Arsimimi i popullatës, në vitet e demokracisë
Arsimimi i popullatës, në vitet e demokracisë, ka rritur
gamën e problemeve për shoqërinë shqiptare. Krahas nivelit të frekuentimit,
probleme të shumta kanë dalë në lidhje me cilësinë e mësimdhënies, të teksteve
shkollore, kërkesës së dobët ndaj nxënësve, sidomos në shkollat private, por,
mbi të gjitha, shqetësim ka qenë mosvazhdimi i shkollës nga një numër i madh
fëmijësh, të cilët nuk e fillojnë fare atë, ose e ndërpresin në faza të
ndryshme të saj, pa përmendur rastet e frekuentimit të pjesshëm të saj.
Arsimi i detyrueshëm 9-vjeçar dhe braktisja e shkollës, ndonëse në shifra është në ulje, vazhdon të jetë një shqetësim për autoritetet e shtetit dhe tërë shoqërinë shqiptare. Shkolla, në radhë të parë, braktiset nga vajzat, të cilat shmangen prej saj, për shkak të mentalitetit që mbartin familjet e tyre, sepse ato tashmë po rriten dhe nuk duhet të dalin nga shtëpia.
Arsimi i detyrueshëm 9-vjeçar dhe braktisja e shkollës, ndonëse në shifra është në ulje, vazhdon të jetë një shqetësim për autoritetet e shtetit dhe tërë shoqërinë shqiptare. Shkolla, në radhë të parë, braktiset nga vajzat, të cilat shmangen prej saj, për shkak të mentalitetit që mbartin familjet e tyre, sepse ato tashmë po rriten dhe nuk duhet të dalin nga shtëpia.
Janë meshkujt ata që në mjaft raste e lënë shkollën
kryesisht për arsye ekonomike të familjes. Kjo situatë e krijuar në arsim është
shndërruar dhe në një debat politik, pozitë – opozitë dhe kjo e fundit e
konsideron më të rëndë se kurrë, gjendjen e arsimit të detyruar.
Shkaqet janë të shumta, por duket se gjendja ekonomike është
në vend të parë dhe zë gati 21%, pasuar nga indiferentizmi i komunitetit dhe
mangësi të organeve të qeverisjes vendore me 13%. Largësia e shkollave nga
qendrat e banuara ka bërë që të ketë një ndikim në totalin e fëmijëve që nuk
shkojnë në shkollë prej 5,5%. Gati 9,5% e fëmijëve që lënë shkollën duket se
ndikohen nga niveli i ulët arsimor i prindërve. Problemet sociale në
përgjithësi llogariten të kenë ndikim në masën 6,9%; fëmijë me aftësi të
kufizuar 4,9% e kështu me radhë janë grupet shoqërore ku mund të përmend edhe
romët ku dallueshëm janë në nivelin më të lartë të braktisjes së shkollës.
Ministria e Arsimit ka në dorë një studim, lidhur me shkaqet
që çojnë drejt analfabetizmit dhe masat që duhen marrë për evitimin e kësaj
dukurie. Në kuadër të këtij studimi, ajo ka evidentuar mjaft shifra ku rezulton
se ka mjaft fëmijë që kanë mbetur jashtë sistemit të arsimit.
Gjatë viteve të tranzicionit është rritur shumë numri i
nxënësve që braktisin shkollën, duke bërë prezent problemin e vjetër të
analfabetizmit. Numri i nxënësve që nuk dinë të shkruajnë dhe të lexojnë nuk
dihet i saktë dhe lëviz nga zona në zonë. Thuhet se në vitin 1998, numëroheshin
mijëra fëmijë analfabet. Një shifër zyrtare bënte fjalë për 8 për qind të
nxënësve të zonave rurale, por të tjerë jepnin dhe shifrën 12 për qind. Shkolla
mund të braktiset duke mos shkuar fare në mësim, rast në të cilin lënia e saj
deklarohet që në fillim të procesit ose në mes të procesit mësimor, por që
nxënësi nuk kthehet më për ta vazhduar këtë proces. Më problematike është
braktisja sezonale, që konsiston me largimet dhe mungesat kohë pas kohe të
fëmijëve, largime dhe kthime. Rastet e para shoqërohen me indiferencë, ndërsa
rastet e dyta shoqërohen me agresivitet. Mënyra e dytë e braktisjes së shkollës
është mënyra e indiferencës brenda auditorit. Me pak fjalë, kjo do të thotë të jesh
në klasë fizikisht, por të mos dëgjosh, të mos duash të dëgjosh se çfarë
thuhet. Simptoma e dytë është më e rrezikshmja, sepse synon në jetëgjatësinë e
procesit të analfabetizmit, duke mos trajtuar prezencën në klasë dhe auditor.
Arsyet e kësaj braktisjeje janë të ndryshme, kryesisht kanë të bëjnë me natyrën
e fëmijës, por edhe me problemet e teksteve të vështira dhe metodave të
mësimdhënies.
Shkaqet e braktisjes së shkollës variojnë midis faktorëve
objektivë e subjektivë, nga kushtet ekonomike dhe pamundësia individuale, nga
dëshira dhe mosshfrytëzimi i shkallës së njohjes, nga mungesa e komunikimit të
duhur, shprehja e brutalitetit, moskomunikimi tek mbyllja në vetvete, mungesa
totale e njohjes së rëndësisë së shkollimit.
Faktorët që favorizojnë braktisjen e shkollës janë, kushtet
e vështira ekonomike; ekzistenca e prindërve jetimë; mentalitetet zonale,
sidomos për vajzat, gjë që shihet te numri më i lartë i braktisjes së shkollës
prej tyre; martesat në moshë të re; largësia e shkollës; emigracioni dhe
lëvizja e popullsisë; vështirësia në të kuptuar; traditat familjare; mungesa e
informacionit për rolin e vërtetë të shkollës.
