JETA MJESETAR NE FOLKLORIN E ARTI E TJER- MËNYRA E JETESËS

NA NDIQNI - SHPERNAJE NE PROFIL

 Të dhënat për mënyrën e jetesës në shek. XII-XV janë mjaft të kufizuara. Ato vijnë kryesisht nga gërmimet e paktaarkeologjike të kësaj periudhe, nga ato pak monumente të ruajtura, si dhe nga dokumentacioni i shkruar i kancelarive mesjetare. Vjetërsia e vendbanimeve dhe vendndodhja e tyre dëshmohet me një varg qendrash të banuara, të njohura që në antikitet, të cilat e vazhdojnë jetën e tyre edhe në mesjetë........
Edhe regjistrimet osmane të shek. XV-XVI flasin për një numër të madhfshatrash, vendin ku ndodheshin dhe madhësinë e përafërt të secilit. Shumica e vendbanimeve gjendeshin në zonat kodrinore, në shpatet e maleve a rrëzë tyre dhe përgjatë luginave të lumenjve. Ka zona në Shqipëri ku mjaft fshatra janë shtrirë me kohë në dy ose tri nivele banimi, gjithnjë brenda kufijve të fshatit të tyre ose të malit a të vrrinit që u përkiste, p.sh. Bresti i Epërm e Bresti i Poshtëm (Dibër), Domja e malit e Domja e Poshtme (Shëngjergji-Tiranë), Gojani i Epërm e Gojani i Poshtëm (Mirditë), Lufaj i Epërm e Lufaj i Poshtëm (Mat), Preçi i Poshtëm e Preçi i Sipërm (Elbasan), etj. Në mesjetë këto fshatra kishin vetëm një nivel banimi, që ishte zakonisht atje ku ka pasur një kishë ose atje ku janë ose kanë qenë varret, ose atje ku ka një toponim “katund plak” a “katund i vjetër”, etj. Me moshë nga mesjeta e hershme, në mos edhe më përpara, duhen konsideruar fshatrat që mbajnë emrin e një shenjti, si Shëngjergj, Shëmri, Shënjak, Shënkoll, etj., ose thjesht një emër të krishterë, si Damian, Dedaj, Gjonomadh, Kolgecaj, Lekas, Lukan, Lleshan, Marinë, Marjan, Markaj, Martanesh, Matogjini, Mërtin, Mërtur, Nënmavriq, Nikas, Petran, Petrelë, Simon, Sotirë, etj.

Përveç vendbanimeve të hapura, në mesjetë ka pasur edhe vendbanime të fortifikuara ose kështjella. Sipas arkeologëve të kësaj periudhe, në Shqipëri njihen rreth 70 kështjella që nga mesjeta e hershme deri në pushtimin osman. Ato gjenden kryesisht nëpër luginat e lumenjve kryesorë, si Drini, Shkumbini, Osumi, Devolli, Vjosa etj., dhe lehtësonin lidhjet e viseve të brendshme me vijat e mëdha të komunikacionit, pra edhe lidhjet ekonomike e shoqërore të kohës. Disa prej tyre kanë qenë kështjella të trashëguara nga antikiteti, të ngritura kryesisht në vende kodrinore, në bregdet ose afër tij, me sipërfaqe disi të mëdha, brenda mureve të tyre të trasha. Të tjerat ishin kështjella të lindura rishtas në afërsi të burimeve të ujit ose buzë lumenjve në pika zotëruese prej ku mund të kontrollohej i gjithë territori. Mesjeta ishte një periudhë shumë e turbullt në Ballkan e në Evropë, me luftëra dhe me grindje të shumta midis zotërve feudalë, që kërkonin të zgjeronin zotërimet e tyre, me dyndje popujsh të ardhur nga larg, me lëvizjet e kryqtarëve, që përshkuan territorin e vendit, të nisur nga disa drejtime, për të shkuar në vendet e shenjta ose në Kostandinopojë. Pra jeta ishte e pasigurt dhe njerëzit parapëlqenin të banonin brenda mureve të kështjellave, megjithëse në kushte jo fort të përshtatshme. 

