ARSIMI DHE GLOBALIZMI



ARSIMI DHE GLOBALIZMI

Kur flasim për zhvillimin global ne i referohemi përpjekjeve të bëra nga vendet e zhvilluara dhe ato në zhvillim për të nxjerrë njerëzit nga varfëria dhe për të reduktuar sa më shumë që është e mundur papunësinë dhe ndihmat. Shumë gjëra të ndryshme mund të ndihmojnë zhvillimin i cili redukton varfërinë, të tilla si zgjidhja e konflikteve, rritja e tregtisë, përmirësimi i shëndetit dhe arsimit.

Roli i edukimit në zhvillimin global

Edukimi ka një rol jetik në aftësimin e njerëzve për të mësuar zotësitë dhe njohuritë e nevojshme në një botë në ndryshim. Por lloji i edukimit të nevojshëm sot është mjaft i ndryshëm nga ai i të kaluarës. Njohja është duke ndryshuar dhe duke u rritur më shpejt se më parë. Multimedia dhe interneti u japin shumë njerëzve më tepër akses te njohuritë sesa e kanë bërë këtë libraritë e universiteteve 50 vjet më parë. Disiplina të reja janë duke u zhvilluar gjatë gjithë kohës dhe aftësitë e vjetra janë duke u bërë arkaike. Mundësitë e punësimit, traditat e punës dhe karriera janë duke ndryshuar në mënyrë konstante.
Sot njerëzit shpenzojnë një kohë më të gjatë për të udhëtuar, pushuar dhe mbi të gjitha për t’u arsimuar. Por, nëqoftëse edukimi kërkon t’i përgatisë njerëzit për botën në ndryshim, atëherë duhet të bëjmë lidhje midis jetës sonë dhe të tjerëve rreth e rrotull globit. Edukimi duhet të zhvillojë vlera dhe qëndrime që lidhen me zhvillimin e qëndrueshëm, të kuptuarit ndërkulturor dhe solidaritetin me njerëzit që jetojnë në kushtet e varfërisë ekstreme.
Edukimi duhet të zhvillojë të kuptuarin bazë dhe njohjen e botës që vepron në ndërvarësi të vazhdueshme. Arsimi dhe edukimi duhet t’u ofrojë njerëzve aftësi dhe njohuri të qytetarisë, që kështu ata të mund të ndikojnë drejtpërsëdrejti në komunitetin e tyre nëse dëshirojnë. Pa këto elemente, edukimi do të dështojë t’i përgatisë njerëzit për sfidat e shekullit 21. 
Shumë nisma qeverisjeje në Evropë i adresohen këtyre çështjeve drejtpërsëdrejti ose në mënyrë indirekte. Politika dhe guida kombëtare janë prodhuar dhe mjaft materiale ndihmëse plotësojnë tabllonë e zhvillimit global në edukim. Por pak ka ndodhur në nivelin e nxënësit individual dhe të rriturit që ofron edukimin.  Secili aktor i përfshirë në dhënien e mundësive për të mësuarin gjatë gjithë jetës ka përgjegjësi të sigurohet që “dimensioni global” përshkon si një element bazë të gjitha programet.

Qëllimet e shekullit për zhvillimin global

Eleminimi i varfërisë ekstreme dhe i urisë;
Sigurimi i arsimit fillor për të gjithë fëmijët;
Nxitja e barazisë gjinore dhe dhe dhënia më shumë fuqi grave;
Reduktimi i përqindjes së vdekjes te fëmijët;
Përmirësimi i shëndetit të nënave;
Lufta kundër HIV, AIDS, malarjes dhe sëmundjeve të tjera;
Mbrojtja e mjedisit në të gjithë planetin;
Krijimi i një partnershipi global për zhvillimin.

Çfarë nënkuptojnë “perspektivat globale”?

Një perspektivë globale është çfarë ne dëshirojmë të arrijnë nxënësit si rezultat i përfshirjes së edukimit global në kornizën kombëtare, me fjalë të tjera është:
një i kuptuar aktiv i dimensionit global 
Aktiv nënkupton që nuk është thjesht akademik ose teorik, por fillon nga përvojat e përditshme të nxënësit, zhvillon aftësi praktike dhe përfshin në vetvete të mësuarin aktiv. Të kuptuarit nënkupton që nxënësi angazhohet në analizat kritike të informacionit, njohurive, koncepteve dhe vlerave. Global nënkupton botën dhe njerëzimin si një e tërë, e cila nuk është e njejtë në planin ndërkombëtar, shumëkulturor ose botëror me entitetin gjeografik dhe fizik. Së fundi, dimensioni i referohet metodave të edukimit dhe kurrikulës, të mësuarit të të rinjve dhe të rriturve të fokusuar në çështjet, ngjarjet ose ndërvarësitë globale.

