Jeronim De Rada



http://eseshkolle.blogspot.com/

 Jeronim de Rada (Girolamo de Rada), lindi në vitin 1814 dhe vdiq në vitin 1903, ishte poet, publicist, folklorist, filolog dhe mësues, themeluesi i letërsisë dhe i kulturës arbëreshe.
  U lind në Makia të Kalabrisë mësimet e para i kreu në kolegjin e Shën Adrianit të Shën Mitër Koronës. Më 1834 shkoi për të studiuar drejtësi nëNapoli, ku mori pjesë gjallërisht në lëvizjen politike dhe kulturore të kohës. Më 1848 nxori të parën gazetë
shqiptare "L'Albanese d'Italia", në të cilën shprehu pikëpamjet e tij për ngjarjet e kohës. Pas dështimit të revolucionit më 1848 e mbylli gazetën dhe i zhgënjyer u tërhoq në fshatin e tij të lindjes deri në fillim të viteve 60 të shek. XIX. Duke nisur nga v. 1861, në jetën e De Rada nisi një fazë e re, kur ai shfaqet si një nga figurat më në zë te Rilindjes sonë Kombëtare. Pas traktatit Parimet e estetikës (Principii di estetica, 1861) botoi veprat lashtësia e kombit shqiptar ("Antichità della nazione albanase", 1864) dhe Rapsodi të një poeme arbëreshe ("Rapsodie d'un poema albanese", 1866), që luajtën një rol të rëndësishëm për propagandimin e çështjes kombëtare shqiptare. Hyri në korrespondencë me patriotët shqiptarë dhe me personalitetet kulturore evropiane, dashamirë të Shqipërisë, ndoqi me interes të gjallë ngjarjet në Shqipëri. Më 1878 përkrahu Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe ngriti zërin kundër gjymtimit tokësor të Shqipërisë. Një ndihmesë të çmuar çështjes kombëtare i dha me revistën "Flamuri Arbrit", që botoi në vitet 1883-1885. Në "Testamentin politik" (1902) shprehu optimizmin në të ardhmen e Shqipërisë dhe pakënaqësinë e tij ndaj politikës imperialiste tëItalisë ndaj atdheut të të parëve.
Zhvilloi një veprimtari të frytshme edhe në fushën e studimeve gjuhësore ; u kushtoi vemendje çështjeve të prejardhjes së shqiptarëve dhe tëgjuhës shqipe, duke mbrojtur lashtësinë e tyre. De Rada është nga të parët studiues vendës të strukturës gramatikore të shqipes. Në të dy veprat gramatikore që hartoi (1870, 1894) vuri në dukje aspekte të patheksuara më parë nga dijetarë shqiptarë dhe albanologë dhe dukuri gjuhësore të pastudiuara ose të panjohura. Në veprat e tij gjuhësore jepen të dhëna me interes për të folmet arbëreshe. Bëri përpjekje të vijueshme për një alfabet të përbashkët të shqipes që të jepte një sistem sa më të plotë dhe të përshtatshëm për shqipen me karaktere latine, të plotësuara me shenja diakritike. Në veprimtarinë gjuhësore të De Rada duhet përmendur edhe organizimi i dy kongreseve gjuhësore të shqipes, i pari (1895) në Koriliano Kalabro, i dyti (1897) në Lungro (Kongreset gjuhësore arbëreshe). Dha me vetmohim mësimin e shqipes në Kolegjin arbëresh të Shën Mitër Koronës për dhjetëvjeçarë të tërë gjersa vdiq.
Mjaft e gjerë është edhe veprimtaria poetike e De Rada Nisi të botojë që herët por shkrimi që i solli famën si poet me talent të shquar është poema lirike- epike Këngët e Milosaos (1836), vepra e parë e letërsisë sonë me vlera të mëdha artistike. Në qendër të veprës është historia e një çifti të ri që bashkohet pas shumë pengesash. Autori nuk kufizohet me dënimin e paragjykimeve klasore që pengonin lumturinë e të rinjve; në vepër kumboi ideja e detyrës ndaj atdheut dhe e gatishmërisë për të luftuar për mbrojtjen e tij. Historia e dashurisë fatkeqe midis dy të rinjve nga rrethet aristokratike të Shqipërisë së shekullit XV është edhe në qendër të poemës Serafina Topia, mbi të cilën poeti punoi në vitet 1839-1843. I pakënaqur nga puna e tij, De Rada këtë subjekt e rimori në poemën Pasqgra e një jete njerëzore (1898) duke e zgjeruar dhe duke trajtuar në të një problematikë më aktuale për kohën, luftën kundër pushtuesit otoman. Vepra më e rëndësishme e De Radaës është Skënderbeu i pafan, të cilën e mbajti në duar një kohë të gjatë (1837-1896). Në vepër janë shkrirë mjaft nga këngët dhe poemat që kishte botuar më parë. Aty u shpreh në mënyrë më të plotë dhe më të qartë patosi kombëtar që kishte frymëzuar veprën e De Radës Ndonëse nuk ka njësi veprimi dhe vazhdimësi, poema jep një tablo të gjerë të Shqipërisë në shek. XV, të bëmat e lavdishme të popullit, dashurinë e tij të flaktë për jetë të lirë dhe të pavarur, gjallërinë e mahnitshme që shfaqi përballë sulmeve të egra të armiqve. Në qendër të veprës është konflikti midis shqiptarëve dhe osmanëve, dhënë me anë skenash ku paraqiten beteja të ashpra e të furishme, që shquhen nga ngjyresa e theksuar