Histori e Skënderbeut (pjesa e tretë)

E zeza Adrinopojë!  Q'u bëre burim i zisë,
Vure botën në nevojë,
Në helmit të ligësisë!
Djemthitë ndaj teje erdhë,
O qytet i mallëkuar!
Sa lot të varfërit derdhë
Me zëmrë të dëshëruar! 

Ishte mbushurë qyteti
Me njerëzit të Azisë,
Ardhurë gjithë rrëmeti,
Posi tuf' e bagëtisë,
Zëmrëtrumbull e shpirterrët,
Të egër' e të tmerruar,
Të gjithë për në skëterrët,
Të tresh' e të shëmëtuar;
Të tër' ishin kokëpshjellë,
S'kishinë gjë të pëlqyer,
S'dijnë të korr' e të mbjellë,
Po të marr' e të rrëmbyer;
Ishinë të sgurdulluar,
Të veshurë ndër lëvere,
Turi-e buzëlëshuar,
E ndë të rreme përherë
Me tumane gjithë veshur,
Dhe me hekura ngarkuar,
Të vrenjtur' e të paqeshur,
Të keq e të zëmëruar.
M'i madh'i tyre, Murati,
S'kish ndër mënt kurrë të mirë,
Posi e gjet nga i ati,
Më të ligat kish dëshirë
Në jetë njeri s'peshonte,
Dhen' e zij gjithë të tinë,
Kostandinopojën donte
Dhe Romën' e Italinë
Doj të hynj në gjith' Evropë,
E gjithë kombet që qenë
Rrih t'i bënte mijë copë
Ta shkretonte gjithë dhenë.
Urdhër i tij': "Vraje! Vare!"
Këto dy fjalë dij mbreti,
Hell edhe grep e lavare
Ishte mbushurë qyteti!
Prinsërit' e Shqipërisë
Rrininë të papërzjerë,
Nukë dilnin prej shtëpisë,
S'trazoheshin me të tjerë.
Ajy m'i vogël'i tyre,
Që vij nga gjithë m'i çquar,
Prej fytyr' e prej mënyre,
Zoti e kish lartësuar,
Të mirat gjith' i kish dhënë,
Të ligat ja kish mërguar,
Gjë të metë s'i kish lënë,
Së gjithash e kish mbaruar.
Kish shpirt e zëmër' e ndjenjë,
Edhe mënt e njoh' e hije,
Shtat edhe sjell' e rrëfenjë,
Dhe fuqi prej Perëndije.
Në krah të djathtë, kur lindi,
Kishte një shenjë si shpatë,
Gjithë botënë e bindi,
Edhe miq e mëm' e atë,
Që do të bëhëj trim burrë,
Mëmëdhenë ta nderonte,
Nukë do të mundej kurrë
Sa të ish e sa të rronte;
Ëndërr' e ëma kish parë,
Sikur polli një dragua,
Kur ishte më të me barrë,
Pa andaj shum' u gëzua.
Mësoj gjithë dituritë,
U bë njeri i mësuar;
Shpirtit i dha dhe më dritë,
Ndritoj zëmrën' e qëruar;
Kishte gjithë urtësitë,
Ish mëndje me shumë dritë,
Kish me vet'he Perëndinë.
Kordhën' aqë mir' e msojti,
Sa kushdo q'e shih, çuditej,
Njeri t'i dilte s'kuxojti,
Se e dij që do të shtritej;
Aqë keq shtij me shigjetë,
E me ushtë kur shënonte,
Trimi burr' e i vërtetë
Kurrë dëm nukë qëllonte.
Kohën' e shkoj duke msuar,
Mbushi vjet tetëmbëdhjetë,
Ishte ëngjëll i uruar,
Pa u bë, si deshi vetë
Aqë shum' i shëndosh' ishte
Sa njëqint burra ta zinin,
Ajy brengë nukë kishte
Se poshtë dot nuk' e vinin.
Një ditë që kishte dalë
Me të tijtë, të dëfrente
Jashtë, hipurë në kalë,
Dhe posi hëna çkëlqente,
Dukej q'ishte bir pej mbreti,
Gjithë duallë dh'e shihnin;
U çudit gjithë qyteti,
Që s'e dinin' e s'e njihnin;
Sa qe i vogël' e djalë,
Rrij brënda, msont'e s'delte,
Herë tjatërë s'kish dalë,
Jashtë derës nukë shkelte.
Dielli që del nga qarku
Mos pandeh q'e pjellën retë,
Edhe ky s'lindi nga barku,
E dërgoj Zot'i vërtetë.
