Analiza Opinione Reforma në arsim, jetike për sot dhe për të ardhmen

Debati publik rreth problematikës së mirëqeverisjes së vendit për këtë mandat qeverisës të së majtës e të ballafaqimit të ideve në mjedise teknicienësh, a më gjerë edhe nga vetë shoqëria civile, do të ishte i dobishëm, pasi do t’i nxirrte në skenën publike të gjitha prurjet, partiake a individuale dhe frytet do të ishin të vlefshme për qytetarin, për reformat që i duhen Shqipërisë në rrugën e saj të integrimit europian. E rëndësishme është krijimi i një sinergjie mendimi prej së cilës do të konceptoheshin reforma të plota për arritjen e standardeve dhe përmirësimin e cilësisë së jetës në vendin tonë.
Ndër këto reforma ajo që lidhet me edukimin dhe kërkimin është mjaft e rëndësishme, pasi cilësia në edukim shkon përkrah cilësisë së ardhme të shoqërisë. Në shoqërinë e dijes, shkolla kryen dy misione kryesore: ajo formon të rinjtë me vlerat e atdhetarisë, të qytetarisë, të demokracisë, të humanizmit dhe të integrimit global, nga njëra anë dhe, nga ana tjetër, u jep atyre aftësi e zotësi profesionale për të ndjekur rrjedhën e zhvillimit teknologjik e shkencor global e për ta zbatuar atë në perspektivën e një zhvillimi kombëtar, rajonal e më gjerë, në mënyrë që të përmirësohet cilësia e jetës.
Çështja e parë që lidhet me reformën në arsim ka të bëjë me faktin se edukimi duhet parë si një vazhdimësi, që nga kopshti e deri shkollimin universitar, e më tej në të mësuarit gjatë gjithë jetës. Kurrikula shkollore konceptohet si tërësore, dhe jo e copëzuar si deri sot, në politikat dhe strategjitë arsimore me cikle shkollimi, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të konceptohet një formim pa boshllëqe, pa thyerje konceptuale dhe pa përsëritje e fryrje informacioni nga viti në vit dhe nga cikli në cikël.
Strategjia arsimore synon orientimin e shkollës në përputhje me strategjinë afatmesme e afatgjatë të vendit dhe atë rajonale e globale. Kjo gjë kërkon një bashkërendim të të gjithë sektorëve qeverisës dhe “përkthimin në kurrikul” të kësaj strategjie zhvillimi, e cila do t’i përgjigjet perspektivës së zhvillimit, duke mënjanuar konfliktin që krijohet shpeshherë midis mënyrës së formimit dhe nevojës së tregut të punës. Një vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet rregullimit të titujve të diplomave në përputhje me kategoritë e punës në Republikën e Shqipërisë, gjë që do t’i jepte fund çrregullimeve që vihen re sot në procesin e punësimit në publik a në privat.
Reforma për arsimin merr si pikënisje financimin e arsimit si fushë prioritare.
Në sistemin parauniversitar duhet të thellohet politika e decentralizimit nga sistemi qendror drejt atij vendor deri në shkollë, duke përcaktuar detyrimet ndërinstitucionale për të rritur transparencën në secilën prej hallkave të sistemit si dhe rritjen e eficiencës së grupeve të interesit. MASH duhet të bashkëpunojë me pushtetin vendor për delegimin e autoritetit të gjitha qarqeve, drejtorive, bashkive, zyrave arsimore, komunave dhe shkollave, duke rritur përgjegjshmërinë në mirëqeverisjen e arsimit.
Në mënyrë të veçantë duhet të synohet: a) promovimi i autonomisë së shkollave duke i inkurajuar dhe duke u dhënë besim për vetëqeverisje, b) decentralizimi i kompetencave vendimmarrëse, duke lehtësuar administratën qendrore nga shumë detyra dhe duke favorizuar një qeverisje territoriale të shkollës, c) rregullimi i skemës së punësimit nëpërmjet një mekanizmi që përfshin përfaqësimin e qeverisë, komunitetin e mësuesve dhe të prindërve.
Duke qenë se një nga drejtimet kryesore të këtij mandate qeverisës është punësimi, në ciklin e tretë parauniversitar, raporti arsim i përgjithshëm/profesional, duhet të ndryshojë ndjeshëm në dobi të këtij të fundit për të rikthyer shtresën e zanateve shumë të dobishme për shoqërinë.
