Beteja e Beratit (1455) dhe e Albulenës (1457)
Marrja e Beratit kishte një rëndësi të dyfishtë për shqiptarët. Nga njera anë u prishej turqve të sanxhakut të Shqipërisë baza ushtarake më e përparuar dhe më e fortifikuar e nga ana tjetër hapej rruga për çlirimin e krahinave jugore të Shqipërisë.
Me kërkesat e përsëritura të Skënderbeut, Alfonsi më në fund dërgoi në maj të vitit 1455 një repart prej 2 mijë këmbësorësh italianë.
Në korrik të vitit 1455, Skënderbeu në krye të ushtrisë prej 14 mijë vetësh, i ndihmuar edhe nga repartet napolitane rrethoi Beratin. Në fillim shqiptarët korrën suksese, pushtuan qytetin, ngushtuan rrethimin e kështjellës që ngrihet mbi qytet dhe e detyruan komandantin turk të garnizonit të kërkonte armëpushim prej 15 ditësh për të bërë dorëzimin. Në pritje të afatit Skënderbeu u nis për të pregatitur sulmin kundër një kështjelle tjetër. Por ndërkohë, në mënyrë të befasishme, një ushtri turke prej 40 mijë vetësh, nën komandën e Isak Bej Evrenozit që e kishte njohur Shqipërinë gjatë shtypjes së kryengritjes së Gjon Kastriotit më 1430, i erdhi në ndihmë, pa u diktuar, garnizonit të rrethuar të Beratit dhe i sulmoi prapa krahëve shqiptaret e papërgatitur dhe të shkujdesur. Në këtë përleshje shqiptarë u thyen rëndë. Me mijra vetë u vranë, bashkë me to edhe pjesa më e madhe e ushtarëve napolitanë. Kjo qe një disfatë serioze që pësuan forcat shqiptare gjatë periudhës që luftuan nën udhëheqjen e Skënderbeut.
Ardhja pa u diktuar e turqve u bë e mundur, sepse Moisi Golemi, komandant i forcave kufitare, i pakënaqur nga përqëndrimi i pushtetit në duar të Skënderbeut ia kishte hapur tradhëtisht rrugën Isak Bej Evrenozit. Pas disfatës së Beratit, Moisiu kaloi hapur në anën e turqve.
Disfata e Beratit u kushtoi shumë shtrenjtë shqiptarëve. Përveç humbjeve të mëdha njerëzore, u keqësua edhe gjëndja politike e Skënderbeut. Alfonsi i Napolit hoqi dorë përfundimisht nga ndihmat ushtarake. Venediku shfrytëzoi rastin dhe rifilloi provokimet për të eliminuar pushtetin e Skënderbeut. Krerët feudalë, të nxitur edhe nga Venediku, duke kujtuar se tashmë i erdhi fundi rezistencës shqiptare, vrapuan të merreshin vesh me turqit ose të siguronin strehim në Venedik. Dukagjinët u prishën përsëri me Skënderbeun dhe u lidhën me turqit. Por me gjithë këto fatkeqësi, në sajë të përkrahjes së pakufizuar që gjeti në masat popullore, Skënderbeu e rimori vehten dhe e rimëkëmbi brënda një kohe të shkurtër ushtrinë e gjymtuar.
Më 1456 një ushtri turke prej 15 mijë kalorësish, duke pasur në krye tradhëtarin Moisi Golemin, u nis kundër Shqipërisë, por thye në betejën që u zhvillua më 14 maj, në fushën e Oranikut (Dibër). Moisiu, i penduar, iu dorëzua Skënderbeut dhe i shërbeu atij me besnikëri deri në fund. Më 1456 ndodhën lëkundje të tjera në radhët e bujarëve shqiptarë. Gjergj Stres Balsha u dorëzoi me tradhëti turqve kështjellën e Modricës. Kulmi i përçarjes dhe i tradhëtisë feudale arriti më 1457. Nipi dhe bashkëpunëtori më i ngushtë i Skënderbeut, Hamza Kastrioti, i cili e humbi shpresën për t'i zënë vendin ungjit të vet kur këtij i lindi djali trashëgimtar, kaloi në anën e sulltanit.
Viti 1457 ka qënë një nga vitet më kritikë të periudhës 25 vjeçare të luftave të Skënderbeut. Vdekja e Huniadit që ndodhi më 1456 i dha rast sulltan Fatihut ta drej-tonte vemendjen e vet kundrejt Shqipërisë. Ai nisi në korrik të këtij viti një ushtri të madhe turke prej 80 mijë vetësh nën komandën e gjeneralit të regjur në luftën kundër shqiptarëve, Isak Bej Evrenozit dhe të shoqëruar nga Hamza Kastrioti, të cilin e kish-te emëruar sundimtar të Krujës.
Hamza Kastrioti, njohës i mirë i vendit, i ushtrisë shqiptare dhe i taktikës së Skënderbeut, përpara se t'i drejtohej Krujës, e këshilloi komandantin turk të asgjëson-te masën kryesore të ushtrisë shqipëtare e cila bashkë me komandantin e saj qëndron-te zakonisht jashtë kështjellave. Skënderbeu këtë radhë ishte i detyruar të ndiqte një taktikë të re. Pasi kreu një sërë veprimesh dhe tërheqjesh ai, si duket e shpërndau përkohësisht masën kryesore të ushtrisë për t'u dhënë turqve të kuptonin se ishte shpartalluar, se ushtarët e tij kishin dezertuar, se krerët e kishin tradhëtuar, dhe se ai vetë po kërkonte shpëtim. Kjo manovër duket se pati sukses, sepse edhe kapiteni venedikas i Durrësit, Marko Diedo, e njoftonte më 31 korrik 1457 dogjin e republi-kës: "Fort i larti Skënderbe po bredh nëpër male për të shpëtuar kokën, dhe u braktis nga të gjithë krerët kryesorë të rrethit të vet që shkuan të bashkohen me turkun". Isak Bej Evrenozi dhe Hamza Kastrioti, duke mos e ndeshur në asnjë vend ushtrinë shqip-tare, u bindën më në fund se Skënderbeu tashmë ishte shpartalluar. Por kur më 7 shtator 1457 ushtria turke kremtonte në fushën e Albulenës pranë Milotit fundin e rezistencës shqipëtare, - Skënderbeu, i cili nuk i kishte humbur lidhjet me ushtarët e vet, me kushtrimin e tij të parë grumbulloi me të shpejtë ushtrinë e shpërndarë dhe sulmoi në befasi turqit e shkujdesur duke i shpartalluar plotësisht. Shqiptarët zunë rob midis mijra vetave edhe Hamza Kastriotin, i cili u mbajt i burgosur për disa vjet në Itali.