Nëse jemi të ndershëm me vetveten, besoj se problemi më tërheqës që mund të shtrojmë është: “Kush jam unë?”. Çfarë kemi parasysh dhe çfarë ndjejmë kur themi fjalën “Unë”? Nuk besoj se mund të ketë një perceptim më joshës se ky, kaq i pakapshëm dhe i fshehtë. Ajo që je në brendësi të qënies tënde i shpëton vëzhgimit, në të njejtën mënyrë siç nuk mund ta shohësh veten drejtpërdrejt në sy pa ndihmën e pasqyrës. Ja pse egziston gjithmonë një element i thellë misteri në pyetjen: “Kush jemi ne?”. Kjo pyetje më ka tërhequr për shumë vite. Kam pyetur shumë persona: “Çfarë ke parasysh me fjalën ‘unë’?”. Kam vënë re se egziston
një farë marrëveshje rreth kësaj përgjigjeje, mbi të gjitha mes njerëzve që u përkasin qytetërimit perëndimor: Simbas përkufizimit tim, kemi një konceptim të vetvetes si “uni i ndërfutur brënda lëkurës”. Është e çuditshme mënyra sesi e përdorim fjalën “unë”. Në një bisedë të zakonshme, ne nuk themi: “Unë jam një trup”. Në fakt themi: ”Unë kam një trup”. Nuk deklarojmë: “Unë e bëj të rrahë zemrën time”, në të njejtën mënyrë siç themi: “Unë ec, unë mendoj, unë flas”. Ndjejmë se zemra rreh vetë e nuk ka të bëjë fare me unin. Me fjalë të tjera, nuk e konsiderojmë unin- vetvete si të përputhshëm me organizmin tonë fizik. Pjesa më e madhe e perëndimorëve e kupton unin brënda kokës, diku mes syve e veshëve, teksa e tërë pjesa tjetër e jona rri e varur nga kjo pikë referimi. Në kultura të tjera nuk është kështu.
Kur një japonez apo kinez duan të lokalizojnë qendrën e vetes, i pari e quan kokoro dhe i dyti e quan shin: zemër-mendje. Disa persona e vendosin unin e tyre në strukturën diellore (formacion anatomik në formë rrjete), por në përgjithësi e përfytyrojmë mbrapa syve e diku mes veshëve. A thua se në brendësi të zonës së epërme të kafkës të ishte një lloj qendre që i ngjan shtabit të përgjithshëm të Aereonautikës në Denver, ku funksionarët ulen në mjedise të gjera, të rrethuar nga ekrane, radarë e gjithfarë ekranesh, dhe kontrollojnë lëvizjet e avionëve në tërë botën. Në të njejtën mënyrë ne e konceptojmë veten tonë si një person i vogël në brendësi të kokës sonë, që mban kufje dëgjimi për të marrë mesazhet nga veshët, që ka një televizor përpara vetes për të marrë mesazhet nga sytë, e që është i mbushur në trup plot me elektroda të çdolloj tipi të cilat dërgojnë mesazhe nga duart e kështu me radhë. Ky person gjendet mbas një paneli të mbushur me pulsantë kuadrantë, etj, e në këtë mënyrë, arrin pak a shumë ta kontrollojë trupin.
