TEMA:ABORTI PRO APO KUNDER.
Miliona fëmijëve u mohohet e drejta për të jetuar, pasi vriten nga nënat e tyre dhe mjekët vrasës, me anë të abortit. Britma e heshtur e këtyre krijesave për jetën e mohuar duhet të kumbojë anembanë globit si një thirrje për ndërgjegjen tonë, të çdo njeriu. Shoqëria jonë nuk mund të quhet vërtet njerëzore, nëse vazhdon ta tolerojë këtë kasaphanë barbare të të pafajshmëve. Ligjërimi i abortit sot trumpetohet si arritje në fushën e të drejtave dhe lirive të gruas, po pak (ose aspak) flitet mbi të drejtën e çdo krijese njerëzore për të jetuar. Foshnja e palindur është qenia më e dobët, delikate, e pafajshme dhe e paaftë për t’u vetëmbrojtur, ndaj meriton të mbrohet nga të rriturit, qoftë edhe me sakrifica. Nëse njerëzimi nuk mbron më të dobëtit, ai është i destinuar të shkatërrohet, pasi dhuna sjell dhunë.
Në rrafshin moral është diskutuar, nëse aborti mund të quhet një e keqe e domosdoshme, apo e keqja më e vogël. Legjislacioni i shumë vendeve e trajton ndërprerjen e shtatzënisë si një të drejtë të gruas. Po, nëse kemi parasysh se fëmija në zhvillim është qenie njerëzore, a mund të ketë të drejtë një nënë të vendosë, nëse kjo qenie duhet të jetojë apo jo? A duhet konsideruar jeta e fëmijës si kërcënim, duke e trajtuar, kështu, abortin si akt vetëmbrojtës? Fëmijët nuk kërcënojnë; ata kërkojnë dashuri dhe përkujdesje dhe, në kthim, na dhurojnë paqe, kënaqësi dhe gëzim të papërshkrueshëm. Fëmijët kanë të drejtë të gëzojnë mbrojtjen tonë, pavarësisht nëse kanë qenë apo jo të planifikuar e pavarësisht nga rrethanat e nisjes së shtatzënisë. Neni 21 i Kushtetutës së Shqipërisë thotë: “Jeta e personit mbrohet me ligj” dhe neni 54 shprehet: “Fëmijët, të rinjtë, gratë shtatzëna dhe nënat e reja kanë të drejtën e një mbrojtjeje të veçantë nga shteti”. Çdo fëmijë paraqet vlerën më të lartë, të pakrahasueshme me pasurinë materiale apo komoditetin. E të mos harrojmë se asnjë prej nesh nuk do të ishte i gjallë, nëse dikush do të kishte vendosur të na largonte me dhunë nga kjo botë. Jeta e të gjithë njerëzve, përfshirë këtu shkencëtarët, filozofët, artistët, politikanët, mendjet gjeniale, shpikësit, shenjtërit, bamirësit, simbolet e bukurisë fizike e shpirtërore, ka nisur nga një qelizë. Kush e di se çfarë është i destinuar të bëhet një embrion njerëzor? Me shumë dashuri, çdo person është potencialisht një dhuratë tejet e çmuar për tërë njerëzimin.
SAherë kryhet një abort, prindërit e foshnjës së vrarë e ndiejnë zbrazëtinë e madhe që lë humbja e fëmijës. Rrjedhojat fizike dhe shpirtërore të abortit të provokuar janë të tmerrshme. Ndër pasojat fizike te nëna mund të përmendim: dëmtimin e pakthyeshëm të mitrës, vdekjen nga hemorragjia, lëndimin e organeve të saj të tjera (zorrëve, stomakut, gypave ovarialë etj.), sterilitetin (pamundësinë për të patur fëmijë), helmimin e gjakut, tromboembolitë (mpiksjen e gjakut në vena), prishjen e ciklit menstrual, paraqitjen e shtatzënive jashtë mitrës, shtimin e mundësisë për aborte spontane, rritjen e jashtëzakonshme të mundësisë për shfaqjen e kancerit të gjirit, prirjen për lindje të parakohshme ose të vonuar, atoninë e mitrës, pamjaftueshmërinë e placentës, rritjen e vdekshmërisë perinatale… Janë me mijëra femrat që vdesin si pasojë e aborteve të ligjshme dhe të paligjshme, po mjekët nuk i bëjnë publike shkaqet e vdekjeve. Nëse pasojat fizike prekin vetëm nënën, ato psikologjike lëndojnë të gjithë ata që kanë bashkëpunuar në këtë masakër mizore. Ndër këto pasoja rreshtojmë: depresionin, ndjenjën e fajit, keqardhjen, pagjumësinë dhe ëndrrat e frikshme, sulmet e shqetësimit, frustracionet, humbjen e vetërespektit, vetërrënimet psikike, ftohjen emotive, pesimizmin, ftohjen seksuale, rrënimin e marrëdhënieve familjare dhe në çift, simptomat e skizofrenisë, psikozat, humbjen e kujtesës, vështirësitë në përqendrim, humbjen e interesave dhe të dëshirës për të jetuar, shfaqjen e veseve, prirjen për të qarë shpesh, rënien e rendimentit në punë, pengesat në komunikim. Çdo individ e përjeton traumën e abortit në mënyrë të veçantë, por askush nuk e kalon pa Në të gjitha vendet, ku aborti është ligjëruar, plaga e klandestinitetit nuk është shëruar. Kudo vazhdojnë të kryhen mijëra aborte klandestine. Ligjërimi i aborteve e ka shumëfishuar numrin e tyre, duke e lënduar edhe më tepër trupin e shoqërisë. Në mjaft vende lindshmëria është jashtëzakonisht e ulët edhe për shkak të aborteve. Jeta njerëzore është e shenjtë dhe çdo orvatje kundër saj, madje në secilën fazë të shtatzënisë, përbën krim monstruoz dhe mëkat tepër të rëndë. Bashkëjetesa sociale nuk mund të bazohet mbi eliminimin e të pambrojturve, ndaj i tërë sistemi ekonomik dhe kulturor të mbartë përgjegjësinë e krijimit të mirëqenies për të gjithë, të sensibilizimit, të informimit e të mbrojtjes së më të dobtëve. Mjerisht sot ende një numër mjaft i madh njerëzish janë fare të painforumuar rreth çështjeve të edukimit seksual, shtatzënisë dhe abortit. E kjo edhe në vende të zhvilluara. Mosdija, egoizmi dhe varfëria shkaktojnë çdo mynxyrë.