Media shqiptare nuk është në tranzicion. Media ka kapur një gjendje të palëvizshme,të fjetur,ri-përsëritëse, krejtësisht të ezauruar, aspak krijuese dhe negative deri në shqetësim për opinionin.
Në vend që politika të ndjejë mbikëqyrjen dhe transparencën e medias, në Shqipëri ndodh e kundërta;media është e tëra e diktuar nga politika. I bindet asaj. I shërben. Politikës dhe biznesit. Interesave të ngushta që kanë të bëjnë me miqësitë dhe shoqërimet me njërin kah apo me tjetrin. Janë krijuar identifikimet e një-anshmërisë që nuk kanë të bëjë fare me detyrimin për informim apo balancën në të.Piktura e plotë nuk paraqet tranzicion. Thjesht një gjendje të trishtueshme ku rrethi vicioz i atyre që e kanë krijuar, është më mbytës nga ç’janë në gjendje të kuptojnë të mbyllurit në të.
Të pranosh publikisht dështimet dhe nevojën urgjente për përmirësim është një hap sublim që kaosi mediatik shqiptar nuk është ende në gjendje ta bëjë. Kjo kërkon të pranosh defekte, dhe media nuk e pranon këtë. Provë e pakundërshtueshme janë ri – përsëritjet e mërzitshme që televizioni dhe gazetat i bëjnë njëra tjetrës.
Në çdo redaksi televizive puna fillon më shfletimin e shtypit të ditës, dhe në çdo redaksi gazete qëndrojnë të ndezur tre-katër monitorë që nuk lodhen fare as të përpunojnë lajmet që ndjekin çast pas çasti aty. Pra, media është kthyer në burim të vetvetes. Sado gjenerues të jetë riciklimi i informacionit, një ditë ai shteron.
Burimet alternative janë aq të standardizuara sa të trembin me pamjen e tyre të rëndomtë; konferenca shtypi, deklarata për shtyp, promovime të ndjekura nga kokteje, thirrje për intervista të parapërgatitura. Media shqiptare është viktime e një spontaniteti që vjen nga koka e saj. Përgjumja ndjehet në shumicën e edicioneve. Mungon këndvështrimi kritik, i detajuar, i pasuruar me elementë shpjegues.