Mbipopullimi

 Mbipopullimi: genocidi i shtetit modern dhe koncepti i ‘shoqërisë globale’
Shkaqet dhe pasojat
Elitizmi në përgjithësi dhe sistemi politik në veçanti i dy shekujve të fundit shkatërron kombe, argumenton një kolumnist në Financial Times, pasi ekzaminon disa autorë dhe shkencëtarë udhëheqës në botën perëndimore. Sigurisht, autori nuk specifikon ndryshimet struktuore që kanë ndodhur dy shekujt e fundit në përgjithësi dhe tre dekadat e fundit në veçanti: në globalizmin neoliberal. Sidoqoftë, ne jetojmë tashmë botën elitiste në dy nivele: shtetëror dhe mbikombëtar dhe, reduktimi i popullsisë ka qenë dhe vazhdon të jetë problem për elitat e dy shekujve të fundit, veçanërisht për elitën mbikombëtare, d.m.th të asaj elite që ka akses pothuajse në të gjithë vendet e globit pa asnjë pengesë, duke blerë deputetët e parlamenteve dhe duke imponuar politika konçesionare. Dhe kanë qenë këto të fundit instrumenti bazë i kolonizimit të popujve dy shekujt e fundit. Por, kolonizimi në kohët post-moderne, ndryshe nga shekujt e kaluar, ka marrë një formë tjetër: ai është kryesisht socio-ekonomik me gjithë instrumentet dhe principet që mbart (konkurrencë etj.).

Ushqimet dhe pijet: në sulmin e kapitalit

Si pasojë e tregut dhe regjimit të themeluar, elitat nuk hezitojnë të kontrollojnë rritjen e popullsisë me mjete subversive, jo si pasojë e ndonjë planifikimi paraprak, por si pasojë e tregut, i cili favorizon ‘monopolizimin’ e sektorëve kryesorë të ekonomisë në pak duar, siç janë për shembull konservantët në ushqime, që bota e ushqimit dhe korporatave mundohet t’i katalogojë dhe t’i prezantojë te shoqëritë konsumeriste europiane (dhe botërore) përmes politikanëve profesionistë dhe tregut, me një numër tmerrësisht të madh suplementesh, krostikë sintetikë etj. – jo më pak se 411 – që nga viti 1986, me direktivë europiane, që pjesa më e madhe mbartin pasoja alergjike (shock anaphilaxis) etj., duke shkaktuar, si asnjë herë në Historinë humane, lindje të deformuara etj. Siç thekson një studim:

Antioksidantët E310, E311, E312 janë esterë acidesh galiumi (Ga) që shtohen [nga industrialistët e kompanive private] te vajrat bimore, margarinat, drithëra të thata, te patatet, çamçakizat dhe te artikuj bulmetorë siç është gjalpi, kremi, djathi. Gjithashtu, pa u cituar shtohen në brendësinë e ambalazhit të ushqimeve të ndryshme. Nuk lejohet përdorimi i tyre te ushqimet e fëmijëve. Substancat e mësipërme mund të shkaktojnë irritim dermatik dhe gastrik te individë alergjikë dhe te të gjithë ata që vuajnë nga astma. Gjithashtu, fajësohen për provokimin e sindromës hiperkinetike (lëvizje tejet të madhe) te fëmijët… Një lloj janë E320 (BHA) dhe E321 (BHT) të cilat provokojnë kolesterol, pakësim të disa enzimave në organizëm dhe si rezultat të humbasin disa substanca, siç është vitamina D, sëmundje dermatike te disa njerëz që janë alergjikë, shndërrime te qelizat e gjakut dhe ndryshime te sjellja e njeriut etj.

Ky informacion i rëndësishëm shkoi te veshi i konsumatorëve në vitin 1994, pasi ndodhi një përplasje historike në Hagë midis shkencëtarëve dhe industrialistëve, ku u mblodhën kimistë pothuajse nga e gjithë bota —të ftuar nga Organizmi Botëror i Shëndetit. Qëllimi ishte të analizoheshin suplementet te ushqimet. Biseda u bë e nxehtë dhe nuk munguan as grindjet. Përfaqësuesit e Gjermanisë dhe Japonisë kërkuan të ndalohej antioksidanti E385 (EDTA), që mbart rolin e bllokimit të metaleve dhe që gjenden brenda masës yndyrore, të cilat shkurtojnë ndryshimin. Bashkë me to ai bllokon edhe elementë të tjerë të dobishëm për organizmin e njeriut. Kështu që dobëson vlerën ushqyese të ushqimeve, siç është majoneza, lloje të shumtë djathërash, xhelat e frutave, konservat e peshqve etj…Por, direktiva nuk imponoi te industrialistët që të hiqnin disa suplemente dhe kështu propozimi i kimistëve nuk gjeti reagim!
Por, pavarësisht këtyre, presioni i popullatës së mirë-informuar në Angli bindi, brenda një nate të vitit 1984, industrialistët e produkteve të drithërave të thata të hiqnin së përdoruri E320 (BHA) dhe E321 (BHT). Popullata konsumatore njihte përfundimet e studimeve toksike, por gjithashtu edhe të E310, E311, E312, të cilat i karakterizonin të dyshimta për sëmundje lëkurore, simptoma alergjike, probleme të veshkave dhe mëlçisë, ndryshime të informacionit gjenetikë dhe fuqizim të aktivitetit të substancave kancerogjene!

