Ese Kritike ne Shkrim Akademik



 TEMA:Kritikë mbi analistët në Shqipëri
Hyrja:

Duke dëgjuar shpesh në mediat tona fjalën analist, të shkon mendja vetvetiu te koncepti burimor i saj, analizë. Fjala analizë do të thotë copëtim i një fenomeni a dukurie, që duam ta njohim më mirë, në pjesë përbërëse më të vogla. Pa dashur t’i bëj këtu një përkufizim strikt fjalës analist, d.m.th se çfarë kuptohet rëndomt me të dhe pa dashur aspak të seleksionoj profesionet, dëshirat e hobet e njerëzve, duke ditur se ky problem i bollëkut të analistëve evidentohet herë pas here, nuk mund të mos ndalem te një fenomen tjetër, që shpesh e shohim të bashkëshoqëruar me analistët, mungesa e argumentit, por që, natyrisht, nuk i përket vetëm analistëve. E gjejmë shpesh edhe te politikanët, gazetarët dhe mjetet përkatëse, që ndikojnë në bërjen e opinionit.
Zhvillimi:
Ai që më çudit më tepër është fakti se gjithnjë e më tepër analistët po marrin përsipër të jenë të gjithëditur, në çdo fushë të jetës sonë e për çdo problem apo debat. Madje, puna ka arritur deri aty sa shpesh në të gjitha ekranet shohim të njëjtat fytyra. A thua ta kenë hallin të dalin sa më shumë nëpër ekrane? Jo, s’e besoj. Por ama janë të gatshëm të japin përgjigje për çdo problem, që prej luftës në Irak, për rrugët se si mund të kapërcehet kriza energjitike, për historinë e popullit tonë, për fenë e për çfarë të doni ju. Ndërkohë, në shumë prej këtyre debateve mungojnë specialistët e mirëfilltë të fushës përkatëse. Cilat janë pasojat e kësaj manie?
Emisione limonadë, me tjerrje llafesh të bukura e batutash pa vlerë të mirëfilltë, të cilat nuk ofrojnë asgjë më tepër se sa një diskutim i rëndomtë kafeneje, i thjeshtë, sa për ta shoqëruar këtë rit. Nuk shikon as kupton në këto emisione se si mund t’i zgjidhin njerëzit problemet e tyre, as ndonjë propozim apo ide frytdhënëse për veshin e dikujt, as një debat të mirëfilltë mbi bazën e konkurrimit të ideve e argumenteve të zbatueshme e aq të nevojshme për të gjithë ne; por, o burra, kush thotë “shakanë” më me kripë apo batutën e radhës.
Për shumë vite i kemi përdorur fjalët si çamçakëz, duke provuar edhe idhnisht lirinë e fjalës, duke u mrekullar apo duke mbetur me gojë hapur se sa të zotë janë disa me fjalët e tyre. Por tashmë jemi në kohën e duhur, në mos jemi vonë, që të vlerësojmë jo fjalët, por idetë, mendimet që ofrojnë zgjidhje e alternativa për problemet që kemi e, sigurisht, edhe veprime.
Mundet që edhe drejtuesit e emisioneve të ndryshme apo të rubrikave të shtypit të kenë pjesën e tyre në këtë mani për analistë. Unë mendoj se, në rast se dikush emërtohet “analist”, të specializohet (qoftë edhe si autodidakt) për një fushë të caktuar. E, kur të pyetet për gjithçka, duhet së paku të ketë modestinë e të shprehet se mendimi i tij është thjesht mendimi i një qytetari, jospecialist për fushën. Nga ana tjetër, të gjithë ne e dimë shumë mirë që specialistë të tillë ekzistojnë te ne, një pjesë e tyre paguhen edhe nga shteti (pavarësisht se sa) për të qenë specialistë të fushës, d.m.th për të njohur shkallën e teorive e praktikave të ndryshme në një drejtim të dijes. Për më tepër, në shumë raste ekzistojnë dhe grupe specialistësh mjaft të mirë.
Edhe kur flitet për politikën, shpesh disa analistëve u mungojnë konceptet e saj bazë, sepse nuk kanë formimin përkatës ose janë autodidaktë të dobët. Konceptimet e tyre për politikën janë shpesh anakronike, të demoduara, të qukitura aty këtu, pa një koherencë e bazë të mirëfilltë teorike, gjë që i lë këta analistë diçka më lart ose aty te diskutimet e shitësve për politikën