Perspektivat globale e njohin dhe e pranojnë faktin që ekzistojnë perspektiva kulturore, historike dhe ideologjike të ndryshme në çështjet globale. Këto duhet të reflektohen në të gjitha aspektet e të mësuarit. Kjo gjë është të parit e botës me më tepër se një mënyrë.

Konceptet bazë të të mësuarit global

Ndërvarësia. Të kuptohet sesi njerëzit, vendet, mjediset dhe ekonomitë janë të lidhura me njera tjetrën dhe që ngjarjet kanë ndikim në shkallë globale;
Qytetaria dhe mbrojtja e mjedisit. Fitimi i njohurive, aftësive dhe të kuptuarit e domosdoshëm për t’u bërë një qytetar i mirëinformuar, aktiv, përgjegjës dhe global;
Diversiteti. Të kuptuarit dhe respektimi i ndryshimeve që lidhen si me pjesën e përbashkët njerëzore, ashtu dhe me strategjitë e zhvillimit për të qenë krijues;
Zhvillimi i qëndrueshëm. Të kuptuarit e nevojës për të mbajtur dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës pa dëmtuar planetin për brezat e ardhshëm;
Drejtësia sociale. Kuptimi i rëndësisë së barazisë dhe drejtësisë në zhvillimin e qëndrueshëm, ekonominë dhe mirëqenien e të gjithë njerëzve;
Perceptimet dhe vlerat. Zhvillimi i vlerësimit kritik të imazheve të rajoneve të ndryshme të botës dhe marrja në konsideratë e efektit që ato kanë në qëndrimet dhe vlerat e njerëzve.
Të drejtat e njeriut. Njohja e të drejtave të njeriut dhe të kuptuarit e gjerësisë, universalitetit dhe statusit të tyre si pjesë e vendit dhe e ligjit ndërkombëtar;
Zgjidhja e konflikteve. Të kuptuarit sesi konfliktet janë pengesë për zhvillimin dhe pse është e rëndësishme zgjidhja e tyre dhe nxitja e harmonisë.

Qëndrimet, vlerat dhe aftësitë e mëposhtme kontribuojnë në të kuptuarin pjesëmarrës të dimensionit global në jetën tonë dhe përforcojnë mjedisin e të mësuarit në të cilin këto parime udhëheqin.

Vlerat dhe qëndrimet.

Përgjegjësia për impaktin direkt dhe indirekt në botë;
Të mësuarit nga të tjerët kudo që ndodhen dhe jo mbështetur në sloganin: “Perëndimi më i miri”;
Solidariteti me njerëzit që janë të privuar, të përjashtuar dhe që u shkelen të drejtat njerëzore;
Bashkëpunimi midis njerëzve në nivel personal, lokal, rajonal dhe global;
Mundësi të barabarta dhe përfshirje sociale;
Të kuptuarit ndërkulturor dhe respekti për perspektivat e ndryshme.

Aftësitë

Vetëndërgjegjësimi;
Lidhje e përvojave dhe njohurive personale me çështjet e gjera;
Metodat pjesëmarrëse të të mësuarit;
Analizat kritike;
Analizat e informacionit dhe të dhënave;
Aftësia për të komunikuar koncepte, informacion dhe vlera në mënyrat angazhuese;
Puna në grup

Dimensioni global nuk është një lëndë e veçantë për t’u shtuar në planin mësimor, por një dritare për të parë kurrikulën dhe mësimdhënien në përgjithësi. Perspektivat globale janë thelbësore për të përmirësuar cilësine e të mësuarit sot. Kur ato integrohen në kurrikul, bëjnë që çështjet që trajtohen të marrin vlera të veçanta. Kjo bën që të gjithë nxënësit ta kuptojnë lëndën në një kontekst më të gjerë.

Megjithatë, nuk mund të mohohet që për shumë njerëz problemet e globalitetit  lidhen me imazhe negative si:
fabrika që mbyllen përballë konkurencës së huaj apo nga përfitimi prej kostos së ulët të fuqisë puntore jashtë shtetit
refugjatë që kërkojnë një jetë më të mirë se varfëria, dhuna dhe uria
ngrohja globale, përmbytjet dhe ciklonet.

