Gjon Buzuku është autori i parë i njohur deri më sot i letërsisë shqiptare. Veprat në gjuhën shqipe gjatë shekujve të parë të pushtimit osman janë të pakta. LEXO ME SHUME...
Më e vjetra prej tyre që ka mbëritur deri në ditët tona, është "Meshari„ i Gjon Buzukut (1555). Kush ishte autori, nga ishte, ku punoi, mbi ç'baza arriti ta shkruante e ta botonte librin e vet, janë pyetje që ende nuk kanë gjetur një përgjigjje të plotë. ndonjë gjë të paktë që dimë për jetën e autorit, për vështirësinë që hasi, për punën, qëllimin dhe për kohën kur e shkroi ose e botoi veprën e vet e mësojmë vetëm nga pasthënia e librit. Gjon Buzuku ishte një prift katolik, një famulltar i thjeshtë, që, me sa duket, punoi në Shqipërinë e Veriut, jo larg vendit ku e botoi veprën e tij ndoshta në trevën e Ulqinit e të Tivarit. Siç na thotë vetë, veprën e filloi më 20 mars 1554 Dhe e mbaroi më 5 janar të 1555, koha që punoi për shqipërimin, ose për botimin e saj nuk del e qartë. Libri, ashtu siç është sot, ka 188 faqe, i mungojnë 16 faqet e para, por edhe disa të tjera nëpër mes. Kështu që, duke mos pasur as kopertinë, as faqen e parë, nuk dimë as titullin e tij të vërtetë dhe as vendin e botimit etj. Është kjo një fatkeqësi apo fatmirësi, s'mund ta themi dot. Ndoshta, po t'a kishte kopertinën ose edhe faqen e parë, libri mund të ishte zhdukur, sepse, me sa duket, ka qenë në listën e atyre librave që kane qenë ndaluar nga kisha katolike e Romës. Kështu që janë zhdukur nga qarkullimi të gjitha kopjet e tij dhe mbeti vetëm kjo që është e gjymtuar. Kjo , ndoshta është arsyeja që ajo sot gjendet vetëm në një kopje, të fshehur e të harruar që i ka shpëtuar syrit të inkuizicionit. Kopja që gjendet, me sa duket ka qenë përdorur shumë. Veç fletëve të grisura, në shumë faqe anash ka shënime e emra priftërinjsh që, me sa duket , e kanë pasur nëpër duar. Përmbajtja e librit është fetare dhe kryesisht me pjesë liturgjie, pjesë që lexohen e recitohen vetëm prej klerikëve në shërbesat kishtare. Përkthim i një libri latinisht i shkruar me alfabetin latin. Për disa disa tinguj të shqipes, si: q, gj, th, dh, z, x, etj; që nuk i ka gjuha latine, autori përdor pesë shkronja që kanë përngjasim me disa shkronja të alfabetit cirilik. Gjuha e veprës është ajo e dialektit të Shqipërisë Veriore e Perëndimore. Këtë alfabet do ta përdorin edhe autorët pas tij, me ndonjë ndryshim të vogël. Përmbajtja e veprës dëshmon për përdorimin e shqipes në shërbesat fetare. Jemi në kohën kur në Evropë kishte shpërthyer lëvizja për t'u shkëputur nga kisha katolike e Romës, lëvizja që njihet me emrin protestantizëm. Një nga kërkesat kryesore të kësaj lëvizje ishte që shërbesat kishtare të bëhen në gjuhën amtare. Edhe Buzuku, me sa duket, ecën në këtë rrugë, edhe pse kjo është në kundërshtim me urdhërat e Vatikanit. Nga ato që thotë në pasthënie, duket se Buzuku nuk hyri rastësisht në këtë rrugë. Në rrethanat që ishin krijuar në Shqipëri nga pushtimi osman, kisha katolike e Romës ishte e detyruar të bënte lëshime për t'i vënë fre islamizmit të popullsisë shqiptare. Këtë gjë e kuptoi dhe e shfrytëzoi Buzuku, i nisur jo vetëm nga qëllime fetare por edhe atdhetare. I ndikuar nga idetë e lëvizjes protestante, Buzuku iu vu punës qe besimtarët shqiptare shkrimin e shenjtë ta merrnin drejtpërdrejtë në gjuhën amtare. Nga ana tjetër, si atdhetar, ai desh të bënte dicka për popullin e vet dhe është i vetëdijshëm se me punën e tij do t'i shërbente popullit të vet, jo vetëm për të dëgjuar e kuptuar përmbajtjen e disa ceremonive