Ekonomistët e edukimit mbështesin idenë se “investimet në sektorin e edukimit janë rentabël kur ato kontribuojnë direkt në përmirësimin e produktivitetit individual apo kombëtar”.
Njohja e një lidhjeje të ngushtë ndërmjet edukimit dhe zhvillimit ka bërë që kombet e zhvilluara të investojnë pa reshtur në sektorin e arsimit. Investimet publike në këtë fushë janë nxitur dhe nga fakti se edukimi nuk luan rol vetëm në promovimin e ekonomisë por gjithashtu dhe në një aspekt tjetër shumë sensibël siç është “ai është i shpërndarjes proporcionale ndërmjet grupeve të ndryshme sociale të fryteve të rritjes ekonomike” (Gilles&Verdier 1993). Me të drejtë, edukimi është konsideruar “si një instrument i fuqishëm që promovon barazinë sociale”. Mjafton të përmendin faktin, se edhe në Shqipëri, sipas disa studimeve të fundit, diferencimi i popullsisë në raport me mundësitë e punësimit, llojit të punës, varfërisë dhe të ardhurave nuk është më aspekti gjinor, origjina krahinore apo mosha, por në radhë të parë niveli i tyre arsimor.
Sipas teorive mbi zhvillimin që ekzistonin në periudhën e pas-luftës së dytë botërore, ishte kapitali ai që përbënte gurin magjik të zhvillimit dhe rritjes ekonomike. Modelet e rritjes ekonomike të periudhës 1950-60 nuk e njohin kontributin e edukimit në zhvillim. Por, shumë studime të mëvonshme në periudhën 1960-70, treguan qartë se zhvillimi nuk mund të shpjegohej vetëm me kontributin e kapitalit dhe fuqisë punëtore. Në këtë kohë, nga autorë të shquar si Denison (1967) dhe Griliches (1964) u fut për herë të parë dhe nocioni i “faktorit të njohurive”, si faktor i rëndësishëm në rritjen ekonomike. Të gjithë këto studime dhanë prova të pakundërshtueshme se “edukimi rrit produktivitetin dhe kontribuon në rritjen ekonomike dhe të ardhurave kombëtare”, dhe se “diferencat në nivelin e produktivitetit ndërmjet shumë vendeve apo rajoneve mund të shpjegohen bindshëm nga diferencat në nivelin dhe cilësinë e shkollimit të fuqisë punëtore”. Pasojë e këtij konkluzioni ishte dhe lindja e një kategorie të re ekspertësh të edukimit. Babai i këtij koncepti dhe kategorie ekspertësh konsiderohet Keneth Arrow, i cili mori edhe çmimin Nobel i ekonomisë në vitin 1972.
2.1 Efektet e edukimit në cilësinë e kapitalit social
Ideja kryesore e këtij nocioni është vlerësimi i relacioneve bashkëpunuese, procesit të pjesëmarrjes, normave dhe vlerave sociale si një «stok kapitali në nivel makrosocial». Promovimi i këtij koncepti u bë për herë të parë nga politologu amerikan Putnam në vitin 1995, në librin «Alone: America’s Declining Social Capital», libër që bëri bujë në gjithë botën për këndvështrimin e tij të veçantë. I zhvilluar më tej nga autorë si J. Coleman, P.Bourdieu, por dhe nga institucione ndërkombëtare si OCDE: «kapitali social» konsiderohet si një faktor me impakt determinues në ritmet e zhvillimit ekonomik, nivelin e mirëqenies, cilësinë e shëndetit publik, stabilitetin dhe kohezionin social të një shoqërie, shteti apo territori. Vizioni i Bankës Botërore për këtë nocion është shumë i gjerë duke përfshirë këtu «gjithçka që nuk lidhet direkt me tregun, por që bashkë me tregun, përbejnë dhe influencojnë zhvillimin e një shoqërie». Tashmë, paketa liberale e programeve të «axhustimit strukturor» po fillon të ketë një binjak po aq të rëndësishëm e përcaktues në rritjen ekonomike të një shoqërie: «dimensionin e efekteve të edukimit në zhvillimin ekonomik» (Briggs 2004).