Gjithsesi në tërë mënyrën tonë të të menduarit është ideja se jemi një shpirt, një lloj esence shpirtërore e burgosur brënda trupit. Për rrjedhojë ndjejmë nevojën e të përballurit me realitetin, e të përballurit me ngjarjet. Le të themi se kemi ardhur në këtë botë dhe jemi rritur me ndjesinë e të qënit një ishull vetëdijeje i mbyllur në një thes lëkure. Jashtë shohim një realitet që na është thellësisht i huaj, në kuptimin se ajo që është jashtë “meje” nuk është unë. Ky fakt krijon një ndjesi themelore armiqësie dhe tëhuajësimi mes nesh e së ashtuquajturës botë e jashtme. Pra vijojmë të flasim për pushtimin e natyrës, pushtimin e hapësirës, dhe e shohim veten tonë si të rreshtuar në një betejë për t’iu kundërvënë gjithçkaje që përfaqëson atë që është e ndryshme prej nesh. Është absolutisht absurde të themi se kemi hyrë në këtë botë. Nuk është kështu: në të vërtetë ne kemi dalë! Çfarë ju thotë mendja se jini? Japim një shembull: supozoni se bota është një pemë. Mos jeni një gjethe nga degët e saj, apo një turmë zogjsh që kanë ardhur prej diku për t’u vendosur mbi një pemë të vjetër e të tharë? Çdo gjë që njohim mbi organizmat e gjallë, nga pikëpamja shkencore, na tregon se ne “rritemi jashtë” kësaj bote, secili prej nesh e ajo që mund të përkufizohet një simptomë e gjendjes së universit në terësinë e saj. Gjithsesi, ky mendim nuk bën pjesë në të kuptuarët tonë të zakonshëm.
Për shumë shekuj njeriu perendimor ka qenë nën ndikimin e dy miteve të mëdha. Kur përdor termin ‘mit’ nuk synoj të them detyrimisht ‘fallso’. Fjala mit përfton një ide të madhe në hapësirën e së cilës njeriu mundohet të zbulojë domethënien e botës; mund të jetë një koncept, ose një imazh. I pari i këtyre dy imazheve që e kanë ndikuar thellësisht Perëndimin e konceprin e botës si ‘prodhim’, pak a shumë si vazoja e bërë nga poçari. E, në fakt, në Librin e Gjenezës është ideja që në origjinë njeriu ishte një figurë prej dheu e prodhuar nga Zoti, i Cili fryu përmbi të duke i dhënë jetë. Tërë mendimi i Perëndimit është thellësisht i ndikuar nga ideja që çdo gjë (çdo ngjarje, çdo qënie njerëzore, çdo mal, çdo yll, çdo lule, çdo karkalec, çdo krimb) është nga natyra një ‘prodhim’: është fabrikuar. Kësisoj është e natyrshme që një fëmijë perëndimor ta pyesë të ëmën: “Si kam lindur unë?”. Në të kundërt, kjo do të ishte një pyetje anormale për një fëmijë kinez, sepse kinezët nuk besojnë që natyra është një bashkësi objektesh të fabrikuara.
Gjithsesi, mbas tërë procesit tonë të mendimit perendimor është ideja se bota është ndërtuar prej gjërash të bashkuara nga një arkitekt qiellor, një zdrukthëtar, një artist që, pikërisht ngaqë e ka krijuar, e di edhe sesi është bërë. Kur isha i vogël i bëja nënës sime shumë pyetje, të cilave e gjora nuk ishte në gjendje t’u përgjigjej. Atëherë zhytej në dëshpërim, e më thoshte: “I dashuri im, ka gjëra që nuk na është dhënë t’i njohim”. E unë këmbëngulja: “Por a do ta gjejmë ndonjë ditë përgjigjen?”. “Po,” më sqaronte ajo, “kur të vdesim e të shkojmë në qiell, gjithçka do të na bëhet e qartë.” Kështu, isha i bindur se gjatë mbasditeve me shi, në parajsë, do të uleshim përreth Fronit të Mëshirës e do mund ta pyesim Zotin: “Atëherë, na sqaro më në fund përse e ke krijuar botën në këtë mënyrë, e si ke mundur ta bësh këtë tjetrën”, dhe Ai do të sqaronte e do na e bënte të kuptueshme gjithçka. Çdo pyetje do të kishte një përgjigje, sepse e kemi mësuar nga teologjia popullore se, Zoti është mëndja e madhe e gjithëdijshme. Nëse do ta pyesje Zotin për lartësinë e saktë të Mount Whitney, deri në milimetrin e fundit, Ai natyrisht do ta dinte dhe do të na e thoshte. Do mund t’i drejtoni çdolloj pyetjeje, sepse