Gjigandët e pijeve: sponsorizojnë politikën moderne

Që nga ajo kohë, korporatat globale dhe private, në kuadër të katër lirive, eksportojnë produktet ushqimore pa asnjë pengesë dhe kontroll, debat publik apo informim objektiv nga politika profesioniste. Dhe masakra nuk ndalon këtu; p.sh., ‘aspartami’, që është një kombinim i metanolit dhe dy aminoacideve, fenilalaninës dhe acidit aspartik, që u zbulua rastësisht në vitin 1965 nga një kimist, shumë herë më i ëmbël se sheqeri dhe pa kaloritë e tij, është një prishës i fuqishëm i neurotoksinës dhe endoktrinës së organizmit etj., që përdoret në industrinë e ushqimeve dhe pijeve (Coca-cola etj.). Pijet energjitike, siç është Powerrade që pronësohet nga Coca-cola dhe Lucozade që pronësohet nga GlaxoSmithkline, dhe që përdoren kryesisht nga sportistët, por edhe nga qytetarë të zakonshëm për “hidratimin” që ofrojnë, është tashmë, sipas një raporti, klishé. Pas viteve 1980, Coca-cola, Pepsi etj., kanë sponsorizuar, sipas të njëjtit studim, jo vetëm studimet dhe kampanjat për promovimin e fuqishëm të pijeve që prodhojnë, por edhe gjithë qeveritë amerikane. Madje, Coca-cola dhe Pepsi po ndryshojnë mënyrën se si e bëjnë karamelin që përdoret në pijet e tyre, si rezultat i një ligji të Kalifornisë që mandaton pijet që përmbajnë njëfarë niveli kancerogjenesh duke mbartur një etiketë paralajmëruese kanceri! Gjithashtu, pulat në Amerikë dhe gjithandej, ngaqë përmbajnë sasi të mëdha ‘arseniku’ dhe ‘antibiotikësh’, sipas një studimi tjetër, vrasin më shumë njerëz sesa vetë SIDA! Një masakër tjetër, që lidhet kryesisht me bujqësinë, është agjenti-nervor i pesticideve, që përdoret si insekticid, dhe që është përgjegjës për shkatërrimin e kolonive të bletëve që përdoret pesë vitet e fundit në shkallë botërore. Nuk do të ishte e çudishme që BE-ja, së fundmi, pas shumë shtrëngimesh nga “mjedisorët”, kufizoi deri një farë shkalle dhe për dy vjet (!) përdorimin e “agjentit” në fjalë, d.m.th. të “neonicotinoid-it”, për të njëjtën arsye.
Përgjithësisht, këto janë disa nga pasojat që zhvillohen në treg dhe Natyrë; të tjerat do të pasojnë. Dhe shkaku nuk janë ekskluzivisht korporatat, por është tregu i marketingut dhe ‘demokracia’ parlamentare, që bëjnë të mundur ushtrimin e koncepteve të ‘konkurrencës’, ideologjisë së rritjes ekonomike etj. Dhe ndarja e shoqërisë nga pushteti ekonomik dhe politik është ‘shkaktarja’ përfundimtare e të gjithë kësaj masakre. Nuk do të ishte e çuditshme që massmedia në Shqipëri, të pushtohet nga të njëjtët produkte; dhe kjo sepse pushtimi i parë që ushtrohet mbi vendet “pasive” ekonomikisht është pushtimi ekonomik. Kjo është arsyeja që politikanët profesionistë propagandojnë integrimin në strukturat neoliberale, d.m.th për t’u pasuruar nga korporatat, kryesisht të huaja, sigurisht, duke mos dëftuar asnjë herë bindshëm dobitë që do të sillte integrimi në fjalë! Dhe ngaqë kapitali ka verbuar gjithkënd, që, në fakt, njerëz të tillë duhet të përbuzen, meqënse harrojnë virtytet dhe luftojnë gjithnjë dhe më shumë për kapital, elitat, me tregun dhe nën pradigmën që kanë krijuar, jo vetëm që ‘komodifikojnë’ gjithçka, natyrisht pa menduar ripërtëritjen e resurseve, por po shkatërrojnë gjithë ekosistemin! Nuk do të ishte e çuditshme kur pakica që gëzon pushtet ekonomik dhe politik, të kërkojë de-popullim të globit, meqënse, sipas tyre, shkaku i krizave është njeriu (fashistët e deklaruar: emigrantëve; fashistët e padeklaruar: njeriut; “demokratët”: pakicave, e kështu me radhë). Dhe të rinjtë në vend të përpiqen për demokraci politike, meqënse është e vetmja arenë që garanton liri për vetë-ligjësim/autonomi (freedom to dhe jo vetëm freedom from), ndryshe nga shtrembërimi prezent, t’u drejtohen organizatave fetare, spiritualiste, esoterike etj., me qëllim që të “zgjidhin” problemet e pasigurisë për jetën me njeri-tjetrin ndërsa shkatërrimin e Natyrës e lënë në duart e pakicës dhe dinamikës së tregut të marketingut (kaosit).

