Histori e Skënderbeut (pjesa e pestë)

Histori e Skënderbeut (pjesa e pestë)

U ngrit fat' i Shqipërisë
Si i vdekuri nga varri,
Mori udhën' e Asisë,
Duke ikur si i marri,

Me një rrobëzë të çqyer,
Me fytyrë të tmerruar
Dhe me gjak lyer e ngjyer
E me sy të zgurdulluar;
Posi hije mori dhenë,
Duke ecur me vrap shumë,
Papo u hodh përtej denë
Si ajy q'ikën në gjumë.
U shëmbëllye me Gjonë,
Mori fytyrën e tija,
Shtanë dhe zën' e zakonë
Edhe u derth nga Syria.
Plaku me shkop duke shkuar,
Posi nata mori dhenë,
Pa vëndethit e uruar
Dh'erth e gjeti Skënderbenë
Pa iu qas edh'e fërkojti
Me mall shum' i mjeri atë,
Në mest të tendës qëndrojti,
I zi sterrë posi natë!
I ligur, i dobëtuar,
I grisur, i çkatërryer,
I shkretë, i varfëruar,
I qar' e i mallëngjyer!
Ish i venitur, i vdekur,
I rrithte si lumë gjaku,
Ishte përgjynjur' e tretur
Dhe dridhej i tërë plaku!
Si ajy lipës' i gjorë
Që ka mbeturë pa bukë,
Rri ndë shi e në dëborë,
Ngjeshur i mjeri me zhukë!
Ahere kur fryn e bije,
Jeta është gjith' e qetë,
Reja dëborënë shtije
Mbi dhet të ftoht' e të shkretë!
Ajo plakëz' e sëmurë,
Kur i vjen e zeza natë,
Pandeh që s'gdhihetë kurrë,
Aq i duketë e gjatë!
Po kur kthehet sërish vera,
Që vjen me lul'e me fletë,
Dhe me të mira të tjera,
Bënetë tjatërë jetë,
Dita sa vjen madhësohet,
E vë posht ahere natën,
Pa tretet e dobëtohet,
Ngjan me plakë brengëgjatën.
Bujku zë e lëron arën,
Duke parë mirë motnë,
Heth mir' e bukurë farën,
Pa shpresën' e ka më Zotnë
S'i mallëkon kurrë qetë,
Se ësht' e madhe mëkatë,
Nuk' e do Zot'i vërtetë,
Pa i quan mëm' e atë.
Këthehetë prapë moti,
Po çdo kohë ka një shijë,
Ashtu e ka bërë Zoti,
Q'i vu të gjitha më vijë.
Vinë, venë, sërish vinë
Të gjitha ç'janë në jetë,
Pa vëre re njerëzinë,
Ta njohç fjalën' e vërtetë.
Qysh bije në vjeshtë shiu,
Lumi qysh i vete detit,
Ashtu të thotë njeriu
I derdheshin lotët mbretit!
Posi rrëkeja i vinin
Dhe i mirrin krahërorë,
Nga mjekër' e bardh' i binin,
Që e kishte si dëborë!
"Fle? i tha, o jetëgjatë!
Nuk' e di se ç'është bërë,
Ç'e gjet të zinë tët atë
E Shqipërinë të tërë?
T'u shua fare shtëpia
Nga turqit' e mallëkuar,
Hyri ndë kurth Shqipëria,
Është shuar' e shkretuar!
Turqitë si egërsira,
Armikët' e njerëzisë,
Me mënyra të pështira,
Me dhelpërit të Azisë.
E muarrë Shqipërinë
Dhe shkoj e vate lirija!
Prunë dëmn' e babëzinë!
Po mbretëron ligësija.
Vëndet' e shumë i zunë,
I prishnë duke shkretuar,
Në zgjedhë të keq'e vunë
Shqipëtar' e varfëruar.
Ç'hoqi Shqipëriz' e gjorë,
Vashatë gjith' u përmblodhë,
Për të mos rënë në dorë,