Në trojet brenda kështjellave ka pasur edhe shumë ndërtesa banimi, me mure të ndërtuara me gurë mesatarë, të mbuluara me tjegulla ose me lëndë druri. Rrënojat e Shurdhahut (shek. XII-XIV) tregojnë se ato ishin shtëpi me dy ose me më shumë të ndara. Për shkak të sipërfaqes së kufizuar që ndodhej brenda mureve rrethues të kështjellave, njerëzit banonin të ngjeshur në një hapësirë të vogël. Shtëpitë ishin të vogla, të ulëta, të errëta e me lagështi, ku duhej shfrytëzuar mirë çdo pëllëmbë e sipërfaqes. Rrugët ishin të ngushta e dredhuese, që dukeshin edhe më të ngushta, kur katet e sipërme dilnin mbi rrugë pak përtej mureve, për të shtuar sipërfaqen e banimit, duke penguar ajrosjen e mirë të rrugëve. E kështu jeta rridhte brenda një horizonti të ngushtë për sa kohë banorët detyroheshin të qëndronin në kështjellë, ngaqë nuk ishin të sigurt jashtë saj. Dendësia e popullsisë, lagështia por edhe vështirësia për të mbajtur pastërti, krijonin kushte të dëmshme për shëndetin ; epidemitë e shpeshta e rëndonin edhe më tej gjendjen. Përmirësimi erdhi me ndërtimin e lagjeve të banuara jashtë mureve të kështjellave. Shtëpitë e fisnikëve dalloheshin nga përmasat e mëdha, nga cilësia e materialit të përdorur e nga mjeshtëria e ndërtimit, si dhe nga pajisjet luksoze të tyre. Kështjellat monumentale dhe kishat e hijshme që u ngritën me shpenzimet e fisnikëve shqiptarë dhe që kanë arritur deri në ditët tona, dëshmojnë për mundësitë materiale të fisnikëve shqiptarë gjatë shekujve të mesjetës për të pasur kushte jetese sa më optimale. 

Guri i latuar dhe druri i gdhendur kanë qenë materialet kryesore që hijeshonin pamjen e jashtme e të brendshme të banesave të familjeve fisnike, krahas përdorimit të tullës së pjekur si dhe të tjegullës si mbulojë për çatitë. Banesa, oborri, magazinat dhe stallat e kafshëve (që ngriheshin larg banesës), madje edhe kopshti bashkë me gropën e gëlqeres, zakonisht ishin të qarkuara me një mur të përbashkët e të lartë guri. Kur burimet e ujit të pijshëm ishin larg vendbanimeve, në oborrin e banesës hapej një pus. Paretet e tij visheshin me gurë cilësorë dhe puset lartësoheshin nga niveli i tokës me një grykë guri, që mbulohej me kapakë druri. Në mjediset e banesës ose në oborrin e saj ishte edhe furra familjare për pjekjen e bukës, të mishrave etj. Në oborrin e banesës kultivoheshin trëndafila dhe lule të tjera. Muret e brendshme të banesës ishin të suvatuara. Krahas lyerjes së shpeshtë të tyre me gëlqere, që përdorej gjerësisht edhe si material kryesor dezinfektimi, muret e dhomave të veçanta ishin të zbukuruara me afreske dhe ishin të pajisura me vatra të mëdha me oxhakë shumë të gjerë, të ngjashëm me ato që shihen në kuzhinat e manastireve të vjetra të vendit tonë. Natën ato ndriçoheshin me qirinj dylli, të vendosur në shandanë argjendi, me dy, tri ose me më shumë llambadha. Shandanët ishin të zbukuruar me gdhendje artistike. Banesat fshatare ndërtoheshin me gurë të lidhur ose jo me llaç dhe nuk kishin dritare por vetëm frëngji. Në shtëpitë përdhese dyshemeja përbëhej nga trualli i ngjeshur mirë ; ato nuk kishin ende tavanë dhe mbuloheshin ose me tjegulla, ose me rrasa guri ose me fluga pishe, atje ku kishte lëndë të mjaftueshme drusore. Shumica e fshatrave ishin të ndërtuara në terren të thyer, kështu që pjesa përdhese përdorej për kafshë dhe në katin e sipërm banonte familja. 