Edhe OCDE-ja, që përfaqëson «klubin» e 33 vendeve më të pasura e të zhvilluara të botës do t’i kthente sytë dhe vëmendjen me mjaft interes drejt këtij koncepti çelës të zhvillimit dhe mirëqeverisjes. OCDE publikoi në vitin 2001 një raport në të cilin nënvizohej se «rezulton se nocioni i kapitalit social është shumë i nevojshëm në ecurinë dhe rezultatet e punës qeverisëse….se kapitali social ndikon ndjeshëm në reduktimin e pabarazisë socialedhe prodhon efekte shumë pozitive në nivel makroekonomik», duke i dhënë këtij nocioni një rol shumë të rëndësishëm në instrumentet e tij të analizës dhe prognozës së zhvillimit në kuptimin e gjerë të tij (Imandoust 2011).
Shembulli më tipik që ofrohet në përgjigje të efekteve të edukimit në cilësinë e kapitalit human dhe atij social, dhe për pasojë në gjithë zhvillimin ekonomik, është ai i krahasimit të ecurisë së Irlandës dhe Portugalisë. Në vitin 1990, Irlanda ishte në të njëjtin nivel me Portugalinë përsa i përket treguesve kryesore makroekonomike e në mënyrë të veçantë treguesit të Prodhimit te Brendshëm Brut për banor (PBB/banor), por 15 vjet më vonë Irlanda rezulton të këtë ecur shumë më shpejt se Portugalia duke krijuar një distancë të konsiderueshme ndërkohë që të dy vendet kishin patur të njëjtën shkallë përfitimi nga fondet strukturore evropiane. Por diferenca, sipas analistëve të zhvillimit «mund të shpjegohet pothuajse tërësisht me efektin pozitiv të kapitalit social dhe edukimit (besim i lartë ndërmjet industrisë dhe bankave, ndërmjet qytetareve dhe institucioneve, respektim i kopetencave ndërmjet pushteteve, interes i lartë publik e pjesëmarrja aktive qytetare në problemet e zhvillimit,…etj.) si dhe kapitalit human (kapaciteti i lartë novator i biznesit dhe futja masive e teknologjive të reja në të gjitha fushat dhe aktivitetet, financimi me prioritet i ekonomisë së dijes dhe informacionit, zhvillimi i kërkimit dhe cilësia e lartë e universiteteve, etj.).
2.2 Edukimi si instrument i eliminimit të varfërisë
Eksperienca në çështjet e zhvillimit ekonomik të viteve 1960-80, tregoi se rritja ekonomike nuk i zhdukte automatikisht dhe pabarazitë sociale. Për pasojë, mbas viteve 80-të të shek XX-të, preokupimet në fushën e zhvillimit ekonomik u zgjeruan nga nocioni i rritjes edhe në atë të “shpërndarjes së fryteve të rritjes ekonomike”, duke u shtrirë pak më vonë në “preokupimet për reduktimin e varfërisë”. Që në vitin 1980, Banka Botërore theksonte se lufta kundër varfërisë kalon nëpërmjet vlerësimit të burimeve njerëzore, gjë që kërkon veçanërisht vëmendje mbi edukimin dhe formimin profesional. Por ishte UNDP (Programi i OKB për zhvillimin) që në vitin 1990 bëri një mikro-revolucion me përmasa botërore duke përdorur si tregues për progresin e kombeve, “Indikatorin e Zhvillimit Njerëzor”(IDH), i cili nuk llogaritej vetëm mbi bazën e të ardhurave të çdo vendi, por mbi bazën e jetë-gjatësisë dhe treguesve globale të edukimit: niveli i shkollimit dhe gjatësia e viteve të shkollimit. Mundësia dhe cilësia e shkollimit u bë kështu një faktor determinues i zhvillimit ekonomik e social.