Sulltani e pa tek vinte,
Edhe tha: "Ç'ësht' ajy burrë?",
Se gjer ahere s'e dinte,
Nuk' e kishte parë kurrë.
"Pa e ktheni e ma bini,
Tha, se qenka trim' i mirë,
Cili vall' ësht', a e dini?
Ndrin si ylli më të ngdhirë."
Mbreti ish me parësinë,
Prinsi zbriti edhe hyri,
Të gjithë kryetë ngrinë,
Shumë ua zuri syri;
Pastaj si e kupëtuan,
Gjithë më këmbë ju ngrinë,
Me fjalë shum' e lëvduan,
E me nder të math e prinë,
Gjith' ishinë kokëpshjellë,
Dhe fytyrëshëmëtuar,
Kok' e tyre ish si shpellë,
Rrininë buzëlëshuar.
Të gjithë shum' e pëlqenin
Të parët' e mbretërisë,
Një emrë donin t'i gjenin,
Pas mënyrës' së Turqisë,
Nj'ëngjëll nga qiell'i lartë
Perëndija me vrap nxori,
Zbriti me një re të zjarrtë,
Fytyrë dervishi mori;
Dervishi i lar', i ndrruar,
U dha si dritë më derë,
Sa ishinë rrotull shtruar,
Gjith' u ngrinë menjëherë,
"O i mirë!" i tha mbreti,
"Nga na vjen e nga të kemi?
S'më ngjan të jesh nga qyteti,
Se s'të njeh ndonjë nga ç'jemi."
"Jo, tha, unë jam i huaj,
Që rendin me udhëtarë,
S'rri as me jav' as me muaj,
Po sa munt ikënj më parë."
Mbreti i tha: "Ti i mirë,
Që shënditke gjithëmonë,
E shum' ujëra ke pirë,
E di këtë trim ç'e thonë?"
Dervishi fjalën ja preu;
Tha: "Un' atë sot s'e pashë,
Ky zot është Skënderbeu;
Me t'an' aty lasht' u ndashë.
Ja pruri ëngjëlli vetë,
Këtë emër' edhe nderë,
Q'e kish pasurë në jetë
Aleksandr'i math njëherë!
Se dhe shpirt'ish i atija,
Në mëmëdhet të tij prapë
Dërguar nga Perëndija,
Frik' armikëvet t'u apë,
Si dhe një herë qëmoti,
Q'ishte trim, burr' i vërtetë
U tregua aq' i zoti
Sa la emërë përjetë."
Po turqitë nuk' e dinin
Shqipëtar' e math të shkuar,
Pa at' emërë s'ja vinin,
Q'e kishte për të nderuar.
Në shumë të madhe punë
E qeshi mëndja sulltanë,
E gjeti si firaunë, { firaunë = faraonin }
Që rrit' më shtëpi Mosanë! { Mosa = Moisi }
Pas ca kohë Skënderbeu
Njeri i math u tregua,
Trimërinë e rrëfeu,
Nga gjithë burrat' u çqua.
E lartësoj trimërija,
Trimn' e vërtetë me pallë,
Aqë sa e vu Turqija
Në shumë të lartë shkallë.
Fat'i bardh' i mirësisë
Në mijëra ushtëtarë
Zgjodhi trimn' e Shqipërisë,
E vu mbi gjithë të parë.
Skënderbeu kudo lëftonte,
Njeri përpara s'i rrinte,
Burrë s'u gjent t'i qëndronte,
Po i muntte ngado vinte.
Na erdhi n'Adrinopojë
Një tatar i math ng'Asija,
Që nuk i flitej me gojë,
I rëndë nga trimërija;
Ishte i math sa dy buaj,
I egër e i tmerruar,
Kish fuqi sa katrë kuaj,
Ish si lum' i trumbulluar.
Tatari një trim kërkonte,
Me sqimë të madhe delte,
Po njeri nukë kuxonte
Në gjurmët e tij të shkelte;
Po mburrohej me një fjalë
Dhe i trëmbte gjithë ç'qenë:
"Kush ësht' i zoti të dalë,
Thosh, të njohë vetëhenë!"
Një njeriu, që tek shkelte,
Tronditej i tërë dheu,
Kush mundte tjatrë t'i delte,
Veç trim'i math Skënderbeu?
Duallë të dy kaluar,
Në hekur të rëndë veshur,
Mburojat marrë nër duar
E kordhat' e prehta ngjeshur;
Mënjan' ish fytyrëqari,
Që si nat' e zezë nxinte,
M'anët tjatrë shqipëtari
Si dielli vetëtinte.