Muret ishin të pasuvatuara, dritaret të ngushta si frëngji nga jashtë, por të gjera nga brenda. Në mure nuk kishte dollapë me flegra, por kishte kamare si në antikitet (p.sh. në Kamenicë). Vatra e zjarrit nuk ishte krejt në mes, por disi më pranë njërit mur. Banesa e vjetër e Tiranës, në format e saj më fshatarake, duket se ruante mjaft tipare nga banesa mesjetare. Në banesat e zakonshme tymtarët ishin të rrallë, por ata nuk mungonin në banesat e zotërve feudalë, madje atje edhe vatrat ishin të mëdha e me oxhakë shumë të gjerë. Në të dyja anët e vatrës kishte, përveç shkambeve të thjeshtë, karrige ose frona druri, me forma mjaft të zhvilluara, me mbështetëse për shpinën e për parakrahët. Format e tyre shihen në disa skena afreskesh dhe si një fazë e thjeshtuar e tyre mund të konsiderohen disa nga format më origjinale të karrigeve prej druri të përdorura në rrethet Pukë, Mirditë etj. deri në shek. XIX. Në përdorim të fisnikëve të kohës përmenden edhe frona ose poltrona të dërguar nga Venediku. Dhe kështu Noli, jo rastësisht thotë për Vojsavë Kastriotin : “rrinte pranë zjarrit mbi një poltron venecian...” (në prozën e shkurtër “Kthimi i Skënderbeut në Krujë”). Edhe bujari Gjon Muzaka, në kujtimet e tij, përmend “një poltronë despotale”, të zbukuruar me një stem gurësh të çmuar të Andre Muzakës, rreth vitit 1372. Shembuj të tjerë luksozë të këtyre poltronave janë fronat e dhespotëve në disa nga kishat ortodokse të vendit, në të cilat shumë pajisje janë ruajtur me konservatorizëm të madh. Orendi të përhershme ishin arkat ose sëndyqet e vogla prej druri për sendet e imta e të mëdha dhe për rrobat e trupit. Ato punoheshin prej zdrukthtarëve dhe marangozëve vendës, por, për bujarinë e lartë, silleshin edhe nga jashtë, sidomos nga Venediku. Arkat e punuara më mirë ishin arkat e pajës.

 Në zonat me pyje shumë, kishte fshatarë vendës që i punonin vetë orenditë shtëpiake prej druri, duke përdorur teknika tradicionale, pa përdorur gozhda metalike. Ndër këto orendi mund të përmenden fronat e gjatë e të thjeshtë pa mbështetëse, tryezat masive me dhoga të trasha, govata e magje, shtretër etj. Për t’u çlodhur, malësori mund të ulej thjesht mbi një postiqe pranë zjarrit, kurse banori i fushës, për një pushim të shkurtër ulej gjysmë i shtrirë mbi një rrogoz, shtruar në një qoshe të freskët brenda shtëpisë ose në hije në oborr. Sidoqoftë, përsa u përket pajisjeve të fjetjes, në dokumente, sidomos në testamente, përmenden shtretërit prej druri, e në disa raste ata shihen edhe në skena ikonash. Krerët e shtretërve mund të ishin të zbukuruar edhe me gdhendje të thjeshta. Pajisjet e tjera të fjetjes ishin dyshekët ose më mirë shtresat dhe jastëkët a përkresat, që bëheshin me pëlhurë liri ose leshi, në formën e një këllëfi që mbushej me lesh ose kashtë. Për fisnikërinë e lartë dyshekët, sidomos jastëkët, duket se ishin të mbushur me pupla (siç dëshmon Gjon Muzaka). Ushqimi e rregullat e të ngrënit njihen më mirë, sepse shumë artikuj ushqimorë shfaqen në mallrat tregtare të kohës. Për pjesën më të madhe të vendit, artikulli kryesor ishte buka prej gruri, sidomos në zonat ku toka punohej mirë, siç ishte rrethi i Tiranës, por edhe pllajat e kultivuara me grurë, thekër, mel etj. Drithi, si artikull i rëndësishëm eksporti, duket se i plotësonte mirë kërkesat e kultivuesve, por padyshim, kishte edhe zona në luginat e thella ku nuk mjaftonte gruri dhe kështu hahej edhe meli, megjithëse prej tij dilte një bukë shumë e qullët. Në disa dokumente, krahas artikujve të tjerë për eksport, përmendet edhe buka. Këtu është fjala për bukë të thekur (peksimadhe), artikull shumë i nevojshëm për detarët sa kohë ishin në lundrim, sepse i qëndronte më mirë lagështirës, dhe ky ishte një zakon i përhapur gjithandej në brigjet e Mesdheut. Drithi bluhej në mullinj, që punonin tashmë me forcën e ujit, megjithatë mokrat prej guri vazhduan të bëjnë pjesë në orenditë shtëpiake, duke bluar në to edhe grurin për trahan etj. Të tjera orendi për të grimcuar ose shtypur sende ushqimore ishin shtypësat e ndryshëm prej druri ose prej guri. 

