A ishin ilirët një popull i kulturuar?

A ishin ilirët një popull i kulturuar? 

  Në kështjellën ilire të Klosit në Mallakastër, ku identifikohet qyteti ilir Nikaja, është gjetur një mbishkrim i shek. III p.Kr. i cili përmend, krahas nëpunësve kryesorë të qytetit, edhe gimnasiarhun me emrin Kratil Mahata, të ngarkuar me arsimin dhe përgatitjen fiziko-ushtarake të rinisë. Si për të provuar më shumë këtë fakt, u gjet në qytetin
Oropos të Greqisë një mbishkrim i shek. II p.Kr. ku, ndërmnjet fitimtarëve në garat e vrapimit me armë në festat e Amfiarajës, rreshtohej i pari një i ri nga qyteti Nikaja. Ky ishte një nder edhe për gimnazin e qytetit, ku ishte përgatitur kampioni. 
  Një mbishkrim interesant ishte gjetur edhe në kështjellën antike të Jermës, pranë Gjirokastrës, që u identifikua nga arkeologët me qytetin e Antigonesë, themeluar nga mbreti Pirro. Edhe aty përmendej gimnasiarku si nëpunës kryesor dhe provohej ushtrimi i organizuar i edukatës dhe i arsimit nga një institucioni veçantë, siç ishte gjimnazi. Megjithatë, asnjëri nga botuesit e këtyre mbishkrimeve nuk nxori përfundimin se ilirët kishin krijuar sistemin e tyre arsimor. Përkundrazi, për ata arkeologë, që e quanin arsimin dhe kulturën një privilegj të botës greke ose romake, këto ishin prova për karkaterin jo ilir të qyteteve ku qenë gjetur mbishkrimet. 
Gërmimet arkeologjike të zhvilluara nga arkeologët shqiptarë bënë të mundur që këto fakte të shkëputura të shihen në kuadrin e një realiteti më të gjerë, ku burimet historike ballafaqohen me të dhënat e pasura të arkeologjisë. Mbi bazën e tyre mund të themi se në qytetet ilire kishte rregulla dhe praktika të caktuara për edukimin e fëmijëve dhe të të rinjve. Por, si ishte organizuar në atë kohë edukimi? 
 Në fazën e parë të edukimit, në moshën 7-11 vjeç, kujdesi kryesor i kushtohej shkrimit. Provat për këtë na i sjell arkeologjia me gjetjen, në të gjitha qendrat qytetare të gërmuara, e një numri të madh stilosh prej hekuri, bronzi ose kocke. Njëra anë e tyre është e mprehtë, për të gërvishtur shkronjat mbi tabela druri të lyera me dyllë (diptike), ndërkohë kur ana tjetër, e gjerë, shërbente për të fshirë shkronjat, duke rrafshuar dyllin. Mënyra e dytë e shkrimit, më e kushtueshme, ishte ajo me bojë mbi papirus ose pergamenë, me anë të një stilo kocke ose me pendë shpendësh. Kallamarë prej balte ose bronzi janë gjetur në qytete ilire të Margëlliqit, Dimalit, Selcës etj. 
  Në Selcë e Dimal janë gjetur prova për të shkruar shkronjat e alfabetit në baltë të njomë ose në copa qeramike. Ne nuk dimë hollësi se si ishte organizuar ky arsim fillestar. Ka mundësi që nxënësit e vegjël të mësonin shkrim dhe aritmetikë nga mësues privatë. Megjithatë, gërmimet provojnë se kjo fazë e arsimit dha fryte mjaft të mira dhe shkrimi përdorej gjerësisht në jetën e përditshme. Njerëz të zakonshëm i shkruanin emrat e tyre në fundet e enëve të pijes, ose mbi sendet vetjake; pronarët i vulosnin prodhimet e veta me emrat e tyre, nëpunësit i shpallnin dekretet në pllaka guri ose bronzi. Veglat e shkrimit dhe mbishkrimet nuk mungojnë edhe në qendrat e vogla malore, si në Lleshan të Shpatit, ose në Rabie të Tepelenës. 