Qasja e elitave për reduktimin e popullsisë

Reduktimi i popullsisë përbën problem për shkollat e ekonomisë, sidomos në lidhje me raportin e pensionistëve dhe punëtorëve. Nëse ky numër përmbyset nga pensionistët, qeveritë nuk do të kenë mundësi të paguajnë pensionet. Megjithëse qeveritë post-moderne kanë dështuar edhe me ruajtjen e këtij raporti, d.m.th në disa vende numri i punëtorëve është më i vogël se numri i pensionistëve.
Në kohët moderne përmbysjen e gjeneratave, elitat e kompensojnë me lindshmërinë e madhe të shtresave të varfra, që do të shohim më poshtë. Popullsia e madhe përbën problem edhe për ekosistemin. Një raport i Organizatës së Kombeve të Bashkuara i vitit 1992 parashikonte se popullsia e globit do të arrinte nga 1 miliardë që ishte në vitin 1850 në 3 miliardë në vitin 1960 dhe nëse vazhdon kjo prirje – ajo do të arrinte 6 miliardë në vitin 1998 dhe do të tejkalojë 12 miliardë në vitin 2050 dhe pritet të arrijë në pothuajse 21 miliardë një shekull më vonë. Sipas të njëjtit raport, 97% e rritjes së popullsisë i detyrohet sasive mbizotëruese të lindjeve në Jug, në ndryshim nga vendet e pasura të Veriut, ku popullatat janë stabël ose venitëse. Ky pretendim, siç do të shohim më poshtë, natyrisht, nuk qëndron. Nëse vlerësojmë popullsinë sot, e cila ka tejkaluar 7 miliardë dhe është në rritje të vazhdueshme, atëherë specia jonë është me të vërtetë në rrezik dhe duhet urgjentisht të gjenden zgjidhje – jo teknike, siç pretendojnë elitat dhe shkollat moderne (plane familjar, programe edukativ, kontraceptivë etj.), ose indirekt me dhunë (si penalizim ekonomik deri te shterpëzimet gjysmë të detyruar si p.sh., në Kinë), por demokratike, d.m.th ndërgjegjësim direkt i qytetarëve në asambletë e një komuniteti dhe jo siç bëjnë sot me emisione mediatike ku mblidhen disa “ekspertë” dhe rekomandojnë publikun se çfarë duhet të bëjnë. Dhe kjo sepse rekomandimet nuk mund të ‘brendësohen’ pa përfshirje, përplasje konceptesh dhe problematikash në publik të hapur. Konceptet Malthusiane, d.m.th se popullsia paraqet një prirje historike rritëse më të shpejtë nga prodhimi i ushqimeve’, prirje që përshpejtohet ose përmes “kontrolleve” pozitive që rrisin sasinë e vdekjeve (uri, luftëra, sëmundje) ose përmes kontrolleve parandaluese, përputhen me kuadrin institucional të modernitetit.
Në bazë të teorisë Malthusiane, varfëria dhe uria e kanë burimin te mbipopullimi dhe legjislacioni Anglez, që për të varfrit u bë më i ashpër me qëllim që të lihet “natyra” e lirë në kontrollin e rritje së popullatës. Emërtimi modern i teorisë Malthusine, i cili mbështetet edhe nga disa “ekologjistë” (që ka çuar tashmë në kategorinë e një “eko-fashizmi” inkubacionist), ia atribuon varfërinë dhe zhvillimin e sotëm “bombës së popullatës”. Prandaj, “neomalthusianët” nuk hezitojnë të sulmojnë qoftë edhe mjekësinë moderne, se përhapja e saj në Botën e Tretë nuk la natyrën (d.m.th Vdekjen) të lirë në punën e saj. Karakteristika e përbashkët e të gjitha këtyre analizave dhe e “shkencës” ekonomike ortodokse në përgjithësi (ku pas rrënimit të vegimit socialist inkubacionohen pa ndrojtje dhe shumë ish të “majtë”) është se shkaqet e varfërisë janë “endogjene”, u atribuohen d.m.th vetë të varfërve. Në kohën e Malthusit, varfëria e punëtorëve anglezë ishte rezultat i përtacisë së tyre. Sot varfëria e Jugut i atribuohet faktorëve tradicionalë, politikë dhe ekonomikë (kryesisht mungesa e kapitalit të mjaftueshëm) ku të gjithë bashkë krijojnë “qorrsokakun e varfërisë”. Për të gjitha këto “analiza”, kuadri institucional konsiderohet fakt dhe thjesht analizohen pjesërisht institucione dhe faktorë, duke çuar lehtësisht te përfundimet se varfëria atribuohet, ekskluzivisht ose parimisht, te shkaqet endogjenë. Në këtë mënyrë justifikohet edhe pabarazia, d.m.th qoftë privilegjet e këtyre të fundit, qoftë edhe mjerimi i të parëve, meqënse gjoja nuk ekziston lidhje shkakësore midis tyre.
