Shkëndijë e Diellit ndaj Manushaqes - poezi Naim Frasheri




Manushaqe bukuroshe, 
Pse s'ngre kryete përpjetë,
Po rri e mpit' edh' e qetë,
Pse s'zbukuroh e s'shëndoshe?

Pa shiko lulet' e tjera,
Q'u çel' e u lulëzuan,
Shih, pa shih ç'u zbukuruan,
I ngjalli përsëri vera.


O lulez' e Perëndisë,
Që të mbolli vetë Zoti,
Zgjohu tani q'u ngroh moti,
Erdhi koh' e gjallësisë ;

Se dheu anembanë mbleroi,
E të vdekurit' u ngrinë,
Gjithë ç'jan' u përsërinë,
Zoti nga gjum' i rënd' i zgjoi.

Më dërgoi dhe tek ti Zoti,
Që të t'ap jetëz' e ditë,
Të të bije shpirt e dritë,
E të bëhesh si qëmoti.

Prej qiellit bukurinë
Edhe nga parajsa ere
Të kam prurë këtë herë,
Po hape, pa hape gjinë.

Hap syt' e qesh dhe gëzohu,
Se gaz të math të kam prurë,
Mos më rri si e sëmurë,
Po çelu e zbukurohu.

Shpendëra, hithëra, ferra
përsipër të kanë rënë,
Dritënë t'a kanë zënë
Me fletë shumë të gjera;

Të kanë kallurë gjemba,
Që të çpojn' e të lëndojnë
Edhe gjaknë t'a helmojnë,
Që të lëvrin nëpër rremba.

Dhe ca nga fletet' e tua
Me të huaja përzjerë,
Secila do të të bjerë
Dëmn' e vdekjenë pothua.

Oh! fletëtë që i rrite,
Duke nxjerrë nga gjiri yt,
T'u bënë si halë në syt
Pa m'u fishk' e m 'u drobite!

Dimër' t math me dëborë,
Me të ftoh t' e me të ngritë
E m'e gjithë ligësitë,
Të la të mjer' e të gjorë;

Ah, ta zbriti bukurinë
Dhe gjellimn' e gjithë ç'kishe,
Vdiqe, u trete, u prishe,
Të thatë të shoh taninë!

Po mos u tremp, beëhu trime
Edhe ki durim e shpresë,'
E pa silli Zotit besë,
Dhe kësaj fjalësë sime.

Dheu ishte një her' i shkretë,
Gjë të gjallë nukë kishte,
Dhe fare i rjepur ishte
Pa fill bar e pa një fletë!

Ndaj soje gjë s'piperrinte,
Po brenda në atë brumë
Ishte një shpirt i math shumë,
Që prit kohë të buçinte.

Nga ay shpirt i pa anë
Gjërëra pa funt u ngrinë,
Që edhe sot ven' e vinë,
Edhe të sosurë s'kanë.

Kush pandeh' të dil nga dheu
Gjithë ky rrëmet q'është sot,
Oh!preveç se i madhi Zot,
Që me dorët të ti e kreu.

Ay, i qofshimë falë
I dha shpesit fluturimnë,
Njeriut mendjen e mejtimnë,
Edhe njerëzi e fjalë.

Tani më kanë dërguar
Nga fron i lart' i Perëndisë,
Si engjëllin e Marisë
Me frymë të shenjtëruar .

Më s'më mba as gjemp as fletë,
Se kam ardhur me shume mall,
Ndë gjithit tënt dua të ngjall
Zotn' e math e të vërtetë.


Popular

BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR

BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR
BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR - GJITHASHTU DHE RIPAROJME