Ai është Enciklopedia Britanike kozmike. Gjithsesi, ky imazh i veçantë (ose mit) është bërë tepër i rënduar për njeriun perëndimor: është ndrydhëse për ty, të mendosh se dihet gjithçka për ty dhe se je përjetësisht i vëzhguar nga një gjykatës pafundësisht i drejtë. Kam një mike, një katolike të konvertuar, shumë të ndriçuar: në banjon e shtëpisë së saj ka një tub që lidh ujëlëshuesin me rezervuarin e banjos, e ku është një pikturë e vogël e vënë në kornizë që paraqet një sy. Poshtë, me gërma gotike është shkruar: “Zoti të shikon”. Ky sy është gjithandej dhe sheh, sheh, sheh, duke të gjykuar, e ti nuk ndjehesh asnjë çast me të vërtetë vetëm. Zotëria plak është duke ju vëzhguar dhe duke mbajtur shënime në librin e tij të zi: një koncept i tillë është bërë i padurueshëm për Perëndimin. Na është dashur të çlirohemi. Kështu, në vend të tij kemi zhvilluar një tjetër mit: atë të universit pastërtish mekanik. Ky mit është krijuar në fund të shek. XVIII dhe është bërë gjithnjë e më në modë gjatë shekullit XIX dhe në pjesën e mirë të shek. XX, duke përfunduar në ditët e sotme si diçka e zakonshme. Sot pak persona besojnë me të vërtetë në një Zot të stilit të vjetër. Thonë se besojnë, por edhe nëse shpresonin me të vërtetë se egziston një Zot, nuk kanë realisht besim në Të. Dëshirojnë me ankth që të mos egzistojë detyrimi i të të besuarit dhe ideja e një universi të qeverisur nga zotëria i moçëm dhe i mrekullueshëm nuk u duket më e duartrokitshme.
Përkundrazi është bërë modë, e asgjë tjetër veçse modë, të besohet se universi është i pandjeshëm e që inteligjenca, vlerat, dashuria dhe ndjenjat më delikate gjenden vetëm brënda epidermës njerëzore; e që përtej kësaj egziston vetëm një farë ndërveprimi kaotik dhe i marrë mes forcave të verbëra. Përshembull, falë Sigmund Freud-it kemi mësuar konceptin që jeta biologjike është bazuar mbi diçka të quajtur libido, një fjalë shumë mashtruese. Një libido e tillë e verbër, e pamëshirshme, e paaftë për mirëkuptim, është parë si baza e inkonshit njerëzor. Mendimtarë të shek. XIX si Charles Darwin e Thomas H. Huxley ishin të bindur se në rrënjët e qënies egzistonte një energji, e që kjo energji ishte e verbër. Energjia, thonin ata, është thjesht energji, krejtësisht e absolutisht e marrë, dhe inteligjenca jonë është incident i pafat. Për një trill të vëngërt të evolucionit jemi bërë këto qënie të ndjeshme e racionale (ose më mirë të themi, pak a shumë racionale); por e gjithë kjo është një gabim i tmerrshëm, sepse gjendemi në një univers që nuk ka asgjë të përbashkët me ne. Nuk merr pjesë në ndjenjat tona, nuk është me të vërtetë i interesuar për ne: jemi vetëm një fat kozmik…
Duke folur në përgjithësi, zotërojmë dy lloj vetëdijesh. Të parën po e quaj ‘far drejtues’ dhe të dytën ‘dritë më rrezatim të gjerë’. Fari është vëmendja e vetëdijshme, e qysh fëmijë na është thënë se përbën formën më të çmuar të perceptimit. Kur mësuesi i thotë klasës: “Kini mëndjen!”, çdo nxënës vështron kah mësuesi. Kjo është vetëdija ‘far’: fiksimi i mëndjes mbi vetëm një objet të caktuar. Përqëndrohemi, e edhe pse nuk jemi në gjendje ta ruajmë vëmendjen gjatë, përdorim “farin” tonë: i fokusojmë objektet njërin mbas tjetrit, njërin mbas tjetrit… Gjithsesi kemi edhe një vetëdije “me rrezatim të gjerë”. Përshembull, mund të grahim një automobil për disa kilometra me një mik ulur pranë nesh, dhe vetëdija jonë “far” mund të përthithet krejtësisht nga biseda me mikun. E prapëseprapë vëmendja “me rrezatim të gjerë” e drejton automobilin, i sheh tërë sinjalet rrugorë, idiotët e tjerë që po u grahin makinave e kështu me radhë, dhe ne arrijmë në vendin e duhur shëndoshë e mirë, pa e menduar fare.