Pavarësisht se shkaqet endogjenë nuk përjashtohen nga mbipopullimi i globit, shkaku kryesor është ekzogjen, d.m.th krijimi i elitave të cilat me përqendrimin e pushtetit në pak duar, pasivizojnë qoftë urtësinë e individëve që e përbëjnë atë (praktike), qoftë urtësinë e një popullate (teoriken). Merr si shembull metropolet e mëdha: ata si pasojë e përqendrimit të pushtetit politik dhe ekonomik, gjithnjë dhe më shumë zmadhohen dhe energjia e nevojshme (ujë, energji elektrike etj.) është problem dhe në reduktim.
Mbipopullimi i globit është fakt dhe shkaktarët e tij janë elitat modrne, të cilat në emër të pushtetit dhe privilegjeve —fshijnë nga memoria e një populli legjendat dhe praktikat tradicionale në lidhje me lindshmërinë etj., dhe i zëvendësojnë ato me rritje ekonomike, konkurrencë, kontraceptivë etj. Rasti i Shqipërisë p.sh., në kohën e “socializmit”, përbën shembull tipik: regjimi nxiste lindshmërinë në emër të luftës dhe ideologjisë. Nëse dikush pyet një çift të regjimit përkatës -që sot pjesa më e madhe janë gjyshër, se përse lindi gjashtë, tetë apo dhjetë fëmijë, përgjigjja do të ishte – ‘sepse kështu bënin të tjerët dhe kështu bëmë dhe ne, meqë dilnim herët në pension’! Kështu, motivi për popullatën e gjerë ishte pensioni, ndërsa për elitën e kohës, ishte lufta: sepse duhet thënë se të dy kampet gjëndeshin në luftë të përhershme. Kjo tregon qartë se ‘urtësia’ e çifteve ishte eliminuar! Dhe mjeti nuk e justifikon rezultatin. Njëlloj bëjnë neoliberalët sot: ata nuk e vendosin individin në kundrim – kur e zhveshin nga çdo pushtet dhe e bëjnë mbartës të politikave elitare. P.sh., nuk i thonë individit se të mirat materiale shterojnë nëse nuk i zëvendësojmë me politika aktive dhe rajonale, por i thonë konsumo, meqënse konsumi është motori i tregut —dhe fëmijët që do të lindësh do t’i ushqejmë ne, me papunësi, shtrydhje rrogash etj! Kështu, mungesa e urtësisë është ekzistente në çdo kënd të botës dhe janë elitat ose kuadri institucional që e kanë shkatërruar këtë element. Pasivizimi i individit nga politika shton popullsinë – në disa vende, tmerrësisht të madhe. Fundja, edhe nëse ia atribuojmë shkaqet varfërisë dhe mungesës së kapitalit në Jug, që është natyrisht mit, mund të tregohet se 85-90% i të gjithë kapitalit monetar që investojnë investimet e huaja ka origjinë vendore, zakonisht me huatë nga bankat e nivelit të dytë që i gjenerojnë nga konsumatorët vendor. Fakti që përqendrimi i pushtetit në pak duar është shkak për mbipopullimin e planetit vërtetohet edhe në kontekstin e një qyteti p.sh., nëse qytetarët e një qyteti luftojnë të shpëtojnë nga pushteti i qytetit ku banojnë ose nga taksat që oligarkët vendosin, natyrisht pa ndonjë marrëveshje paraprake demokratike, d.m.th nga ata që zotërojnë pushtetin politik dhe ekonomik - atëherë shtetet dhe ata që e përbëjnë atë (burokratët), do të luftojnë të shpëtojnë nga dhuna ose presionet, sidoqoftë më të vegjël se e të parëve, e oligarkëve globalë d.m.th nga ata që zotërojnë korporatat globale —siç po përjetojnë politikanët profesionistë në Greqi sot, me gjithë armatën tjetër që po e pret: Itali, Spanjë, Portugali etj!