Ligji shqiptar, megjithëse përmban masa dënimi për familjet
e atyre që nuk çojnë fëmijët në shkollë, përsëri duket i dobët përballë
realitetit.
Institucionet arsimore identifikojnë rastet e mosardhjeve në
shkolla, arsyet e këtij fenomeni dhe pas kësaj ndërtojnë politika lokale e
kombëtare për trajtimin e tyre. Deri tani, janë kryer të tilla në aspektin
lokal dhe janë zbatuar disa projekte, por rezultatet nuk janë aq të
dëshirueshme.
Janë parë mënyra të shumta të trajtimit të këtij problemi
dhe të gjetjes së rrugëve për zbutjen e tij, kryesisht me trajtime
psikologjike, projekte masive, ku përfshihen komunitete të veçanta, ndihma ekonomike
për familje të veçanta, shkollim specifik etj.
Projekte të shumta dhe strategji të njëpasnjëshme janë
hartuar dhe janë aplikuar, por mesa duket ky problem kaq delikat dhe kaq me
pasoja për zhvillimin mbetet ende një problem aplikativ dhe i domosdoshëm për
t’u ndjekur.
Për të minimizuar numrin e nxënësve që nuk vazhdojnë
shkollën, qeveria ka marrë dhe vazhdon të marrë disa masa. Për rastet kur
ndikimin negativ e ka largësia e shkollave, po ndërtohen konvikte në zona të
ndryshme të vendit. Në dy vitet e fundit janë ndërtuar dhe vijojnë në proces 12
konvikte të tilla. Në raste të tjera, është organizuar lëvizja e nxënësve me
mjete lëvizëse në mënyrë të organizuar, por ende ka shumë mangësi, pasi nuk
janë ndryshuar tarifat e transportit,
me qëllim sigurimin e lëvizjes për nxënësit kudo që ata
janë.
Braktisje të shkollës nga fëmijët ka pasur dhe në vitet 1980
-1990, ku ajo ka qenë rreth 1 për qind. Në vitin 1991, 1992, numri i nxënësve
që linin shkollën kap shifrën 6,31% dhe pas këtij viti kjo shifër ka ardhur
duke rënë. Në vitin 1999 – 2000, braktisja përbën 2,8% të gjithë nxënësve dhe
sot kjo shifër mendohet të ketë zbritur në 0,90%. Pra, siç shihet dhe nga
shifrat, braktisja shkollore ka ardhur gjithmonë në rënie.
Sipas të dhënave statistikore nga MASH-i, rezulton që shifra
e braktisjes së shkollës, e cila siç thamë është 0.90%, është e ndarë në rajone
të ndryshme. Tirana qytet dhe rrethe ku dominon numri më i madh, pastaj vijnë
Dibra, Durrës, Shkodër, Fier, Elbasan e me radhë.
Numri i nxënësve analfabete qe braktisin shkollën, sidomos
në rrethet e veriut ka qenë i lartë, por tani shihet një ulje e ndjeshme. Në
rrethin e Kukësit, sipas të dhënave paraprake, këtë vit ka rënë në masën 50 për
qind. Aktualisht, vërehet përmirësim rrënjësor në krahasim me disa vite me
parë, kur numri i fëmijëve që braktisnin shkollën në shkallë qarku arrinte deri
ne 8 për qind, ndërsa aktualisht është vetëm 2 për qind. Numri i nxënësve
analfabetë të moshës 6-14 vjeç në rrethin e Kukësit është rreth 200, në rrethin
e Tropojës rreth 150 dhe ne rrethin e Hasit rreth 140 fëmijë. Edhe pse numri i
fëmijëve që braktisin shkollën është vazhdimisht në rënie, për këtë mjafton të
përmendim faktin se vetëm në rrethin e Kukësit, në vitin 2001 numëroheshin
rreth 800 nxënës analfabetë që kishin braktisur shkollën.
Për të evituar braktisjen e shkollës, shteti shqiptar ka
miratuar dhe një ligj, sipas të cilit arsimi bëhet i detyrueshëm dhe ngarkon me
përgjegjësi kryefamiljarët. Por duhet pranuar se zbatimi i tij ka qenë i
vështirë, për shkak se gjoba prej një milionë lekësh ndaj familjes që heq
fëmijën nga shkolla për arsye ekonomike, nuk është zbatuar asnjëherë. Ai që heq
fëmijën nga shkolla se nuk ka bukë për të ngrënë, s’ka ku t’i gjejë paratë të
paguajë një gjobë të tillë. Për këtë shkak edhe ky nen i ligjit në fjalë,
mendohet të abrogohet.
Në radhë të parë, ndalimi i këtij fenomeni negative mund të
bëhet me anë të marrjes së masave të forta sociale, rritjes së ndihmës
ekonomike për familjet që jetojnë, me të vërtetë, nën minimumin jetik, shtimit
të numrit të konvikteve dhe një organizim më i mirë për transportin e fëmijëve
në shkolla me shpenzimet e shtetit. Nga ana tjetër, krahas strukturave të
shtetit, sidomos në pushtetin vendor, duhet të rritet aktiviteti propagandistik
e bindës i shoqatave të ndryshme, mbi nevojën e arsimimit të fëmijëve, luftimin
e koncepteve patriarkale, sipas të cilave vajza po mbushi 12vjeçe nuk mund të
vazhdojë më shkollën se është turp etj. Edhe pse shfaqje të tilla nuk kanë
shtrirje të gjerë, për nga ana e rrezikshmërisë janë të mëdha.