Bota që e panë djalë
Prinsinë, kundrejt tatarit,
Hipur si ëngjëll më kalë,
Gjithë ja dhanë të qarit;
Me shumë re po shikonin,
Luteshin për Skënderbenë,
Se si perëndin' e donin,
Gjithë njerëzit që qenë,
E dinin q'ish trim tatari,
S'pandehninë që të mundej,
Ish i math si qipi bari,
Pa nga vëndi nukë tundej.
Skënderbe, o jetëgjatë!
I tha: "Ti mik, mase thua
Me mburrje shum' e lëvdatë,
"Nukë ma del njeri mua";
Edhe me shpresë gënjehesh,
Në mëmëdhet tënt të thuash,
Nonjëherë kur të kthehesh,
"Unë kurrë s'u rrëzuash!"
Po shpesit q'i është shkruar,
Të mos shohë më folenë,
Futetë si i verbuar,
E heth në rrezik vet'henë."
Këto tha dhe ju lëshua,
Prins' i bukurë si ylli,
U derth posi një dragua
Që po suletë nga pylli.
Të dy kordhëtë i hoqnë,
Njëri-tjatërin të priste,
Me fuqi shum' u përpoqnë,
Shoku-shoknë s'munt ta vriste,
Se ishin veshur në hekur,
Dhe dininë të lëftonin,
Ishin fort mirë të pjekur,
Pa vet'henë e mburronin;
Po trimi, q'i lij pas shokët,
Hoqi fort mirë një shpatë,
Tatarit i ra në kokët,
Ra i ziu si lopatë.
Gjithë ç'qen' atj'edh'e panë,
Thirr' e thanë shumë fjalë,
Pastaj i erdh' atje pranë
Skënderbegut e ju falë
Pleqt' u çudinë nga fati
Dhe i dhanë shum' urata,
Me dorët të tij Murati
I fali disa dhurata.
Pas këtij shumë të tjerë,
Që kuxuan' e lëftuan,
U ndenë mbi dhet të mjerë,
Nga vdekja nuk' u mërguan.
Dy persë trima të msuar
Këtë punë e dëgjojnë,
Edhe duke ashpëruar
Erdhë në Brus' e kërkojnë
Nga mbret'i gjithë Turqisë
Një burrë që të lëftojnë,
E në mest të njerëzisë
Trimërinë ta tregojnë:
"Zgjith në gjithë ushtëtarë
E nga gjithë që ke pranë,
Të dëgjuar' e të parë,
Një trim të lëftojm", i thanë.
Murati trimat i psholli,
Që kish në mest t'ushtërisë,
Po asnjë nga gjithë s'dolli
Drejt trimavet të Persisë.
Skënderbe'u ashpërua,
U ngrit e hekurat veshi,
Pastaj dolli si dragua,
U vërsul posi rrebeshi.
Persëtë vëllezër' ishin,
Dhe m'i madhi Jahja thuhej,
Trimëri te madhe kishin,
M'i vogli Mustafa quhej.
Jahjaj së pari qëllojti,
Po shigjeta prap' u kthye,
Mburronjënë nuk' e shpojti,
Maj' e hekurtë ju thye;
Pastaj Skënderbeu qëllojti
E me rrëmbim shumë shturi,
Shigjeta mi kok' i shkojti
Persit, e në shtat s'e zuri;
Ahere posi petriti
Mi Jahjanë u lëshua,
Dhe shpatën' e lar' e qiti,
Pers'i varfër' u tmerrua.
Ndihmë s'gjeti veç me vrapi,
Se e pa që s'mundej kurrë,
Mori dhenë posi capi,
Nukë qëndroj dot si burrë.
Mustafaj q'ishte mënjanë,
Dhe luftën' e tyr'e shihte,
E pa q'u munt të vëllanë,
U derth fshehtazi t'i ndihte.
Trimi shpejt e kupëtojti,
Që po vinte me të qetë,
Me bisht të syrit shikojti,
Hoqi me vrap një shigjetë,
Gjithë fuqinë e mblodhi,
Dhe Mustafan' e shënojti,
Si rrufe me vrap e hodhi,
Tejpërtej të zin' e shpojti;
I çpoj hekur e mburrojë,
Edhe shtatn' e tij shigjeta,
U këput, pa, si sgërbonjë,
Vdekja e mbuloj e shkreta;
Jahjaj mori shumë frikë
Dhe s'e priti Skënderbejnë.