Nga ana tjetër, për të përmbushur boshllëkun për klasat e mesme profesionale (zanatet) e për t’iu përgjigjur edhe nivelit të lartë të adaptimit teknologjik dhe cilësisë së lartë të prodhimit duhet të synohet në ngritjen e Instituteve (Kolegjeve) Profesionale dyvjeçare, sipas modelit zviceran, finlandez, amerikan, pas shkollës së mesme. Arsimi profesional duhet të nxitet nëpërmjet sektorit privat të interesuar me mbështetjen e shtetit.
Reforma për arsimin duhet të synojë arsimin e detyrueshëm edhe për shkollën e mesme të lartë. Pas analizave që janë bërë për të parë se sa nisin klasën e parë dhe sa nga ky numër futen në universitet nga njëra anë, dhe standardi i BE-së (30/1000 banorë në shkollë të lartë) nga ana tjetër, rezulton se nga rreth 50 mijë nxënës në klasën e parë në universitet futen realisht më pak se 30 mijë.
Reforma në arsim duhet të synojë që në vitin 2017 tërheqja në kopsht të jetë mbi 80% në qytet dhe mbi 50% në fshat (aktualisht është afërsisht 50% në qytet dhe 10% në fshat), në arsimin e mesëm të arrijë në masën rreth 95% (përkundrejt masës rreth 80% që është sot), me qëllim thithjen në arsimin e mesëm të sa më shumë nxënësve, që mbarojnë arsimin e detyruar (6+3) si dhe rritjen e viteve mesatare të shkollimit.
Reforma për tekstin, apo siç është quajtur ndryshe alterteksti, la të pazgjidhur problemin midis tekstit të vlerësuar si më i miri në procesin e konkurrimit dhe tekstit “të zgjedhur nga komunitetet shkollore” për t’u përdorur në shkollë. Janë të shumta rastet kur teksti i vlerësuar me më shumë pikë nga komisione të paanshme të ngritura nga MASH-i, kanë qëndruar “në bisht” të tërheqjes nga drejtoritë arsimore, që do të thotë se fëmijët jo gjithmonë marrin në dorën e tyre tekstin, që është vlerësuar si më i mirë. Në raste të tjera, nën trysninë e shtëpive botuese a me urdhër politik e kanë deformuar këtë reformë, duke rikthyer një mënyrë të re në vendosjen e monopoleve. Nga ana tjetër, futja në shkollë e shumë alternativave për të njëjtën lëndë ka krijuar një kakofoni tekstore e cila, në kushtet e lëvizjes demografike të popullsisë, pra dhe të nxënësve, ka krijuar një çoroditje shumë të madhe nga njëra shkollë te tjetra. Lidhur me altertekstin, ne mendojmë: së pari, nuk duhet të dalë tekst në shkollë pa u eksperimentuar një vit. Së dyti, për tekstet e shkencave ekzakte duhet të përkthehen nga një vend afër nesh në tërësinë e programit dhe të cikleve të shkollimit. Kjo vlen edhe për manualet universitare të formimit bazë. Për lëndët e karakterit kombëtar tekstet duhet të shkarkohen nga mbingarkesa e faqet e tepërta, si dhe nga informacioni i panevojshëm dhe i vjetruar si dhe duhet futur një tipologji metodologjike të njëjtë me tekstet në vendet e zhvilluara, duke vënë në qendër të mësimdhënies nxënësin dhe mënyrën interaktive të të nxënit.
Edhe sistemi i vlerësimit duhet të ndryshojë e të reformohet si në të gjitha vendet e zhvilluara. Ai duhet të synojë një vlerësim tërësor të nxënësit si dhe duhet të kombinojë kontrollin e përgjithshëm standard me vlerësimin e mësuesit.
Për sistemin universitar duhet synuar thjeshtimi i skemës së pranimeve nëpërmjet ndarjes së maturës shtetërore nga skema e pranimeve, zhvillimi i konkursit vetëm për degët ku kërkesa është më e madhe se oferta, liberalizimi për degët e tjera, dhënies një peshë më të madhe mesatares, në mënyrë që nxënësi të mësojë të gjitha lëndët dhe jo të mjaftohet me katër lëndët e maturës shtetërore.