Nga shkëmbi përposh u hodhë.
Tët vëllezërë të tërë
Egërsiratë i vranë,
S'tregonetë ç'kanë bërë,
Gjë të gjallë nukë lanë!
Fle ti, shpres' e Shqipërisë?
Mëmëdheu të ka shpresë,
T'i përzësh mbren' e Turqisë,
Që ia ka me të pabesë.
Ti përpiqesh si i marrë!
Jakë në mënt e mos vuaj,
Murati po të bën varrë,
Armiknë tënt mos e duaj!
Ati që të shoi shtëpinë
Dhe bëri rop shqipëtarë
E të shkretoi Shqipërinë,
Duke ndar' e duke vrarë,
Armikut të Shqipërisë
I bën të mirë në jetë?
Errësirës' së Asisë
Që të la kërcu të shkretë!
Apo rreh të març Asinë,
Si Skënder' i Math njëherë,
Të ngrehsh këtu mbretërinë,
Pa ta lësh nëpër të tjerë?
Ish i math me të vërtetë,
Mbi të gjithë mbretërojti,
Po pastaj fron' e la shkretë,
Mëmëdheu gjë s'fitojti.
Pirroja lëftoi Greqinë,
Edhe Romën' e të tjera,
N'Afrikë Evgjitërinë,
Sindëkur ja pruri hera,
I dhan' emrë Shqipërisë,
Po veç emërin i lanë,
T'ish urdhër i Perëndisë,
Ishin ndryshe vëndet tanë.
Burratë, që pinin retë,
Botënë në dor' e vinin,
Muntnin një themel përjetë
Vëndit të tyre t'i shtinin.
Ty ta la rradhënë moti,
Që ta nderonç Shqipërinë,
Fuqi më të dhëntë Zoti,
E bëfsh gjithë mbarësinë!
Të gjithë humburë venë,
Veç një munt emrë të lerë,
Që lëfton për mëmëdhenë,
S'mundohetë për të tjerë,
Mëmëdheu të ka shpresë
Që ta nxjerç prej robërie,
Nënë zgjedhë të mos mbesë,
T'i apç dritë si ka hije.
Qysh munt të lësh Shqipërinë
Në kurth e në të këqija
E të vuanç për Turqinë?
Ç'të mirë pe nga Turqia?
S'të vjen keq për shqipëtarët
E për Shqipërin' e mjerë
E s'të merr, biro, të qarët,
Që humbi lirin' e nderë?
Robërin' e Shqipërisë
Edhe gjëmën' e tyt eti
Dhe mynxyrën' e shtëpisë
Qysh munt ta shohç, që të gjeti?
Gjakn' e gjithë Shqipërisë
Tani ti je nënë barrë
T'ia nxjerrç nga hundët Turqisë,
Veç teje s'ka kush ta marrë.
Do të lësh në këtë jetë
Nj'emrë shumë të uruar
E një dritë të vërtetë,
Q'ajo kurrë s'ka të shuar.
A më sheh ti mua plaknë?
Të qenkësha si ti djalë,
Muratit i pinja gjaknë,
Sot s'gënjehesha me fjalë,
Të shoh vëllezërit vrarë,
Shtëpinë time të shuar,
Shqipërin' e shqipëtarë
Të lidhurë këmb' e duar!"
Kështu tha, dhe posi era
Iku duke qar' i gjori
E dolli me vrap nga dera,
Ajy qënëke Mënttori!
Skënderbeu u tmerrua,
Dhe zëmëra q'e kish trime,
Ju doq e ju përvëlua,
Ju bë cop' edhe thërrime.
Me tmerr e me breng' u zgjua,
Burr' i math e trim i mirë,
Dhe ndënj pak' e u mejtua,
Kur sheh që posa ish ngdhirë
Qiellin' e kishin zënë
E gjithë qarkunë retë,
Dukej sikur kishte rënë
Një zi e madhe ndë jetë.
Derën' e tëndës' e hapnë,
Një kalorës po thërriste,