Por kultura jonë na ka mësuar të specializohemi në vetëdijen “far”, e të identifikohemi vetëm me të. “Unë jam vetëdija ime far, vëmendja ime e vetëdijshme; pra egoja ime; pra unë.” Sadoqë në masë të gjerë e injorojmë, “vetëdija me rrezatim të gjerë” është pareshtur në veprim e çdo gjendje nervore që zotërojme është instrument i saj. Mund të shkoni për të ngrënë drekë dhe ju qëllon të uleni pranë zonjë Filan, mandej ktheheni në shtëpi dhe gruaja juaj ju pyet: “A ishte edhe zonja Filan?”. “Po, isha ulur pranë saj.”. “Çfarë kishte veshur?”. “Nuk e kam as idenë më të vogël.” Keni parë, por nuk keni vënë re. Persona që, falë metodave të ndryshme, bëhen krejtësisht të ndërgjegjshëm për vetëdijen e tyre me rrezatim të gjerë, mund të kenë përvoja të ashtuquajtura “mistike”: budizmi e përkufizon bodhi, ‘rizgjim’; induistët e quajnë moksha, ‘çlirim’. Në këtë eksperiencë zbulohet që e vërteta, Vetja e thellë, ajo që ju jeni me realisht, thelbësisht e përgjithmonë, është qënia në plotninë e saj, gjithë ç’është, ajo që vepron: ajo që jeni ju. Vetëm kjo Vete universale që përbën realitetin tuaj të vërtetë, ka aftësinë e të fokusuarit në këtu-e-tashti të shumta e të ndryshme. William James pohonte: “Fjala “unë” është në të veërtetë një term që shpreh një koncept pozicioni, si ‘ky’ ose ‘këtu’. Tamam siç dielli e yjet kanë shumë rreze, kozmosi i tërë shpreh vetveten në ty, në ju, në ne, në të gjitha variacionet e e mundshme… Por ne harrojmë dhe nuk e dimë se kush jemi. Edukohemi në një mënyrë të tillë sa nuk e dallojmë dot këtë lidhje, dhe injorojmë faktin se secili prej nesh është vepra, loja e luajtur në njëfarë mënyre e për njëfarë kohe. Kështu na kanë mësuar ta shohim vdekjen sikur ajo të ishte fundi i një shfaqjeje që nuk do të përsëritet më. Jemi kushtëzuar për të patur frikë nga gjithë çfarë sjell rrezikun e vdekjes: dhimbja, sëmundja, vuajtja. Nëse nuk jeni me të vërtetë e gjallërisht të vetëdijshëm për faktin se jeni “vepra”, ka gjasa të mos e provoni kurrë gëzimin: jeni vetëm një fashë ankthi e përzierë me ndjenjën e fajit. Kur lindin fëmijët, sillemi në mënyrë të tmerrshme me ta. Nuk u themi: “Si je? Mirëseerdhe në rracën njerëzore. Duhet ta dish i dashur, se jemi duke luajtur një lojë shumë të ndërlikuar: këto janë rregullat. Dua që ti të kuptosh, që t’i mësosh kur të rritesh; mbase arrin deri dhe të krijosh rregulla më të mira, por tashpërtash duhet të luash simbas rregullave tona”. Në vend që të jemi të drejtpërdrejtë me fëmijët tanë, themi: “Këtu jeni nën provë, duhet ta kuptoni. Ndoshta kur të rriteni pak do bëheni më të pranueshëm, por tashpërtash duhet të shiheni e të mos iu dëgjohet zëri. Jeni rrumujxhinj: duhet të edukoheni e të arsimoheni derisa të bëheni njerëzorë”. Këto lloj qëndrimesh që na rrënjosën që në fëmijëri i kemi të pranishme deri në moshë të thyer, sepse ka mundësi që bota në të cilën fillohet është edhe bota në të cilën mbarohet. Njerëzit, duke jetuar, perceptojnë të mospaturët e një sensi përkatësie, sepse gjëja e parë që kanë dëgjuar nga prindërit ka qenë: “Shiko, ti ke lindur për të vuajtur. Je nën provë. Nuk je ende një qënie njerëzore”. Dhe mbetet pre e kësaj ndjesie deri në pleqëri, duke përfytyruar se tërë universi mbrohet nga një Zot- At i tmerrshëm që kërkon vetëm më të mirën për ne, që na do, por: “Kush e kursen thuprën, çon dëm fëmijën. Atë që e do, Zoti e ndëshkon”.
