Arsimi si veprimtari e rëndësishme shoqërore paraqet kapitalin themelor të shoqërisë bashkëkohore dhe, si i tillë, sot konsiderohet faktori kryesor në zhvillimin ekonomik e shoqëror të çdo vendi. Krahas shtimit të popullsisë në planetin tonë, harxhimit të burimeve minerale e energjetike, problemeve të ndotjes e globalizimit dhe formave të ndrysh
me të integrimeve, njohurive të marra gjegjësisht, arsimimi fiton peshë edhe më të madhe. Njohuritë, shkathtësitë dhe informacionet që mësimdhënësit bartin te nxënësit dhe studentët do të kthehen në një fuqi zhvillimi dheprogresi për vendin konkret
1.1 Arsimi është faktor thelbësor i zhvillimit
Rëndësia e arsimit në zhvillimin ekonomik e shoqëror të çdo vendi është një prej temave që kudo në botë diskutohet dhe shtjellohet nga aspekte të ndryshme. Arsimi mund të kuptohet si procesi i marrjes së vazhdueshme të diturisë dhe i shkathtësive për jetën, i të gjithë njerëzve, në institucione arsimore publike dhe jopublike, apo marrja e njohurive në mënyrë formale, joformale dhe informale. Arsimi në çdo aspekt është faktor thelbësor i zhvillimit. Ndaj, ky sektor pothuajse në çdo vend trajtohet si sektor me prioritet. Në të vërtetë ç'është ajo që njerëzit e arsimuar i dallon nga të tjerët?
Pos të tjerash, ata i dallon aftësia e tyre për të eksploruar teknologjinë e re dhe rrjedhimisht rritjen e produktivitetit të punës, mendja e hapur, njohuritë e konsiderueshme për dukuritë shoqërore dhe natyrën, janë më pragmatikë, etj.
Asnjë vend nuk mund të arrijë që të ketë zhvillim ekonomik e shoqëror të mirëfilltë e të qëndrueshëm pa investime në faktorin njeri. Historikisht është dëshmuar se zhvillimi i arsimit ka sjellë shtimin e produktivitetit të punës, e kështu është rasti me disa prej shteteve të Evropës Perëndimore, siç janë: Gjermania, Franca, Anglia, etj, si edhe SHBA. Që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore, produktiviteti i punës në SHBA ka ardhur duke u ngritur në mënyrë të vazhdueshme. Nga viti 1947 deri në vitin 1994 ai është rritur tri herë. Pikërisht falë arsimimit, në këto dhe shtete të tilla janë bërë zbulimet e mëdha shkencore dhe revolucionet tekniko-teknologjike, të cilat kanë qenë vendimtare për njerëzimin në përgjithësi. Në të vërtetë arsimi është dituri dhe dituria është forcë shtytëse e zhvillimit të gjithëmbarshëm të një shoqërie. Ekonomistët e njohur botërorë si Adam Smith dhe Alfred Marshall, në shekullin 18-të e 19-të janë preokupuar për investimet në arsim, duke parashtruar pyetjen: Si reflektohen investimet në arsim, në pasurinë kombëtare dhe në shtimin e mundësisë për fitime më të mëdha të njerëzve si individ?!. Po ashtu, më vonë, edhe ekonomistë të njohur botërorë janë marrë me këtë çështje, ku në bazë të të dhënave empirike kanë dhënë shpjegime lidhur me relacionin ndërmjet arsimimit dhe shtimit ekonomik. Në ekonomitë e zhvilluara ka vlerësime se për çdo vit të arsimimit të një individi shtohet mundësia që ai t'i rrisë fitimet në shkallë relative 10 për qind.
Masa e investimeve në arsim ndryshon nga shteti në shtet, varësisht nga potenciali ekonomik dhe nga prioritetet dhe politikat që ka përcaktuar vendi përkatës. Në bazë të të dhënave, ShBA-ja është shteti, i cili më së shumti ndan para për arsim. Sidoqoftë, një indikator i rëndësishëm sigurisht është përqindja bruto e produktit vendor (GDP) i ndarë për zhvillim të arsimit të çdo vendi të botës, e posaçërisht masa absolute e mjeteve financiare.