Mungesa e profesionalizmit te disa analistë i shndërron herë pas here këta të fundit në fallxhorë të politikës apo zhvillimeve të tjera. Ata pyeten më shpesh se si e parashikojnë këtë apo atë zhvillim në politikë a diku tjetër, duke na u shndërruar kështu në profetë të rremë, nga ata që kemi pasur me bollëk deri më tash. Ndërkohë, njerëzit janë lodhur me spektaklet politike, interesohen më shumë për problemet e tyre direkte e të prekshme. Kujtojnë vetëm pjesëmarrjen e tyre në votimin e fundit në Elbasan, që është një testues i qëndrimit të njerëzve ndaj politikës shqiptare. Por në këtë zvjerdhje më duket se kanë hyrë tashmë edhe bisedat me analistë. Kjo nuk do të thotë se nuk duhet të bëhen diskutime të tilla, por jo në formën e një bisede me psikanalistin ku palët çlirojnë es-in e tyre, sepse nuk ka mbetur asnjë pjesë racionale për të parashtruar.
Kritika logjike e pretendimit për dije më të mira nga njëri krah apo nga krahët e tjerë të diskutimit presupozon hedhjen në tavolinë të argumenteve përkatëse, në mënyrë që gjithsecili të jetë në gjendje të mbrojë pretendimin e tij. Pra, kërkon, përveç të tjerash, edhe shtrimin e pyetjes: Prej nga e dimë ne këtë...? ose: A e dimë ne me të vërtetë, që...? Pretendimet për dije mund të përligjen në mënyrë serioze në një fushë vetëm kur mund të jepet një informacion mbështetës, prej të cilit rrjedh qartas e vërteta e pretendimit që ne kemi ngritur në atë fushë. Por kur ti nuk je specialist në këtë fushë, si mund të sjellësh informacion mbështetës në favor të pretendimit tënd? Ndonjëherë këtu i besohet verbërisht një farë intuite, të cilën e kanë, në fakt, disa analistë. Por, a është e mjaftueshme kjo intuitë dhe a nuk është ajo e zhvlerësuar totalisht përballë një analize më të thellë profesionale? Sigurisht që po. Me gjithë vlerat e formave të tjera të mendimit, si: mitologjia, fantazia, mendimi magjik apo intuita e çastit empirik, më duket se na duhet më tepër një renditje e ideve tona, një sistemim i tyre, një mendim iracional dhe më pas le të ëndërrojmë sa të duam mbi to, po ta kemi këtë luks.
Së fundmi, e theksoj nevojën e specialistëve, sepse mund të arrijmë të pretendojmë se kemi shpikur rrotën në një fushë, në një kohë që bota e ka shpikur prej kohësh. Specialisti e di që tashmë pretendimi i dikujt, qoftë dhe i një analisti, se ka shpikur rrotën nuk qëndron; e di ai, madje edhe shumë të tjerë afër tij e dinë, por opinionbërësit nuk e dinë dhe vazhdojnë të merren me shpikjen e saj. Dhe në vend që të kursejmë kohë e të mos merremi me hamendje, ne vijojmë të trajtojmë kohën e njerëzve si diçka pa vlerë, sepse njerëzit kanë aq shumë kohë të lirë te ne, sa do të shikojnë a dëgjojnë në mbrëmje, në orët më të pakta të kohës së lirë, analistin që tjerr... llafe.
Mundet të shfaqen ndonjëherë edhe vështirësi për përshtatjen e gjuhës së specialistit me auditorin, por është puna e realizuesit të emisionit (a redaktorit) ta përgatisë si duhet specialistin për auditorin e tij. Nga ana tjetër, mjaft prej specialistëve, që dinë të flasin në gjuhë teknike, dinë edhe t’i shprehin më thjesht e kuptueshëm mendimet e tyre për një auditor më të gjerë.
Mbyllja:
Duke dalur në një perfundim më të qartë për lexuesit  dhe duke mos e zgjatur më gjatë me gjithë  ato të sipër përmendura arrita në një përfunim të them se analistët në Shqipëri janë makineri fjalësh.

Popular

BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR

BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR
BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR - GJITHASHTU DHE RIPAROJME