PARAILIRËT
Fillimi i formimit të bashkësive popullsive me tipare të përbashkëta etnike është një proçes evolutiv, i gjatë e i ndërlikuar, që i takon epokës së neolitit (gurit të ri ) dhe epokës së eneolitit (bakrit). Si shtrirje kohore këto epoka kapin periudhën midis mijëvjeçarit të shtatë dhe mijëvjeçarit të katërt p.e.sonë. Në këto dy epoka ndodhën ndryshime të mëdha, thelbësore, pa njohjen e të cilave nuk mund të kuptojmë se këtu zuri fill
proçesi i formimit të popujve dhe të gjuhëve në Gadishullin Ballkanik. Dhe për të kuptuar këto ndryshime cilësore të vetmet burime janë dëshmitë arkeologjike, që vijnë nga gjithë territori i Evropës Juglindore, përfshirë edhe Egjeun e Anatolinë (Brigjet perëndimore të Turqisë). Prandaj është e domosdoshme të njihemi me këto zbulime.
Të shumta janë këto të dhëna edhe nga territori i Shqipërisë dhe trojeve shqiptare. Me kërkimet intensive të 50 viteve të fundit, të bëra për kulturat e kohës së neolitit dhe të bakrit, është arritur të njihen kulturat kryesore përfaqësuese, karakteristikat e tyre, niveli dhe veçantitë e zhvillimit nga një periudhë në tjetrën. Neoliti i hershëm në Shqipëri përfaqësohet nga kultura e Vlushës (Skrapar), e Podgories (Korçë), e Kolshit (Kukës); neoliti i mesëm nga kultura e Dunavecit (Korçë) e Cakranit (Fier ) dhe Blazit (Mat), kurse e neolitit të vonë përfaqësohet nga kultura e Maliqit I, Barçit I (Korçë) dhe Kamnikut (Kolonjë). (Prendi, F. 1976, 21-99; Korkuti, M. 1995, 11-261). Këto janë kulturat më përfaqësuese neolitike të vendit tonë, të cilat dëshmojnë për një banim të dendur (për kohën) dhe me shtrirje gjeografike që mbulon gati gjithë territorin. Duke filluar nga kultura më e hershme e Vlushës (mijëvjeçari i shtatë p.e.sonë) e deri tek ajo e Maliqit I, ka një vazhdimësi banimi që dëshmon për një jetë sedentare, që u kushtëzua nga lindja dhe zhvillimi i bujqësisë e i blegtorisë, dy degë bazë të ekonomisë dhe të ndërvarura nga njera-tjetra që në lindjen e tyre. Në disa vendbanime (Podgorie, Dunavec, Maliq, Cakran, etj) mori pëparësi bujqësia, e cila bëri të mundur krijimin e rezervave të produkteve bazë për jetesë, e për rrjedhojë, ndodhën ndryshime të ndjeshme në jetën shoqërore. Ishte kjo arsyeja, që këto aspekte të reja të epokës neolitike dhe eneolitike disa studiues i kanë cilësuar si “revolucioni bujqësor”.
Vazhdimësia e jetës dhe kulturave gjen shprehjen e vet para së gjithash në teknologjinë e përgatitjes së enëve prej balte, si edhe në shtimin e madh të veglave të punës prej stralli, guri e kocke dhe mbi të gjitha në përsosjen e teknikës së punimit të tyre, të provuara këto në koleksionet e pasura të veglave të punës dhe të morisë së enëve prej balte, të gjetura në Podgorie, Dunavec, Maliq etj.