Skënderbeu tha: "Mos ikë,
Se trimat shpinë s'rrëfejnë."
U derth me kordhë në dorë,
Si dragoj i ashpëruar,
E kohë persit të gjorë
Nuk' i la për të mërguar.
Me shumë tmerr e pa shpresë,
Skënderbeut ju këthye,
Hoqi kordhënë ta presë,
Jahja trimi u gënjye!
Posi dragonjtë u zunë,
Me kordhatë të këqija,
Njëri më tjatërin shtunë,
Po s'i vrau Perëndija!
Luanin shpatat e prehta,
Ndrininë e vetëtinin
Nd'erë si pëndë të lehta,
Njëra-tjatrënë godinin,
Pa kur e panë Jahjanë
Gjithë bota, q'ishin mbledhur,
Të shtriturë posi kanë,
Mbyturë në gjak e verdhur,
Kokën' e trupin' i kish çarë
Me një shpatë q'i kish hequr,
Dhe më dy e kishte ndarë,
E pa ndjerë kishte vdekur!
I kish rën' e shkreta shpatë,
Përnjëherë si rrufeja,
Ja bëri ditënë natë,
Gjaku i vij si rrëkeja;
I venitur' ishte nderë,
Ishte pa frym' e i qetë,
Me të vdekurit përzjerë
Ish i mjeri n'atë jetë.
Gjithë bota u çudinë
Me fuqit të Skënderbeut;
S'ja kish njeri trimërinë,
S'kish shok mbi faqet të dheut;
Nderi edhe dashurija
Nga gjithë bota i shtohej,
Papo gjithë njerëzia
Për atë trim përgjërohej;
Dhe vetë sulltan Murati
E donte keq Skëndrbenë,
Më shumë dhe nga i ati
E më teprë se Mehmenë
Skënder' e math prap' e ngjalli
Zot'i math e i vërtetë,
Muratnë shpresa e talli
Pandaj e lartësoj vetë
Ngaha vënt' i Perëndisë
Skënder' i math prapë dolli
E i dha nder Shqipërisë,
Se ajo sërish e polli.
Skënderbe'u bë i parë
Mi ushtërit të Turqisë,
Mi mijëra ushtëtarë
Kryeprins' i Shqipërisë.
U hoth të parënë herë
Nd'Azi ng'Adrinopoja,
Se ishte vend i përzjerë,
Pa atje e doj nevoja;
Si u hodhë përtej denë,
Skënderbegu me të dalë,
Mbloth ushtëtarët, që qenë
Rreth, e u tha këto fjalë:
"O vëllezrë ushtëtarë,
Q'u nistë bashkë me mua,
Unë punë të pambarë,
E të papëlqyer s'dua!
Duhet të jini të mirë
E të kini trimërinë,
Të mos bëhi egërsirë,
Po të mbani njerëzinë
Jo të merrni, të rrëmbeni,
Të shani e të godini,
Të rripni e të gënjeni,
Po faqebardhë të jini;
Grat' e foshnjat t'i mburroni,
Dhe pleqet t'u bëni nderë,
Të falurit t'i lëshoni,
Mos i përdorni si berrë
Trimi e çëmon njerinë,
E sheh si vet'hen' e tija,
S'do të likn' e ligësinë.
Punënë mir' e mejtoni,
E ndonjë të mos gënjehet,
Se pastaj më turpëroni,
Po kush do, që sot të kthehet;
Njeri s'duhetë të qahet
Nga shokët e mij ndë jetë
Dhe asnjë mënt të mos mbahet
Për të keq e për të metë
Dua të kini dëshirë
Për të drejt' e të vërtetë,
Për të mbar' e për të mirë,
Gjithënjë në këtë jetë
Luftëtarët t'i lëftoni,
Në luftë do t'i godini,
Po pastaj mirë vështroni,
Njerës të urtë të jini;
Unë dua trimërinë,
Dhe i falem burrërisë,
Po dua dhe njerëzinë,
Që ësht' udh' e Perëndisë
U kam vëllezër' e shokë
E miq me gjithë dëshirë,
Edhe mbi sy e mbi kokë,
Kur t'u shoh n'udhët të mirë
N'u pafsha në prapësirët,
Në dëm e në të këqija,
Në të lig' e të pështirët,
S'shpëtoni duarvet t'mija."