Gruri i bluar trashë e i zier është padyshim një nga gatimet e hershme, që i paraprin bukës. Me kohë ai mbeti në përdorim jo si ushqim i përditshëm, por si ushqim ritual për të kremtet e motmotit e sidomos për rastet e përkujtimit të të vdekurve. Krahas bukës e gatimeve të tjera me bazë mielli (si qulli, mëmëliga, përsheshi, pitet, petullat, etj.) në shekujt e mesjetës vinte përdorimi i bulmetit dhe i yndyrave. Në dokumentacionin e kohës, krahas djathit përmendet në eksportet edhe qumështi. Në gjellëtarinë e kohës është i pranishëm shpesh vaji i ullirit e kokrrat e tij, artikuj ushqimorë tipikë mesjetarë por që njiheshin që në antikitet. Mullinj vaji kishte tashmë jo vetëm pranë banesave të zotërve feudalë, por edhe pranë manastireve që kishin ullishte. Mishi konsumohej më shumë në dimër se në verë. Në qytet ai konsumohej veçanërisht në tryezat e fisnikëve e të kështjellarëve të kohës. Baza ishte mishi i pjekur, për të ftuarit më të nderuar edhe mish shpendësh e zogjsh gjahu. Përdorej shumë edhe vera. Në kushtet e kohës mishi ose konsumohej pas therjes ose ruhej i kripur shumë, prandaj para gatimit duhej lënë në ujë që t’i dilte kripa. Edhe peshku konsumohej mjaft sidomos në qytetet e bregdetit, i freskët ose i tharë. Në dokumente të kohës përmenden ngjalat, krapi e putargat e Shkodrës por dëshmon edhe ekzistenca e dajlaneve, përveç mënyrave të tjera të peshkimit. Pak a shumë këto ishin ushqimet që konsumoheshin edhe në tavernat e qyteteve kryesore, si Durrësi, Vlora, Shkodra. Llojet më të përdorura të perimeve ishin qepët, preshët, hudhrat, specat djegës, të freskëta dhe të regjura (turshi). Gjithashtu gjerësisht përdoreshin fruta të freskëta, të thata dhe shurupe, si kumbullat, mollët, dardhat, qershitë, fiqtë etj. 