Varfëria, që deri në këtë kohë cilësohej vetëm si një mungesë të ardhurash, nën ndikimin e punimeve të ekonomistit të shquar indian A.Sen u vështrua dhe u gjykua nën një kënd-vështrim tjetër krejt origjinal: “si një mungesë kapacitetesh funksionale elementare” (Sen 1976). Limiti i “kapaciteteve funksionale” mund të jetë “fizik” – ushqimi, veshjet, kushtet e banimit, vaksinimi kundër sëmundjeve, etj. – apo subjektiv si “e drejta për shprehjen e opinioneve”, mundësia për të marrë njohuri të ndryshme”, etj. Sipas A. Sen, edukimi nuk duhet konsideruar si një dimension cilësor i jetës, i domosdoshëm mbas garantimit të nevojave bazë, dhe as thjesht si një “rrugë e detyrueshme” për të arritur që të sigurohet një nivel i caktuar rritjeje ekonomike, por duhet konsideruar “si një e drejtë fondamentale e integruar në gjithë sistemin e kapaciteteve funksionale”. Sipas këtij këndvështrimi konsiderohet i varfër një person që nuk ka kapacitetet e nevojshme të zhvillimit për të qenë në gjendje që të përfshihet e të përfitojë nga gjithë mundësitë ekonomiko-financiare e sociale në mjedisin ku jeton.
Në përgjithësi, sot pranohet nga të gjithë se edukimi, përveç krijimit të mundësive që të përvetësohen njohuritë fondamentale (lexim, shkrim, artikulim i rrjedhshëm i mendimit, llogaritje, etj.), duhet të krijojë mundësi dhe për përvetësimin e “njohurive teknike e profesionale” që të përgatisin për të ushtruar një profesion të caktuar, që të zhvillojnë veti adaptuese me realitetin, nxisin shpirtin e iniciativës dhe kapacitetin për të punuar në grup. Por ndërkohë që shumë nga vendet e varfra dhe ato në zhvillim, përfshirë këtu edhe Shqipërinë, sidomos në kuadrin e strategjive për realizimin e Objektivave të Mijëvjeçarit (MDG), vazhdojnë t’i orientojnë përpjekjet kryesore dhe politikat edukative në sferën e kategorisë së parë (arsimit bazë fondamental), vendet e zhvilluara kanë kohë që veprojnë sipas një logjike tjetër në politikat e tyre edukative.
Në themel të politikave edukative të vendeve të zhvilluara qëndron stimulimi i aftësive për tu adaptuar shpejt me ndryshimin, sidomos atyre tekniko-teknologjike. «Ne kemi hyrë në një shekull të ri në të cilën mësimi do të përcaktojë jetën tone si kurrë më parë. Nëse ne do kemi apo jo sukses dhe shpëtim, si individë ose si shtet, kjo do të varet nga dijet, njohuritë, aftësitë dhe të kuptuarit tonë” (Blunkett 2000). Koncepti “të mësohemi që të mësojmë vazhdimisht” për tu përgatitur që të jetojmë në një botë me ndryshime permanente, po sundon tashmë politikat edukuese moderne. Akumulimi i njohurive dhe kopetencat e natyrës thjesht teknike tashmë konsiderohen më pak prioritare se “inteligjenca kritike, hapja ndaj ndryshimeve dhe adaptimi i shpejtë me të rejat, kopetencat sociale, logjika e zhvillimit të qëndrueshëm,etj.”
Përvoja moderne po tregon se Globalizimi nuk shpërndan spontanisht progres e mirëqenie, por ato duhen kërkuar nëpërmjet politikave e zgjidhjeve strategjike nga çdo vend. T’i shmangesh apo thjesht të kërkosh mbrojtje prej tij nuk konsiderohet si zgjidhje inteligjente sepse kjo do të thotë ta privosh veten nga efektet dhe mundësitë që të ofron kapitalizmi modern. Globalizimi është pasojë e revolucionit të teknologjive të informacionit e komunikimit si dhe e sistemit liberal të shkëmbimeve tregtare. Në thelb, globalizimi është zhvillimi i ekonomisë së dijes dhe administrimit të njohurive (Brown&Lauder 2003). Rritja e konkurrencës në shkallë ndërkombëtare që rezulton nga ky proces është shumë më e fortë se konkurrenca klasike e mallrave dhe produkteve me të cilën bota është ndeshur deri tani. Përballimi i saj është i lidhur ngushtë me një proces inovativ permanent të bazuar në njohuri të thella shkencore dhe edukim cilësor, dhe mbi të gjitha në aftësinë e shpërndarjes dhe përvetësimit të tyre në shkallë të gjerë për shumë grupe e kategori sociale. Në këto kushte, përshpejtimi i përmbajtjes intelektuale të procesit të konceptimit, fabrikimit dhe shpërndarjes së produktit apo shërbimit në të gjitha elementet e zhvillimit modern e bëjnë «ekonominë dhe administrimin e dijes dhe informacionit» një faktor esencial të zhvillimit ekonomik e social për çdo vend.