Këto pamje japin vetëm një pjesë të historisë, realiteti është më kompleks. Perceptimet e panjohura mund t’i bëjnë njerëzit të ndërmarrin veprime me pasoja negative për individët dhe botën. Po japim vetëm tre shembuj:

Dërgimi i makinerive bujqësore, ushqimeve dhe veshjeve në vendet e varfëra çon në nënvleftësimin e bujqësisë vendase dhe të industrisë së veshmbathjes, duke i atrofizuar atje ndërmarrjet dhe duke i varfëruar më shumë ato vende;
Bojkoti i mallrave të prodhuara nga puna e fëmijeve në vendet e varfëra, mund të përkeqësojë gjendjen e familjeve të tyre dhe të sjellë forma më të këqia të punës së fëmijëve.
Protestat “Dump the pump’ kundër rritjes së çmimit të naftës u pasuan nga një ulje e taksës dhe  zbritje 15% të çmimeve të karburanteve. Kjo solli rritjen e numrit të automjeteve, shtimin e trafikut në rrugë dhe ngrohjen globale. Të gjitha këto kanë një kosto të lartë për publikun.

Për të rritur mirëqënien social-ekonomike, ka mënyra të ndryshme të trajtimit të çështjeve të mësipërme. Kështu përshembull, me mirë të rikthesh kovaçët vendas, që të bëjnë vegla bujqësore se sa të sjellësh vegla të gatshme. Ndërgjegjësimi mund t’i ndihmojë njerëzit për të kuptuar se çfarë po ndodh, për të marrë vendime të ndryshme dhe për të luftuar për një jetë më të mirë për të gjithë.

Ndërvaresia globale

Që nga 11 shtatori 2001, politikanët e të gjithë krahëve kanë bërë apel për të njohur dhe pranuar botën e ndërvarur. Sipas një raporti të vitit 2001 për qëndrimet e publikut lidhur me varfërinë në vendet në zhvillim, 78% e te rriturve në perëndim mendojnë se e ardhmja varet në një kuptim më të mirë të kulturave të vendeve te tjera.
Raporti thekson se duhet të të kuptojmë si duhet ndërvarsinë dhe marrëdhëniet e çështjeve të ndryshme të zhvillimit më jetën e përditëshme të njerëzve
Ulja e varfërisë globale çon në një botë më të mirë për të gjithë. Jo shumë kohë më parë, Japonia, Singapori dhe Korea e Jugut ishin shtete të varfëra, por sot ato janë novatorë, eksportues, investitorë dhe sipërmarrës në mbarë botën. Fundi i aparteidit në Afrikën e Jugut ka rritur mundësitë për njerëzit atje dhe ka krijuar një forcë pozitive për zhvillimin e Afrikës. Përpjekjet ndërkombëtare për t’i dhënë fund luftës në Sierra Leone kanë krijuar një stabilitet politik në rajon, duke sjellë fuqizimin e ekonomisë vendase dhe rindërtimin e komuniteteve për të qenë më të pavarur nga ndihmat. Këto përfitime i ndjejnë edhe shtetet jashtë rajonit.
Nga ana tjetër, veprimet e shteteve të pasura e të fuqishme i kanë varfëruar më tej shtetet në zhvillim duke krijuar varësinë e të ardhurave nga tregtia e vogël, duke bllokuar prodhimet vendase, duke mbështetur regjimet jo-demokratike e të korruptuara, dhe duke rritur borxhet. Kur shtetet e varfëra varfërohen më tej në këtë mënyrë, popujt e tyre vuajnë, kanë më shumë nevojë për ndihmë, shfrytëzojnë në mënyrë të egër burimet natyrore  për të mbijetuar, rritet numri i refugjatëve, krijohen konflikte dhe mbeten jashtë tregjeve botërore.