 Në mbishkrimet e gjetura në vendbanimet ilire është përdorur gjithëmonë gjuha greke, e cila ishte gjuhë kulture e kohës. Atëherë lind pyetja: pse shoqëria e përparuar ilire nuk përdori gjuhën e saj në mbishkrime? Së pari, mbishkrimet që kanë arritur deri në ditët tona përfaqësojnë vetëm një pjesë të vogël të asaj që u shkrua në lashtësi. Ato janë të gjitha mbishkrime në materiale të forta (gur, qeramikë, metal) dhe nga fusha të kufizuara (dekrete, gurë varresh, vula), ku formulat e caktuara ishin huazuar nga shkrimi grek dhe përdoreshin të gatshme nga nëpunësit ose zejtarët. Duhet menduar se në fusha tjera, siç ishin dokumentacioni zyrtar, letërkëmbimi, letërsia, etj. duhet të ketë qenë përdorur edhe gjuha ilire. Për fat të keq, materiali i paqëndrueshëm ka bërë që ato dëshmi të mos arrijnë dei në ditët tona. Ky dallim i përdorimit të gjuhëve sipas materialit ka ndodhur edhe në mesjetë, ku, megjithëse shqipja e shkruar dokumentohet gjerësisht me librin e Gjon Buzukut (1555), shkrimi shqip në materiale të forta filloi të përdoret vetëm nga shek. XVII. 
  Faza e dytë e zhvillimit të arsimit, që përputhet me sistemin antik të arsimit, me edukimin në palestër në moshën 12-16 vjeçare, nuk na është dokumentuar në mënyrë të veçantë në qytetet ilire. Megjithatë, vazhdimësia e procesit të edukatës dhe arsimit na dëshmohet nga të dhënat e shumta për fazën e tretë, në moshat 17-18 vjeç. Kjo është periudha e efebisë, kur djemtë edukoheshin nën kujdesin e drejtpërdrejtë të bashkësisë qytetare në gimnazet e drejtuara nga nëpunësit shtetërorë të quajtur gimnaziarkë. Përveç mbishkrimeve të Nikajës dhe Antigonesë, që i përmendi këta nëpunës, kemi mjaft dëshmi për interesin e veçantë që tregohej për efebët ilirë. 
  Në veprimtarinë e gimnazeve detyra themelore ishte përgatitja fizike dhe ushtarake, që synonte në formimin e një brezi të ri të aftë për të mbrojtur qytetin. Gimnazi ishte vendosur në qendrën shoqërore të qytetit. Në Bylis gjurmët e tij janë gjetur pranë stadiumit, në një lidhje që siguronte mundësi që efebët të shfrytëzonin pistën për stërvitje dhe gara. Një stadium mjaft i ruajtur është zbuluar në qytetin Amantia. Ai ka formën e një patkoi të zgjatur, me një pistë 12 m të gjerë. Në një mbishkrim të zbuluar aty përmenden epimeletët, nëpunës të ngarkuar me ndërtimet publike. Se sa popullor ishte ushtrimi i sportit nga efebët e tregon një numër i madh figurash bronzi të shek. V-I p.Kr. që paraqesin atletë gjatë vrapimit, hedhjes së shtizës, diskut, etj. Një figurinë bronzi nga qyteti ilir i Gurëzezës, pranë Cakranit, paraqet një djalosh gjatë kurorëzimit pas fitores së një gare. Dy figurina të tjera, që paraqesin efebë gjatë kërcimit për së gjati, vijnë nga kështjella ilire në Irmaj të Gramshit dhe nga qyteti ilir në Selcën e Poshtme të Pogradecit. Lekitet, enët prej balte për mbejtjen e vajit, me të cilin lyhej trupi gjatë ushtrimeve, si dhe striglat, krueset e lugëta, prej hekuri ose bronzi, me të cilat pastrohej lëkura pas mbarimit