2.3 Ekonomia e Dijes dhe shoqëria e informacionit
Në fjalorin tonë të përditshëm, por dhe në objektivat tanë të zhvillimit, termat “ekonomi e dijes” apo “shoqëri e informacionit” ndeshen shumë pak. Natyrisht, duke parë përtej shprehjes së intelektualitetit e shqetësimit qytetar në ndonjë debat publik, botim shkencor apo periodik, duke parë përtej dëshirës e vullnetit të mirë politik në ndonjë rast, apo dhe reflektimeve në kuadrin e akademizmit universitar, në thelb shoqëria shqiptare po bën hapa shumë të vegjël e të ngadaltë në këtë drejtim. Dhe e gjithë kjo ndodh në këtë fillim shekulli të XXI-të, në kuadrin e zhvillimeve moderne në të cilat ekonomia e dijes dhe shoqëritë e informacionit po konsiderohen si faktorë thelbësorë të zhvillimit, si elemente bazë të konkurrencës dhe performancës së një vendi në një botë që po globalizohet me shpejtësi dhe ku të gjithë po përpiqen të “përshtaten” dhe të përfitojnë maksimalisht prej tij (Castells 1998).
Konceptet, praktikat dhe interpretimet për zhvillimin dhe krijimin e pasurisë dhe mirëqenien e kombeve apo shteteve të ndryshme kanë evoluar ndjeshëm. Gjatë dy shekujve të fundit, teoritë ekonomike neo-klasike kanë njohur dhe i kanë mbështetur interpretimet dhe analizat e tyre vetëm në dy faktorë bazë të prodhimit: punën dhe kapitalin. Por tashmë kjo optikë po ndryshon në vetë thelbin e saj. Informacioni dhe dija po zëvendësojnë kapitalin dhe energjinë si faktorë bazë të krijimit të pasurisë e mirëqenies, ashtu si këto dy të fundit zëvendësuan punën e dorës dhe pronën e tokës dy shekuj më parë. Për më tepër, progresi teknologjik i gjithë gjysmës së dytë të shekullit të XX-të e ka transformuar pjesën dërrmuese të punës që krijon të ardhura e pasuri nga një bazë «fizike» në një bazë «dije e njohurish». Kështu për shembull, në mesin e shek. XIX-të, «kapitali fizik» përfaqësonte 65-70% të kontributit në rritjen e rendimentit të punës, ndërsa në fund të shek. XX-të, ai përfaqësonte vetëm 20-25 % të këtij kontributi. Ndërkohë, shumë nga parashikimet e ekspertëve të kësaj fushe japin shifrat 10-15% të kontributit të kapitalit fizik në rendimentin e punës në 20-30 vitet e ardhshme.
Shekulli i XXI-të po e thellon akoma më shumë dhe me shpejtësi këtë tendencë. Teknologjitë e reja dhe dijet konsiderohen tashmë si faktorët çelës të prodhimit dhe rritjes ekonomike. Ekonomistët kanë filluar të mendojnë se aktualisht është i nevojshëm një revolucion i tërë edhe në treguesit e matjes dhe shprehjes së kësaj ekonomie të re gjithnjë e më «jo-materiale». Ky është një debat mjaft prezent në SHBA, Japoni, Indi, Kinë dhe Europë. Në librin e tij «The Computer Revolution», Daniel Sichel, ekonomist në Bankën Qendrore amerikane (Federal Reserve), vlerëson se ndërsa «informatika peshon vetëm 2% në stokun e kapitaleve në SHBA, kontributi i saj në rritjen ekonomike është të paktën disa herë më i lartë ».