Aftësitë për një ekonomi globale

Arsimi duhet të trajtojë mënyrën se si transformohet vendi i punës nga ekonomia globale dhe teknologjitë e reja. Shumë aftësi dhe prodhime tradicionale kanë humbur, duke u nënvleftësuar nga ekonomitë e zhvilluara. Grupe njerëzish të moshës së mesme e ndjejnë veten të paaftë e të pazotë. Zanate të reja bëjnë që të punësohen njerëz të ndryshëm me aftësi të ndryshme. Ekzistojnë, gjithashtu, punë shumë më të kualifikuara se më parë, kështu që pjesa më e madhe e punëve kërkojnë një nivel të lartë përgatitjeje profesionale dhe fleksibilitet më të lartë. Dimensioni global ofron gjithashtu përgatitje për kontekstin më të gjerë të këtyre ndryshimeve dhe një kontribut për të përgatitur punëdhënësit e punëmarrësit për një ekonomi globale në rritje.

Gjithëpërfshirje aktive qytetare e sociale

Çështje të rëndësishme të politikës qeverisëse për arsimin janë rindërtimi i vendit dhe angazhimi i shoqërisë në të. Aktivizimi zhvillon tek njerëzit aftësitë dhe besimin për të kontrolluar më mirë jetën e tyre. Meqënëse vendimet, gjithnjë e më shumë merren në nivel global dhe bota bëhet gjithnjë e më shumë e ndërvarur, ka rëndësi që njerëzit t’i kuptojnë drejt lidhjet midis vendim-marrjes lokale dhe globale. Pranimi shabllon i globalizmit dhe i ndryshimeve që ai sjell, mund të çojë në shkatërrimin e kulturave, komuniteteve, burimeve natyrore dhe mjedisit, gjë që mund të prishë balancën e përfitimeve më të mëdha. Komunitetet e ndryshme sot kudo në botë, kanë lidhje direkte me shumë shtete dhe kultura te ndryshme, por ato kanë gjithashtu nevoja të ndryshme për arsim dhe edukim, nevoja këto që duhet të evidentohen dhe të gjejnë zgjidhje.
“Në këtë periudhë globale, me të gjitha mundësitë dhe sfidat e saj, është më e rëndësishme  se kurrë më parë të njohësh kulturat e tjera”.
Sir Trevor McDonald, 26 shtator 2001

Diversiteti kulturor dhe barazia racore/etnike

Perspektivat globale janë integruar në marrëdhëniet racore në shumë shtete të botës. Arsimi ka një rol kyç në zhvillimin e një shoqërie që respekton dhe kupton diversitetin kulturor, si dhe sfidon diskriminimin e padrejtësitë e të gjitha formave.
“Qytetarët e të gjithë botës do ta kenë të vështirë në shekullin 21 nëse pasqyrojmë vetëm pasojat e trazirave në një rajon konfliktesh dhe jo shkaqet. E vërteta rreth ngjarjeve të tilla si atyre racore apo etnike është se ato shkaktohen jo vetëm nga çështje ekonomike e klasore, por edhe nga mungesa e njohjes dhe e respektit ndaj një kulture tjetër”.
Kuptimi i kulturave duhet parë në kontekstin global. Duhet bërë lidhja ndërmjet përvojave të përditeshme dhe perspektivave të njerëzve me ngjyrë që jetojnë në kontekstin evropian dhe çështjeve të globalitetit dhe të zhvillimit.
Në të vërtetë, komunitetet minoritare kanë mjaft mundësi arsimore, që shpesh nuk njihen apo gjejnë mbështetje. Shume minoritete zhvillojne programe arsimore, sociale dhe zhvillimi, që sjellin perspektiva të veçanta globale.

Përmirësimi i cilësisë së jetës

Njerëzit vazhdojnë të arsimohen për të përmirësuar cilësinë e jetës. Idea e thjeshtë për të siguruar një jetë më të mirë, tani dhe për brezat e ardhshëm, përbën thelbin e zhvillimit të qendrueshëm.
Raportet ndërkombëtare ‘Për një cilësi më të mirë jetese’ theksojnë katër objektiva:
progres social që njeh nevojat e të gjithë njerëzve
mbrojtja e mjedisit
shfrytëzim i kujdesshëm i burimeve natyrore
ruajtja e niveleve të larta dhe të qendrueshme e rritjes ekonomike dhe punësimit

Të gjitha objektivat lidhen me çështje të niveleve lokale, kombëtare dhe globale.Përveç sfidave, çdo vend i zhvilluar përfiton gjithashtu nga diversiteti, nëpërmjet angazhimit më të madh në bashkëpunimin me shtetet e tjera në mbarë botën. Edhe pse këto që përmendim jane çështje komplekse, dimensioni global mund të eksplorohet në të gjitha aspektet me anë të kurrikulit.

