej, shëmtohej, sipas ndërrimit të stinëve. Kurse lagjja jonë ishte pothuaj indiferente ndaj këtij ndërrimi.
Në pjesën veriore të lagjes kalonte rruga e kalasë, që lidhte lagjet e sipërme të qytetit me qendrën. Rruga ishte shumë lart në krahasim me nivelin e çatisë së dy shtëpive të vetme të lagjes dhe njëherë një kamion që u rrëzua, dëmtoi rëndë hajatin e shtëpisë së babazotit. Nganjëherë qëllonte që rrëzohej ndonjë i pirë dhe çatia pikonte një javë rresht. Po këto ishin gjëra të rralla. Rruga kishte kalimtarë të paktë dhe herë pas here një i vetmuar, i panjohur këndonte me sa zë që kishte në pisk të vapës, tek kthehej nga pazari:
Shtatë sahati i natës
Të shkova te porta.
Zërin ta dëgjova, Meri
Thoshe "më dhemb koka".
Një Merjemeje i dhembte koka vazhdimisht në orën shtatë të mbrëmjes dhe ajo ankohej për këtë gjë. Ishte e thjeshtë, megjithatë më pëlqente shumë kjo këngë. Një këngë të tillë s'do të guxonte ta këndonte askush në lagjen tonë. Po të ndodhte kjo gjë, do të hapeshin përnjëherësh me dhjetëra dritare, gratë dhe plakat do të shkulnin faqet e do të mallkonin dhe më në fund dikush do t'i hidhte ujë guximtarit. Kurse këtu hapësira ishte e gjerë dhe e shkretë dhe mund ta ngrije zërin gjer në kupë të qiellit dhe prapë hapësira, nuk mbushej prej tij. S'ishte gjë e rastit që i panjohuri, porsa dilte në krye të rrugës, ia merrte kësaj kënge. Ai me siguri e bluante atë në kokë gjithë ditën, në pazar, në kafene, në qendër të qytetit dhe me siguri mezi ç'priste sa të dilte te kjo humbëtirë për ta lëshuar zërin sa kishte në kokë.
Në këtë lagje ishin të bukura dhe të pangjashme me asgjë sidomos mbrëmjet. Kur dëgjoja njerëzit që thoshin "mirëmbrëma!", menjëherë më shkonte mendja tek oborri i shtëpisë së babazotit, ku jevgjit, që banonin në odajashtën e shtëpisë, i binin violinës, ndërsa babazoti rrinte në shezlong dhe thithte çibukun e tij të madh e të zi. jevgjit, prej kohësh, nuk kishin me se ta paguanin qiranë e odajashtës dhe, me sa duket, këto koncerte në netët e verës plotësonin deri--diku detyrimin që ata kishin ndaj babazotit.
- Babazot, më dridh edhe mua një cigare, - i thosha me zë lutës dhe ai, pa më folur fare, dridhte një cigare të hollë, ma ndizte dhe ma jepte. Unë ulesha pranë tij dhe thithja me qejf të madh duhanin, pa u trubulluar nga shenjat kërcënuese që më bënin tezet dhe dajat nga gjysmerrësira.
Mendoja se nuk ka lumturi më të madhe në botë sesa, pasi të kesh ngrënë shumë, shumë, të pish duhan dhe të dëgjosh jevgjit, që i bien violinës, duke i mbyllur sytë përgjysmë, ashtu si babazoti.
Ah, sa të rritem, mendoja, të blej një çibuk të madh e të zi që të lëshojë tymin duman, të lë mjekër si të babazotit, dhe të lexoj gjithë ditën qitape të trasha, shtrirë në shezlong.
- Babazot, - i thosha me zë të zvargur, sikur të isha në ëndërr, a do të më mësosh edhe mua turqisht?
- Do të të mësoj, - më përgjigjej ai. - Sa të rritesh dhe ca dhe do të të mësoj.
Zëri i tij ishte i trashë dhe nanuritës dhe unë, i mbështetur pas shezlongut të tij, ëndërroja magjinë e duhanit dhe mundohesha të llogarisja me mendjen time se sa duhan do të më duhej për të pirë gjatë shumë vjetëve dhe sa qitape do të më duheshin për të lexuar, gjersa të më vinte koha për të vdekur.
Të gjitha këto po më vinin ndër mend në një mënyrë krejt të parregullt, ndërsa po lija prapa shtëpinë e artileristit plak Avdo Babaramo, e vetmja shtëpi që ngrihej rrëzë kalasë, dhe po zbrisja tatëpjetë bokërimave, nëpër rrugën e ngushtë, që përsëri kishte lëvizur. Copëra kujtimesh, gjysma frazash apo fjalësh, bishta ngjarjesh të parëndësishme, ndërprisnin njëra-tjetrën, shtyheshin, kapeshin për veshi apo për hunde me një gjallëri që shtohej bashkë me shpejtësinë e hapave të mi.
Ja dhe shtëpia e Suzanës. Porsa të merrte vesh që kisha ardhur, ajo do të dilte me vrap dhe do të vërtitej rreth shtëpisë së babazotit gjersa të më takonte. Në vërtitjen e saj kishte diçka prej fluture dhe prej lejleku njëkohësisht. Ajo ishte më e madhë se unë, e hollë, me flokë të gjatë, që i krihte vazhdimisht në mënyra të ndryshme dhe të gjithë thoshin se qe e bukur. Përveç asaj në lagjen e babazotit nuk kishte asnjë vajzë apo djalë tjetër të vogël. Prandaj Suzana gjithmonë priste me padurim ardhjen time. Ajo thoshte se mërzitej shumë midis të mëdhenjve. Ajo mërzitej në shtëpi duke qëndisur, mërzitej te çezma dhe mërzitej kur hante bukë. Ajo mërzitej në mesditë, mërzitej në mbrëmje, bile dhe në mëngjes. Me një fjalë mërzitej jashtëzakonisht. Këtë fjalë ajo e pëlqente shumë dhe e nxirrte nga goja me një kujdes të veçantë, sikur kishte frikë se mos e lëndonte padashur me dhëmbë apo me gjuhë...