Ku do të bjerë goditja e ardhshme? Është e qartë se në këtë mënyrë nuk mund të kemi një ndjenjë përkatësie. Të krishterët thonë se jemi bijtë e Zotit në mënyrë të adoptuar: jo bij të vërtetë, por vetëm të adoptuar, për mëshirë, për dhimbje. Dhe ja pra ndjesia absolutisht karakteristike e njeriut perëndimor, e çdo personi lartësisht të qytetëruar: të qenët i huaj mbi tokë, një vizllimë çastërore vetëdije mes dy errësirash të përjetshme.
Për këtë arsye gjendemi në kundërshtim të vazhdueshëm me çdo gjë që na rrethon: jo vetëm me të afërmin tonë, por edhe me tokën, me ujërat. Simbol i kësaj në qytetërimin tonë është buldozeri. Nga vendi ku banoj, në bordin e një anije-trageti, shihen disa kodrina shumë të bukura përtej ujërave. Mbi këto kodrina po ndërtojnë një kompleks banesash, por do jenë shtëpi që zakonisht gjenden në zonat periferike e jo në një mjedis kaq të këndshëm. Një arkitekt i mirë duhet të përpiqet që shtëpia t’i përshtatet kodrinës e jo të shkatërrojë kodrinën për të vendosur mbi të një shtëpi. Nëse vendosni të jetoni mbi një kodrinë, është e natyrshme që doni të jetoni dhe është e natyrshme që s’duhet ta shkatërroni vetëm për faktin se doni të banoni. E prapëseprapë, është pikërisht kjo që ndodh, sidomos në Kaliforni ku ka shumë kodrina të vogla. Çfarë bëjnë? Nivelojnë majën e kodrinës derisa ta bëjnë krejtësisht të rrafshtë. Mandej ndërtojnë shtëpi, duke tarracuar territorin deri në fund. Natyrisht shkatërrojnë ekologjinë e kodrinave e dhe shtëpitë rrezikojnë të rrëzohen, por konstruktori thotë: “E mandej?” Kur kjo të ndodhë, të gjitha pagesat do të jenë bërë. Është e qartë se konstruktori nuk e ndjen botën përjashtë si të ishte trupi i vet. Teksa në të vërtetë është. Një arkitekt inteligjent që e sheh të jashtmen si shtrirje të trupit të vet, duke u ngjitur në kodrinën e zgjedhur, do të thoshte: “Mirëdita. Do të doja të ndërtoja një shtëpi në këtë vend e do të doja ta dija prej teje, kodrinë, se çfarë lloj shtëpie do të të pëlqente të të ndërtoja sipër”. Në të kundërt, arkitetkti ka një ide të saktë rreth shtëpisë që do të ngrejë dhe ia nënshtron kodrinën këtij paragjykimi të vet. E kështu shkatërron kodrinën, dhe e heq qafe për të ndërtuar sipër saj një shtëpi.
Një njeri që reagon kështu është krejtësisht jashtë vetes, sepse nuk e kupton se bota përjashtë është trupi i tij. Vetëm kur ta kuptojë, do të rihyjë në vete.