Kali kishte marrë vrapnë,
Ajy, sa mundte, bërtiste.
Vinte nga kryeqyteti,
Nga Adrinopoj' e shkretë,
Sillte kartënë nga mbreti,
Që s'kish fjalë të vërtetë.
Skënderbeu e këndojti,
E mori vesh pabesinë
Dhe një shërbëtor dërgojti
E thirri vetë njerinë
I tha: "Kartë pse s'më prure
Nga im at', apo s'të dhanë?"
At'i ra të zi pej ure
Posa i zu ngoje t'anë,
Po e mblodhi, s'u rrëfye,
Tha "Vetëm këtë më dhanë"
Edhe fytyra ju kthye,
Djersë të ftohta i ranë.
I tha: "Po nga Shqipërija
Nonjë fjalë s'ke dëgjuar?"
Ajy mbloth supat e tija,
Dhe vu dorën në krahëruar.
Skënderbeu tha: "Ç'më thua?
Tim vëllezrë s'i ke parë
Dhe s'të thanë gjë për mua?
Këjo punë s'ësht' e mbarë."
Ajy me gjuhët të trashë
Tha: "S'i njoh, t'u ngjattë jeta!
E s'të them dot se i pashë,
Se s'fshihetë e vërteta."
Trimi më tej nuk' e shpuri,
Po qëndroj e u mejtua,
Ëngjëlli ndër mënt ja pruri
Dhe lott' i vanë si krua.
Më s'ndenj, po që atë ditë
Mblodhi pleqt' e parësinë
Urdhëroj, bënë gatitë,
Të parë la një të tinë.
E dëgjuan ushtëtarët
Që ikënte Skënderbeu,
Pa gjith' i mori të qarët,
Thanë "Të na pikë dheu!"
Më nesëret gjith' u ngrinë,
Edhe pleqt' e parësija
Skënderbeut po i vinë
Brënda në tëndët të tija.
Ajy ish ngritur pa ngdhirë,
Kishte zën' e po mejtohej,
Punëtë s'i gjeti mirë,
Pa zëmëra i përvëlohej.
Kur ata në der' u dhanë
Të vrënjtur e të helmuar,
Të gjithë afër i vanë
Me fytyrë të tmerruar!
Popo, ish bërë zapati!
Mynxyr' e madhe kish ngjarë,
S'kish mbetur njeri nga ç'pati,
Ç'gjë t'i thoshinë më parë!
Për vëllezër' a për mëmë,
Për t'an' a për Shqipërinë,
Nuk' ishte një e dy gjëmë,
I kishin mbyllur shtëpinë!
Desh t'i thosh atë Sandushi
Nga gjithë ç'qenë më parë,
Po sytë me lot i mbushi
Edhe u mbyt duke qarë.
Skënderbeu: "Pse s'më thoni?"
U tha, "Shokë! Ç'është bërë?
Të gjitha të m'i tregoni!
Mos bëhi si gra të tërë!"
Pastaj të tëra ja thanë
Me vaj e me mallëngjime,
Mijëra rrufe i ranë
Në atë zëmërën trime!
Të gjithë shokëtë qanin
E më shumë shqipëtarët,
Ngashërimënë s'e mbanin,
Nuk' e prisnin dot të qarët.
Skënderbeu ish mahnitur,
I dridhej buza dhe qante,
Rrufet' e kishin goditur,
Lottë më s'mundte t'i mbante.
Ajo zëmër' aqë trime,
Që s'doj të dij nga shigjeta,
Nga të tilla hidhërime
U munt far'e ju nxi jeta.
Kish shpresë të vij një herë,
E t'i gjen si i kish lënë.
Popo, njeriu i mjerë!

S'kemi gjë në do

Popular

BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR

BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR
BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR - GJITHASHTU DHE RIPAROJME