Tipar i ri i rëndësishëm i kësaj epoke ishte lindja e marrëdhënieve të këmbimit, jo vetëm midis bashkësive fqinje, por edhe midis bashkësive të largëta, gjë që provohet nga objekte importi me prejardhje të mirëfilltë nga kultura e Thesalisë (Greqi), të gjetura këto në Dunavec e Cakran (Korkuti, M. Andrea, Zh. 1974). Këto këmbime, sado fillestare që ishin, dëshmojnë se kulturat tona neolitike nuk kanë qenë të mbyllura, të izoluara, por kanë dhënë e marrë me njera tjetrën. Dhe e kundërta, në një nga kryeqendrat e kulturave neolitike të Thesalisë, në akropolin e Diminit janë gjetur enë të importuara nga kultura e Dunavecit.(Korkuti,M. 1995,127)
Për kulturat neolitike të Shqipërisë janë për t’u përmendur edhe ndërtimet e banesave me skelet prej druri, me mure gardhi, të lyer me baltë. Por ndërtimet më të vështira ishin kasollet prej druri, të ngritura mbi ujë, siç është rasti i vendbanimit palafit (mbi hunj) i Dunavecit, i cili sot për sot është më i hershmi në Ballkan (mesi i mijëvjeçarit të pestë p.e.sonë. Sipas analizave laboratorike të karbonit(C14) ky vendbanim datohet në vitin 4800 p.e.sonë.
Të gjitha këto përparime të shkallë shkallëshme të kulturave neolitike përbënin thelbin e një fillese të re epokale, ndaj në kuptimin e gjërë kjo kohë historike është quajtur edhe epoka e qytetërimit neolitik. Ky qytetërim njohu shkallë të tjera më të larta progresi gjatë epokës së bakrit, kulturë e cila është dëshmuar gjerësisht nga dhjetra vendbanime me shtrirje në gjithë trevën e Shqipërisë si: Maliqi II, Treni, Burimasi (Korçë), Kamniku II, Gradeci (Dibër), Bënja (Përmet), Konispoli, Katundasi (Berat), Neziri (Mat), Gajtan (Shkodër), Dajç (Kukës) etj.
Kultura eneolitike e vendit tonë, vazhduese e drejtpërdrejtë e kulturës neolitike, në të njëjtën kohë ishte vazhduese e qytetërimit neolitik në të gjitha anët. Bujqësia e blegtoria u zhvilluan më tej. Koleksionet e pasura të veglave të punës e sasitë e konsiderueshme të grurit të karbonizuar, të gjetura në Maliqin eneolitik, janë dëshmitë më të mira të një bujqësie të përparuar për kohën; kurse për rolin e blegtorisë dëshmojnë kockat e shumta të bagëtive të imta e të trasha të gjetura në këto qendra. Për përparimet nga pikpamja teknologjike, dëshmon qeramika, e cila njohu kulme të reja progresi si nga format, zbukurimet, pjekja, deri tek realizimet e prodhimeve artistike.
Tërësia e progresit në degët e ndryshme të ekonomisë çoi edhe në një arritje tjetër të madhe, në shkrirjen dhe përpunimin e metalit të parë, të bakrit, i cili i dha emrin edhe epokës. Nxjerrja dhe përpunimi i këtij metali të ri ishin proçese të ndërlikuara për atë kohë, që kërkonin pajisje e mjete të veçanta, sepse teknologjia e punimit e shkrirjes dhe e derdhjes në kallëpe ishte punë shumë e specializuar. (Prendi,F.1966,13; Korkuti,M. 1985,54). Edhe më të rëndësishme ishin rrjedhimet që solli përdorimi i veglave prej bakri, sidomos në zgjerimin e sipërfaqeve të punuara dhe në ndërtimin e banesave. Teknologjia e nxjerrjes, e përpunimit të bakrit si dhe përgatitja e veglave të punës me metalin e ri, sollën ndryshime në marrëdhëniet brenda bashkësisë, duke nxjerrë në plan të parë rolin e burrit, çka pati si rrjedhojë fillimet e një shoqërie të re fisnore, të patriarkatit (Historia e Popullit Shqiptar, 2002,29).