të stërvitjes, janë gjetje të zakonshme në varret e të rinjve ilirë. Në gimnazet dhe stadiumet ilire ishte përgatitur edhe djaloshi nga Nikaja, që doli i pari në lojrat e Amfiarajës, në Oropos të Greqisë. Nga një mbishkrim dimë se edhe në Iliri organizoheshin lojëra atletike, të quajtura Nymfaja. Nga emri kuptohet se ato zhvilloheshin në Nymfeun e famshëm, në kufi të tokave të bylinëve, amantëve dhe apolloniatëve, diku pranë fhsatit Frakull të Fierit. Një aspekt tjetër të edukimit fizik na transmeton relievi i një ene balte nga Margëlliqi, që i përket shek. II p.Kr. Në të paraqiten efebët gjatë një loje me top. Ata mbajnë në duar lopatëza, që i përdorin si raketa për të goditur topin, si në një nga lodrat e sotme popullore. 
  Ndërsa viti i parë i efebisë kalohej në gimnaz ose në stadium me përgatitjen fizike ose me zgjerimin e njohurive filozofike, letrare e muzikore, viti i dytë i kushtohej përgatitjes ushtarake. Kjo bëhej në formën e një shërbimi njëvjeçar në repartet kufitare. Një repart i tillë përmendet në një mbishkrim që është gjetur në kështjellën kufitare të bylinëve, pranë fshatit Rabie të Tepelenës. Ai datohet në shek. III p.Kr. dhe përmend rojat kufitare, peripolët, që ishin pikërisht efebët e vitit të dytë. Edhe në një mbishkrim në një pllakë bronzi nga rrethi i Fierit përmendet një repart i tillë, që mbronte kufijtë e bashkësisë së balaitëve. Në Amantia reparte të tilla përbëheshin nga shigjetarë. 
  Nëpërmjet edukimit ushtarak formoheshin tiparet morale që karkaterizonin ilirët në luftë. Autorët antikë, si Ateneu, Polieni, Frontini, i cilësonin ata si trima, besnikë e të dhënë pas jetës shoqërore. Për suhtarët dardanë na kumtohet se luftonin në radhë të ngjeshura dhe nuk linin kurrë që shokët e tyre, edhe të plagosur, të binin robër në duart e armikut. 
  Funksionimi i një sistemi të rregullt arsimor ndihmoi në zhvillimin e formave të larta të kulturës. Në qytetet kryesore nuk mungonin kurrë shëtitoret, që ishin godina publike për zhvillimin e bisedave politike, letrare e filozofike. Shëtitorja e Bylisit, me gjatësi 144 m, ka qenë dykatëshe dhe kishte dy kalime, të ndara nga një kolonadë, për lëvizjen e qytetarëve. Shëtitore janë zbuluar edhe në Nikaja, Dimal, Foinike. Në qytetet kryesore kishte edhe teatro, që ishin llogaritur jo vetëm për popullësinë e qytetit, por edhe të fshatit. Këtë e dëshmon kapaciteti i teatrit të Bylisit me 7500 vende, kur popullësia e vetë qytetit ishte 10-15 mijë banorë. Kuptohet se pjesa më e madhe e spektatorëve ishte nga territoret fshatare, Karkateri masiv i pjesëmarrjes tregon njëkohësisht se shfaqjet nuk ishin llograitur për një elitë të kulturuar, që mund të ndiqte dramat në gjuhën e Eskilit, të Sofokliut, e të Euripidit, por, në gjuhën vendase, të kuptueshme për të gjithë. Kjo është një provë e tërthortë për ekzistencën e një letërsie dramatike në gjuhën ilire.

Popular

BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR

BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR
BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR - GJITHASHTU DHE RIPAROJME