Bilderberg: axhenda e globalizmit neoliberal

Dukuria se përqendrimi pushtetit ekonomik dhe politik në pak duar brenda një qyteti është vrojtuar që në vitet ‘50 në Amerikë dhe nuk do të ishte e çuditshme aspak që…

…në një ndër mbledhjet e Bilderberger të vitit 1968, nënsekretari i shtetit amerikan për çështjet ekonomike, George Ball, hedh tezën e një ‘World Company’/ ‘Shoqëri Botërore’, duke fituar pasuri kombëtare jo përmes kolonizimit luftarak, por atij korpokrat [ideologjia neoliberale] dhe duke nënshtruar kombet nën një sistem bankar ndërkombëtar të qendërzuar! (Theksi u shtua)

Në fakt, mbledhja e Bilderberg, e cila zhvillohet çdo vit në vende të ndryshëm, që veprimtaria e saj filloi në Hollandën e vitit 1954, dhe për vitin 2013 u mblodh në Hertfordshire të Britanisë, me pjesëmarrës nga 21 vende të botës Perëndimore d.m.th. Europa Perëndimore, SHBA dhe Kanada, është një mbledhje Anglo-Perëndimore Europiane-Amerikano Veriore që trajton kryesisht çështje gjeopolitike. Në këtë mbledhje, nuk merr pjesë asnjë përfaqësues nga vendet e Lindjes dhe Ballkani, por, sidoqoftë, këtë herë, morri pjesë zëvendës kryeministri turk për çështjet ekonomike dhe financiare, Ali Babakan! Përgjithësisht atje ishin 140 pjesëmarrës dhe 14 gra, kryesisht, politikanë profesionistë, drejtorë korporatash -dhe bankash, dhe oligarkë. Në fjalë të tjera, atje mblidhen jo milionerë, por trilionerë. Kjo mbledhje sponsorizohet kryesisht nga Goldman Sachs dhe BP ose nga “Shoqëria e Bilderberg” —që është regjistuar në Britani dhe, për organizmin e saj merr “donacione” nga këto korporata. Dhe nëse pranojmë diktatin e Musolinit, që ishte bashkimi i pushtetit i një qeverie me pushtetin e korporatave, që përbënte “zemrën” e fashizmit të fillim-shekullit të kaluar, atëherë, në këtë mbledhje, bashkohen —si asnjë herë në Historinë moderne, dhe njerëzore, gjithë pushtet e qeverive dhe korporatave perëndimore, dhe ajo përmbush kriterin e Musolinit: të fashizmit post-modern, i cili, sigurisht, bashkë-jeton me “demokracinë” parlamentare.       
          