Perspektivat globale në praktikë

Të mësuarit duhet të përfshijë perspektivat globale  si shëndetin, mjedisin, sigurinë, etj.
Ka shumë shembuj se si perspektivat globale inkorporohen në veprimtaritë e të mësuarit. Mbështetësit e edukimit global duhet të tregohen aktivë në krijimin e një klime politike ku perspektivat globale të pasqyrohen në kurrikul me profesionalizëm dhe të zhvillohen gjerësisht te mësuesit me anë të trainimit përkatës.
Shoqata të ndryshme arsimi në mbarë botën kanë krijuar programe për trajnimin e mësuesve mbi edukimin e zhvillimit global. Një program i tillë disa vjeçar është zhvilluar edhe në vendin tonë, fryt i bashkëpunimit të Institutit të Studimeve Pedagogjike me UNICEF dhe qindra mësuesve në mbarë vendin.“ Ta çojmë botën drejt mësimdhënies dhe mësimnxënies.“ Kjo ndërgjegjëson mësuesit, rrit aftësitë dhe besimin në futjen e perspektivave globale në praktikën mësimore të shkollave..
Mësuesit e lëndëve të ndryshme krijojnë mundësi që të zhvillojnë tek nxënësit njohuritë dhe aftësitë bazë duke trajtuar lidhjet midis kushteve të jetesës së fëmijëve në vend dhe atyre në një vend tjetër të botës.
Një mësues i lëndës së teknologjisë, psh përdor tezgjahun apo avlimendin për të treguar lidhjen e jetës së nxënësve të tij me pjesën tjetër të botës dhe për të rritur ndërgjegjësimin e nxënësve për të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre dhe të popujve të tjerë.
Mësuesi i shkencave sociale mund të zhvillojë tema sfiduese, si psh “Problemet aktuale me një perspektivë globale“, që demonstrojnë se si nxënësit e mësuar me trajtimin tradicional mund të angazhohen me çështjet e zhvillimit si kriza ndërkombëtare e borxheve, migrimi i parave dhe njerëzve, zhvillimi i qendrueshëm dhe ngrohja globale, ku përdoren materiale të përshtatshme dhe metoda të të mësuarit interaktiv.
Mësuesit e edukimit global e kanë zgjeruar përdorimin e rrjetit ndërkombëtar për të inkurajuar nxënësit që të eksplorojnë probleme globale dhe të vlerësojnë impaktin e këtij rrjeti në komunikimin ndërkombëtar të njerëzve me zhvillime, gjini, nivel të ardhurash të ndryshëm.
Disa shkolla e kanë filluar punën me perspektivën e mjedisit, duke trajtuar, për shembull, strategjitë e minimizimit të mbetjeve në qendrat e tyre. Mjaft vende i kanë dhënë dritën jeshile iniciativave të pasurimit të kurrikulit, që zakonisht fillojnë me një fokus mjedisor dhe zgjerohen me problemet e të drejtave të njeriut apo ato të drejtësisë sociale në fazën tjetër të zhvillimit të kurrikulit.
Shumica e vendeve kanë përshtatur në shkollat e tyre programet e Edukimit qytetar ku kanë përfshirë qytetërimin global, si dhe krahasimet e çështjeve në nivelet lokale dhe ato globale. Programet përfshijnë të rinjtë në projekte dhe diskutime mbi të drejtat e njeriut,  papunësinë, migracionin dhe problemet e mjedisit. Çështjet e drejtësisë dhe diversitetit janë gjithashtu në qendër të zhvillimit të perspektivës globale.
Programet për komunitetin kanë më shumë të ngjarë që t’i trajtojnë perspektivat globale në lidhje me cilësinë e jetës, qytetarinë apo ndërvarësinë. Për shembull, një numër i madh programesh për të mësuarit në komunitet, inkurajojnë të kuptuarit interkulturor, ndërgjegjësimin dhe madje shkëmbimet ndërkombëtare.

Qendrat e Zhvillimit Arsimor në të gjithë botën, punojnë me komunitetet lokale për t’i sjellë arsimit perspektivat globale, duke eksploruar nevojat e tyre dhe zhvilluar projekte me pjesëmarrje të ndryshme. Këto perfshijne prodhimin e materialeve mesimore, mbështetjen e punonjësve të komunitetit, tutorëve, lektorëve në futjen e perspektivave globale në punën e tyre, zhvillimin e seminareve dhe duke ndihmuar lidhjet midis komuniteteve brenda vendit dhe jashtë tij.
Edukimi i sindikatave, gjithnjë e më shumë, përfshin dimensionin global nëpërmjet sesioneve të globalizimit, solidaritetit ndërkombëtar, të drejtës për punë, etj.