Shkruan: Alan Watts,
marrë nga: “Tao i filozofisë”
Përktheu: Shpëtim Kelmendi
Bartur nga: www.sa-kra.ch
Pages
- Home
- ADMINISTRIM
- ANALIZE VEPRASH
- DETYRA ANGLISHT
- APLIKIM KOMPJUTERIK
- AUDITIM BANKAR
- TE DREJTAT E NJERIUT
- BAZAT E FINANCES
- CIKLI I ULET
- DIDAKTIKE
- DOKTORATURE
- DREJTESI
- E DREJTA PRONES
- E DREJTA KUSHTETUESE
- E DREJTA NDERKOMBETARE
- E DREJTA MJEDISIT
- EDUKIM
- EKONOMI
- ESE ANGLISHT
- HYRJE NE PSIKOLLOGJI
- MENAXHIMI I BURIMEVE NJEREZORE
- MARDHENIE ME PUBLIKUN
- MARDHENIE NDERKOMBETARE
- MASTER PROFESIONAL
- MASTER SHKENCOR
- MENAXHIM BIZNESI
- MENAXHIM FINANCIAR
- MENAXHIM KLASE
- MENAXHIM NDERTIMI
- MENAXHIM TURIZEM
- MESIMDHENIE
- MIKROEKONOMI
- POLITIKAT NE BE
- POLITIKAT E SIGURISE NDERKOMBETARE
- PSIKOLOGJI
- PSIKOLOGJI SHKOLLE
- PSIKOLOGJI SOCIOLOGJI
- PSIKOLOGJI ZHVILLIMI
- PSIKOTERAPI
- REPORTAZH
- SHKENCA EDUKIMI
- SHKENCA JURIDIKE
- SHKENCA POLITIKE
- SHKRIM AKADEMIK
- SINTAKS
- SOCIOLOGJI
- SOCIOLOGJI EDUKIMI
- TEMA DIPLOME
- TEORI MARDHENIE NDERKOMBETARE
- TURIZEM ARKEOLOGJIK
- Llotaria Amerikane Durres
- Agjensi Imobiliare Durres
- Whatsap
Popular
-
HYRJE Arsimi dhe edukimi është procesi më i rëndësishëm i shoqërisë tonë. Shqetësimi për individ...
-
Studim Rasti Në shkollat tona ndeshemi cdo ditë e më tepër me raste të fëmijëve që janë me probleme te ndryshme ,qe shihen si femije me...
-
TEMA:STUDIM RASTI I NJE FEMIJE ME NEVOJA TE VECANTA. Pershkrimi fizik (A. Sh ) Eshte nje djale me gjatesi njesoj si gjithe femij...
-
Hapja e Programit Word Shkariko Ketu per detyren e rregullt ne PDF Hapja e programit Word mund të bëhet në disa mënyra, mirëpo ne do ti t...
-
Tema:Njeriu në epokën e teknologjisë informative: Hyrje: Shkencëtarët dhe teknologët kishin një ëndërr; të ndërtojnë një robot që ësh...
-
Origjina 1. Numrat arabe e kane origjinën në Indi të paktën 1.700 vjet më parë. Ata ishin shpikur nga matematikanet hindu, duke evol...
-
Tema e parë, leksioni i dytë 1. Filozofia arsimore në mesjetë Idetë dhe konceptet arsimore në Mesjetë i gjejmë në mendimet e njerëzve...
-
T EMA : LIDHJA E KIMISE ME LENDET E TJER A Permbajta e projektit njohja mbi kimine Kimia është shkenca ose me saktë ajo e degë ...
-
▼ KLIKO ▼ SHKARIKO ▼ PDF ▼ WORD ▼ FAKULTETI I EDUKIMIT DEGA: PSIKOLOGJI-SOCIOLOGJI (MASTER SHKENCOR) LENDA: KESHILLIM I NXENESIT TEMA: ST...
-
Tema : Ndikimi I Revolucionit Industrial ne vendet e Evropes NA NDIQNI - SHPERNAJE NE PROFIL Revolucioni Industrial ishte tranzicioni drej...