Në gjellët e ndryshme të kësaj kohe përdorej shumë edhe uthulla, për të shtuar shijen, gjë që vazhdon edhe në shekujt e mëvonshëm. Mjalti ishte gjithashtu një artikull i përdorur gjerësisht. Nëse në tryezat e fisnikëve të kohës mbizotëronin enët prej argjendi masiv, në forma disqesh e pjatancash të mëdha, si edhe potirët me fron dhe kupat po ashtu prej argjendi, në tryezat e shtresave të mesme qytetare përdoreshin gjerësisht tasat, pjatat dhe pjatancat prej qeramike, të glazuruara me kujdes e hijeshi si brenda, ashtu edhe jashtë, format e të cilave shihen në gjetjet arkeologjike të mesjetës së hershme. Në mënyrën e jetesës zinin vend edhe ngrohja e ndriçimi. Lënda djegëse në këta shekuj duket se ishin shkarpat e drutë. Është përdorur edhe qymyri i drurit, i cili njihej që në lashtësi, por në një masë shumë më të kufizuar. Lënda djegëse sigurohej që gjatë verës dhe vendosej në stiva pranë banesës. Drutë digjeshin në vatër dhe për të lehtësuar djegien mbështeteshin te një almise e thjeshtë prej hekuri, që quhej “kali i druve”. Rreth këtij zjarri i kalonte familja fshatare orët e gjata të mbrëmjeve gjatë dimrit. Në banesat qytetare, sidomos në kështjellat e zotërve feudalë, kishte vatra e oxhakë të mëdhenj (ndoshta të ngjashëm me ato që shihen në kuzhinat e manastireve më të vjetra të vendit). Në banesat e vogla fshatare mjetet e ndriçimit ishin, copat e pishës, të vendosura mbi një pishtar të thjeshtë hekuri, pranë vatrës. Sipas një tradite që vjen nga antikiteti, zonat ku rritej ulliri përdornin për ndriçim kandilat me vaj. Ndriçimi me këto kandila me vaj është ruajtur deri në shek. XX në kishat ortodokse të vendit. Kandilat me vaj, në format e tyre kryesore, bëheshin krejtësisht prej argjendi dhe të mbuluara me gdhendje artistike, që u jepnin një shkëlqim të veçantë mjediseve që ndriçonin. Këta kandilë të kushtueshëm janë pjesë e artit dhe e kulturës bizantine të këtyre shekujve dhe janë përdorur gjithandej në viset e Bizantit.

 Përdorim të gjerë kishin edhe qirinjtë prej dylli, me trashësi të ndryshme, që vendoseshin në shandanë argjendi, me dy, tri ose me më shumë lambadha, që vendoseshin mbi tryezat a në vende të tjera të ngritura, për të ndriçuar më mirë. Të dhënat për veshjet në shek. XII-XV janë të pakta e mjaft fragmentare. Për shkak të ngjarjeve historike të njohura, vendin e përshkuan turma të mëdha njerëzish nga dyndjet e barbarëve, nga kryqtarët, nga ushtri të vendeve fqinje etj. Në anën tjetër, këta janë shekujt e një zhvillimi mjaft të shpejtë të zejtarive. Veshjet nuk i prodhonte vetëm zejtaria shtëpiake, por edhe zejtarët e vendosur në qytetet e kohës. Ndikoi në prodhimin e veshjeve me cilësi të lartë edhe importimi i vazhdueshëm i cohërave të ndryshme. Përmirësimi i disa proceseve teknike, siç ishin avlemendi horizontal, që dha mundësinë e punimit të pëlhurave me katër lisa, ose përhapja e dërstilave që punonin me forcën e ujit ishin arritje që solli përmirësime të dukshme. Pjesë të veçanta të veshjeve popullore të mëparshme, si linjat e gjata e me mëngë të gjera, tirqit, hlamidat ose strukat e leshta por edhe xhupet e opingat, vazhdojnë të mbahen rregullisht. Në një dokument të vitit 1335, përmenden pjesët e veshjes së një detari, ndër të cilat edhe këmisha, fustani e fustanella (camisia, fustanum, etc.). 