Hapat në edukimin global

Njerëzit e interesuar për arsimin duhet të kenë parasysh që të përfshijnë perspektivat globale në të gjitha nivelet e arsimit. Çdo aktor ose agjensi duhet ta mendojë me kujdes integrimin e të kuptuarit aktiv të dimensionit global në politikën dhe praktikën e tyre.
Në përgjithësi, kjo do të thotë që të kërkosh mënyrat se si politika, udhëzimet, prioritetet monetare, kurrikula dhe zgjedhja e stafit të përfshijne:
Të mësuarit aktiv mbi qytetërimin, duke lidhur përvojat e nxënësve me atë çka ndodh në botë;
Të kuptuarit e marrëdhënieve, të koncepteve dhe vlerave, të përmendura më sipër  me lëndë dhe aftësi të veçanta
Një zhvillim i tillë nuk duhet parë thjesht si një element reference i çështjeve globale, por si një mbikqyrje serioze e marrëdhënieve të lëndëve të veçanta me zhvillimin, mjedisin, drejtësinë sociale dhe ndërvarësinë. Në këtë proces mund të na ndihmojnë tre pyetje:
Si lidhen politikat dhe praktikat aktuale me kulturat globale, drejtësinë sociale dhe ndërvarësine globale?
Si e stimulojmë të mësuarit aktiv për qytetërimin global?
Si mund t’i përmirësojmë politikat dhe praktikat tona për të nxitur të mësuarit aktiv, perspektivat globale, qytetërimin, ndërvarësinë, drejtësinë sociale dhe zhvillimin e qendrueshëm?

Më poshtë jepen disa veprime që mund të ndërmarrin aktorët e të mësuarit gjatë gjithë jetës.
Mësuesit duhet të inkurajojnë nxënësit:
për të shkëmbyer përvojat e tyre dhe për të kuptuar lidhjet ndërmjet jetës së tyre dhe botës;
për të zhvilluar aftësitë e tyre duke vazhduar të studjojnë  çështjet globale;
për të gjetur materiale, burime dhe mundesi që lidhin kurrikulin me jetën e komunitetit vendas dhe fqinj me çeshtjet globale, sa herë që të jetë e mundur.
Shkollat duhet :
të caktojnë një person ose një grup pune, përgjegjës për zhvillimin e dimensionit global dhe zhvillimit të qendrueshëm;
të mbajnë lidhje me institucione ose organizata përkatëse lokale, rajonale dhe kombëtare, që kanë përvoja në trajtimin e çeshtjeve dhe perspektivave globale;
të sigurojnë që perspektivat globale janë mishëruar në rezultatet e mësimnxënies dhe të kujdesen për cilësinë e menaxhimit të arsimit dhe trainimit;
të sigurojnë burime për stafin drejtues dhe personelin në mënyrë që ata të realizojnë trainimin mbi perspektivat globale .
Shoqatat dhe organizatat profesionale të mësimnxënies duhet: 
të sigurohen se antarët e tyre i kuptojnë perspektivat globale dhe zhvillimin e qendrueshëm;
të inkurajojnë dhe financojnë programe, që bëjnë lidhjen ndërmjet perspektivave globale dhe fuqizimit të shoqërisë civile;
të inkurajojnë dhe financojnë programe në lidhje me të mësuarin në shkollë, të mësuarin në familje dhe arsimin komunitar;
të hartojnë programe trainimi në partneritet me bizneset lokale dhe institucionet arsimore për të zhvilluar aftësitë dhe dijet, për të mishëruar perspektivat globale në programet e të mësuarit.
Sa më i madh të jetë globi, aq më i drejtpërdrejtë është ndikimi. Kështu për shembull, autorët e programeve dhe teksteve shkollore, trajnerët dhe mësuesit kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në mjedisin e mësimnxënies dhe mësimdhënies, por ata mund të ndikojnë në mënyrë të tërthortë në politikën dhe strategjinë e institucioneve ku punojnë, gjë që nënkupton

zhvillimin e kurrikulit dhe atë profesional lidhur me perspektivat globale.

Popular

BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR

BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR
BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR - GJITHASHTU DHE RIPAROJME