Nga vetë Universitetet duhet të ndërmerret një reformë për rishikimin e kurrikulës në raportet leksion-seminar, për të eliminuar përsëritjet e panevojshme dhe nxitjen e shkollave të larta për të përshtatur në kurrikul informacionin e ri si dhe pjesëmarrjen në konferenca ndërkombëtare dhe projekte të përbashkëta kërkimore në nivel rajonal. Strukturimi dhe zhvillimi i universiteteve duhet të bëhet në varësi të strategjisë së zhvillimit të vendit, të diversifikimit rajonal të këtij zhvillimi, të ngjashmërisë kurrikulare dhe të veçanësisë që kanë universitetet nga njëri-tjetri. Rishikimi i kurrikulës aktuale duhet të bëhet në mënyrë që ajo të harmonizojë si duhet mësimdhënien me kërkimin. Departamenti duhet të strukturohet sipas konceptit të profesorit, i cili drejton grupin mësimor në mësimdhënie dhe kërkim. Ai duhet të ketë edhe fondin e vet të kërkimit, si dhe ka detyrim në ngarkesën e tij të fitojë projekte për grupin mësimor.
Qeveria duhet të nënshkruajë një kontratë partnershipi me IAL-të për të hartuar projektet e zhvillimit të vendit me fonde qeveritare apo për të bërë oponencë për projektet e ofruara nga donatorët. Universitetet duhet të bashkëpunojnë edhe me Pushtetin Vendor për zhvillimin e territorit. Strategjia e kërkimit duhet të mbështetet në: a) kërkimin me projekte institucionale (KZH), b) kërkimin me projekte kombëtare, c) kërkimin me projekte bilaterale, e në mënyrë të veçantë integrimin e IAL-ve në FP 7 etj. Për kërkimin bazë, përveç fondeve të veta, për t’u dhënë hapësira të mëdha IAL-ve, Qeveria duhet të përfshijë këtë kërkim në zërin investime (231/5) me fondet e tyre.
Krijimi i një strukture për sistemin e karrierës që do të synojë orientimin dhe nxitjen e sipërmarrjes për të rinjtë, nëpërmjet programeve nxitëse për sipërmarrjen, panairet e punës me dhomat e tregtisë dhe bizneset si dhe praktikat e punës.
Rregullimi i raporteve midis U-publike dhe U-private, si dy sisteme komplementare dhe konkurrenciale. U-publike duhet të kenë gjitha kapacitetet e nevojshme për absorbuar të gjitha kërkesat. Kjo do të shpjerë në një konkurrencë më të drejtë, e cila mbështetet në tre komponentë: cilësia, komoditeti dhe tarifa e shkollimit. Qëndrimi i Qeverisë ndaj këtyre dy sistemeve duhet të jetë vetëm në respektim të standardeve, pa shfaqur favoritizëm në njërën apo në tjetrën anë.
Ndërtimi i një sistemi funksional vlerësimi të brendshëm dhe të jashtëm, jashtë ndikimit të ekzekutivit duke ftuar një agjenci të huaj akreditimi, e pajtuar nga Konferenca e Rektorëve), që do të realizonte fillimisht akreditimin, pastaj edhe një renditje të universiteteve, sipas degëve të studimit. Këshilli dhe Agjencia e Akreditimit duhet të jenë struktura jashtë MASH, të miratuara nga Parlamenti, me propozim të Konferencës së Rektorëve.
Me plotësimin e kushteve të sistemit full-time që, së bashku me universitetet private, do të absorbojë tërësinë e kërkesave në kufijtë preferencialë, sistemi part-time duhet të shndërrohet gradualisht brenda këtij mandati në një sistem të të mësuarit gjatë gjithë jetës. Shkolla e lartë duhet të hapet në shërbim të aftësimit të përhershëm të kategorive të punës, duke hapur cikle kursesh e duke dhënë diploma të ndërmjetme a certifikata për njohuri të caktuara. Duhet t’i kushtohet rëndësi njohurive ndërdisiplinore për lëndë a grup lëndësh në varësi të zgjerimit të pozicionit të punës në përputhje me strategjinë e zhvillimit rajonal e global.
Në mënyrë të veçantë, rëndësi duhet t’i kushtohet trajnimit dhe kualifikimit të mësuesve mbi bazën e programeve të përbashkëta të IKT-së dhe fakulteteve përkatëse nga kanë dalë këta mësues.
Reforma arsimore duhet të synojë gjithashtu në hartimin një programi të posaçëm për minimizimin e braktisjen e shkollës, familjet e ngujuara si dhe fëmijët e migrantëve. Ky program duhet të hartohet nga MASH në bashkëpunim me Ministrinë e Emigracionit, Pushtetin Vendor, MPÇSHB, OECD-në dhe të gjitha organizmat e përfshira në proces.

Popular

BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR

BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR
BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR - GJITHASHTU DHE RIPAROJME