Si pasojë e «lehtësisë së transportit» të informacionit dhe globalizimit të cilësive të fuqisë punëtore, njohuritë dhe ekspertiza mund të zhvendosen brenda vetëm një sekonde nga një cep i globit tek një tjetër dhe për pasojë çdo avantazh i përftuar nga një kompani apo vend i caktuar mund të humbasë shumë shpejt në favor të konkurrentëve të tij. I vetmi avantazh krahasues që mund të ketë një kompani apo edhe një sektor i ekonomisë së një vendi mund të vijë vetëm nga procesi inovativ që kombinon njohuritë për tregjet dhe teknologjitë moderne me aftësitë krijuese të «punëtoreve të dijes». Kështu, jo vetëm që arrihet të përballohen problemet e konkurrencës në tregjet lokale e ato ndërkombëtare, por përsoset edhe kapaciteti për ta transformuar «dijen dhe njohuritë » në vlerë të re të shtuar(Freeman&Louca 2002).
Bota po shndërrohet me shpejtësi në një shoqëri informacioni të inkluduar në një ekonomi të dijes dhe teknologjive moderne. Në shumë shtete të zhvilluara tashmë është vendosur si prioritet strategjik «futja dhe integrimi në shoqërinë e informacionit dhe ekonominë e dijes» duke ndërtuar projekte e programe speciale financimesh e mbështetjeje humane. Në shumë firma e kompani të vendeve të zhvilluara apo institucione që merren me problemet e zhvillimit ekonomik e social, tashmë po bëhet e zakonshme ekzistenca e një profesioni dhe posti të ri pune, ai i «ekspertit për dijen dhe njohuritë e reja» (Chief Knowledge Officer) (Croteau&Dfouni 2007). Konkurrenca më e madhe e për pasojë dhe pabarazitë në zhvillim, po vijnë gjithnjë e më tepër si pasojë e asaj që quhet «ekonomia e dijes dhe shërbimeve» e cila mbështetet në sistemet e teknologjisë së lartë të informacionit (Guns 1998).
2.4 Shqipëria përballë sfidës së ‘ekonomisë së dijes’
Po Shqipëria, ku ndodhet në raport me këtë tendencë moderne ndërkombëtare? Për t’ju përgjigjur kësaj pyetje, po i referohemi një fakti tashmë të njohur dhe mjaft domethënës: sipas raportit vjetor të Forumit Ekonomik Botëror (WEF, 2005) mbi «Krahasimin e niveleve të konkurrueshmërisë», Shqipëria rezulton në grupin e 20 vendeve të fundit nga 117 vende të analizuara. Në vlerësimet e specializuara botërore, ky klasifikim konsiderohet si barometri më i plotë në shkallë ndërkombëtare për të matur dinamizmin ekonomik të çdo vendi dhe kapacitetin e fleksibilitetin e tij për tu përshtatur me tendencat e ekonomisë botërore. Përveç treguesve të stabilitetit makroekonomik dhe funksionimit institucional, vendin kryesor në këtë vlerësim e zë dhe niveli i absorbimit të njohurive, dijeve dhe përparimit teknologjik. Ndonëse për treguesit e parë, stabilitetin makro-ekonomik dhe funksionimin institucional jemi relativisht të vlerësuar, për dy treguesit e tjerë që kanë të bëjnë kryesisht me informacionin dhe ekonominë e dijes, jemi pothuajse në vendet e fundit duke lënë mbrapa vetëm vende si Bolivia, Taxhikistani, Etiopia, Bangladeshi, Paraguai, Moldavia, etj.