Tashmë kur është kuptuar roli i arsimit në zhvillim të përgjithshëm ekonomik e shoqëror të çdo vendi, bëhet përpjekje që të investohet sa më shumë në të. Siç dihet, në investime arsimore përfshihen buxheti i dedikuar për ngritje dhe rinovim të objekteve arsimore, blerjen e pajisjeve laboratorike, rregullimin e infrastrukturës dhe ambientit të jashtëm, për sigurimin e pagave të mësimdhënësve, ndarja e subvencioneve të ndryshme për nxënës e studentë, reformimin dhe rishikimin e planeve dhe të programeve mësimore, krijimin e mundësive për mobilitet etj.
Veçanërisht investimet duhet të jenë në funksion të shtimit të cilësisë së arsimit, meqenëse kjo siguron zhvillim të qëndrueshëm ekonomik e shoqëror. Shkalla më e lartë e arsimimit i bën punëtorët që të jenë në gjendje që më lehtë dhe më shpejt të adaptohen në një punë të re, por njëkohësisht të kenë aftësi më të mëdha komunikimi. Arsimimi ndikon po ashtu edhe në rritjen e standardit jetësor në përgjithësi, sigurisht nga fakti se njeriu i arsimuar di ta rregullojë jetën e vet më mirë, në kushtet e tjera të njëjta. Asnjë vend nuk ka arritur që të ketë zhvillim ekonomik konstant pa investime të konsiderueshme në kapitalin njerëzor. Zhvillimi i hovshëm i shkencës dhe i teknologjisë ka bërë që të përqafohet ideja e mësimit tërëjetësor dhe gjithëpërfshirja e popullatës në këtë. Sidoqoftë, vendet e ndryshme dallohen jo vetëm për nga sasia apo masiviteti, por edhe për nga kualiteti i arsimit.
Zhvillimi i arsimit dhe zhvillimi ekonomik kanë një lidhshmëri mjaft funksionale dhe ndikim reciprok njëkohësisht. Është bërë pothuajse praktikë e rendomë që të vihet në pah vetëm roli i arsimit në zhvillim të ekonomisë, por jo edhe roli i ekonomisë në zhvillim të arsimit. Vlen të përmendet se, cilësia e arsimit veçanërisht është komponent që ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik të çdo vendi. Sfida e vendit tone për tu integruar në Evropë nënkupton, hyrjen në një system gare me vende të tjera në çdo pikëpamje, edhe kur është fjala për dituri, thithjen e investimeve, zgjidhjen e sfidave të ndryshme në përmasa globale dhe kombëtare. Kjo gjë është vërejtur dhe është studiuar historikisht në vende të ndryshme të botës. Kur flitet për arsimim, natyrisht se aludohet në dituri, shkencë etj. Ka mendimtarë që diturinë e identifikojnë me fuqi, pra këtu mendohet në nivel të zhvillimit të forcave prodhuese, aftësi inovacioni dhe shkence, implementimi i zbulimeve nga të gjitha fushat, në ngritje të mirëqenies njerëzore etj.