Gjatë shek. XIII e pastaj edhe në shekullin pasues, importohej rregullisht një lloj pëlhure e pambuktë, mjaft e qëndrueshme, e quajtur fustan, me të cilën filluan të bëhen edhe ato funde këmishe të gjera për burrat që u quajtën fustanella. Por familjet princore dhe aristokracia e lartë vazhduan të ndjekin në veshje modën bizantine, duke përdorur sako brokartesh të kushtueshme apo kadife e stofra, të zbukuruara rëndë me qëndisje me fije ari e me gurë të çmuar. Edhe stolitë e tyre, si kurora e diadema, vathë e tëmthore, gjerdanë me medalione të mëdha, breza etj. ishin prej ari, me perla e me gurë të çmuar. Në shek. XIV-XV përmenden më shpesh hlamidat e dyfishuara, domethënë me dy faqe dhe mantelet e veshur përbrenda me gëzof. Është interesant fakti se në fillim të shek. XV të tilla hlamida, në dokumentet veneciane, cilësohen me fjalët ad modum Albanesibus ose secundum eorum ritum. Së fundi, mund të kujtojmë se nga shek. XV deri në shek. XVIII, në shtresa të ndryshme të shoqërisë është mbajtur një lloj kapele mjaft e lartë dhe me strehë rreth e qark, që cilësohet në Francë si kapelë shqiptare (“chapeau albanois” ose thjesht “albanois”, nga F. Rabelais). Krahas rrobaqepësve e gëzoftarëve, si zeje më vete, përmenden në qytetet e Shqipërisë edhe këpucarët, çizmarët e papuçinjtë. 

Deri nga fundi i shek. XV veshja e fisnikëve vazhdoi të zhvillohet jo vetëm nën ndikimin e qytetërimit bizantin, por edhe nën ndikimin perëndimor, që hynte te ne kryesisht nëpërmjet marrëdhënieve me qytetet më të zhvilluara italiane të kohës. Këtu nuk duhet harruar se shumë nga familjet bujare të kohës, si Balshajt, Topiajt, Dukagjinët, Gropajt, Muzakët, Zahariajt, Arianitët, Kastriotët, Jonimajt etj. ishin të përzier midis tyre me lidhje të shumëfishta gjaku e krushqie. Madje disa prej tyre kishin të tilla lidhje edhe me dinastitë e mëdha të kohës si paleologët, asienët, anzhuinët, si edhe me aristokracinë kroate, serbe e boshnjake, pra e mbanin veten të barabartë me ta, madje edhe me fisnikët e Italisë së Jugut. Këto familje fisnikësh kishin secila oborrin e vet, ku vinin rrotull një varg zotërinjsh e fisnikësh, kancelarësh, qefalinjsh e vojvodësh të rangjeve të ndryshme, si edhe një mori kalorësish, kasnecësh e shërbëtorësh, si edhe të ftuar të shumtë. Kjo fisnikëri nga kontaktet me fisnikët e Perëndimit, synonte të jetonte e të zbavitej si ata. “Për një kohë shumë të gjatë, - thotë Shuflai, - fisnikët dhe zotërinjtë e hinterlandit, kishin zakon të shkonin në Durrës shumë herë në vit, për punët e veta dhe për dëfrim (“pro suis factis, vel pro placere”).

 Në një marrëveshje midis anzhuinëve dhe despotit shqiptar Andre Muzaka, në vitin 1336, u jepej liri anëtarëve të kësaj familjeje që të vinin në Durrës sa herë dëshironin dhe ata mbetën, deri në shpërnguljen e tyre në Itali më 1476, në raporte miqësore me familjet fisnike të Durrësit. Këto lidhje miqësie, që favorizonin shtrirjen e modës veneciane në gjithë mënyrën e jetesës, duket se vazhduan edhe në shek. XVI. Nën ndikimin perëndimor, sidomos të anzhuinëve, fisnikët e vendit tonë fillojnë të përdorin edhe stemat e vulat, duke zgjedhur secili shenja e simbole të veçanta. Stema e gdhendur në gur vendosej, zakonisht, në hyrjen kryesore të kështjellës. U bë zakon gjithashtu që familjet fisnike të hartonin edhe gjenealogjitë e tyre, më fort për të konsakruar prejardhjen e tyre, por edhe për t’u treguar pinjollëve pasardhës ku shtriheshin pronat e zotërimet e tyre. Një shembull i mirë për këtë është Gjon Muzaka, i cili në vitin 1510 hartoi gjenealogjinë e familjes së vet, duke na dhënë kështu një dokument shumë të vlefshëm për kohën.   
NA NDIQNI - SHPERNAJE NE PROFIL

Popular

BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR

BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR
BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR - GJITHASHTU DHE RIPAROJME