Kultura eneolitike në trojet shqiptare u zhvillua në lidhje dhe marrëdhënie të ngushta me kulturat bashkëkohëse e në radhë të parë me kulturat fqinje. Lidhjet tradicionale të kulturave neolitike të pellgut të Korçës me kulturat e Pelagonisë (Maqedoni) dhe të Maqedonisë Perëndimore, të Greqisë, me Thesalinë, nëpërmjet luginës së lumit të Haliakmonit, të lidhjeve me kulturat e pellgut të Moravës së Jugut në verilindje, si edhe lidhjet e kulturave të Kukësit e të Kosovës me Ballkanin Qendror, gjatë epokës së eneolitit u shpeshtuan e u bënë më të qëndrueshme. Edhe lidhjet midis kulturave të Adriatikut të Mesëm e të Jugut me prapatokat e tyre u zhvilluan më tej.
Për të kuptuar qartë proçeset etnokulturore, që u zhvilluan gjatë epokës së bakrit, nuk mund të lëmë pa nxjerrë në pah lidhjet kulturore me treva më të gjëra të Ballkanit Jugor, të Egjeut dhe të Anatolisë. Lëvizjet graduale të popullsive neolitike dhe eneolitike, në kërkim të tokave bujqësore e të kulturave të reja, ishin faktor veprues në vendosjen dhe mbajtjen e këtyre lidhjeve, të cilat u kushtëzuan edhe nga faktorët gjeografikë.
Nuk është vendi të rreshtojmë hollësira të dëshmive arkeologjike që provojnë çka pohuam më lart. Përhapja e teknologjisë së njëjtë në tërë treguesit kulturorë, si në vegla pune dhe qeramikë, si edhe objektet e njëjta në paraqitjen e kulteve, në një territor të gjërë, nuk mund të ishte veçse rezultat i fuqizimit të lidhjeve dhe këmbimeve, të cilat në thelb ishin rrjedhojë e zhvillimit të përgjithshëm, e përafërsisht të njëjtë, kulturor të banorëve të territorit të Ballkanit të Jugut në epokën e bakrit. Këtë pamje të zhvillimit të kësaj treve arkeologët e kanë shprehur me emërtimin “Kompleksi kulturor ballkano-egjean i kohës eneolitike”, pra është fjala për një tërësi kulturash me elemente të përbashkëta (Prendi,F. 1976,38; Korkuti,M. 1985,53).
Duke përmbledhur këtë paraqitje për epokën e bakrit kemi arritur në përfundimin se, në kushtet e zhvillimit të pandërprerë e të stabilitetit të gjatë ekonomik, të shkallës së përparuar të zhvillimit në të cilin arriti qytetërimi eneolitik, krahas formimit të bashkësive të gjëra kulturore e kultike, u bë edhe hapi i parë drejt formimit të një bashkësie të madhe etnike e gjuhësore (Korkuti,M. 1985,55).
Rreth përkatësisë etnike të banorëve eneolitikë
A mund të flitet për përkatësi etnike në një kohë të tejlashtë si epoka e bakrit dhe në se po, mbi ç’bazë? Kur guxojmë të flasim për etni në fillesat e saj duhet ta veçojmë e ta dallojmë atë nga etnitë në epokën historike, të cilat karakterizohen nga tipare të tjera themelore;
dhe problemet që kërkojnë përgjigje janë të shumta dhe të ndërvarura nga përfundimet e studimeve ndërdisiplinore. Në trinomin e problemeve parailire-ilire-arbër, problemi i parë mbetet më i vështiri,
sepse të dhënat gjuhësore e antropologjike janë të pamjaftueshme. Fjala e arkeologjisë, si rrjedhim, ka një peshë të veçantë meqënëse për këtë periudhë të hershme koncepti kulturë, në kuptimin arkeologjik, në vija të përgjithëshme, është i njëjtë me kategorinë etnos*. Kjo përbën edhe bazën mbi të cilën mbështetet argumentimi i pikpamjes sonë për fillimet e formimit të etnosit prandaj do të ndalemi në kuptimin dhe vlerën që kanë burimet arkeologjike për epokën prehistorike.
Më shkoqur problemi shtrohet në këtë mënyrë: në ç’raporte qëndronte kultura me etnosin në epokën prehistorike, a ka përputhje midis tyre dhe në rast se ka, në çfarë shkalle është kjo?
Ja disa mendime të studjuesve të ndryshëm për këtë çështje .