kishtare, por edhe se ajo përbën pikënisjen e shkrimit të gjuhës shqipe drejtuar masave shqiptare. Me veprën e tij ai mundohej të afirmonte individualitetin shqiptar. Vepra e Buzukut nuk ka vetëm meritë letrare, por është edhe një hap i guximshëm kulturor, që bën pjesë në luftën e popullit shqiptar për çlirim e përparim. Këto probleme e kanë munduar për një kohë të gjatë autorin, prandaj ai shkruan në pasthënie <<…U Doni Gjoni, biri i Bdek Buzukut , tue u kujtuom shumë herë se gjuha jonë nukë kish gjo të të ndigluom (që të jetë dëgjuar) nse shkruomit shenjtë, nse dashunit nse botëse, sanë, desha me u dedigune përsa mujta me ditune, me zbritunë (me ndriçue) pak mendetë e atyne që ndiglojinë …>> Të ndriçojmë mendjet e njerëzve, pra ky ka qenë edhe njeri nga qëllimet për të cilin e shqipëroi dhe botoi Buzuku veprën e tij. Madje Buzuku ecën edhe më përpara. Në Mesharin e tij gjendet dhe kjo lutje që nuk gjendet në asnjë meshar të botës: Gjithë popullsinë e krishtene, ndër Arbanit ata n'mortajet largo, ty të lusmë. O Zot. Te Arbëria, pra aty i rreh zemra Buzukut. Nga të gjitha këto del qartë se me veprën e Buzukut kemi një vazhdimësi të kulturës shqipëtare dhe në kushtet e vështira të pushtimit osman, kulturë që te humanistet u përfaqësua me vepra kryesisht në gjuhën latine, që ishte gjuha e kulturës së kohës dhe që u pasurua më vonë me veprat e Budit, Bardhit, Bogdanit et , në gjuhën shqipe. Që nga botimi deri më 1740, gati dy shekuj Meshari ishte një vepër e humbur, një vepër e panjohur. Më 1740, atë e zbuloi në Biblotekën e Propaganda Fides afër Romës autori gjakovar Gjon Kazazi. Ky zbulim bëri bujë të madhe, sepse është libri i parë në gjuhën shqipe. Pas kësaj çështja mbeti përsëri në heshtje edhe për më tepër se një shekull deri më 190 , kur e rizbuloi arbëreshi Pal Skiroi po jo më në Biblotekën Propagada Fides, por në Biblotekën e Vatikanit, në Romë, ku gjendet edhe sot. Me 1932 libri u fotokopjua në tri kopje, njëra nga të cilat gjendet në Biblotekën tonë Kombëtare. Më 1968 gjuhëtari ynë i shquar Eqerem Cabej, bëri një botim shkencor të veprës së Buzukut, duke e shoqëruar me një studim më të gjerë për gjuhën dhe meritat e autorit. Gjuha e pasur e librit dhe drejtëshkrimi përgjithësisht i ngulitur dëshmojnë se kjo vepër duhet te jetë mbështetur në një traditë të mëparshme të shkrimit të shqipes kishëtare, traditë që rrebeshet e kohërave të vështira që kaloi vendi ynë, me sa duket e kanë marrë me vehte. Por edhe libri i Buzukut krijoji padyshim një traditë për autorë që erdhën pas tij. Të shkruaje në shqip një libër fetar në një kohë kur kjo gjuhë nuk ishte lëvruar si gjuhë kulture, nuk ishte e lehtë. Buzuku ia doli mbane veç të tjerash edhe pse shfrytëzoi pasurinë e gjuhës pupullore si dhe mjaft fjalë të lashta, që ndoshta, i përkisnin traditës së shkrimit të shqipes para tij. Gjuha e veprës ka në bazë të folmen e Shqipërisë Verilindore, por të bie në sy përpjekja për ta ngritur atë mbi dialektin nga është nisur. Në veprën e Buzukut gjejmë ndonjëherë edhe pjesë të një proze tregimtare, të një proze me vlera letrare, që dallohet për mjeshtërinë e përdorimit të fjalës, dhe sigurinë e ndërtimeve gjuhësore pak a shumë të qëndrueshme. Meshari i Buzukut ka rëndësi shumë të madhe për historinë gjuhës së shkruar shqipe. Duke krahasuar gjuhën e Buzukut me shqipen e sotme, vërehen zhvillime të ndryshme që ka pasur gjuha jonë që nga shekulli XVI e deri më sot, gati për pesë shekuj. LEXO ME SHUME...NA NDIQNI - SHPERNAJE NE PROFIL
Tweet Follow @DIONISXHANI