historike dhe imtësitë shprehëse. Heroi kombëtar shfaqet në vepër si burrë shteti i shquar dhe trim i rrallë, që diti me mençurinë dhe me heroizmin e tij të ngrejë popullin e vet në luftë çlirimtare të pashoqe. Në karakteret e personazheve të tjera mishërohet heroizmi dhe trimëria e shqiptarëve. Skënderbeu i pafan është kryevepra e De Radës në të u dukën në mënyrë të qartë veçoritë kryesore të talentit të tij, si mjeshtër i tablove të gjera historike dhe i përshkrimit me zotësi të botës së brendshme të heronjve, të mendimeve dhe të ndjenjave më të thella e më të fshehta të njeriut. Si poet, sidomos në Këngët e Milosaos, De Rada u çmua lart edhe nga rrethet letrare evropiane.
De Rada luajti një rol të madh në historinë e letërsisë shqiptare ; ai është i pari që shkroi vepra me frymë kombëtare. Figura e tij ngrihet si figura më e kulluar dhe më e fuqishme e letërsisë dhe e botës arbëreshe. Ndikimi i tij mbi shkrimtarët arbëreshë bashkëkohës ishte i madh ; tradita poetike shkruar prej tij vijon të jetojë e përtërirë edhe në letërsinë e sotme arbëreshe. Pas Çlirimit në Shqipëri janë botuar të adoptuara veprat e tij kryesore. Mban titullin "Mësues i Popullit"
Tituj të veprave • Milosao • Një pasqyrë e jetës njerëzore • Serafina Topia • Skënderbeu i pafan • Fjamuri i Arbërit (revistë) • Rapsodi të një poeme shqiptare, mbledhur në kolonitë e rrethit të Napolit,1983 Prishtinë: Rilindja • Antichità della nazione albanese e sua affinità con gli Elleni e i Latini 1997 Cosenza Brenner • Këngë të milosaut : poemë 2002 Tiranë : Naim Frashëri • Autobiografia, 2000 Tiranë: Onufri • Parime të estetikës : mendime rreth jetës dhe qëllimeve të saj (ekstrakte) 2003 Tiranë : Globus R
De Rada është romantiku ynë i parë, i cili pa se letërsia popullore e përdorur në vepra luan një rol të rëndësishëm në pasurimin e tyre. Ai, siç dihet, u mor edhe me mbledhjen e folklorit në viset e ndryshme ku jetonin arbëreshët, në radhë të parë, në viset e Kalabrisë, sidomos të fshatit të tij të lindjes, Makit. Pas mbledhjes së krijimtarisë gojore arbëreshe, De Rada botoi edhe vepra origjinale me vlera të mëdha artistike, siç janë “Këngët e Milosaos” (1836), “Një pasqyrë e jetës njerëzore” (1898) dhe “Skënderbeu i pafan” (1872-1884). Ndër këto vepra më së shumti shquhet poema romantike, apo siç e quajnë dsia studiues, romani autobiografik lirik i dashurisë, “Këngët e Milosaos”. Vepra “Këngët e Milosaos” për subjekt ka historinë e dashurisë së Milosaos, birit të sundimtarit të Shkodrës me Rinën, vajzë e varfër, bijë e Kollogresë, një dashuri e thjeshtë fshatare, me temë nga shekulli i XV, e mbrujtur me një lirizëm të thellë dhe me një dekor të pasur natyrorë. Subjekti kryesor i kësaj vepre është i ngjashëm me dashurinë e autorit, e cila ishte e gjykuar të shuhet. Pra, në këtë vepër, dy të rinj, Milosao dhe Rina, çojnë dashuri të pastër ndonëse dallimet klasore e thonë fjalën e kobshme, pengojnë që të gëzohet fryti i zemrave: dashuria. Për shkrimin e kësaj vepre, si dhe për shkrimin e veprave të tjera, De Rada u mbështet shumë në truallin e poezisë popullore sa gjatë gjithë veprës së ndihet fort fryma e krijimtarisë gojore, natyrisht e transponuar mjeshtërisht në shpirtin e poetit, me përjetimin që iu tha në zemër. Përgjatë kësaj pune poeti nuk u bë imitues i verbër i poezisë popullore, por u ngjall nga ajo, duke e ngritur artin e vet shumë lart. Ndoshta në këtë ndikoi fakti se edhe vetë subjekti i poemës kishte të bënte me ndjenjat e të rinjëve fshatarë, të cilët luftonin dhe dashuronin. Në këtë vepër, si edhe në të tjerat, De Rada, letërsinë popullore e shfrytëzoi në mënyrë asimiluese dhe krijuese. Megjithë mbështetjen në letërsinë gojore, kudo në krijimtarinë e tij shihet vula vetjake e poetit. Me elementet nga folklori te De Rada nuk duhet kuptuar vetëm ndikimin apo huajtjen e vargjeve, por këtu duhet të përfshihet edhe huazimi i motiveve, ambienteve, personazheve, ngjarjeve dhe tipave që shpesh i ndeshim në poezinë popullore. Në rend të parë, për të shkruar veprën “Këngët e Milosaos”, De Rada nga poezia popullore arbëreshe huazoi personazhet me të gjitha karakteristikat dalluese. Nga figurat e kësaj poezie mori Milosaon, heroin kryesor të poemës, i cili në këngët popullore arbëreshe ndeshet me emërin Miloshin.

Popular

BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR

BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR
BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR - GJITHASHTU DHE RIPAROJME