Por dhe po t’i referohemi më konkretisht statistikave të realitetit tonë të përditshëm, shifrat janë po kaq alarmante: përqindja e shpenzimeve për kërkim-zhvillim teknologjik në nivel kombëtar është akoma mjaft e vogël dhe pothuajse pa asnjë efekt në zhvillimin ekonomik të vendit; sasia e këtyre «punëtorëve të dijes» në institucionet dhe ndërmarrjet apo bizneset tona është e pa konsiderueshme; klasifikohemi shumë poshtë në treguesit e leximit, kontakteve me informacionet e reja tekniko-shkencore, botimeve apo përdorimit të librave për 1000 banorë; kemi numër e tirazh revistash shkencore/1000 banorë mjaft të ulët e shumë më të vogël se pjesa dërrmuese e vendeve në zhvillim; duke përfshirë në të njëjtin grup pedagogët e Universiteteve me tituj dhe grada me punonjësit e institucioneve kërkimore-shkencore jashtë sistemit universitar, ne i afrohemi shifrës prej rreth 1600-1700 personash, ose vetëm rreth 0.13 % të të punësuarve, ndërkohë që BE-ja ka të përfshirë në këtë sektor 0.6% të të punësuarve, SHBA 0.9%, Japonia 1.1% etj.; roli i universiteteve tona në përhapjen e teknologjive të reja është pothuajse in-egzistent; në universitetet dhe institucionet tona shkencore zhvillohen aq pak workshope e seminare shkencore, aq sa ato akoma janë objekt i kronikave televizive apo pjesëmarrjes së ministrave e deputetëve si evenimente të veçanta.
Sipas Ministrisë së Arsimit dhe UNICEF-it (Raporti i vitit 2011), me një mesatare prej 8.6 vitesh shkollimi rezulton se arsimohemi 6 vjet më pak se evropianët; vetëm 50% e të rinjve frekuentojnë arsimin e mesëm ndërkohë që arsimi i lartë frekuentohet vetëm nga 13% e tyre; sasia e patentave dhe teknologjive të reja të importuara çdo vit është shumë e vogël, fenomen që duket qartë edhe po të analizosh strukturën tonë të importeve apo destinacionin e kredive bankare; numri i kompjuterave për banorë apo niveli i përdorimit të internetit e rendit Shqipërinë në grupin e fundit të vendeve botës; strategjitë apo planet e punës tashmë më shumë se 10 vjeçare për qeverisjen elektronike nuk po konkretizohen në cilësinë dhe efektet e pritura; përmirësimi thelbësor i teknologjisë së informacionit dhe futja e elementeve të ekonomisë së dijes në strukturat publike, universitare apo private nuk ekziston akoma si prioritet i mirëfilltë në asnjë dokument strategjik të zhvillimit të vendit; etj.
Për pasojë, ndodhemi shumë poshtë në renditjen dhe klasifikimet ndërkombëtare për sa i përket indeksit të performancës dhe konkurueshmërisë së biznesit dhe funksionimit institucional të tij, për sa i përket treguesit të kapitalit social dhe atij intelektual, etj. Aktualisht bota ndodhet përballë një transformimi rrënjësor të lidhur me sistemin teknik të gjithë sferës së ekonomisë. Deri në vitet 1950-70, ekonomia karakterizohej nga një sistem i lindur në fund të shek. XIX-të, të bazuar në trinomin: kimi + mekanikë + elektricitet. Ky sistem krijoi mundësi kolosale për zhvillimin e procesit të mekanizimit në të gjitha sferat dhe aktivitetet ekonomike duke patur si synim bazë zëvendësimin e punës së krahut me punën e makinës.
Por dy sistemet e reja, i pari si konvergjencë ndërmjet mikroelektronikës + informatikës+ televizionit që u zhvillua vrullshëm në periudhën 1960-80, dhe i dyti si konvergjencë numerike (digitale): telekomunikim + informatikë + televizion, hodhën hapin e madh nga mekanizimi drejt automatizimit duke hapur kështu një faqe të re në konceptin e lidhjes direkte ndërmjet «prodhimit» dhe «punës intelektuale». Sinergjia ndërmjet mikroelektronikës, automatizimit dhe informatikës krijuan mundësi që të fillonte epoka e «revolucionit të tretë teknologjik», simbol i të cilit u bënë teknologjitë e reja të informacionit dhe komunikimit. Zanafilla e tyre mund të konsiderohet data 9 gusht 1995, datë në të cilën «Netscape Communication» shpërtheu në bursë dhe nga vlera zero e mëngjesit arriti në miliarda dollarë në fund të ditës. Për të famshmet «ndërmarrje interneti» apo siç cilësohen ndryshe «dot-com», nuk do të kishte më asnjë limit.
