Ese - Ironia

http://www.fakultete.blogspot.com/ Esse - Ironia... veçanërisht ajo sokratike.
Ka një ironi elementare e cila ngatërrohet me njohjen dhe që, e tillë si art, është bijë e zbavitjes. Sigurisht, ironia është tepër morale për të qenë vërtet artiste, dhe tepër mizore për të qenë vërtet komike. Megjithatë, ja një tipar që i përafron : arti, komikja dhe ironia bëhen të mundshëm vetëm aty ku çtendoset ngutshmëria jetike. Por ironisti është ende më i çliruar se komiku ; sepse ky i fundit, shpesh nxiton të qeshë vetëm për të mos qarë, njëlloj si ata frikacakët që i flasin me zë natës së zezë për t’i dhënë vetes zemër ; këta mendojnë se do ta largojnë rrezikun thjesht duke ia zënë emrin me gojë, dhe bëjnë kështu si të lirë, me shpresën që t’ia kalojnë në shpejtësi rrezikut. Ironia, e cila nuk ua ka më frikën befasirave, luan me rrezikun. Kësaj here, rreziku është në një kafaz ; ironia shkon ta shohë, e
përqesh, e provokon, e tall dhe e mirëmban për riprodhimin e vet ; madje ajo do të rrezikojë edhe përmes hekurave të kafazit, që zbavitja të jetë po aq e rrezikshme sa e mundur, për të përfituar kështu iluzionin e plotë të së vërtetës ; ajo luan me frikën e saj të paqenë, dhe nuk lodhet së ngadhnjyeri mbi këtë rrezik të mrekullueshëm që vdes në çdo çast.
Ç’është e vërteta, loja mund të përfundojë keq, dhe Sokrati ka vdekur nga kjo ; sepse ndërgjegja moderne nuk i ngacmon ashtu pa u ndëshkuar krijesat e përbindshme që terrorizonin ndërgjegjen e vjetër. Megjithatë, fryma e ironisë është pikërisht fryma e shkrehjes, dhe ajo përfiton nga qetësimi më i vogël për ta rifilluar sërish lojën. Kështu, gjatë historisë së vet, mendimi ka përshkuar disa oaze ironie ; këto janë epokat e « jetës skolastike » dhe talljeve të lira ku mendimi merr frymë sërish dhe çlirohet nga sistemet e ngurta që e shtypnin ; brezat e ironistëve ndërrohen me breza tepër seriozë, ashtu si në jetën individuale, tragjikja ndërrohet me moskokëçarjen. Shfaqja e Sokratit në fund të shekullit të V-të p.e.s, përfaqëson kështu këtë ironi të parë të adoleshencës e cila pason tek ne periudhën e frikave dhe rrëmbimeve të rinisë. Ironia sokratike është një ironi pyetësore ; me pyetjet e veta, Sokrati shpërbën kozmogonitë masive të Jonianëve dhe monizmin mbytës të Parmenidit. Le të shënojmë fillimisht se Sokrati është një sofist, ashtu si Prometeu një titan ; por ai është një sofist që ka « përfunduar keq », një sofist që tallet edhe me sofistikën, edhe me shkencën e meteorëve. Në thelb, fryma e humanizmit dhe debatit që fryn tek këta sharlatanë, është vetë fryma e Sokratit ; Xhorxhias, duke argumentuar në favor të mosqenies, përpiqet të na mashtrojë, ashtu si dhe Abderitani Protagoras, i cili është një virtuoz i « antilogjisë ». Për shembull, ashtu si Sokrati, Sofistët e pranojnë karakterin e mësueshëm të virtytit, por për arsye aq të dyshimta sa Sokrati i Protagoras duket sikur thotë se ky virtyt është i papërcjellshëm ; sepse ai kërkon shkencën dhe jo kleçka apo receta. Ajo çfarë Sokrati iu qorton tregtarëve orvietanë (ashtu si më vonë Auguste Comte ndaj Saint-Simon), është se ata e kanë vënë parmendën para qeve, se improvizojnë aty ku do të duhej analizuar, dhe se shkurt, kanë rënë në përafërsitë e rëndomta të probabilizmit. Sofistit, me sofist : Sokrati çjerr maskën e këtij sherri (debati), dhe mashtrimin e këtij « arrivizmi » ; Sokrati i bën shoshë me pyetje tregtarët e fjalive të bukura, dhe ndjen një ngazëllim të vërtetë tinzak kur ua shpon tepritë e tyre të elokuencës, kur ua shfryn tollumbacet e mbushura plot me një dije të kotë. Sokrati është ndërgjegja e Athinasve, njëherësh ndërgjegja e tyre e qetë dhe ajo e rënduar ; domethënë, në funksionet e tij, gjejmë dy rrjedhojat e ndryshme të ironisë, sipas asaj që kjo na çliron nga frikat tona apo na privon nga bindjet që kemi. Nga njëra anë, Sokrati i zbavit Athinasit ; Schelling e krahason me Dionisin, zotin e ri falë të cilit qielli i shkretë i Uranosit do të mbushet me këngë dhe zhurma. Nga ana tjetër, Parmenidi është Kronosi i filozofisë, që gëlltit, qysh në zanafillë, veçantitë konkrete, shumësinë, lëvizshmërinë, tjetërsinë. Sokrati, me natyrë dioniziake, e vë në lojë këtë unitet të pangopur, këtë parim kronian që rëndonte mbi larminë e hareshme të dallimeve ; Sokrati ka diçka prej sharlatani, xhongluesi, qenieje gëtike ; ai e deh qytetin e vjetër të fortë e të ngurtë, themelon më në fund një dije njerëzore, të flatruar, të hollë e të zgjuar, në fushën e së cilës do të ushtrohet analiza e Aristotelit. Kështu, mbi Athinasit fryn një erë çmendurie ; demoni i dialektikës i cyt të rinjtë në sheshe dhe kryqëzime ; Alqibiadi lëshohet në gjithfarë fjalësh të çuditshme për të tërhequr vëmendjen e qytetit… Eshtë Sokrati, njeriu demonik, ai që i tremb qytetarët, që i deh me dialektikë dhe ide të mprehta ; tani e tutje, në Greqi ka vend për mendime të shkathta dhe të lira, për kritikë pjellore. « Kur të dëgjoj ty, i thotë Alqibiadi në tavolinën e poetit Agaton, më rreh zemra më shumë se nga vallja e koribantëve… » ; dhe ai e krahason Sokratin herë me një silen, e herë me satirën Marsias, që janë qenie dioniziane. Por gjithashtu, Sokrati është i vetmi njeri që mund ta bëjë Alqibiadin të skuqet ; i vetmi që e bën të kuptojë se të jetosh ashtu siç bën ai, s’ia vlen të jetosh fare. Gjithçka duket e papërfillshme në krahasim me nderimin e mrekullueshëm dhe prekës që Alqibiadi i bën Sokratit në fund të Gostia të Platonit. Alqibiadi është ca i pirë, thjesht aq sa duhet për të folur në tërë lirshmërinë e shtytjes së parë. « Pra më duhet t’i largohem atij duke i mbyllur veshët ashtu si për sirenat… Ai është i vetmi që zgjon tek unë një ndjesi për të cilën askush s’do të më besonte të aftë : për turpin përballë një njeriu tjetër ; … dhe them se shpesh do të doja që të mos ekzistonte fare.

Popular

BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR

BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR
BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR - GJITHASHTU DHE RIPAROJME