Gjithë botënë romanët
E vunë poshtë, veç tanët
U pren' udhën' e s'i lanë,
Pa shumë lufëtra ngjanë.
U mbyt në gjak Shqipëria,
Po rop s'u bë njerëzia,
Nuk' u bë rop shqipëtari,
Po qëndroi si ish së pari!
U pren' udhën' e s'i lanë,
Pa shumë lufëtra ngjanë.
U mbyt në gjak Shqipëria,
Po rop s'u bë njerëzia,
Nuk' u bë rop shqipëtari,
Po qëndroi si ish së pari!
Dha shpirtin e gjakn' e derdhi,
Në zgjedhë si kau s'erdhi,
Mbroi nder' e Shqipërisë
Dhe sendrën' e njerëzisë!
Mbajti lirin' e ra vetë,
Trimërinë s'e la shkretë.
Pa kur erdhë egërsirat
Me të gjitha të pahirat,
Si hynë, shqeh e të tjerë,
Duke vrar' e duke prerë,
Të gjithë kombet' i zunë
Dhe në kurt të keq i shtunë,
Njeri përpara s'u dilte,
Gjithëkush udhën' u çilte.
Vetëm prindit trima tanë
"Gjer aty, barbar'!" u thanë.
Dhe kur erdhë nga Asia
Të shumë si mizëria
Turqitë, q'ishinë trima
Dhe binin si vetëtima,
Pa më thoni kush lëftonte
Edhe gjësendi s'pësonte?
Vall' elinët a bullgarët!
Apo neve shqipëtarët?
Njeri tjatërë s'kuxonte,
Veç shqipëtari lëftonte!
Ajy prap' e ka shpëtuar
Evropënë e verbuar.
Kush nuk e di Skënderbenë,
Që nderojti mëmëdhenë?
"Lum ti, moj Shqipëri!" thashë,
Armët e ti' kur i pashë
Ndë Belvedere në Vjenë,
Sikur pashë Skënderbenë.
Dhe sot nga armët e tija
Kullon fjeshtë trimëria!
E di njerëzi e tërë
Atë zot ç'punë ka bërë
Kur hiqte Skënderbeu shpatë,
Trimavet u ipte datë!
Burra të veshur në hekur
Dhe luftëtarë të pjekur,
Q'ishin në luftë kaluar
Përmi kuaj të harbuar,
Kur hiq me kordhët të prehtë,
Q'ishte si pëndëz e lehtë,
Posi pjepërin i priste,
Në vdekje pa ndjer' i klliste,
Njerin' e kalën e çante,
Të dy më katër i ndante.
Mirësin' e trimërinë,
Dhe mëndjen, e urtësinë
T'ati zoti njeri kurrë
S'e ka pasur nonjë burrë.
Vet' ajy burr' e trim ishte,
Edhe shokëtë që kishte,
Si Tanushi me Uranë,
E Moisiu me Hamzanë,
Si Maneshi e Muzaka,
Që hidheshin posi flaka,
E si Lekë Dukagjini,
Si Perllati, si Mardini,
Zënëbisha, Araniti,
Gjon Koka, q'ish si hastriti,
Kont, prens, mbretër e të tjerë,
Burra të vler' e të ndjerë.
Qenë trima të vërtetë,
Nuk u bënë rop në jetë.
Opopo! ç'kanë lëftuar,
E ç'punë kanë punuar!
Sa mbretër e prensër qenë,
Njohnë të math Skënderbenë,
Zun' udhën e urtësisë,
Ishinë lark marrëzisë,
Për Shqipërinë lëftonin,
Madhëritë nuk' i donin,
Po kishin vëllazërinë,
S'e qasninë djallëzinë,
Pa lan'emërë përjetë,
Zotërinjtë e vërtetë,
Veç Shqipërinë mejtonin,
Të tjeratë i harronin,
S'kishin ata thashetheme,
Të këqija e të rreme,
Donin gjithë mëmëdhenë
Dhe kombin' e Skënderbenë,
Kush i rrij kundrejt Tyrqisë,
Veç burrat' e Shqipërisë,
As Sërbij' as Bullgaria,
As Elladha as Vllahia,
As Venetia qëndronte,
As tjatërë komp kuxonte.
Evropa ishte e shuar,
Njerëzit të mallëkuar,
Kishin vdekurë nga frika,
Nga Turqit' u binte pika,
U trëmpnë gjithë me radhë,
Dhe Vlladisla me Uniadhë,
Si gjithë këta të rinjtë,
Dhe papa e vyzandinjtë
Më një ditë Konstandinë
Turqit' e zunë dh'e pshinë,
Kostandinopoj' e ndjerë
S'u mbajt, po ra menjëherë.
Grekërit' ishin të vdekur,
S'hanin dot barut e hekur,
Le të mbahen me lëvdatë
Grekërëtë posi gratë,
Me fjal' e me thashetheme,
Janë të gjitha të rreme.
Kishte vdekur njerëzia,
Rronte vetëm Shqipëria,
Veç shqiptari lëftonte,
Njeri tjatërë s'kuxonte.
Kordhëtar tjatërë s'gjenë,
Turqitë, veç Skënderbenë.
Skënderbeu me të parët,
Me të gjithë shqipëtarët,
I qëndruanë Turqisë,
I dhanë nder Shqipërisë,
Ata duall' e lëftuan,
Gjith' Evropën' e shpëtuan.
Te Skënderbeu kishte shpresë
Aher' Evrop' e pabesë.
Rrëfe, o mal' i Sopotit!
Edhe ti, Tomor'i zotit!
Me oshëtimë tregoni,
E me vetëtimë thoni,
Dhe ti, fortes' e Beratit!
E ju, bregoret' e Matit!
Folë, fol' o Drin'i shkretë!
Q'i ke parë me sy vetë
Të tër' ato ligjërime
I mer vesh zëmëra ime.
Këto gjithë po i dimë,
Më tëhu tani të vimë.
Pas Skënderbeut Shqipëria
Nukë ra në të këqija,
Se në kurt' kurrë s'ka rënë,
Poshtë njeri s'e ka vënë,
Se shqipëtari ish burrë,
Nënë zgjedhë s'hyri kurrë.
. . . . . . . . . . . . . .
Nder' e vjeftënë e mbajti,
Dhe sedrënë nuk e ndajti,
Nuk e harroi mëmëdhenë
Dhe lirin' e Skënderbenë,
I huaj në vëndit tënë
S'shkelte dot, se nuk ish thënë
Retë muntte të përpinte,
Në Shqipëri s'munt të vinte;
Fill e vetëm shqipëtari
Udhëtonte si m'i pari,
Me mbledhët të pleqësisë
Shihej pun' e Shqipërisë
Ligë kishin të vërtetën,
Që sbukuron gjithë jetën,
Kishin udhë urtësinë,
Besë kishin njerëzinë,
Udhërëfenjës e dritë
Kishin gjithë mirësitë.
Gjithë sa qenë të parë
Dhe me mënt e kordhëtarë,
Q'i dhanë jetë Turqisë
E nder të math Shqipërisë,
Të tër' ishin shqipëtarë
Sa bënë punë të mbarë,
Si Qyprilit' e të tjerë
Burra me emr' e të ndjerë.
Shqipëtari mbretëronte,
Ajy lëftont' e gjykonte.