- Kultura dhe etnosi nuk përputhen gjithmonë. Po në shumicën e rasteve kultura përputhet me etnosin.
Qeramika dhe zakonet fetare (kulti) janë elemente që tek popujt primitiv u janë nënshtruar më pak ndikimeve dhe se qëndrueshmëria e këtyre elementeve provon vazhdimësinë etnike tek grupet prehistorike.
Fiset me kulturë të njëjtë ose të ngjashme mund të flasin gjuhë të ndryshme.
Do të ishte vështirë të pretendohej se vetëm gjuha paraqet tiparin etnik të një grupi.
Kur flasin për marrëdhëniet midis kulturës dhe etnosit duhet të kemi parasysh lidhjet midis gjuhës e kulturës, mbasi dihet se gjuha është një nga tiparet që përcakton karakterin etnik. Por ky nuk është
tipar i vetëm, e aq më tepër për epokën pre e protohistorike, ku ka edhe një varg tiparesh të tjera të rëndësishme, të cilat në tërësinë e tyre formojnë historinë etno-kulturore të një popullsie. Prandaj historinë e gjuhës nuk mund ta barazojmë me historinë etnike e aq më pak, në tërësi, me historinë e një popullsie që e flet, e cila ka një përmbajtje shumë më të gjërë e më të plotë.
Në epokën neolitike dhe në atë të bronzit ndodhte shpesh që një fis asimilonte, në pikpamje gjuhësore, një fis tjetër; po në të njëjtën kohë është bërë edhe asimilimi kulturor, madje ky i fundit ca më herët. Kështu nuk mund të ndodhte që një fis ose një grupim fisesh të ndryshonin gjuhën, nëpërmjet asimilimit dhe në të njëjtën kohë të ruanin kulturën e mëparshme materiale, sepse bashkë me asimilimin gjuhësor ndryshonte edhe kultura e tyre materiale. Pra, asimilimi kulturor dhe ai gjuhësor, ishin dy nga shfaqiet më të rëndësishme të proçesit etnik, të ndërvarura nga njëra-tjetra, të cilat gjatë epokës së neolitit e të bronzit janë zhvilluar krahas dhe kanë patur gjatë rrugës së tyre të zhvillimit një përputhje gati të plotë. Ja sepse nëpërmjet njohjes dhe studimit të njërit aspekt mund të nxirren përfundime edhe për aspektin tjetër.
Gërmimet arkeologjike sistematike kanë dhënë mundësi të gjëra për studimin në kompleks të një kulture arkeologjike të një rajoni të caktuar. Kur ajo kulturë është e njëjtë me një tjetër, që shprehet në format e ekonomisë, në arkitekturën e banesës dhe ajo që ka më shumë rëndësi, në kulturën materiale (në vegla pune, armë, qeramikë, stoli, objekte, etj.), apo ka të njëjtat kulte e të njëjtin rit varrimi, atëhere shihet se ka elemente të tilla kulturore e shpirtërore, të cilat shprehin drejtpërsëdrejti tiparet e përbashkëta etnike. Kështu, me mjaft përafërsi mund të vendoset shenja e barazisë midis dy kulturave edhe në pikëpamje etnike. Si rrjedhim i një bashkësie të gjatë kulturore e etnike duhet pranuar se ka patur edhe një bashkësi gjuhe, në atë masë e në atë formë që mund të ishte ajo në epokën prehistorike.
Si përfundim, ne jemi të mendimit se në epokën e eneolitit dhe atë të bronzit shkalla e përputhjes midis kulturës dhe etnosit është gati e plotë, se një grup kulturor i njëjtë nënkupton edhe një grup etnik të njëjtë. Janë këto arsyet që burimet arkeologjike, për periudhën para burimeve të shkruara, marrin më tepër rëndësi sesa burimet e fushave të tjera në përcaktimin etnik të popullsisë. Prandaj arkeologjia mbetet një nga fushat kryesore që hedh dritë mbi etnogjenezën e parailirëve e të ilirëve. Më hollësisht këto çështje janë parashtruar në artikullin, “Probleme etnokulturore të epokës së eneolitit”