Shoqëria botërore: faza përfundimtare e globalizmit neoliberal

Përmes konceptit të ‘Shoqërisë Botërore’, elitat moderne duan të kontrollojnë edhe mbipopullimin e globit, meqë, sipas tyre, vetëm përmes një “shoqërie botërore” —mbi të cilën do të qëndrojë një elitë “racionale” (ndoshta eugjenikët!), bota do të shpëtojë nga katastrofa ekologjike! Kjo është, në fakt, shtjella më e madhe e këtij shekulli, dhe ne, jemi në mes të kësaj shtjelle, sepse tregu dhe strukturat aktuale e favorizojnë këtë masë. Sidoqoftë, nëse gjykojmë nga raporti i OKB-së, kur citohet se mbipopullimi filloi në vitet 1850, atëherë kjo dukuri mund t’i atribuohet shtetit modern dhe akumulimit të pushtetit. Fundja, nëse shkojmë thellë në Histori, shohim se popujt kanë ruajtur një popullsi konstante, pavarësisht luftërave të përhershme midis tyre. P.sh., njerëzit “primitivë” ishin më racionalë se njerëzit e sotëm lidhur me lindshmërinë! Dhe kjo sepse ata baras-ndanin pushtetin fisnor dhe me këtë kultivonin arsyen dhe virtytet (urtësinë). Ata kishin krijuar legjenda dhe praktika për mbajtjen e popullsisë në nivel konstant. P.sh., primitivët e Australisë mbajtën për mijëra vjet popullsinë në nivel të ulët deri sa shkuan kolonizatorët anglezë dhe shkatërruan vetë-mjaftueshmërinë, legjendat dhe praktikat e indigjenëve, me tregun që themeluan.
Sot, si pasojë e tregut të marketingut dhe principeve të tij ekspansioniste, ekosistemi kërcënohet seriozisht. Gjithashtu, në antikitet, d.m.th në periudhën Ilire, Helene dhe më tej, popujt kishin zhvilluar legjenda dhe praktika për mbajtjen e popullsisë në nivel konstant. Dhe ishte një nivel konstant, sepse Grekët apo Ilirët e lashtë e dinin shumë mirë se ekosistemi destabilizohet nëse një popullsi nuk mëson të kontrollojë lindjet. Kjo situatë vazhdoi edhe përgjatë Mesjetës, por me një ndryshim: në Mesjetë lindën bankat fraksionale, d.m.th praktika e Kroesus: manipulimi monetar dhe ekspansioni ekonomik nga elitat fetare dhe ekonomike dhe më vonë, në fund të Mesjetës, ekspansioni politik. Ato filluan të përhapeshin si malarie duke shkaktuar përgjatë Mesjetës bume dhe rënie të menjëhershme të popullsisë – kryesisht në sajë të dështimeve ekonomike dhe tensioneve ndër komunitarë.
Arsyeja është e qartë: inflacionin e pason gjithnjë deflacioni – nga monetar në demografikë. Kështu, në këtë mënyrë u përmbysën për herë të parë në historinë humane raportet e popullsisë me natyrën: njeriu u dezintegrua nga natyra dhe filloi të përqendrohej mbi ekonominë monetare. Dhe kjo dukuri nuk erdhi si dëshirë, kundrim dhe miratim popullor, por u imponua nga elitat. P.sh., nëse elitat e Mesjetës ishin fetare dhe ato impononin mjetin në treg, sidomos arin, njëlloj përgjegjëse ishin ndaj tru-shpëlarjes sociale. Kështu, mjeti ose instrumenti, monedha “rrëmbeu” dhe “degradoi” mendjet e gjithë popujve të Mesjetës: dhe kjo sepse ajo ofronte mbretëri të sigurt te të gjithë ata që dëshironin të shfrytëzonin bashkëkohësit – elitat. Gradualisht, monedha u bë pjesë e jetës njerëzore dhe ekonomia sot matet me shumën e metaleve dhe letrave që dikush zotëron – dhe jo me kullandrisjen e të mirave materiale, burimeve dhe zhvillimit të urtësisë! Këtë përmbysje njerëzit në kohët moderne nuk e kuptojnë: ata e konsiderojnë si të natyrshme dhe konsumojnë ose lakmojnë të konsumojnë atë që nxit massmedia dhe tregu, duke shpërdorur të mirat materiale, të cilat nëse nuk ripërtëriten, një ditë do të shterojnë, siç kanë shteruar një pjesë e mirë e tyre! Kjo ishte koha kur elitat filluan të paguanin punëtorët me ar (paga). Dalëngadalë, kjo dukuri u konsiderua e domosdoshme dhe bashkë me të u shfaq dhe tru-shpëlarja e njerëzve. Këtë dukuri e kishte vërejtur me mjaft saktësi Aristoteli, kur citonte se ‘të gjitha punët e paguara rrëmbejnë dhe degradojnë mendjen’.
Nuk do të ishte e çuditshme që situatën aktuale elitat ta konsiderojnë ‘progres’, si në rastin e kryetarëve të shteteve post-modern (Thaçi, Berisha, dhe gjithë homologët dhe shkollat e modernitetit etj.), sikur të dinin këta njerëz se ç’është ‘progresi’! ‘Ngjarjet duhet të shihen në përparim, thoshte Aristoteli dhe jo në këndvështrime’. Kjo nënkupton rëndësinë e ‘veprimit’ social, jo demagogjinë e politikanëve profesionistë. Kështu, ne duhet të synojmë te këto tre pika: antitezë, metaforë dhe aktualitet. Metafora duhet të hartohet nga gjërat që janë të lidhura në gjënë origjinale, dhe prapë jo shumë qartë – thjesht si në filozofi gjithashtu një mendje e mprehtë do të perceptojë ngjashmëri qoftë edhe në gjërat që janë shumë të veçuara. Ndërsa përparimi nuk mund të lidhet me aktualitetin, për sa kohë që atje nuk ka përparim urtësie dhe ndërmarrje racionale. Antiteza e urtësisë për ‘progresin’ e demagogëve modern përjashtohet. Elitat në kuadrin ekonomik që gjenden nuk mendojnë p.sh., se njeriu përmes virtyteve ruan një baraspeshë me faunën dhe florën e Natyrës! Ata mendojnë thjesht rregulla teknike nga lart ndërkohë që ruajnë privilegjet. Dhe ata nuk mendojnë për zgjidhje të tjera jo sepse nuk janë të zgjuar, por sepse operojnë si gjithë të tjerët, brenda një sistemi ekonomik ku dominon përftimi individual në çdo veprim —dhe motivi i politikanëve profesionistë është pikërisht i njëjtë: përfitimi —përmes të cilit propagandojnë “progres”! Zgjuarsia e politikanëve në kuadrin e kapitalizmit është një-dimensionale: vetëm për përfitim. Ndaj dhe “progresi” mbetet në retorikën moderne[18] dhe s’ka lidhje me realitetin, sepse është përmbysur raporti me instrumentin tregtar: në botën moderne instrumenti përcakton sjelljen njerëzore – dhe jo njeriu instrumentin. Ndryshe nga dalta e skulptorit: daltës i përshtatet njeriu, jo dalta njeriut! Kjo është arsyeja që instrumenti duhet të jetë plotësues i aktiviteteve individuale dhe sociale. Nëse një ‘instrument’ dominon sjelljen njerëzore, njeriu rrezikon të varet nga ai; ndaj, është e domosdoshme që një shoqëri të eliminojë jo vetëm tregun dhe mënyrat e prodhimit (që synojnë rritje kapitali), por edhe parátë, me qëllim që të garantojë liri dhe vlera humane. Dhe paránë njerëzimit ia kanë imponuar elitat, shteti dhe institucionet e tij; pa këtë instrument nuk do kishte shtet dhe elita.