2.5 E ardhmja e ‘Ekonomisë së dijes’ në perspektivën globale
Globalizimi, efektet e të cilit ne i ndjejmë dhe i komentojmë çdo ditë, është para së gjithash pasojë e revolucionit të teknologjive të informacionit e komunikimit si dhe e sistemit liberal të shkëmbimeve tregtare në kuadrin e OBT apo marrëveshjeve rajonale në kontinente të ndryshme të botës. Në thelb, globalizimi është zhvillimi i ekonomisë së dijes dhe administrimit të njohurive. Rritja e konkurrencës në shkallë ndërkombëtare që rezulton nga ky proces është shumë më e fortë se konkurrenca klasike e mallrave dhe produkteve me të cilën jemi ndeshur deri tani. Përballimi i saj është i lidhur ngushtë me një proces inovativ permanent të bazuar në njohuri të thella shkencore dhe mbi të gjitha në aftësinë e shpërndarjes dhe përvetësimit imediat të tyre në shkallë të gjerë. Në këto kushte, përshpejtimi i përmbajtjes intelektuale të procesit të konceptimit, fabrikimit dhe shpërndarjes së produktit apo shërbimit e bëjnë «ekonominë dhe administrimin e dijes dhe informacionit» një faktor esencial të zhvillimit.
Gjithë ekonomia e vendeve të zhvilluara është tashmë e përfshirë në këtë sistem të ri: teknologjitë e informacionit dhe komunikimit janë prezent kudo duke shoqëruar në çdo hap procesin e prodhimit dhe shpërndarjes. Kompanitë dhe firmat e «ekonomisë së re» po i shkurorëzojnë çdo ditë e më tepër kompanitë e «ekonomisë se vjetër». Ekonomia e re apo «net-ekonomia» po bëhet gjithnjë e më tepër një realitet imponues. Bota tashmë ka hyrë në një periudhë të re të historisë ekonomike dhe zhvillimit të saj. Sfidat nuk janë më vetëm në Europë si në fillim të shekullit të XIX-të; ato nuk janë më vetëm në Europë, Amerikën e Veriut apo në Japoni si gjatë shekullit të XX-të! Tashmë, si pasojë e këtij «revolucioni të tretë teknologjik», sfida ka përfshirë gjithë botën në çdo cep të saj duke prodhuar një realitet të ri në të cilin «të gjithë ndeshen me të gjithë».
Në këtë këndvështrim, «ekonomia e re» po tregon gjithnjë e më tepër se «bota nuk vuan nga globalizimi i tepërt, por nga mungesa e globalizimit» dhe sa më tepër që vendet e varfra dhe ato në zhvillim, përfshirë këtu dhe Shqipërinë, të investojnë në «ekonominë e re», aq më të lehtë do ta kenë ato të ndjekin ritmin dhe performancën e vendeve të zhvilluara, dhe aq më tepër do të mund të integrohen në ekonominë botërore dhe do të mund të përfitojnë prej saj.
Referenca: Civici,A. Ekonomia e Dijes si thelb i zhvillimit në epokën globale dhe sfidat e zhvillimit ekonomik. ECONOMICUS. Nr 9. VJESHTË 2012
Çështje për diskutim:
1. Radhisni disa impakte që ka edukimi në shoqëri.
2. Përkufizoni nocionin “ Kapital social” dhe tregoni impaktin e tij. Ilustrojeni me shembull.
3. Mbi bazën e kujt llogaritet Indikatori i Zhvillimit Njerëzor?
4. Si cilësohet edukimi dhe varfëria nga ekonomisti A.Sen?
5. Çfarë qëndron në themel të politikave edukative të vendeve të zhvilluara?
6. Tregoni ndikimin e globalizimit në ekonominë dhe administrimin e dijes dhe të informacionit.
7. Shpjegoni si ndikon teknologjia dhe dija në zhvillimin ekonomik të një vendi?
8. Sqaroni pozicionin e Shqipërisë kundrejt “Ekonomisë së dijes”.