Unjnë kokën' ushtëtarët
E Skënderbegut ju falë,
Vegjëlija dhe të parët
I dhanë besë dhe fjalë
E shtroi kaq mirë Azinë,
Sa gjësendi s'pëpërinte,
Ngriti dëmn' e kusërinë,
Qëngji me ujkunë flinte;
U bë mbret'i gjith' Azisë,
Çdo pun' e vuri ndë udhë,
Doj udhën' e Perëndisë
Njeri s'mir asnjë kërpudhë,
S'bëri një gjë të përhirë,
Një punë të papëlqyer,
Botën' e linte të lirë,
Kurrë zëmrë s'kishte thyer;
Kish udhën' e njerëzisë,
Pa njerëzit gjith' e donin,
E tërë bot' e Azisë
Atë me gisht e tregonin.
Mënt shum' e urtësi kishte
Dhe të çquara vetija,
Ëngjëll' i qiellit ishte
Dërguar nga Perëndija;
Në zëmrë kish mirësitë
E ndë mëndje diturinë,
Në shpirt kish të madhe dritë,
Kish të bën' me Perëndinë
Ishte së gjithash i zoti,
Si shqipëtarët' e parë,
Si Pirroja q'ish qëmoti
E të tjerë kordhëtarë
Dinte mirë të lëftonte,
Edhe kishte fuqi shumë,
Dhe zëmëra i punonte,
Trimërija s'i kish gjumë.
Kur mirrte kordhën në dorë,
Edhe delte të lëftonte,
Ish si dashi me kurorë,
Njeri kundrejt s'i qëndronte.
Kishte në mënt urtësinë,
Që çdo pun' e çquan mirë,
Mirësin' e ligësinë
S'i përzjen t'i bënjë kllirë,
Ish burr' i gjall' e i gjatë,
E në shpatullat i gjerë,
S'ish i ligur' e i thatë,
Po ish si lulja në verë.
Ish i bardh' e faqezjarrtë,
S'kish gjësendi të pështirë,
Ish i florinjt' e i artë,
Edhe i leht' e shtatmirë.
Ishte mbret i bukurisë,
Si dielli epte dritë,
Kish hijen' e Perëndisë,
Natënë e bënte ditë.
Fytyrën' e kish të mirë,
Zënë t'ëmbëlë si mjaltë,
Zëmërnë plot mëshirë,
Vetëdijënë të naltë.
Kish të gjitha mirësitë
Dhe të tërë urtësinë,
Njerëzin' e dituritë
Dhe fuqin' e trimërinë.
Armëtë e ati zoti
Burra të fortë t'i zinin,
Katrë a pesë qëmoti,
Nga vëndi dot nuk' e ngrinin!
Lufta posa zij të ndizej,
Ajy s'duronte aspakë,
I hipën kalit e hidhej
Përmbi armikët si flakë
Edhe nuk mirrte të tjerë,
Të shumët në vënt i linte,
Vetëm dyzet jeniçerë,
Edhe si rrufeja binte.
Kali më fort hingëllinte
Dhe hidhej si vetëtima,
Asgjësendi s'doj të dinte,
Si rrufeja bij mi trima;
Posi shqipja fluturonte
Edhe ngrihej drejt përpjetë,
Nga goja shkumbë lëshonte,
Thoshnje do të pijë retë.
Skënderbegu kordhëzhveshur,
Lëshohej posi fajkua,
Me fytyrëzë të qeshur,
I bukurë si pallua;
Ish në luftë shum' i pjekur,
Nukë frikësohej kurrë,
Ishte i veshur ndë hekur
Edhe trim i fort' e burrë.
S'u munt kurrë Skënderbeu,
Që lëftonte nat' e ditë
Njeri udhënë s'ja preu
As me luftë, as me mitë.
Turqisë i ndihu fati,
Skënderbegu e zgjeronte,
Dhe në front prehej Murati,
Burri trim për të lëftonte.
Mundi Europ' e Azinë,
Si Skënder' i Math njëherë,
E madhoj shumë Turqinë,
Bëri Mbretëri të gjerë.
Trimëri e Shqipërisë,
Skënderbe' burr'i vërtetë,
I hodhi themel Turqisë,
Fat i zi, o fat i shkretë!
Gjithë bota Skënderbenë
E dëgjoj edh'e zij ngoje,
Emër'i tij mori dhenë,
E gjithë dridheshin soje.
Edhe në Adrinopojë
Sulltan e të tjerë ç'qenë,
Më s'kishin tjatrë në gojë,
Po gjithënjë Skënderbenë.






Popular

BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR

BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR
BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR - GJITHASHTU DHE RIPAROJME