Sa duhet të jetë popullsia globale?

Autokratët dhe populli muslimanë, të varfërit dhe urtësia

Disa studime ekologjike vlerësojnë se popullsia e globit nuk duhet të jetë më shumë se 5.5 miliardë banorë bazuar në burimet natyrale. Por, numri se sa duhet të jetë popullsia e botës është relativ, sepse nëse konsiderojmë se sot popullsia ka arritur më shumë se 7 miliardë, mund të ngrihet natyrshëm pyetja se mbi cilët burime jetojnë të gjithë këta njerëz? Megjithëse numri i popullsisë është i lartë dhe çdokush e dëshmon këtë dukuri, pjesa më madhe jeton me pak burime dhe standardet e jetesës janë minimale. P.sh., në pjesë të ndryshme të botës mungon edhe uji i pijshëm, për mos të përmendur këtu standardet e jetës që përjeton pakica në Perëndim. Standardi se sa duhet të jetë numri i popullsisë duhet të jetë mbi bazën e një familjeje që jeton me të mirat e përkorta që ofron Natyra, pa i ndryshuar natyrën asaj. P.sh., ujë të bollshëm, pak tokë për të kultivuar, disa kafshë shtëpiake, pyll të mjaftueshëm për kullotë dhe dru zjarri etj. Ky do të ishte një standard jetik dhe i arsyeshëm. Standardi tjetër, ai perëndimor, nuk mund të përbëjë standard, për sa kohë që ai des-integron njeriun nga natyra, ekonomia reale, tradita etj. Standardi jetik që u citua më lart në disa vende nuk sigurohet. Ndaj, rritja e popullsisë është reale dhe problematike për ekosistemin. Pyetja që lind është se përse të varfrit janë të varfër dhe të pasurit të pasur, ose si pasurohet i pasuri? Në varfërinë materiale dhe mendore të të varfërve ndikojnë sërish të pasurit, meqë këta të fundit punësojnë dhe shfrytëzojnë dinamikën e tyre. Dikush tjetër mund ta lidhë lindshmërinë eksesive me njohurinë. Por përse njerëzit primitivë dinin të mbanin në nivele racionale numrin e lindjeve në raport me ekosistemin dhe njerëzit, nën shtetin modern, nuk dinë? Ose përse udhëheqës të shteteve të Lindjes, siç ishte Sadam Huseini në Irak etj., lindën shumë fëmijë, për mos të thënë, tej-mase? Dikush mund të kundër-argumentojë se në botën myslimane të gjithë njëlloj bëjnë, sepse martohen me shumë gra; dhe kjo ngaqë féja ua lejon. Kjo është e vërtetë në princip, por jo në praktikë. Kështu, nëse féja ua lejon dhe Kur’ani konsiderohet si libër udhërrëfyes i urtësisë për besimtarët e kësaj féje, dhe nëse meshkujt dominojnë në numër në një krahinë, ku do t’i gjejnë femrat e bollshme meshkujt?
Një praktikë e tillë varet nga biologjia ose nga ‘pushteti’ e gjeneve. Ndaj, nëse meshkujt janë më të fuqishëm gjenetikisht, dhe genet varen nga gjendja e përgjithshme shëndetësore, ata dominojnë në numër. Muhameti e ka ligjësuar një praktikë të tillë në kohën e tij ngaqë ishte përmbysur raporti femër-mashkull – në favor të femrave – për shkak të luftërave që zhvilloheshin dhe vriteshin meshkujt, dhe për arsye praktike nxori ligj që meshkujt lejohen që të marrin deri në katër gra – thjesht për t’i strehuar ato. Një veprim i tillë lidhet me praktikën e një shoqërie dhe koniukturën Historike dhe nuk mund të adoptohet për çdo periudhë Historike, për sa kohë që asnjë mashkull nuk mund të ofrojë njëherësh kënaqësi intelektuale, organike dhe shpirtërore te më shumë se një femër. Lindshmëria e lartë e meshkujve myslimanë nuk lidhet me kulturën fetare, por lidhet kryesisht me pushtetin. Fundja, nëse një mysliman nuk ka mirëqenie materiale, ai automatikisht do të kufizohet te fëmijët e tij. Këtë e shohim, ndryshe nga një pjesë e vogël e Lindorëve, te myslimanët në Perëndim. Njohuria luan rol dytësor nëse gjykojmë nga udhëheqësit e Lindjes. Ajo që mbetet është pushteti pa urtësi. Dhe ‘pushteti pa urtësi është i padëshirueshëm’, thoshte Aristoteli. Kështu, përgjegjësia bie mbi shtetin modern dhe strukturat e tij: ai përqendron pushtetin në pak duar dhe njëherësh shkatërron urtësinë -elementin bazë të arsyes. 
Shkaku kryesor i lindjeve eksesive që bëhen barrë për shoqëritë dhe ekosistemin është pushteti i elitave, të çdolloj doktrine qofshin ato: fetare, politike apo ekonomike. Por, udhëheqësit Perëndimorë zotërojnë pushtet të madh; përse këta nuk bëjnë shumë fëmijë, siç bëjnë homologët Lindorë? Përgjigjja është se në Perëndim dominon, për arsye të përqendrimit të pushtetit dhe themelimit të tregut të marketingut dy shekujt e fundit, pasiguria lidhur me të ardhmen, qoftë edhe për udhëheqësit, sepse sa më e madhe është shkalla e pasigurisë lidhur me të ardhmen, aq më e vogël është mundësia për të lindur fëmijë. Ndryshe nga Perëndimorët, Lindorët janë shpesh autokratë dhe siguria është më e lartë. Kjo është arsyeja që udhëheqësit të çdolloj populli kanë për prirje që të përqendrojnë pushtet sa më të madh, me qëllim që të ndjehen sa më sigurt për të ardhmen. Ky element shtyn udhëheqësit të përqendrojnë më shumë pushtet. Dhe ky element është kundër-prodhues: ai bllokon ‘racionalitetin’ dhe kurthon udhëheqësit në botën e ngushtë të pushtetit, që në fund rrënohen bashkë me të. Kjo është arsyeja që dikush duhet të kuptojë rëndësinë e baras-ndarjes së ‘pushtetit’ – një ndarje që realizohet vetëm në demokraci politike (jo përfaqësuese). Në anën tjetër, dikush mund të argumentojë se shtresat e ulëta dhe të varfra, pavarësisht se s’kanë pushtet, bëjnë fëmijë sikur mos të kishin punë tjetër veç të fekondonin. Merr si shembull romët: ata lindin pa pasur asgjë në sofër! Përse e bëjnë këtë? Le të bëjmë një krahasim të dy situatave. Ndërsa disa udhëheqës, sidomos në Lindje, bëjnë fëmijë tej mase, dhe i bëjnë, siç u tha më lart, për shkak të përqendrimit të pushtetit dhe duke shfrytëzuar në nivel social doktrinën fetare, njëlloj bëjnë edhe disa të varfër, pavarësisht se s’kanë pushtet! Të dy grupeve u mungon urtësia, sepse këta të fundit jetojnë jashtë arenës politikës, vendimmarrjeve dhe procesit demokratik të një vendi (vetë njohurisë), d.m.th jashtë urtësisë teorike, ndërsa të parët, pikërisht sepse përqendrojnë gjithë pushtetin, operojnë jashtë urtësisë praktike.
Mekanizmat e institucionalizuar, siç janë masat parandaluese, nuk ndikojnë në sjelljen dhe veprimet e të varfërve, sepse mekanizmat qëndrojnë jashtë ndërgjegjes/njohurisë konkrete; ajo çfarë ndikon është përfshirja në çështjet sociale, “shoshitja” e mençurisë praktike, kultivimi i urtësisë dhe baras-ndarja e pushtetit, si të vetmit mekanizma që sigurojnë racionalizim të veprimeve tona në kontekst. Ndërkohë, përjashtimi luan rol negativ dhe vendimtar në sjelljen, mençurinë, varfërinë dhe interesat e njerëzve. Shkaku është sërish pushteti. Në fjalë të tjera, për hir të mos ndarjes së pushtetit, elitat shkaktojnë gjithë efektet anësorë të modernitetit. Gjithashtu, siguria e individit në lidhje me të ardhmen dhe partnerin luan rol vendimtar në lindshmërinë e mundshme. Ndaj, është e nevojshme që kjo siguri të garantohet nga një demokraci. Siç kokludon T. Fotopoulos mbi të njëjtën problematikë:

Rritja e popullsisë është REZULTAT i de-zhvillimit dhe jo shkaku i saj. Varfëria dhe uria, ndryshe nga “analizat” neoliberale, nuk është rezultat i mungesës së ushqimeve, as edhe mungesë tokësore për arsye të mbipopullimit, por është shpërndarja e pabarabartë e burimeve prodhuese të pasurisë. Vetëm një shpërndarje drastike e aftësisë prodhuese dhe veçanërisht e tokës, me qëllim që të gjithë njerëzit në planetin tonë të mund të prodhojnë vetë ata për mirëmbajtjen e nevojshme mesatare, por të një niveli të mjaftueshëm jetik, do të shmangë shpërthimin e popullatës dhe urinë masive konsekuente dhe katastrofën ekologjike.   

Ri-aktivizimi i ‘urtësisë komunitare’ rrjedhimisht, d.m.th. i Urtësisë që Sokrati e quante ‘varfëria ime dëshmia ime’ dhe i virtytit Aristotelian që shqetësohet me rrugën e mesme – përmes baras-ndarjes së pushtetit politik, ekonomik, shoqëror dhe ekologjik, është sine qua non për eliminimin e mbi-popullimit të planetit.          
*Kjo eshte nje analize e shkeputur nga Kapitulli i Nente, Demokraci apo Barbarizem? nga Projekti, Revolucion per demokraci gjitheperfshirese dhe Fronetike, e ri-punuar, sipas kohes dhe zhvillimeve politike.

[1] Elitism destroys nations, John Authers, Financial Times, June 9, 2013.
[2] Një web-faqe që trajton problemin e rritjes së popullsisë globale është kjo që vijon: http://populationmatters.org/ Por, problemi me të gjithë ata që impenjohen me rritjen e popullsisë është se ata fokusohen gjithnjë te zgjidhjet teknike që burojnë nga pushtetet ekonomike dhe politike, dhe jo te zgjidhjet e vetë pushtetit, d.m.th te baras-ndarja e pushtetit me qëllim krijimin e kushteve për kultivimin e urtësisë – si i vetmi instrument që mbron njeriun dhe jetën e Planetit nga teprimet. 
[3] Të ftosh në vakt kiminë, Nga Maria Jalusi, Shtëpia Botuese Savalas 2000 Athinë, f, 103. Përkthyer nga vetë autori nga greqishtja.
[4] Po aty, f, 104.
[5] Shih për më shumë, Diet Drinks: America’s Passion for Poison, Charles Foerster, Global Research, February 1, 2012.
[6] Do sports drinks and hydration theory hold any water? Oliver Thring, The Guardian, 7 August 2012.
[7] Coke and Pepsi change recipe to avoid cancer warnings, The Guardian, 9 March 2012.
[8] Arsenic in Our Chicken? NICHOLAS D. KRISTOF, New York Times, April 4, 2012.
[9] New pesticide link to sudden decline in bee population, The Independent, Michael McCarthy, 06 April 2012 . New pesticides linked to bee population collapse, 30 March 2012.
[10] ‘Victory for bees’ as Europe bans neonicotinoid pesticides blamed for destroying bee population, The Independent, 29 April 2013.
[11] Υπερπληθυσμός και oικo-φασισμός, ΤΑΚΗΣ ΦΩΤΟΠΟΥΛΟΣ, (Ελευθεροτυπία, 6 Ιουνίου 1992).
[12] Po aty.
[13] Po aty.
[14] Titanic Battle or Insider Trading? The S&P Downgrade and the Bilderbergers: All Part of the Plan?, Ellen Brown, Global Research, August 18, 2011.
[15] New World Order Secrecy: Who will be Attending the Bilderberg Meeting? What Will be Discussed Behind Closed Doors?, Prof Michel Chossudovsky, Global Research, June 05, 2013. Bilderberg 2013: welcome to 1984, Charlie Skelton, The Guardian, 5 June 2013. Bilderberg 2011: The Rockefeller World Order and the “High Priests of Globalization”, Andrew Gavin Marshall, Global Research, June 16, 2011.
[16] Introduction to Political Theory, John Hoffman dhe Paul Graham, Chapter 12, ff, 286-314.
[17] Aristotle, Rhetoric, p, 74.
[18] Shih për më shumë, Ylli Përmeti, Blloqet ekonomik dhe pavarësia e kombeve, rreth retorikës, së çfarë përfaqëson sot dhe çfarë duhet të përfaqësojë.
[19] Nga referenca ‘53’. T. Fotopulos.
[20] Shih për më shumë, Ylli Përmeti, Drejt demokracisë virtuoze.

Popular

BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR

BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR
BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR - GJITHASHTU DHE RIPAROJME