1.2 Si ndikon ekonomia në zhvillim të arsimit?
Është e kuptueshme se vendet me nivel të ulët të zhvillimit ( investime dhe buxhet shtetëror të ulët), nuk mund të ndajnë mjete të mjaftueshme për intensifikim të arsimit dhe e kundërta. Ekonomia në zhvillim të arsimit reflekton:
* Në sigurimin e masës së buxhetit për investime kapitale dhe shpenzime të tjera, në funksion të krijimit të kushteve sa më të mira në shkollë;
* Në motivimin e mësimdhënësve duke siguruar nivel të pranueshëm të pagave;
* Në krijimin e kushteve për hapjen e vendeve të punës për të rinjtë, ekspertët dhe të kualifikuarit e tjerë;
* Në krijimin e mundësive të aftësimit praktikt të nxënësve dhe studentëve;
* Në ofrimin e informacioneve cilësore dhe sasiore për sistemin arsimor, për atë se cilat profile të ekspertëve kërkon tregu aktualisht dhe në të ardhmen, në vendin përkatës;
* Në zvogëlimin e dukurisë së braktisjes së shkollimit të nxënësve të të gjitha niveleve të arsimit;
Pa ekonomi të zhvilluar dhe rrjedhimisht pa masë të konsideruar të buxhetit dedikuar për arsim, nuk mund të ndahen fonde për arsim. Pa ekonomi të zhvilluar nuk mund të ndodhë absorbimi i njerëzve të diplomuar. Në të kundërtën, do të vihej në situatën, kur të diplomuarit duke mos gjetur angazhim në profesionet e tyre ose të ngjashme, do të detyroheshin ose të migrojnë, ose të sillen në situata, që të harrojnë dituritë e marra. Në të dy rastet do të bëhet humbja e investimeve të bëra për këtë qëllim. Konkurrenca gjithnjë e më e madhe ndërmjet vendeve të industrializuara për prodhime dhe shërbime cilësore është në lidhshmëri të ngushtë me zhvillimin e shkencës, teknologjisë dhe të arsimit. Ndoshta këto rrethana kanë bërë që arsimi të marrë karakter të një procesi shumë dinamik. Sipas botëkuptimeve të Programit Zhvillimor të Kombeve të Bashkuara (UNDP), baza materiale apo niveli i caktuar i zhvillimit ekonomik dhe arsimimi mundësojnë zhvillimin human, si koncept më i gjerë se vetë zhvillimi arsimor apo ai ekonomik, të shikuara ndaras. Pra mund të thuhet se kemi zhvillim human në një vend të caktuar vetëm atëherë kur gërshetohen në mes vetes: zhvillimi i arsimit cilësor, shtimi ekonomik dhe ngritja e mirëqenies.
Nisur nga ky botëkuptim dhe indikatorët e zhvillimit makroekonomik mund të thuhet, se në pjesën dërrmuese të vendeve të rajonit, nuk mund të bëhët fjalë për zhvillim human të mirëfilltë. Si pasojë e mungesës së kësaj, njerëzit e këtyre vendeve shpeshherë nuk mund t'i zhvillojnë të gjitha potencialet e tyre në masë të duhur dhe për këtë arsye është e pranishme dukuria e “ikjes së trurit“ drejt vendeve të zhvilluara. Bazuar në këtë, del se ekonomisë dhe arsimit u duhet dhënë rëndësi njëkohësisht, duke krijuar politika të favorshme me efekte të ndërsjella. Nuk do të ishte e mjaftueshme që vetëm të numërojmë të diplomuarit, duke mos krijuar parakushte të zhvillimit ekonomik dhe krijimit të mundësisë që ata të diplomuar të materializojnë dhe të valorizojnë diturinë e tyre në interesin personal dhe të shoqërisë. Mund të thuhet se niveli i arsimit të një qeverie nuk mund të jetë i kënaqur nëse pjesës dërrmuese të të diplomuarve nuk i jepet mundësia që shkathtësitë e fituara t'i shfrytëzojnë për ngritjen e mirëqenies së tyre personale dhe zhvillimin e vendit. Ka mendime se të rinjtë e diplomuar, të cilët në vazhdimësi nuk mund të gjejnë punë, mund të jenë burim i pakënaqësive dhe i destabilizimit në një shoqëri. Niveli i ulët i zhvillimit ekonomik paraqet faktor limitues në zhvillim cilësor të arsimimit dhe pamundëson arritjen e standardeve të pranuara ndërkombëtarisht.
Çështje për diskutim:
1. Shpjegoni si ndikon arsimi në zhvillimin ekonomik e shoqëror të një vendi.
2. Çfarë përfshihet në investimet arsimore dhe në funksion të kujt janë këto investime?
3. Si ndikon ekonomia në zhvillim të arsimit?