NËPUNËSI I PALLATIT TË ËNDËRRAVE, ANALIZË

Libri "Nëpunësi i Pallatit të ëndrrave" e jep realitetin e kohës dhe të njerëzve të saj prapa metaforave të tilla të gatshme si "pallati i ëndrrave", nëpunësit dhe interpretuesit e tyre, ëndrra kolektive dhe individuale, ëndrra fatsjellëse dhe rrezikndjellëse, ëndrra e rëndomtë dhe bash-ëndrra. Të gjitha këto Kadaresë ia ofroi mekanizmi i ndryshkur i shtetit të fuqishëm të perandorisë otomane në fundin e tij.
Karakteri shumëkohësh i "Nëpunësit të Pallatit të Ëndrrave", përkundër karakterit shumëkuptimësh të një vargu veprash të tjera të Kadaresë, lidhet me raportin themelor që qëndron në boshtin e romanit: raporti i individit me shtetin, më saktë raporti i individit që ka ambicjen të integrohet në strukturat shtetërore dhe që e gënjen mendja se do të fuqizojë veten prej fuqisë së pushtetit, por në të vërtetë, duke e parë nga brenda këtë ngrehinë të përbindshme, ai njeh dobësinë dhe pafuqinë e tij, sheh peshën mbytëse të strukturave gjigande të makinës perandorake, e cila ndryshon vetëm nga përmasa fizike, por jo nga mënyra e të ushtruarit të artit të shuarjes së identitetit njerëzor.
Kadareja i ka dhënë karakterin e një konflikti të përjetshëm marrëdhënies pushtet/individ. Çdo përpjekje e individit për t'u matur me shtetin, për të depërtuar në brendësi të tij dhe për ta marrë me të mirë, është e dështuar. Individi në çfarëdo raporti që ta vendosë veten me shtetin, mbetet i kërcënuar prej tij. Fati i Ebu Qerimit, që e përjeton si shtegtim nëpër ferr kalimin nga një pjesë e "pallatit të ëndrrave" në tjetrën, ndonëse është i përkrahur nga një klan i fuqishëm që kontrollon e administron pushtetin, siç ishin Qyprillinjtë, është gjithnjë i kërcënuar dhe pikërisht për këtë arsye shërben si një paralajmërim për fatin e shtetasve në përgjithësi.
 Rruga e mbërrities tek thelbi i "Nëpunësit..." ka qenë e ngatërruar dhe plot keqkuptime, të shmangshme e të pashmangshme.
Mungesa për një kohë mjaft të gjatë e shtetit kombëtar krijoi tek shqiptarët nderimin ndaj tij; kjo ishte krejt e nënkuptueshme: në përgjithësi gjërat e munguara lindin respekt, lakmi, adhurim, deri hyjnizim. Për Shqipërinë e Pasluftës, të gjendur përballë detyrës së ngutshme për të çrrënjosur monarkinë e për të ndërtuar një shtet me bazë të gjerë popullore, siç u nis në krye, ky ishte një shans i madh. Por ky shans mbeti vetëm një ëndërr.
Në marrëdhëniet midis individit dhe shtetit, që pasqyrojnë shkallën e qytetërimit të një shoqërie, në vend e në emër të nderimit hyri përulja, në vend e në emër të respektit hyri lakmia dhe arrivizmi -Ky ka qenë një nga deformimet më të thella dhe një shkallmimi i vërtetë i vlerave dhe i karaktereve njerëzore. Për fat të keq u desh plot një gjysmë shekulli për ta kuptuar këtë. Shkrimtari e pati parathënë një gjë të tillë shumë kohë më përpara. Por edhe këtij shansi iu kalua përbri.
"Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave" u dha goditjen e parë këtyre marrëdhënieve krejtësisht të shtrembëruara midis të drejtës së njeriut dhe të drejtës së shtetit. Ai e ktheu përmbys, kokëposhtë, piramidën shtetërore. Ishte hera e parë që nomenklatura e ndereve denoncohej si shkallëzim i fajit dhe i përgjegjësive; që hierarkia e lavdisë karakterizohej si hierarki e turpit; që vlerat e vërteta njerëzore kërkoheshin jashtë korpusit kryesor të piramidës së shtetit, jo brenda saj. Ndoshta kjo ishte arsyeja që kritikët nxituan të shmangnin çdo paralelizëm me kohën, duke zbuluar, madje, për çudi të çudirave, se "Tabir Saraj" paskësh qenë një institucion i vërtetë i administratës perandorake, kështu që "Nëpunësi..." nuk mund të ishte tjetër, përveçse një vepër historike, një kronikë e funksionimit të tij. Me qëllim historia dhe jeta bashkëkohëse, dita dhe tradita, ndryshe nga herët e tjera, u vështruan pa ndonjë lidhje midis tyre. Përfundimi do të ishte i rrezikshëm.
Kontestimi ishte hamletian. Duhej të ishe krenar për qenien në një nga zyrat e hierarkisë së lartë të shtetit apo, përkundrazi, duhej të ishe kokulur?
Një invers i tillë i përjetimit të statusit të nëpunësit s'ishte parë e dëgjuar ndonjëherë. Pyetja "karrierë apo kalvar", që paraqiti Kadare përmes fatit të Nëpunësit të Tabir Sarajit, qëndronte tashmë si një paralajmërim orakulli: "O ju që hyni në këtë shërbesë, a e dini fatin tuaj? Hiqni dorë nga iluzionet, ose, përndryshe, hiqni dorë nga vetja. Ajo që ju e quani rrugë e ngjitjes nuk është gjë tjetër veçse një mashtrim i madh. Nëse keni vendosur të mos ndaleni as pas këtij njoftimi, atëherë mos prisni famën, por çpersonalizimin, mos prisni lirinë por syrgjynin. Ju nuk i takoni më vetes!"
Me "Nëpunësin..." Kadareja nyjëtoi atë ide që ai vetë më pas do ta quante "faj kolektiv". Tabir Saraji funksionon pikërisht mbi bazën e shoqërizimit të përgjegjësive. Por, ndërkaq, ekziston edhe një shkallëzim krejt i qartë i tyre. Faji i shtetit të panënshtruar ndaj ligjit është kolektiv vetëm në kuptimin që bashkon në përgjegjësi të drejtpërdrejtë e të tërthortë njerëz në pushtet e jashtë tij, ideatorë e ekzekutorë, aktivistë e jallan- shahitë, konformistë e servilë. Por më tej faji ndahet sipas një rregulli krejt të përcaktuar. Për të zezën e vet, administrata shtetërore krijoi e ligjëroi emërtesën e mburrjes e të karshillëkut, që do të shërbente më pas për një kallëzim të pagabueshëm të pjesëmarrjes në faj.
Gjyqësia e Kadaresë u vërtetua nga koha si një gjyqësi e mençur. Rreptësia ndaj atyre që shpërdoruan respektin e popullit ndaj pushtetit, mirëbesimin e tij, ishte më se e nevojshme dhe ndëshkimet krejt të merituara. Shkrimtari sulmoi bastionin më të rëndësishëm të shtetit, majën e piramidës së tij.
Ai çmistizoi enigmën e asaj që quhet "arsye shtetërore", në emër të së cilës mbulohen turpet dhe fëlliqësitë më të mëdha të kësaj bote. Ai shembi kultin e rangut, mitin e zyrës e të nëpunësit, ë "atyre që janë lart". Dhe aty ku fillon shembja e idhujve të rremë, aty ka nisur emancipimi.


Popular

BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR

BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR
BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR - GJITHASHTU DHE RIPAROJME